Sejmen GJOKOLI/ Në Izmir, mes Shqiptarëve, në festën e flamurit

897
Sigal

Kisha patur rastin që të isha edhe herë të tjera në Izmir por këtë herë atë që kisha dëgjuar për praninë e shqiptarëve si banorë të këtij qyteti e pashë nga afër.

Ishim në Izmir si pjesëmarrës mes grupeve nga 12 shtete të Ballkanit, të ftuar nga Bashkia e qytetit, në edicionin e 9- të të Festivalit Ballkanik të Folkut. Është nga festivalet më interesant që mbahen në vendet e Ballkanit, ku organizatorët marrin përsipër jo vetëm shpenzimet e akomodimit e ushqimit por edhe ato të transportit.

Izmiri është ndër 3 qytetet më të mëdha të Turqisë , ka mbi 4 milion banorë po për ne është i veçantë mbasi rreth katërqind mijë  janë me origjinë shqiptare.

Këtë radhë udhëtimi dhe qëndrimi në këtë qytet, të jashtëzakonshëm për nga bukuria  dhe shtrirja,  ndanë detit dhe Gjirit me famë të Izmirit, na bëri të përjetojmë një emocion të veçantë, të pa njohur në  qëndrimet e kaluara në këtë qytet bregdetar. Organizatorët e festës së Flamurit, disa shoqata shqiptare që veprojnë në Izmir, mbasi kishin mësuar për ndodhjen e grupit nga Shqipëria në festival menjëherë na kontaktuan dhe na parashtruan ftesën për të marrë pjesë në aktivitetin e tyre,  në festën që shqiptarët , jo vetëm të këtij qyteti por të krejt Anadollit, do të organizonin në nderim e përkujtim të ditës së Flamurit kombëtar të Ismail Qemalit. Sokol Brahaj, ky djalë shkodran me një veprimtari të madhe shoqërore e patriotike i cili mbas përfundimit të studimeve në vitin 2001 me familjen e tij vazhdonte të jetonte në Izmir,  do të bënte të gjitha përpjekjet deri sa garantoi qëndrimin tonë edhe një ditë pas përfundimit të Festivalit.

Në Izmir ka një përvojë të pasur në organizimin e festive dhe eventeve të herëpashershme nga shqiptarët por festa e Flamurit dallon mbi të tjerat. Siç mësojmë këtë vit festën për 101 vjetorin e Pavarësisë Kombëtare e kanë organizuar Unioni Studentor Shqiptar i Izmirit në bashkëpunim me shoqatën ABSIAD.   Por pranë tyre ishin edhe shoqatat  Emigrantët shqiptarë ( çam) të Izmirit, shoqatë kjo e promovuar gati një vit më parë me prezencën edhe të kryetarit të PDIU, Shpëtim Idrizi, shoqatës më të vjetër shqiptare në Izmir me emrin Kosovë- Rumeli me drejtues pejanin e njohur Jusuf Sait. Duhet të themi se në universitetet e Izmirit ka shumë studentë nga Shqipëria dhe ne pamë e njohëm nga afër shumë djem e vajza nga qytete të ndryshme të vendit por edhe nga Kosova, shqiptarët e Maqedonisë e Malit të Zi, madje edhe nga Presheva e Bujanovci. Kështu ne takuam e patëm rastin të bashkëpunojmë për realizimin e aktivitetit artistik studentët Bledar Jançe nga Elbasani, Blerta Vitaku nga Mitrovica, Ekerem Halimi nga Shkupi, Adelina Avdullau nga Prishtina, Ardit berani nga Shkodra,  Enisilda Aga nga Dibra, Lorena Qemo nga Tirana e shumë të tjerë.

Këtu do të takonim e do të kishim rastin të bisedojmë edhe me kolonelin Ndriçim Sollaku, përfaqësuesin shqiptar pranë Shtabit të Natos në Izmir. Në një sallë me rreth pesëqind vende, zbukuruar hijshëm e plot ngjyra simbolesh kombëtare , në prezencë të mjaft shqiptarëve të ardhur nga Izmiri dhe rrethinat por edhe zëvendës kryetarit të Bashkisë së Izmirit, Ambasadorit tonë në Turqi, Genci Muça, himnet kombëtare të të dy vendeve shënuan fillimin e aktivitetit kulturor e artistik të përgatitur me këtë rast. Dalja e grupit folkorik “Bilbili” më skenë bëri që të pranishmit të shpërthejnë në duartrokitje dhe brohoritje tepër emocionuese. Pastaj duartrokitjet nuk do të rreshtin pas çdo kënge apo valleje shqiptare. Një simbolikë vërtet e bukur dhe shumë e veçantë : Në Izmir festohet dita e Flamurit Kombëtar nën shoqërinë e këngëve dhe valleve të një grupi folku të ardhur nga  Vlora, pikërisht qyteti simbol i ngritjes së Flamurit. Valltarët e “Sadi Halilit” të Librazhdit, këngët e kënduara nga Ludmilla Baballëku, por edhe vallja e kënduar “Unë jam S’mail Qemali, prapa më vjen historia”, kënduar nga grupi polifonik  do të bënin që shqiptarët e Izmirit ta kthenin sallën e shfaqjeve në një manifestim të jashtëzakonshëm atdhedashurie dhe patriotizmi.

Shqiptarët e Izmirit na treguan edhe një herë se Flamuri Kombëtar është i shenjtë, i shtrenjtë, por edhe i të gjithë bashkëkombësve kudo që rrojnë.