S’është Tirana e të parëve, po Tirana e katundarëve!…

608
Sigal

Në lagjen “Sharrë”, dy pëllëmbë e gjysmë larg Minibashkisë numër 6 të Tiranës, janë bërë kërkime e studime të shumta për të gjetur toponimin dhe historinë e saj të re me rregulla të vjetra. Më në fund në një ndërtesë të bukur trekatëshe, në aneksin e fshehtë të saj, u gjet një historik i shkurtër gjatë një periudhe të gjatë kohe. Ai ndahet në periudha e kohë të ndryshme, në një, dy e pesëvjeçarë vitesh, të cilat po i rendisim si janë regjistruar, pa shtuar e pa hequr asnjë presje. Disa vjet më parë (rreth 20 vjet, shënimi ynë), një qytetar braktisi shtëpinë e tij në fshat dhe erdhi të banonte në qytet. Kur pa se këtu kishte toka hajler e musha (kishte a s’kishte zot kjo toke, as pyeti fare) zuri një vend të bukur dhe ndërtoi shtëpinë, jo një kat, si ajo e fshatit, por me tre. Pas “përurimit” të saj, filloi t’i zgjeronte kufijtë më të djathtë e më të majtë, para e prapa. Krijoi kopshte e bahçe, rriti e seliti pemë e pjergulla sa u lodh e njeri s’i tha mos. Fshatarë të tjerë, kur panë se atij s’po i binim më qafë, zbritën njëri pas tjetrit e iu ngjitën lagjes numër 6-të, si në përrallën e rrepkës: gjyshja pas gjyshit, mbesa pas gjyshes, macja pas mbesës…Shoku pas mikut, miku pas tarafit dhe ngritën shtëpitë, njëri këlliç, tjetri galiç, njëri me të drejtën e braktisjes së shtëpisë e tokës në fshat e me të “drejtën” e zaptimit të tokës së tjetrit në qytet, me shpresë se qeveria do të vinte dorën në zemër (sa për pronarin s’e vunë fare ujin në zjarr) e do t’ua legalizonte shtëpitë e trojet “ilegalëve”. Dhe kështu, nga disa shtëpi, një këtu e një atje, u bë një lagje e tërë -Tani mbaroi pilafi me dorë, s’ka më. o Mete për vete, pas qejfit! – thanë në minibashkinë gjashtë, në bashkinë e madhe te kryeqytetit e në policinë ndërtimore. Por nga e thëna tek e bëra është në mes një det i tërë, udhëzimet nga njëra anë dhe premtimet nga ana tjetër, vinin e shkonin, si ata që zbrisnin nga fshati e rrethonin qytetin.. Ndërsa shtëpitë, bahçet e kopshtet vazhdojnë të ngulen e të shkulen, një këtu e një atje.. Njëri zë rrugën e ndërton një shtesë shtëpie se është kallaballëk e s’e nxë. Tjetri gjen shesh  (dhe bën përshesh), e rrethon me mure të lartë, si kala me bedena, që s’hyn dot brenda, jo vetëm policia ndërtimore e bashkiake, po as kryesia e minibashkisë së vogël dhe i asaj të madhes. I treti është “mjeshtër” i mbaruar dhe ndërton një shtëpi të bukur e funksionale, por ç’e do se nuk i shkon muhabeti mbarë me fqinjët.  Vret mendjen si t’ia bëjë dhe ia gjen ilaçin kësaj pune. Kur ka myshterinj që presin me krahë hapur, pse mos e shesë?! Këtë marifet e kanë bërë dhe të tjerë, s’është as i pari e as i fundit. Mjafton një firmë noteri me para në dorë e një avokat të “zotin” dhe mbaroi puna. Një tjetër s’i vajti mbarë të gjente një copë vend në qendër të Tiranës dhe gjen tokën halier (pa zot) në periferi, në Sharrë dhe hap themelet, ngre muret e hedh çatinë e shtëpisë me leje në degë të rrapit. Zgjeron oborrin  dhe e mbush me pemë e hardhi, shtije në kade bërsi e nxjerr raki, dolli për policinë ndërtimore e bashkinë, që tregohen syleshë. Ai nuk është as i pari e as i fundit. Trimi i mirë me shokë shumë. Dhe shokët janë të shumtë, që në Kodër Kamzë, në Allias të njësisë bashkiake numër 4 e deri në Bregun e Lumit të Minibashkisë 11. Të gjithë i thonë: “Të rrish gëzuar e me shëndet” (me përjashtim të pronarit të ligjshëm dhe komshiut që ia zuri rrugën e ia preu krahun nga të hyje e të dalë). Për historinë e kësaj lagjeje të Minibashkisë nr. 6, kanë shkruar e kanë lënë “përshtypjet e tyre” shumë vizitorë. Po përmendim vetëm njërin prej tyre. Ja çfarë ka shkruar ai në librin e “përshtypjeve” të saj: -Ç’më ka ndodhur në këtë lagje të kryeqytetit s’më ka ndodhur as në fshatin të themeluar kushedi sa vite më parë. Sa mora një rrugë e doja të hyja në kërthizë të lagjes, mbeta jesir në oborrin e shtëpisë së parë, si në shtrungën e dhënëve e në vathën e dhive dhe u desh ndihma e të zotit të konakut të më nxirrte që andej shëndoshë. Mora një rrugë tjetër dhe mbeta si hudhër brenda në mes të të bahçes, ku lulëzonin pemët e seliteshin perimet. S’gjeja dot shteg të dilja. Në një shtëpi tjetër rrethuar nga të gjitha anët me gardhe e nga qenëria, as vetë s’e mora vesh si shpëtova nga dhëmbët e tyre. Më tej, ma pret rrugën një kope e përzier me dhen, dhi dhe dy lopë, njëra e kuqe e tjetra balashkë. Ruajna o Zot, sikur larg qoftë, të bjerrë zjarr nga do futen zjarrfikësit, veçse me helikopter nga qielli. Një nga qytetarët e qendrës së kryeqytetit, kur lexoi këto shënime tha: Ky shkruan për Sharrën, që i ka mbetur sharra në gozhdë. Kurse unë pyes (po s’marr përgjigje) si do të bëjnë zjarrfikësit e gjorë po ra zjarr në mes të shumë lagjeve të kryeqytetit, ku njëri pallat ia zë rrugën tjetrit, e s’le asnjë rrugë qorre për të kaluar?!…Një fshat që duket s’do kallauz. Qytetarët ankohen, shkruajnë e thonë, por deri tani në zyrat e minibashkive të këtyre lagjeje, në policinë e ndërtimit e atë bashkiake, madje edhe në bashkinë e kryeqytetit, që e kanë për detyrë t’i bëjnë zap të pabindurit e zullumqarët, ia lënë stafetën njëri-tjetrit, ndërsa në Sharrë e në lagje të tjera të kryeqytetit, hapen themele, ngrihen mure, e hidhen tarraca e çati, duke iu ngjitur si rrodhe kryeqytetit në emër të fshatit, sipas sloganit të vjetër: “Fshati rrethon qytetin!”.