Selenica-Qyteti i arit të zi

3971
Gëzim LLOJDIA
Foto të panjohuara të vitit 1917 nga miniera e Selenicës 
1. Selenica e njohur dhe e harruar
Selenica e njohur prej bitumit, që ka prodhuar ndër kohëra. Selenica shtrihet rrëzë kodrave. Vjosa që i shkon ndanë është një gjarpër që shtriqet në bregun përtej. Qyteti minator të tregon një fytyrë plotë rrudhje që tregon plakje para kohe dhe braktisjen e madhe. Tre plagë që vunë në lëvizje, shkurt gërryen nga themeli qytetin minator në 20 vjet tranzicion .Orët e zhvillimit të qytetit, kanë mbetur në kohën e socializmit.

Vitet ’90 sollën dhimbje. Në të vërtetë shpirti u çlirua nga gurëzimi i materias dhe braktisja mori dhenë. Qyteti, që ruante në shpirtin e tij produktin e zi ka parë e ka njohur më shumë të huaj. Pasqyra e kronikave të tij thotë se: ujqërit dhe logoria e tyre ishin gati t’i mbanin pasurinë etij ashtu si prona të tyre me kohëzgjatje të pambarimtë, nëse nuk do ta përballonin vendasit, sulmet e kësaj aradhe të tërbuar, që ka ardhur nga pushtuesit e egër, por jo më pak edhe nga shfrytëzuesit vendas, që sunduan minierën. Qyteti në pamje të parë ngjan si qytetet e tjerë të fjetur në kohët sotme me arin vjeshtor dhe brymën e hënës, me Vjosën tek bregu e me kodrat tek kokat, miniera që shtrin labirintet e veta nën trupin e tij. Mirëpo askush nga vendasit nuk e kishte menduar se ai produkti i zi, ishte pasuri që merrte flakë, nuk do tua kalonte jetën pa brengosjen deri në dridhjen nga pikëllimi nga shfrytëzimet, aksidentet dhe tmerret e tjera.

2. Rruga për në Selenicë 
Një asfalt të brishtë vende-vende kafshuar nga ujërat këtë të ofron rruga që të çon në Selenicë. Maunet që sjellin rërë bituminoze nga Selenica (në të vërtetë minierën e shfrytëzon prej vitesh një kompani franceze) kanë shkatërruar këtë udhë dhe udhët e tjera. Bitumi natyral i Selenicës njihet qysh para 2000 vjetësh po të citojmë materialet historike në vite e shekuj. Dhe më tej tregojnë se është përdorur si armë lufte nga ilirët, grekët e vjetër, romakët. Me këtë pasuri kombëtare, që nxirret nga nëntoka, vendi ynë duhej të ishte vendi i parë në tokë ku duhej të kishte të gjitha rrugët me asfalt. Se çfarë është ky produkt natyral për nevojat urbane, le të shfletojmë kronikat dhe tekstet shkencore. Bitumi i Selenicës është një pasuri natyrore, që gjendët në nëntokën e kësaj treve. Kjo pasuri është shfrytëzuar nga të huajt, thonë kronikat e hershme. Shprehja shqiptare: ‘Zifti i Selenicës ka shtruar rrugët e botës, ndërsa ka lënë në mjerim rrugët e këtij vendi’, gjen mishërim tek udhët e zonës së Lumit të Vlorës. Kjo pasuri kombëtarë gjykoj se mund dhe i duhej dhënë një investitori të huaj, mirëpo më parë duhej të ishin shtruar me zift, të gjitha udhët e këtij vendi. Regjimi socialist gati 50 vjeçar nuk ia dha të huajve, mirëpo edhe në atë kohë zifti i Selenicës nuk i mbuloi dot rrugët më çakëlltë trupit të saj. Çfarë duhej të kishte bërë shteti kur u kris sistemi i centralizuar? Kjo minierë mund të njësohet më ato të nxjerrjes së arit, sepse në të vërtetë për arin e zi që nxirrej në Selenicë,duhej ruajtur dhe vazhduar nxjerrja, sepse një ditë edhe tregu do të gjendej. Shteti do të duhej të kishte marrë në konsideratë së pari, faktin e gjendjes reale të udhëve e këtij vendi, gjysmë të shkatërruar dhe asnjëherë të shtruara me zift. Atyre duhej t’u kalonte përsipër zifti i zi, për t’i sjellë në standard me udhët e fqinjëve tanë. Është rasti të shqyrtoj dhe të sjell në vëmendje se këta fqinjët tanë s’kanë pasur minierë zifti, mirëpo rrugët e tyre futen te standardet evropiane. Shqyrtoj dhe vërej me dhembje sërish: “Shqipëria me minierë zifti, por me: rrugët në standarde lufte”. Kemi një minierë të vendosur diku në periferi të qytetit të minatorëve, që nxjerr produktin kryesor të mbulesës së zezë të udhëve, mirëpo edhe pse nuk ka asnjë arsye që rrugët shqiptare të jenë në atë gjendje sa të krahasohen me vendet ku janë zhvilluar luftërat e fundit; si Kabuli apo Siria. Nëse udhëton sot nëpër aksin rrugor Vlorë-Lumi i Vlorës -Borsh kjo udhë e Kurveleshit të poshtëm të nxjerr në bregdet, mirëpo ajo ngjan sikur përsipër i janë hedhur bomba lufte mbi trupin e saj duke e kthyer kështu në hendeqe e kanale. Zifti në këtë udhë ngjan si gjalpi sipër një copë bukë të thekur. Mirëpo po të kërkosh të ngjitesh në Kurveleshin e sipërm bukuritë aty rrëzohen para syve nga mungesa e rrugëve. Fshatra të tërë të këtij vendi nuk kanë rrugë, ndërsa një investitor i huaj ka kohë, që bën tregëti dhe pasuri me produktin e zi, që e nxjerr nga nëntoka jonë. Kjo pasuri që nxirret në vendin e quajtur, Selenicë, nuk ka mundur do të shtrojë disa kilometra më tej asnjë metër udhë në drejtim të Lumit të Vlorës. Si mundet vallë, që gjithë arteria kryqësore e këtij qarku është copë-copë e për ibret, shprehen lebërit. Fqinjët tanë nuk e kanë këtë pasuri, çuditërisht rrugët e tyre ndrijnë nga asfalti i mrekullueshëm. “Ari i zi” gjendët në nëntokën tonë është si flori e shkuar floririt, or tunxh, ngase kjo pasuri që ka ngjyrën e zezë do të kishte shtruar të gjitha rrugët, cepat, lagjet dhe katundet e këtij vendi, e për pasojë do të kishim turizëm, mosbraktisje të fshatit, zhvillim të këtij të fundit, prodhime e përpunime të produkteve bujqësorë e blegtorale. Nëse zifti do të ishte hedhur në rrugët tona, çdo katund do të ndriste nga udhët e shtruara me ziftin e zi që sjell fatbardhësi. Kujtdo investitori që do të vinte për të investuar do të merrte rrugën me dëshirë, se rruga është zhvillim është lehtësi dhe qytetërim. Por më këto udhë pa udhë, gjithkund të zë lemeria për të shkuar dhe jo më për të investuar. Rrugët do t’i kishim si Evropa. Produkti gjendët në thellësi të shpirtit të tokës sonë, gjë na është dhënë për të bërë përparim e begati. Mirëpo fjala bie: Si e shfrytëzojmë ne shqiptarët? Tregues real i kësaj është gjendja e mjeruar rrugëve. Portreti i tyre flet shkoqur. Shqipëri të qofsha falë….të ka dhënë Zoti këtë pasuri! Pra ta ka dhënë Zoti. Gjithmonë ka një shkak, përse Zoti të sjell në jetë. Enigma, që nuk dihet, por që kuptohet. Ka legjenda mistike, që flasin për rërat e ndezshme se si ato lëshojnë flakë vetë. Këto rëra gjenden në Selenicë dhe në masivet e tjera përreth tyre .Po ti ku ishe shqiptar, kaq kohë dhe kaq gjatë ende s’eshqyrton arsyen se përse ta ka dhënë? Mos vallë për armë lufte apo për rrugët e tua? Rrugët dhe gjendja e tyre turpërojnë këtë vend që gjithsesi mbetet i bukur. Bukuri që të vret sytë. Duhet të qartësojmë idenë, se në radhë të parë: Përse duhet t’i kemi rrugët të shtruara? Qytetërimet nisin tek infrastruktura rrugore. Gjithë braktisja masive e fshatrave të jugut e të veriut ka një zanafillë. Mungesa e infrastrukturës rrugore që në 25 vjet nuk u ndërtuan ose nuk përfunduan dot.

3.Kronikë: Të dhëna historike nga autorë të huaj 
Bitum do të thotë: Lëndë minerale me ngjyrë të errët a të zezë, në gjendje veshtullore ose të ngurtë, me prejardhje nga hidrokarburet e vajgurit, që nxirret nga toka dhe që përdoret për të shtruar rrugët etj. Viti 1905: Komunikimi midis Vlorës dhe Beratit, autori përmend: përmes Armenit (fshati i sotëm ) dhe Signa (Sinjës), preferohet nga karvanët në sezonin e dimrit (kur rruga nga Vlora në Berat, është përmbytur plotësisht). Autori përmend shpellat e bitumit në Picar. Industria minerare në Picar, Selenicë dhe Romzi. Guroret e saj, punonjësit janë grekë dhe vllahë. Fshati ka një xhami dhe një kishë dedikuar St. Nicholas (Shënkoll). Këto fjalë në format të shkruar i përkasin Eugenio Barbarich. Albania. 1905 Roberto Almagià, (Enciclopedia Italiana (1936). Selenizza (Selenica). 15km nga Vlora, në një kodër në afërsi të bregut të majtë të Vjosës, e njohur tashmë nga lashtësia për lëshimin e gazrave të ndezshme. Ato janë të lidhura më praninë e bitumit, i cili është i mbarsur me gur ranorë miocenit. Nga dekadat e fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë është kryer nxjerrja nga një kompani franceze. Atë pastaj e mori përsipër Shoqëria italiane e minierave Selenizza në vitin 1918 (me qendër në Romë), e cila nxirrte ekstrakt rreth 5000-6000 ton në vit. Një dekovil mbart produktin deri në portin ë Vlorës.

4. Kronikë: Pellgu minerar 
Ekzistenca e këtij pellgu ka qenë e njohur, që nga kohët e lashta dhe u përmend nga shkrimtari Pliny. Të parët, që përfituan nga fusha e asfaltit ishin osmanët që sunduan Shqipërinë shekuj të tërë. Më vonë kemi një shoqëri franceze nga fundi i shekullit deri në fund të nëntëmbëdhjetës. Gjatë Luftës së Parë Botërorë territori shqiptar u bë shesh lufte nga pushtues të ndryshëm, ndërsa, zona e Selenicës u shftytëzua nga ekspedita italiane që ftuan industrinë italiane të ndërhyjë për shfrytëzimin e rezervuarit bituminoz. Ndërhyrja italiane. Ajo ishte e përbërë nga Lidhja e Minierave Selenizza, me kapital të konsiderueshëm. Ndërtuan një dekovil prej mbi 30 km për t’u bashkuar me portin e Vlorës dhe u zgjeruan galeritë e gërmimit. Sakaq ndërtuan një fabrikë në Vlorë për përpunim asfalti dhe për prodhimin e vajrave minerale. Në vitin 1939, vitin e parë para Luftës së Dytë Botërore, prodhimi i asfaltit ka arritur në 15.000 ton; me prodhimin e tij të vajrave mineralë, lubrifikantë të veçanta për të cilat industria italiane ishte e varur nga tregjet e huaja. Në vitin 1939 kompania kishte fituar koncesionin për shfrytëzimin e minierave të Shqipërisë. Prodhimi u iniciua në Porto Marghera ku është prerë dhe është përdorur pastaj për prodhimin e acidit sulfurik. Hiri u përdor pastaj në çelik në vend të mineral hekuri.

Aktiviteti u ndërpre në vitin 1943 me pushtimin gjerman të Shqipërisë.

5. Kronikë: Treni (dekovili) Vlorë-Selenicë 
Treni, dekovil bënte udhën e hekurt nga qyteti i Selenica drejt qytetit të Vlorës duke përshkuar edhe rrugë malore. Ky lloj treni quhej dekovil dhe kujtohet mirë ndër banorët e qytetit dhe fshatrave. Dekovili i Selenicës është shfrytëzuar relativisht deri vonë. Ai sillte nga Selenica në Skelë rrotullat e asfaltit. Si e përshkruan një studiues: “Lokomotivat me avull i tërhiqnin vagonët e vegjël duke u ngjitur në rrëpirën e kodrës mbas fabrikës së çimentos. Deri në vitin ’91 dekovili Vlorë-Selenicë funksiononte, por duke mos e përshkuar tunelin e qafës në Babicë. Ai qëndronte tek fshati i sotëm Alikokë-Babicë. Aty shkarkonte serën në rrotulla të mëdha të zeza. Qëndroi dhe disa kohë dhe më vonë ai dekovil heshti përgjithnjë. Ndërsa nga udha e hekurt nuk ka më gjurmë. Ku humbi gjithë kjo udhë e hekurt me gjatësi disa kilometra? Italianët ndërtuan, për qëllime ushtarake një varg vijash komunikacioni në vendin tonë. Përveç rrugëve ndërtuan edhe një rrjet dekovili 120 km të gjatë. Ky dekovil fillonte nga Vlora. Ndahej në dy vija të ndryshme. Vetëm dekovili Selenicë – Skelë bëri një përjashtim. Më 1926 qeveria shqiptare ia dha koncesion shoqërisë së Selenicës riparimin dhe shfrytëzimin e këtij dekovili. Për këtë koncesion shoqëria pagoi menjëherë 100.000 lireta.

Thënie: Duke qenë një popull i vogël, shkruan një shkrimtar kosovar gjithmonë na i kanë prerë rrobat popujt e mëdhenj. Fjalë e urtë shqipe: “Sipas kokës-festen”.

6. Kronikë: Selenica e sotme
Selenica sot ka një gjimnaz të shkëlqyer, një shkollë të rikonstruktuar ku dallon pastërtia dhepasurimi me kënde në ndihmë të mësimdhënies dhe edukimit. Çudia qëndon tek ky fakt: Ku gjendët një shkollë e tillë e ruajtur, e pasuruar me kënde të punuara plot pasion dhe shije?! Shkolla gjendet në hyrje të qytetit të venitur të minatorëve. Numri i nxënësve ka pësuar rënie. Nga 750 nxënës në kohën e fillimit të tranzicionit, sot shifra është zvogëluar deri në 150 nxënës, dy matura. Bojatisur dhe e pajisur me stenda,nxënës të qetë dhe mësues, që zhvillon mësimin normalisht. E sfondi është po ai. Një gjarpër qarkon në lindje Vjosa, rrjedh turbull-turbullo në dimër apo zheg. Koha e njëzet viteve të fundit e ka përhumbur në një farë mase historinë e qytetit minator. Aty banorët kanë jetuar me minierën. Bujqësia është futur ndoshta në shekullin, që i grisëm fletën, por rërat bituminoze të kësaj zone flasin për pasuri që vetë banorët nuk i patën kurrë. Kodrat ndjekin njëra-tjetrën në horizont e ky i fundit mban rërat bituminoze. Brenda këtyre kontureve, d.m.th brenda këtyre llagëmeve nxirret ende ari i zi. Në të vërtet, pa bërë hasha do ta themi, atë që dihet mirë. Qyteti i dikurshëm është kthyer në një fshat të ngeshëm ku jeta rjedh ngadalë. Ka diku aty te 1800 votues, po me pallatet bosh. Emigrimi e griu këtë qendër deri në themele. Zymtësia është kthyer në portret, ajo shfaqet tek banesat e kohës së socializmit. Në atë kohë qyteti ishte ndër më të mëdhenjtë e Topalltisë. Çfarë siguronin minatorët në qytetin e minatorëve në krahun e djathtë të Vjosës. Tre gjëra themelore të thonë. Së pari, punësimin. Puna ishte nder dhe lavdi. Puna ishte në të gjitha frontet bjqësi, minierë, tregti. Së dyti, strehimi në banesat, që do të mund të quhen sociale. Të gjithë njësoj. Streha me tulla dhe me hyrjet 1+1 dhe 2+1. Me një komision strehimi. Së treti, pensionet. Mosha e tretë gëzonte një pension. Ky lloj pensioni përballonte vitet e mbetura. Kinoklubi i minatorëve. Dikur i zhurmshëm. Kujtojmë posterat: “Mbrëmje vallëzimi për minatorët e dalluar”. Fusha e sportit. Skuadra: “Minatori”. Nostalgjia ë dikurshme shkrihet në një pikë. Qytetin e ka ngrënë në shpirt mërgimi përtej vendit tonë. Një bust në këtë kryqëzim udhësh, është një dëshmi. Fytyra të mërzitura. Pamja e tyre ishte dëshpëruese. Shpirti tregonte një dekor, që ishte gëlltitur nga lodhjet në Shqipëri. Nuk kanë munguar në këtë tranzicion të vështirë premtimet, por nuk ka punë. Madje kjo e fundit është hija, që mban në jetë dritën. Në të vërtetë, hija i jep kontrastin portretit. Një jetë të tërë ka pluskuar jeta e banorëve të këtushëm nën një mjegullnajë kujtimesh. Kështu, kur hyn në këtë luginë,porta e mirëseardhjes është kjo qendër e hershme. Frymëmarrja e përditshmërisë së qytetit është pakësuar. Çfarë ishte qyteti i minatorëve në vitet ’90? Të gjithë kanë orë shpirti edhe qytetet, por orët e këtij qyteti janë murosur. Kështu ëndrra për një truall të ripertëritjen e shpresës, mbeti dhimbje, mbeti kujtim i shndërruar tash në rrëfim. Për ata,që u lindën këtu, u rritën si në varr dhe u mbeti një qemer, streha e fundme e tyre: vendi ku ish ngjizur dhimbja, gëzimi, dëshpërimi, ëndrra, frika, dhe vdekja në fund. Kështu, kujtimet e dhjetëra minatorëve i mori me vete sistemi. Ato vijnë tek ne dhe mbijnë përherë të reja në tokën e shpirtit tonë. Dhe kur vinte çasti i punës në minierë hynin si bukuroshë, dilnin me sytë plot trishtim. Ishin kohë eksodesh të mëdha dhe me ndryshim sistemi në Shqipëri, viti ’90. Vllahët që përbënin një pjesë të popullsisë ia grahën kur u hap kufiri. Më laçkë e plaçkë ngarkuan ikën për në mërgim. Greqia, destinacioni i tyre i preferuar. Të tjerët rrugëve të Italisë / Eci përhumbur / Një :”Hej,tungjatjeta!” / Lodhjen më ka shkundur… Ku gjenden djalëria shqiptare ndër kontinente. Lotim dhe dhimbje, që ndjellin tek vashëzat me sytë nga mërgimi. U larguan duke boshatisur pallatet për t’u gjendur në metropolet si: Durrës, Tiranë, Vlorë. Aktualisht qyteti i minatorëve është i pazhurmshëm. Sa probleme ka qyteti sot? Thelbi ishtedhe është papunësia. Mungesa tregut për banesat. Miniera ende në varësi të kompanisë franceze.

Kronikë: Selenica historia që shkruhet ndryshe. Selenica është një qytet në Shqipëri me rreth 6,900 banorë. Dëshmitë e para për emrin Selenicë datojnë në vitin 1700 dhe deri më sot vazhdon të njihet me këtë emër. Në fillim të shekullit të kaluar ka dëshmi të shumta, të shfrytëzimit çnjerëzor, që u janë bërë burimeve natyrore të bitumit nga shoqëritë e huaja. Miniera e parë e organizuar si e tillë daton rreth vitit 1830 dhe është ngritur nga një shoqëri angleze. Gjatë kohës së mbretërimit të Zogut shfrytëzimi i bitumeve të Selenicës bëhej nga shoqëritë italiane. Revolta e punëtorëve ndaj të cilave është e njohur nga ngjarjet e viteve 1937, 1940, 1941 dhe 1942. Zhvillimin më të madh Selenica e mori pas Luftës II Botërore, ku si rrjedhojë e shfrytëzimit të bitumeve të saj u hapën shumë vende pune. Në fillim të viteve ’90 Selenica numëronte mbi 8000 banorë dhe kujtohet me nostalgji që në Selenicë kishte trupë amatore teatri, estradë, sallë kinemaje, pallat kulturë, muze, shkollë të mesme e bujqësore dhe bibliotekë publike.
Sigal