Shën Valentini, dita e të dashuruarve

881
Sigal

 ARBEN DUKA

 Vajza dhe hëna…

Doli hëna prapa malit,

doli në pranverë,

sa pa vajzën pranë djalit,

u fsheh menjëherë.

Që nga nata e bekuar,

hëna më s’ ësht’ dukur,

se vajza e dashuruar,

është më e bukur.

Tani hënëza bardhoshe,

nuk del më në Maj,

ndrin një vajzë bukuroshe,

në vendin e saj.

Dashuria-dashuria,

që kur është dukur,

i bën vajzat edhe djemtë,

si yje të bukur.

Një stinë e lulëzuar,

të çel mu në zemër,

kush është i dashuruar,

jeton si në ëndërr..

Zjarr dashurie…

Se ç’u dogj një flutur,

në flakë të qiririt,

ndaj më shkau loti,

në qerpik të syrit.

Se ç’u dogj e shkreta,

me vete thash’ unë,

u dogj-sepse dritën,

e donte kaq shumë.

Po kështu-njëlloj,

ndodh mes njerëzisë,

se ç’i djeg të gjithë,

zjarr’ i dashurisë.

Eh-ky zjarr i shkretë,

tret gurë e zinxhirë,

i vetmi-ku njerëzit,

digjen me dëshirë.

Digjen me dëshirë,

të mençur-të marrë,

dhe hidhen pa frikë,

nga zjarri në zjarr.

Nga zjarri në zjarr,

të plagosur mbetën,

me ca plagë zemre,

që dhëmbin gjith’ jetën..

20 Prill 2014

   

Heroi i dashurisë

 Në zemër s’gjeta kurrë paqe

Në asnjë varg të poezisë
Për ty nuk shkrova dot një faqe,
Hero i madh i dashurisë!

Një laps të kuq në gishta luaj
Po portat nuk ia hap mërzisë
Kollaj s’e kam për ty të shkruaj
Se je hero i dashurisë!…

Heronjtë me mijëra numërohen,
Në çdo minutë të historisë,
Po as të thoi s’i afrohen
Heroit tim të dashurisë!…

Ai jetoi fare pa zhurmë
Ishte hero, por i pa emër
Iku e nuk na la një gjurmë
Nuk ish njeri, po ishte ëndërr!

Ndaj nuk u shfaq me shpatë në dorë
Të sillte luftën apo paqen
Se ëndërr ish, i bardhë dëborë
Se ëndrrat ndodhin, po nuk shfaqen!…

Vetëm një çast të ngriu jeta
Kur një shigjetë të ra në sisë
Po ti nuk pyet për shigjeta
Se je hero i dashurisë!…

Po sa shigjeta të kanë zënë
Ty që nga koha e rinisë,
Po shpirtin kurrë s’e ke dhënë
Se je hero i dashurisë!…

Sa plagë nga plumbat ti ke marrë
Gjersa gjithë jeta t’u bitis,
Po mendjen fare s’e ke vrarë
Se je hero i dashurisë!…

Po sa kështjella pushtuar
Larg brohorimës dhe lavdisë
Po në litar asnjë s’ke çuar
Se je hero i dashurisë!..

Sa t’u vërsulen, po s’u epe
E natë e ditë i re borisë
Kur thanë: “U fik!” si diell shkrepe
Se je hero i dashurisë..

Në sy, në buzë dhe në gjinj
I gjete emrin bukurisë
Shkele krenar mbi gjarpërinj
Se je hero i dashurisë!…

Po dashuria ka mundime
S’janë gjë mundimet e qelisë
Ti s’u tërhoqe asnjë qime
Ndaj je hero i dashurisë!…

Vetëm një gjë ty të brengosi
Për pak mallkove Perëndinë
E zeza jetë ditët i sosi
E s’ke më kohë për dashurinë!…

Do ishte fat me të vërtetë
Të bëj për ty nekrologjinë
Do hidhja veç dy fjalë në fletë
“Jetoi dhe vdiq për dashurinë!…”

S’do jetë më mes njerëzisë
Heroi ynë i dashurisë,
Po nuk e dimë, si mund ta dimë,
Ishte hero apo viktimë?!…

Finale
S’besoj asnjërin të ketë bindur
Ylberi im i fantazisë,
Se Bota ende s’e ka lindur
Heronë e madh të dashurisë!..

19.02.2009

Valter Dauti

   XHELOZI…

 Më iku çapkënia,si ç’ ikin çapkënet,

Më mori dhe zjarrin,me vete.
I shkundi plot naze ca flokë prej hëne,
Më iku…dhe shpirti i qeshte…?!

Me iku ndër vise që puthjen s’e njihnin,
(Si ç’ duket,veç netë do hëna…)
Shikimi i ndezur,sërish flokët krihte,
Dhe…puthte dy pjeshkët e ngrëna…

Mos kini besim te bjondet e sotme!
Janë lindur prej natës mister !
Betim edhe puthje i kanë te përkohshme,
(Misteri nuk duket në terr)!

Më iku çapkënia…se, desha një brune,
(Veç nata nxjerr hënën të plotë)
Në ikje…mbi pjeshkë , qeshte me zjarr buze…
Ndër net…hëna qenka e kotë…

AGIM XHEKA

 SFIDE

Po e sfidoj Shën Valentinin
Tashmë u bë ikonë e vjetër
Mund të festoni Shën Agimin
Se dashuroj si askush tjetër

Dhe mos e merrni thjeshtë  shaka
Dashuria e tij ka veç një emër
Deshi gjithkënd edhe gjithçka
Kë deshi e desh me gjith zemër…

Dhe ne më merrni për të çmendur
“Ikonat” të tilla qëllojnë dendur…

  

ME NXIRR NGA ENDRRA

Nuk të dua me nëpër ëndrra
U lodha boll duke të pritur
Por, shtyje derën e hyr brenda
Ngjallma shpirtin e ronitur

Në s’përgjigjem e s’flas dot
Ndër të gjallët s’do të jem më
Lëshomë mbi buzë dy pika lot
E ik në heshtje më ler të fle

Në të marrtë malli ndër netë
Përpiqu të më gjesh në ëndrra
Ku mallin shova unë përjetë
Po të mos jem, s’do mungoj kënga…

 

Haxhi Dikolli

 SHPIRTI

Po iki nga ty dashuri, po iki!
Sepse s’mbeti më asgjë e bukur
Me pranga më mbajte të lidhur

Siç dimri, mban ajrin të tkurrur

 Po iki nga ty dashuri, po iki!

Zhgënjim, e kudo zemër thyer
E hoqa këtë prangë të fundit
Që zemrën ma mbajti mbërthyer.

Po iki nga ty dhe ikja s’ka fund
Kësaj bote ku rrojmë i ngjason
I theva këto pranga me mund
Po shpirti nuk rresht, e prap i kërkon !

AKOMA KAM FORCE

 Seç mu kujtua sot për dreq

Një zjarr, që dija se ish shuar
Një flakë e ëmbël po me djeg
Njësoj, si mote e mote shkuar

Sa ëmbëlsisht më përcëllonte
Përmbi lëkurë e bëhej prush
Tani mu shfaq, sërish siç ishte
E kuqe e ndezur, si askush

Sot që s’e desha, më rrëmbeu
Që të me djegë prap si dikur
Atë pak shpirt që më ka mbetur
Nga zjarri i parë, që m’ bëri zhur

Seç mu kujtua sot për dreq
Në prush të digjem, përcëlluar
Ndoshta sepse kam çfarë të djeg
Edhe kam forcë, për të duruar !

RIZA ÇATO

 Pse nuk rri me mua sonte?!

 Pse nuk rri me mua sonte ?

Unë ndjej mall,si të ta shpreh !
Kush nga ne nuk do ta donte,

atë zemër që veç rreh?!

Pse nuk rri ngjitur me mua
sa agimi të zbardh’ botën?
Puthjet të m’i japësh krua
dhe mbi gjoks mbështete kokën.

Pse nuk rri unë po të lutem
dhe të lutem vetëm Ty.
Brenda gjakut tënd të futem
dhe të bëj pak dashuri.

Pse nuk rri Ti përgjithmonë?
S’di ç’të duhet tjetër gjë!
Hajde mbyllemi në dhomë
edhe puthëm se s’bëj zë.

Pse nuk rri me mua sonte?
Jam si Ty njeri prej gjaku.
Dashuria të kumbonte
dhe një herë aman së paku.