Sejmen GJOKOLI/ Koço deputeti, bej-pashai ynë!

609
1.
Vlorë, o moj Vlorë,
Që je nderi ynë,
Vallë pse rënkon,
Ç’ ke që psherëtinë?
2.
Ç’ ke që je trazuar,
Për gjumë s’e mbyll synë,
Ti je zonjë e madhe,
Vulos historinë.
3.
Ngrehu moj në valle,
Dridhe moj, shaminë
Koçua si e deshi
Ta bëri Partinë!
4.
Kur flet në podiume,
Miza s’pipëtinë,
Dhe shoku Enver,
Do t’ia kish zilinë.
5.
Fare nga themelet,
E shkuli Partinë,
Amani, o shokë,
Kuje, ulërimë!
6.
Brenda te PD-ja
E ngriti “shtëpinë”
Shtruar me mokete
Ngjyrat farfurijnë.
7.
Nga çdo anë pasqyra,
Ekrane me ngjyrë,
Nëpër tavolina,
Miset venë e vijnë.
8.
Thonë socialistët,
Ç’e gjeti selinë,
O shokë, amani,
Kuje, ulërimë!
9.
Kishim kontributet,
Kishim historinë,
Po ç’u bënë vallë,
Nga vajtën, s’e dimë.
10.
Thonë i hodhi tutje,
Fare në greminë,
Tani nga e para,
Do bëjë historinë.
11.
Sikur s’kemi qenë,
Flak e vetëtimë,
Sikur s’jemi ndeshur,
Një jetë, me Salinë.
12.
Sikur s’kemi korrur,
Fitoret, duzinë
Amani, o shokë,
Kuje, ulërimë!
13.
Tani telefonat,
Shkrepin vetëtimë,
Shkruaj, shuaj emra,
Listat venë e vijnë.
14.
Ca si të marrosur,
Ca as vet s’e dinë,
Ç’po bëhet, o njerëz,
Si në rrokullimë ?!
15.
Koçua nga e para,
E bëri Partinë,
O shokë, gëzoni,
Dhe pa bukë të rrimë.
16.
Në zyrat me qelqe,
E ka vënë dylbinë,
Nëpër telefona,
E ka gjet parinë.
17.
Strukturat që ishin,
Si kripa u shkrinë,
Një fjalë pa thënë,
As vulë e as firmë.
18.
Pa le delegatët,
Nuk dihet nga mbinë,
Ca vihen në lista,
Ca me gomë u fshinë.
19.
Ca të propozuar,
Nga vajtën s’e dinë,
Thonë deputetit,
Nuk ja mbushën synë.
20.
Kryetar do zgjidhet,
Kujt t’i bjerë me vrimë
Amani, o shokë,
Kuje, ulërimë!
21.
Sepse kandidatët,
Janë shtatë duzinë,
O shokë, amani,
Kuje, ulërimë!
22.
Nuk dihet nga janë,
Nuk dihen nga vijnë,
Ka dhe nga PD-ja,
Ca as vet s’e dinë.
23.
Hiq e vër drejtorë,
Me një fërshëllimë,
Amani, o shokë,
Kuje, ulërimë.
24.
Ndërsa ca të tjerë,
As vet s’dinë pse rrinë,
S’dihet kush i vuri,
As ç’të bëjnë dinë?!
25.
Të tjerë për fitoren,
U hëngër, u grinë,
Të tjerë punësohen,
Të tjerë dhe partinë.
26.
Njerëzit po ikin,
Të gjithë me vërvimë,
Dhe nga sytë këmbët,
Marrin arratinë.
27.
Si deshe e bëre,
Jugun dhe partinë,
Të paçim, o Koço,
Bej, Pashai ynë!
Sigal