Sharapova, sportistja më e paguar në botë

506
Sigal

 Tenistja bukuroshe ruse arkëton 29 milionë dollarë në vit, 23 prej tyre nga reklamat

 Maria Sharapova, nuk është vetëm një nga sportistet më joshëse, por dhe më të paguarat në botë, madje me arkëtim disa milionëshe në vit. Revista prestigjoze “Forbes” publikoi listën e sportisteve më të pasura të planetit ku bie në sy dominimi i bukurosheve të tenisit, të cilat mbipopullojnë 4 vendet e para. Sipas klasifikimit, është rusja Maria Sharapova ajo që kryeson përpara të gjitha kolegeve të tjera, pasi të ardhurat e bukuroshes ruse nuk burojnë vetëm nga raketa por edhe nga aktivizimi i saj në botën e modës. Sharapova arkëton 29 milionë dollarë në vit ku vetëm 6 milionë i arkëton nga sporti, ndërsa pjesa tjetër nga fushatat publicitare. Vendi i dytë shkon për numrin 1 të botës, Serena Uilliams. 31-vjeçarja arkëton plot 20.5 milionë në vit, ku pjesa e të ardhurave nga djersa që derdh në fushë shkon 8 milionë. E njëjta histori edhe për Li Na e Viktoria Azarenkan të cilat përfitojnë respektivisht nga 18.2 dhe 15.7 milionë. Për të gjetur një sport më të paguar pas tenisit rrëshqasim në vendin e pestë ku ndodhet pilotja amerikane e Indy Car, Danika Patrick e cila fiton jo pak por plot 15 milionë. Një pjesë e mirë e çekut që ajo arkëton çdo vit mbushet nga kompania e veshjeve intime, “Victoria’s Secret”, pasi pilotja amerikane cilësohet edhe si një nga femrat më seksi të sportit. Në vendin e gjashtë e mban patinatorja koreano-jugore Yu Na Kim me 14 milionë Dollarë, e cila është shfaqur jo pak herë edhe në kopertinat e revistave femërore.

  Prish “moralin”, në Katar heqin statujën e Zidanit

 Një skulpturë e derdhur në bronz e ish-yllit të Kombëtares franceze, Zinedin Zidan, që kishte si subjekt goditjen e famshme me kokë të tij kundër italianit Marko Materaci në finalen e Kampionatit Botëror 2006, është hequr në Katar pas vetëm një muaji pasi ajo ishte vendosur. Konservatorët nga Katari, vend i cili në vitin 2022 do të organizojë Kampionatin Botëror, e konsideruan veprën e artit si tepër anti-islamike. Sipas mësimeve islamike statujat e njerëzve dhe të kafshëve janë të ndaluara, pasi ato mund të shërbejnë si shkak për adhurimin e tyre, çka është e ndaluar më ligj. Vepra e krijuar nga francezi me origjinë algjeriane, Adel Abdesemed, u vendos në një nga rrugët e kryeqytetit të Katarit, më 3 tetor, ndërkohë që pas protestave ajo u hoq. Skulptura, e cila është pesë metra e lartë, u ekspozua për herë të parë në shtator të vitit 2012 para qendrës “Pompidu” në Paris.

  Një tjetër Bekham lind në futboll

 Është shumë e famshme shprehja se, “dardha bien nën dardhë”. Kjo mund të vërtetohet farë mirë me familjen Bekham. Nëse Dejvid Bekham, ish-lojtar i Mançester Junaitid, Realit të Madridit, Milanit, Los Anxheles Galaksi dhe Paris Sën Zhermenit, tashmë ka varur përfundimisht “këpucët në gozhdë”, djali i tij i madh duket se është në gjurmët e të atit. Bruklin Bekhah, 14 vjeç, luan me të rinjtë e Mançester Juanitid, dhe pikërisht luajti para pak ditësh i ndjekur nga sytë e të atit. Bruklini është fëmija i parë nga katër që ka çifti Dejvid-Viktoria Bekam, me këtë të fundit një këngëtare e ish-grupit muzikor “Spice-Girl”.

Çështje “mbathjesh”, Blater polemizon me Ronaldon

  Presidenti i FIFA-s, Sep Blater dhe super ylli i Realit të Madridit, Kristiano Ronaldo, kanë polemizuar kohët e fundit, në lidhje me fushatat publicitare të sulmuesit portugez. Gjithçka të bëjë me fushatën më të fundit të Ronaldos, ku ai prezanton një koleksion të ri mbathjesh, pjesë e markës së njohur të tij, “CR7”. Blateri e kritikoi portugezin gjatë një fjalë të mbajtur ën Universitetin e Oksfordit, ku nga ana tjetër imitoi edhe stilin e tij. “Kjo gjë për mua është e lejuar. Unë mund të them më asnjë gjë tjetër”, ishte përgjigja në distancë e Ronaldos. Një nga “billboard”-et varur në Bashkinë e Madridit është 15 metra e lartë dhe tregon një Ronaldo shumë muskulor, të veshur me mbathje.