Sejmen Gjokoli:“Aulona International Folk Festival”, më i veçanti ndër festivalet shqiptarë

601
Sigal

INTERVISTA/ Flet Drejtori i Përgjithshëm i Festivalit  “Aulona International Folk Festival”, Sejmen Gjokoli

Ky është Festivali i pestë i “Aulona International Folk Festival”  një rrugë 5- vjeçare plot me të papritura dhe me surpriza. Data e fillimit të këtij Festivali përkon dhe ne hapjen e sezonit turistik për qytetin bregdetar të Vlorës. Ndërthurja e turizmit natyror me atë kulturor është gjithmonë një rast i mirë për atraksion të volitshëm për një qytet apo një zonë të tërë, siç është Vlora dhe Riviera e saj e rrallë. Tani mbasi kanë kaluar pesë vite nga kjo ndërmarrje , në fakt e guximshme, më duhet të them se ideja dhe qëllimi ja vlejtën, thekson Sejmeni. Rreth pesëdhjetë grupe nga vende dhe kryeqytete të ndryshme të Ballkanit e Europës kanë patur rastin të jenë pjesë e këtij Festivali në këto pesë vite. Dhe kur flasim për vende pjesëmarrëse nuk kemi parasysh vetëm vendet fqinje që na rrethojnë si: Italia, Greqia, mali i Zi, Maqedonia apo vëllezërit tanë nga Kosova,  por edhe  vende si Polonia, Sllovakia, Kroacia, Bullgaria, Turqia etj..

  Këtë vit   “Aulona International Folk Festival” mbush pesë vjet. Një rrugë jo e vogël, por dhe mjaft e bukur. Si do ta cilësonit këtë rrugëtim?

 Po, ky është pesëvjeçari i “Aulona International Folk Festival”.  Pesë vjet nuk janë shumë, por as pak nuk janë kur bëhet fjalë për një event kulturor që nis si një ide e vazhdon si domosdoshmëri.  Kështu edhe puna e Festivalit Ndërkombëtar Aulona Folk. Ishte një ide e lindur pas eksperiencash të gjata pjesëmarrjeje e njohje në shumë aktivitete të ngjashme në disa vende të Europës dhe një vendim marrje përmes diskutimesh me mjaft njerëz profesionist e të përkushtuar në fushën e kulturës.

Jam i sigurt se mjaft evente kulturore lindin edhe si nevojë jo vetëm për të plotësuar kërkesat shpirtërore të njerëzve, as vetëm për të kontribuar në ruajtjen dhe pasurimin e vlerave të trashëgimisë shpirtërore, por edhe për të përcjellë imazhe pozitive në rrugën e integrimeve.

Vlora është dhe mbetet qytet bregdetar, ku destinacioni turistik gjithmonë do të mbetet i pari dhe pikërisht ky trend duhet të shoqërohet edhe me aktivitete apo evente që veç të tjerash i shërbejnë këtij qëllimi. Ndërthurja e turizmit natyror me atë kulturor është gjithmonë një rast i mirë për atraksion të volitshëm për një qytet apo një zonë të tërë, siç është Vlora dhe Riviera e saj e rrallë.

Tani mbasi kanë kaluar pesë vite nga kjo ndërmarrje, në fakt e guximshme, më duhet të them se ideja dhe qëllimi ja vlejtën.  Mjafton të përmend se vetëm për shkak të “Aulona Interfok Festival” në këto vite, qytetin e Vlorës dhe rrethinat  kanë patur rastin t’i vizitojnë fizikisht mbi 1500 persona që, duke futur edhe të tjerë që e kanë vizituar atë virtualisht  përmes faqes zyrtare të festivalit, ky numër rritet shumë e bëhet goxha i konsiderueshëm. Pranimi dhe certifikimi  i këtij Festivali nga Qendra Ndërkombëtare e Organizimit të Festivaleve Folklorike  në një kohë shumë të shkurtër është një arritje që para së gjithash flet për realizim standardesh …   Ky nuk është thjesht konstatimi im, mbasi në pozicionin që jam më duhet të jem i kujdesshëm dhe i rezervuar në vlerësime, por shumë specialist, drejtues me përvojë grupesh folku apo edhe qytetarë të thjeshtë, e kanë shprehur këtë në biseda të drejtpërdrejta apo në intervista.  Por meqenëse ju më pyesni për rrugën 5-vjeçare më duhet të pohoj pa ekuivok se kjo rrugë edhe nëse  do të ishte nisur do të kishte mbetur në mes  në qoftë se ky aktivitet nuk do të ishte bërë pjesë e komunitetit vlonjat dhe vizionit të pushtetit vendor.

 Ajo që e veçon këtë festival nga shumë festivale të tjerë është se në pesë vite, Festivali Ndërkombëtar “Aulona Inernational Folk Festival”, ka dëshmuar se është aktiviteti më i madh në shkallë vendi në fushën e folklorit dhe të traditave, por njëkohësisht ka dëshmuar se është edhe një aktivitet i spikatur në funksion të turizmit. Mund të na i përcillni të veçantat e këtij aktiviteti në dimensionet e mësipërme?

 Aktualisht në Shqipëri zhvillohen disa Festivale të ndryshme. Festivalet e folklorit janë sa të njëjtë po aq edhe të ndryshëm. Përjashtuar disa që funksionojnë drejtpërdrejt për prurje dhe ruajtje të trashëgimisë shpirtërore dhe që organizohen nga shteti të tjerët  mbahen si nevoja për të gjallëruar jetën kulturore e artistike apo për të rritur adrenalinën, pse jo, edhe përmes artit burimor e tradicional si dëshmi e diversitetit etno-kulturor të popujve.

Gati e pabesueshme, por krejt e vërtetë mbajtja e lloj-lloj Festivaleve në botë, me emra e sajesa ndonjëherë të çuditshme por që vihen në funksion të gjallërimit të jetës në një qytet apo komunitet të caktuar. “Aulona Folk” e ka gjetur shtratin e vet dhe dimensioni sa kulturor po aq edhe turistik e ka bërë krejt të veçantë mes homologëve të tjerë.

Pesë vjet mjaftojnë për të treguar  ngjizjen e këtij aktiviteti me artdashësit, institucionet e kulturës dhe operatorët privat në fushën e turizmit, por edhe për grupe e vende që menaxhojnë vlera të trashëgimisë shpirtërore. Rreth pesëdhjetë grupe nga vende dhe kryeqytete të ndryshme të Ballkanit e Europës kanë patur rastin të jenë pjesë e këtij festivali në këto pesë vite. Dhe kur flasim për vende pjesëmarrëse nuk kemi parasysh vetëm vendet fqinje që na rrethojnë si: Italia, Greqia, Mali i Zi, Maqedonia apo vëllezërit tanë nga Kosova,  por edhe vende si Polonia, Sllovakia, Kroacia, Bullgaria, Turqia etj..

Ndërsa lidhja me turizmin duket se do të jetë edhe më e fortë në të ardhmen.

Vetiu Festivali po shërben si një “gong” apo duke përdorur gjuhën e folkut një “tupanë”  për të gjithë ata që merren me shërbimet turistike , pse jo edhe duke i zgjuar nga pritja e gjatë dimërore.

Nga ana tjetër, festivalistët janë vizitorët e parë turistikë të sezonit veror dhe pse jo edhe lajmëtarët e parë të ofertës turistike vlonjate e shqiptare.

 Këto pesë vite ky festival ka marrë vlerësime të ndryshme pozitive duke e  vlerësuar edhe si një aktivitet i parametrave europianë. Çfarë e bën atë një aktivitet të dimensioneve të veçanta dhe përse?   

 Çdo festival ka të veçantat e tij, risitë, mënyrën e organizimit. “Aulona International Folk Festival”  nuk ka asnjë dallim nga festivale të tjera në vende të njohura të Europës, për të mos thënë se mundësitë që ofron qyteti i Vlorës, në disa aspekte sidomos, e bëjnë mjaft të veçantë dhe interesant.

Ky vit , me infrastrukturën e krijuar rishtazi ,në pjesën e Skelës sidomos , shumë pranë vijës së detit, është një risi edhe për vet mbajtjen e Festivalit. Është hera e parë që Sezoni Turistik i Vlorës, çelja e tij nga Bashkia e qytetit, do të realizohet kaq pranë me qytetin dhe detin dhe kjo do të jetë një mundësi për të gjallëruar të gjithë qytetin e ku qytetarët të bëhen pjesë e festës.

Po kështu shumë subjekte shërbimi përgjatë dhe afër sheshit të aktiviteteve do ndjejnë efektin e lëvizjes dhe gjallërisë së njerëzve, vendas e mysafirë.

Thashë me lart se kudo këto lloj aktivitetesh bëhen për të gjallëruar jetën kulturore të vendit ku organizohen por edhe për të gjallëruar sado pak edhe biznesin që lidhet me të.

Këtu ka ende për të bërë më shumë por të mos harrojmë edhe vështirësitë që aktualisht pa kalon  në këto kohë biznesi në përgjithësi. Ndërsa në vend të përgjigjes rreth cilësisë dhe vlerave të Festivalit më duhet të sjell një fakt domethënës. Gjatë takimit në Zagreb vitin e kaluar, pas  kthimit nga një turne me Grupin Folklorik “Bilbili” në Poloni , drejtuesit e Ansamblit “ Zeljezniçar”, pjesëmarrës dhe fitues të kupës së festivalit në edicionin e parë na kërkuan që tu mundësohej ftesa për të marrë përsëri pjesë në edicionin e këtij viti.  Është i vetmi grup që i krijohet mundësia për të ardhur dy herë në Vlorë, kjo vetëm duke na bërë përshtypje këmbëngulja e tyre. Konkluzioni i lehtë për t’u artikuluar; të ishin ndjerë keq as që bëhej fjalë të kërkonin të vinin përsëri. Dhe të mos harrojmë se është nga ansamblet më profesionistë të Kroacisë.

Këto edicione, i vlerësoni si periudhë rritjeje dhe konsolidimi të festivalit, apo edhe si një përvojë, si një mundësi për ta çuar atë më tej? Në fakt, cili është vizioni juaj për perspektivën e këtij festivali?  

 Një event i cilës do fushë qoftë, kur kthehet në traditë ka me vete edhe shansin për të reflektuar  drejt përsosmërisë.

Si çdo gjë që është në rritje. Shumë gjëra varen vërtet nga mbështetja financiare por  e vërteta është se jo çdo gjë e bën paraja. Sidomos kur mendon që , jo rrallë, ka evente që shpenzojnë shuma të konsiderueshme  dhe gjurmët vështirë t’u gjenden. E kam fjalën për veprimtari kulturore apo promocionale në axhendën e institucioneve qendrore, të cilat kanë edhe detyrim ligjor për realizim standardesh e performancash cilësore por në fakt shpesh do tu shkonte thënia “ u mbars mali e polli një mi…”. Më duhet të them gjithashtu se në vende të tjera të Europës sidomos, faturat financiare për aktivitete të tilla masive  janë goxha të “kripura”  ndërkohë që ky festival përballohet  me donacione minimale , kryesisht nga pushteti vendor  por edhe subjekte të tjera , kryesisht në fushën e shërbimeve turistike të cilët ofrojnë për festivalistët një oferte preferenciale.

Sa për ëndrrën time më lejo të shprehem pa ekuivokë se do të dëshiroja që Aulona festival të ketë një rrugë sa më të gjatë dhe të jetë përherë në plotësim të kërkesave shpirtërore të bashkëqytetarëve të mi por edhe përherë i vlerësuar e kërkuar në tregun pa fund të festivaleve të folkut europian e botëror.

Së fundi më duhet të formuloj një falënderim shumë shpirtëror për të gjithë ata që mundësojnë  realizimin me sukses të këtij Festivali. Mbështetësit financiarë, subjektet e akomoduese , bashkëpunëtorët e mi në stafin e festivalit, medien dhe veçanërisht artdashësit  e shumtë vlonjatë e jashtë saj, pa të cilët ky event do të mbetej si një kartolinë e bukur në vitrinë…