Sejmen GJOKOLI/ Të na rrojë reforma!

541
1.
Më në fund ja hodhëm,
Ikën hallet tona,
Se nga Parlamenti,
Mori udhë Reforma.
2.
Sallë e Parlamentit,
Tempulli që thonë,
Natën ditë e bëri,
Për Drejtësin’ tonë.
3.
U ngritën kartonat,
Asnjëherë s’qe parë,
Me ç’qenë e ku qenë,
Që të gjithë në garë.
4.
Të gjithë me vërvimë,
Me zile, pa zile,
Mbaj e shtyp butonin,
Me pullën jeshile.
5.
Gishtin te butoni,
Sytë te ekrani,
Buzëqesh me vete,
Lu, amerikani.
6.
Ca me qejf e shtypin,
Ca si nga belaja,
Për një çikë konsensus,
U bë gjithë davaja.
7.
Ham e gam i shkuam,
Afro nja dy vjet,
Ngre e ul Reformën,
Si të ish byrek.
8.
Ngre e ul të shkretën,
Në mëngjes e dark,
I riu dhe plaku,
Dhe foshnja në bark.
9.
Këtu e dy vjet,
Ekranet u çanë,
Reformën do bëjmë,
Sikur bar’ të hamë.
10.
Nuk duam as bukë,
As ujë e as drita,
Veç të rrojë Brukseli,
Të rrojë Amerika.
11.
Mbledhur komisionet,
Dhe ambasadorët,
Hip e zbrit avionët,
Në tufë senatorët.
12.
Këtu gjithë Brukseli,
Këtu dhe Evropa,
Këtu Amerika,
Këtu e gjithë bota.
13.
Hidh e prit formulat,
Me fjali e shkronja,
Nëpër nene ligjesh,
Shkuar ditët tona.
14.
Kush e kush për vete,
E bën llogarinë,
Ndërsa popull-shkreti,
Pret për Drejtësinë.
15.
Dridhu e përdridhu,
Nëpër deklarata,
Të tjera mëngjesi,
Krejt të tjera darka.
16.
Populli i shkretë,
Sytë te ekrani,
Po këtu tek ne,
Vallen hedh shejtani.
17.
Sa gjendet ujdia,
Hedh dikush një fjalë,
Ja nis prapë shamata,
Të dalë ku të dalë.
18.
Njëri heq një fjalë,
Tjetri shton një tjetër,
Fillon nga e para,
Prapë avazi vjetër.
19.
Hiq e mos këput,
Ca tutje, ca t’hu,
Ca në rozë lyer,
Ca në ngjyrë blu.
20.
Shqipëria ime,
Ç’ hall që të ka zënë,
Njëzet e pesë vjet,
Shamata e gërnjë.
21.
Ndaj druaj se plagët,
S’të mbyllen akoma,
Ata që ti hapin,
Ata bëjnë Reforma.
Sigal