Sejmen Gjokoli/ Mes vëllezërve të gjakut dhe gjuhës…

651
Ftesën e kolegut tim, Antonio Notaro për të ndjekur nga afër edicionin e 31-të të Festivalit Folklorik Ndërkombëtar të Castrovillarit e prita me kënaqësi të veçantë edhe për një arsye tjetër, përtej festivalit. Castrovillari është nga të paktët qytete me popullsi tërësisht italiane, që bën pjesë në Provincën e Cozencës, në rajonin e Kalabrisë, ndaj ky do të ishte një rast fatlum për të njohur sado pak nga afër këtë “degë” shqiptare, këputur nga “mëma” Shqipëri, më shumë se pesë shekuj të shkuar. Jemi rritur me imazhin e “gjakut të shprishur”, kemi shkuar sa herë edhe përmes vargjeve të De Radës apotingujve të “të bukurës More” në atë anë të Jonit por, tjetër gjë ta prekësh direkt atë tokë ku rrojnë vëllezërit tanë të një gjaku e një gjuhe. E para herë që shkel në tokën e Kalabrisë dhe aty, në stacionin e Sibarit ku më duhet të lë trenin, emocionet të mbytin. Kanë dalë të më presin dy miqtë e mi të këngës, Michele Greco e Mimmo Imbrogno, të cilët sipas zakonit më ofrojnë kafen e parë të mirëseardhjes. Kanë patur rastin të jenë disa herë në Shqipëri, në Festivalin Kombëtar të Gjirokastër me grupin përfaqësues të arbëreshëve po edhe në Vlorë, në Aulona Folk Festival me grupin folklorik “Arbëria” të Frasnitës. Kanë pak kohë që kanë krijuar një tjetër formacion kënge me emrin “Vëllezërit arbëreshë” me të cilin përcjellin këngën e bukur arbëreshe në në festa e festival folklorike. Më dhurojnë një disk me tetëmbëdhjetë këngë, me zë e figurë, regjistruar në nëntorin e vitit të kaluar, në një koncert në Zagreb, të ftuar nga këshilli i pakicave shqiptare në kryeqytetin kroat. 
Civita ose mrekullia arbëreshe

Me Michelen e Mimmon kemi lënë Sibarin dhe nisemi drejt Castrovillarit, qyteti ku mbahet festivali, por ndërkohë kemi kohën e duhur për të vizituar, në rrugë e sipër, të paktën një nga katundet arbëreshe. Pasi përshkruajmë 10 apo 15 km rrugë mes fushave të Sibarit, fillon ngjitja për lart, një Llogora e vogël apo një Qafë-Muzinë që të çon jo vetëm drejt Castrovillarit, por edhe disa prej vendbanimeve arbëreshe që gjenden në këtë anë të Provincës së Cozencës… I pari shfaqet Civita, i tëri mbërthyer për shkëmbi ku poshtë tij zbret honi i thellë me ujët e lumit që duket se del nga shkëmbinjtë e thepisur. Civita është vendlindja e Mimmos që na thotë të ndalojmë në një nga pikat panoramike ku përballë kemi shtëpitë e gurta të ngritura faqe shkëmbit, grykën e thepisur me lumin që rrjedh përfund si dhe Urën e Djallit nga shkëmbi në shkëmb. Për Urën dhe Grykën e Djallit sa kam lexuar për to një përshkrim të shkurtër në një status të shpërndarë nga miku im, gazetari i mirënjohur Ndue Lazri, kaluar këtej pak kohë më parë, ndaj isha shumë kurioz të paktën ta kundroja nga larg. Legjenda thotë se Urën e Djallit e ka ndërtuar djalli vetë, madje brenda një nate aty te Gryka e Djallit përfund të cilit rrjedh lumi Raganello. Legjendë vërtetë por falë saj vizitorët e shumtë ardhur në Civita gjithandej, në varg zbresin e ngjitin shtegun e dhive duke i sjellë katundit gjallëri e të ardhura financiare. Sakaq kemi hyrë në brendësi të qytetit që nga sa duket është i tëri një muze i gjallë. Shtëpitë e gurta mbi njëra-tjetrën dhe rrugët vetëm me kalldrëm të kujtojnë Gjirokastrën apo Beratin, qytetet tona të UNESCO-s. Është nga të parët katunde arbëreshe, ngulur këtu prej vitit 1467, pas tij vijnë ngulimet e tjera, të shumtat majë kodrash e rrëzë malesh, aty ku u dha lejen i zoti i “shtëpisë” për tu vendosur. Aty ku toka kërkohej me qiri. Civita përbën një nga historitë më simbolike e më interesante në “librin” e madh të zhvendosjes e vendosjes së madhe të shqiptarëve prej Arbërie, e cila daton në shekullin e XV. 

Qyteti-Comunë i Civitas

Qyteti-Comunë i Civitas ka një sipërfaqe rreth 30 km2 dhe numëron rreth njëmijë banorë, nga të parët që filloi mësimi i gjuhës arbëreshe lejuar nga ligji italian për mbrojtjen dhe zhvillimin e aseteve etno-gjuhësore. Këtu je rreth 500m mbi nivelin e detit dhe si rrallë qendra të tjera të banuara, qoftë edhe nga ato italiane, Civita të ofron një peizazh gati magjepsës ku që nga këtej, tutje horizontit shpërfaqet bluja e Jonit. I kthyer në një pikë të rëndësishme turistike, si pjesë e Parkut të madh kombëtar të Polinos, pret e përcjell vizitorë e kalimtarë të herë pas hershëm. I tëri një muze i hapur ku lulet plot aroma dhe ngjyra varen dritareve dhe parvazeve të shtëpive. Këtu i pari të “pret” Skënderbeu, busti i vendosur hijshëm përbri rrugës e sheshit të vogël. Ashtu, nga busti, duket sikur shtrin dorën e thotë: “mirë se vini mes vëllezërve tuaj”. Më tej Qendra historike me Muzeumet e Trashëgimisë kulturore material të lenë pa fjalë. Muzeu etnografik nga më fantastikët që me siguri do ta kishte zili dhe vet kryeqyteti i vendit amë. Largohemi nga Civita drejt qytetit ku mbahet festivali e ku rrugës përshkruajmë edhe dy katunde arbëreshe, të ndara vetëm nga një urë përroi. E para herë që shikoj dy fshatra që ndahen nga një urë kaq shumë e shkurtër, si me thikë. Siç janë këtu Ejanina e Frasnita. Ejanina është katundi i Michele Grecos i cili për pesë vite ka qenë zv/kryetar i komunës së Frasnitës dhe që na tregon për namin e këtyre dy katundeve në prodhimin e verës dhe vajit të ullirit. Ndalojmë edhe këtu për të fiksuar Skënderbeun, që aq bukur hijeshon sheshin “Shqipëria” në qendër të Komunës. Pikërisht këtu në Frasnita është edhe pikë takimi i kësaj zone me autostradën e Diellit, që vjen prej Reggio di Calabria drejt Romës dhe që për të gjitha katundet arbëreshe duket një mundësi më tepër zhvillimi. 
Në Morano Kalabro, katundin kështjellë… 

Në një nga ditë-qëndrimet, Micheli i Frasnitës më bën një surprizë të këndshme, duke më çuar për një vizitë në Morano Calabro, as 10 km nga Castrovillari. Morano Kalabro, ashtu si Castrovillari, është nga të paktët qendra të banuara në Provincën e Cozencës me popullsi jo arbëreshe. Ka rreth 3 mijë banorë dhe është një qytet krejtësisht turistik. E pa imagjinueshme pamja urbanistike, shtëpitë e gurta njëra mbi tjetrën që mbyllen me Kalanë në krye, duke formuar një Kokojkë guri të stërmadhe. Në Shqipëri nuk ke me kë ta përqasësh në krahasim, Berati dhe Gjirokastra duken larg, mjaft larg. Në gjithë Italinë janë të përzgjedhur e certifikuar 40 fshatra me karakteristika të rralla e krejt unikale. Morano Kalabro është njeri prej tyre… Gurë, gurë dhe vetëm gurë të murrmë! Dhe çatitë e shtëpive me rrasa guri si mbi njëra-tjetrën. 
Nga ferma në Firmoza dhe Ungëra në mes… 
Të paktën unë s’kam parë që tri fshatra të shtrihen apo të rrinë aq pranë njëri-tjetrit, në një distancë as dhjetë km e ku pikërisht në mes, i baraslarguar nga ekstremet, të ndodhet njeri prej tyre. Janë tri katunde arbëreshe në Kalabri, më saktë në rajonin e Cozencës, që e krijojnë këtë realitet gjeografik. Ferma dhe Firmoza në fillim e fund dhe Ungëra në mes. Kështu i shkruajnë e shqiptojnë në gjuhën arbëreshe. Tri nga katundet ku janë ngulur e rrojnë shqiptarët, edhe këtu sinë Civita, larg fushave e ultësirave. Nga më malorët vend banime arbëreshe nga ku më malori mbetet Firmoza. Se, siç na thonë edhe këtu si në Civita e vendbanime të tjera, leje për tu ngulur në këto anë u është dhënë në toka jo të favorshme për prodhim, të mirat vendasit i kishin për vete… . Pasi kemi lënë autostradën e Diellit, me Michelin që nuk mu nda gjatë gjithë qëndrimit tim në Kalabri, marrim rrugën që gjarpëron kodrinave drejt malit të Valle Esaros, faqe të cilit shtrihen tri fshatrat arbëreshe për të cilat kemi marrë udhën ti vizitojmë. Ferma na del e para, madje edhe këtu të “pret” Skënderbeu me bustin e tij, ashtu si më parë e kemi hasur në Civita e Frasnita. Po këtu, në pllakën e vendosur lexojmë një shënim që s’ka si të mos na tërheq vëmendjen. Busti është sjellë dhuratë nga Shqipëria, më saktë nga Bashkia e Lushnjës dhe kryetari I bashkisë së kohës Albert Sanxhaku. Një gjest që s’ka si të mos krijojë emocione kur mëson se gjurmët e shtetit amë (rrënjët), këtyre anëve (degëve) janë thuajse të padukshme. Ndonëse kohë më parë në disa qendra arbëreshe kanë qenë për vizita zyrtare edhe Presidenti Bujar Nishani apo edhe Kryetari i Kuvendit Ilir Meta. Franko Vasto, një shqiptar i madh që na pret në shtëpi pranë oxhakut, na tregon shumë për mikpritjen, nderin, besën e vëllazërimin si tradita të ruajtura e të përcjella në breza. Si kundër shfaq edhe vërejtje për ca punë që më mirë duhet ti bëjë mëma Shqipëri për bijën arbërore. Franko, ky veprimtar i njohur tani i pensionuar, ka qenë për pesëmbëdhjetë vite administrator i katundit me 2500 banorë dhe na tregon kur ka pritur vite të shkuara Dritëro Agollin e Xhevahir Spahiun po edhe Edi Ramën ca vite më parë kur drejtonte Bashkinë e Tiranës.

 Këtu në Fermë ka shkuar jetën, ka shërbyer, shkruar e botuar vepra letrare Vorea Ujko, siç Franko na thotë, më i miri e më i madhi njeri i shërbimit fetar e kulturor ndër arbëreshë. Vorea Ujko, alias Domeniko Beliçi, është nga Frasnita por këtu në Fermë e shkoi jetën deri sa mbylli sytë. Për Vorea Ujkon kanë ardhur këtu edhe Dritëroi me Xhevair Spahiun, por mua prej këtu më erdhi ndërmend edhe diçka tjetër. Nderimi që i kanë bërë shkrimtarit e poetit të madh krijuesit e Klinës në Kosovëku, klubin e tyre letrar, e kanë emërtuar me emrin e kësaj figure të madhe arbëreshe. Në bisedë e sipër Franko më flet edhe për Miho Gjinin, këtë njeri të shquar të letrave nga Bregu ynë. E pyes se kur paska qenë në këto anë. Jo, nuk ka ardhur vetë, librin e një letër mi ka dërguar me postë –më thotë Franko dhe më vendos përpara letrën dhe librin që Mjeshtri i Madh ka shkruar për Piqerasin, vendlindjen e tij. Me Mihon jam lidhur përmes facebooku-t e mbyll bisedën rreth krijuesit e kritikut tonë plot kalvare, Frankua. Pasi kemi provuar nja dy-tre mostra rakie, i zoti i shtëpisë kërkon të bëjë zakonin duke më zgjedhur të më bëjë dhuratë dy shishe me verë të bëra nga rrushi i bahçes e nga fiku pranë shtëpisë këput ca kokrra fiq të bardhë. Lemë Fermën dhe marrim rrugën për Ungra, tani me ne edhe Franko, që aq mirë e bën ciceronin. Pa hyrë akoma në qytet, në një kodrinë ku gjithçka e ke si në pëllëmbë të dorës, zbresim nga makina dhe Franko na tregon një nga një katundet arbëreshe, që duken në horizontin e largët e nga ku më tej shpërfaqet bluja e detit. Spixana, Shën Mitër Corona (vendlindja e De Radës), Shën Kozma, Vakarica, Shën Sofia… 

Ungëra, një tjetër befasi 

Edhe këtu të “pret” Skënderbeu, por bashkë me të, një qytet me një ndërtimtari marramendëse, të pabesueshme për një katund arbëresh. Me një kishë gjigande, me porta e qemerë të shumtë, me sahate e mure antike duket i tëri si një muze i gjallë. Eshtë katundi (qyteti) më i madh ndër vend banimet e tjera shqiptare në Kalabri jo vetëm si banorë, mbi 3 mijë, por edhe si sipërfaqe, rreth 36 km2. Ka një histori ndërtimtarie e arkitekturë të çuditshme. Ndër qendrat më të mëdha të komunitetit shqiptar në Itali ku sot konsiderohet edhe si kryeqytet i qarkut. Në Ungra prej kohës shumë kohësh përpara ka qenë edhe miniera e kripës, tani e mbyllur por që Franko na thotë se prej vegjëlisë e mban mend kur ajo punonte… Firmoza është katundi i tretë që shkelim por edhe i fundit në këtë pjesë malore të Provincës së Cozencës, me 756 metra mbi nivelin e detit. Këtu, në qendër, takojmë edhe kryetarin e Katundit, Xhenaro Kapareli, i cili na pret me një shqipe të pastër e na uron mirëseardhje sipas zakonit. Xhenario na tregon për administrimin e katundit dhe për punët kryesisht në sektorin e agro-kulturës për të cilin kjo zonë dallon. Te Kroi i Pjakës (plakës) lajmë sytë, pimë ujë me grushte si në lugjet e maleve tona dhe freskojmë ballin prej vapës së gushtit. Na duket se sadopak e shuam edhe mallin. Por, kjo në dukje, mbasi në fakt edhe më shumë u ndez brenda shpirtit e kraharorit dashuria dhe malli për vëllezërit tanë të “gjakut të shprishur”. 
Të gjakut e gjuhës së nënës! 
Gusht 2016. 
Sigal