Shafiei, vajza që sfidon Ayatollahun motorçiklistja do garojë për Iranin

492
Të sfidosh regjimin e Ajatollahut dhe ligjet e tij vetëm për tu ngjitur mbi Suzukin e saj të verdhë. Është pikërisht kjo beteja që ka ndërmarrë Behnaz Shafiei, 26 vjeçarja e cila do të përfaqësojë Iranin në garat e motorcross. Ajo stërvitet 3 herë në javë prej disa vitesh dhe sot është më e zonja mes grupit të vogël të grave që kanë këtë passion. Por rregullat në Iran, janë të qarta.
Behnaz jo vetëm që nuk mund të garojë por as të shëtisë me motor në rrugët e vendit të saj. “Shumë burra më kanë thënë gjatë këtyre viteve uhet të rrish në shtëpi e të gatuash. Ky sport nuk bën për ty. Por unë dua tu vërtetoj se gabohen”-tregon 26 vjeçarja. Behnaz e cila lindi në Karaj, pranë Tehranit zbuloi pasionin e saj për motoçiklizmin në moshën 15 vjeçare ndërsa ndodhej me pushime me familjen. Me mbështetjen e kësaj të fundit, veçanërisht të nënës, ajo nisi të ngiste motorin dhe brenda pak vitesh nisi të ushtronte këtë sport në mënyrë profesionale.
Vetëm 4 vjet më parë, pasi kishte mbledhur kursimet nga rroga si llogaritare, arriti të blejë motorrin e saj të parë një Apache 180 kubiksh. Sot ajo përdor një Suzuki 250 kubiksh duke u fokusuar tërësisht tek motorcross-i. Por një ligj që ndalon gratë të marrin pjesë në garat zyrtare, do të thotë se ajo mund të praktikohet vetëm në pista aspak të sigurta. Behnaz ka patur mundësinë të praktikohet edhe Emiratet e Bashkuara Arabe, aty ku gratë lejohen në pistat e garave, por thotë se nuk dëshiron ti bashkohet një ekipi të huaj.
Presidenti Iranian Hassan Rouhani, ka bërë thirrje për barazi gjinore që pasi mori pushtetin, por duhet ende të mbajë premtimet që ka bërë. “Motorri është dashuria ime. Ai ma ka ndryshuar tërësisht jetën, është mënyra e vetme për mua që të jem e lirë”-thotë Behnaz.
Vetëm pak ditë më parë historia e Niloufar Ardalan, kapitene e kombëtares iraniane së futbollit, përfundoi në gazetat e gjithë botës pasi I shoqi e pengoi të udhëtontë jashtë vendit për të marrë pjesë në Kupën e Azisë. Edhe për Behnaz pjesëmarrja në garat jashtë vendit është një problem, pavarësisht se ka marrë dhjetra ftesa.
Të mbledhësh paratë e nevojshme apo të gjesh sponsor sidomos në Iran është një sfidë tepër e vështirë. Megjithatë 26 vjeçarja nuk ka ndërmend të dorëzohet. Behnaz ëndërron që një ditë të përfaqësojë vendin e saj në një garë ndërkombëtare. “Unë dua të jem pjesë e ekipit të vendit tim. Unë dua ti sjell krenari Iranit dhe të tregoj që edhe gratë iraniane mund ta bëjnë këtë sport”-thotë 26 vjeçarja. 
Sigal