Sejmen GJOKOLI/ Çoroditja e një institucioni kulture

571
1. Kur nuk thuhet, asnjë fjalë ndjese
Në respekt të polifonisë, por edhe të bartësve e interpretëve të njoftuar për të qenë pjesë, e ndoqa fund e krye, të quajturin nga organizatorët “Festival Kombëtar të Iso-Polifonisë” zhvilluar në Vlorë përpara pak ditësh.
Syri nuk më “qau”, pse në skenë nuk munda t’i shoh të gjithë grupet që gjallojnë anë e kënd trevave, ku lëvrohet kënga me iso. Të gjithë e dimë se, sado i organizuar mirë që të jetë një Festival, kurrsesi në të nuk mund të marrin pjesë të gjithë. Madje organizimi ndaj kërkohet të bëhet në kohë e me kritere për të bërë pikërisht seleksionimin e vlerave, ku më të mirat ngjiten në skenë.
Por kur nuk shikon të ngjiten në skenë grupe si “Dukati”, “Vranishti”, “Tërbaçi”, “ Ergjëria” e “ Idriz Sulli”, “Kaonët”, “Jehona Labe”, “Çipini”, “Bilbili”, “Kristalet e Smokthinës”, “ Djemtë e Vlorës”, “ Ballkoni i Vlorës”, “ Bilbilenjtë e Progonatit”, “Gurra e Picarit”, “Golëmi hapi jelekun”, “Beri i bilbilit”, “ Jonianët”, Vezhdanishti, Gorishti, Kudhës-Gërhoti, nga Zagoria apo Lunxhëria, Saranda, Dropulli e madje as nga Çamëria jonë që vetëm në qytetin e Vlorës ka dy grupe me jetë aktive, kjo të krijon rrëqethje.
Përmenda vetëm grupe me aktivitet nga zona që i njoh nga afër, pa marrë përsipër të flas edhe për grupe nga zona të tjera, si Përmeti, Skrapari, Korça, Berati etj.
FFK i Iso-polifonisë është i vetmi aktivitet i parashikuar në agjendën vjetore të MK, nga ku krijues, këngëtarë e valltarë presin të vihen në lëvizje e të vlerësohen edhe financiarisht për cilësinë e produktit të tyre. 
Duhet thënë se, këtë herë ky shans nuk u dha veç të tjerash edhe për shkakun se, realizimi i aktivitetit u konceptua si një aksion dy apo tri javor, duke hedhur në erë etapat që kërkon mbajtja e një Festivali Kombëtar. Përzgjedhja e grupeve, u bë pre e njoftimeve klenteliste e aspak profesionale, jashtë çdo rregulli që kërkon mbajtja e një Festivali Kombëtar, duke bërë një dëm të madh në cilësi e gjeografi.
Po jo pak humbje patën edhe artdashësit dhe pasionantët e këtij zhanri muzikor, me taksat e të cilëve mbahet.
Nuk ke ç’të presësh e as të kërkosh më shumë, kur edhe e vetmja afishe që njofton aktivitetin vendoset vetëm tetë orë para fillimit të tij. Ndërkohë që një aktivitet zhvillohet për t’i shërbyer atmosferës dhe plotësimit të kërkesave shpirtërore për komunitetin e një qyteti të tërë.
Një çoroditje e panevojshme, për të mos thënë arrogante e fyese për cilindo që ka pritur, që sidomos edicioni i 10 vjetorit të shpalljes së Iso-polifonisë “Kryevepër…”, të ishte krejt tjetër. Një fjalë ndjese, nga ana e organizatorëve mbase do ishte me vend të thuhej.
Kërkoj mirëkuptim te lexuesit për të mos u futur në vlerat apo arritjet që pruri ky takim i Iso-polifonisë, mbasi kjo do të donte një shkrim më vete… Nëse më duhet të them vetëm një mendim, e them me bindje se pamë një koncert të zakonshëm folku, por kurrsesi një Festival Kombëtar. Kjo jo vetëm për shkak të emrave të grupeve të munguara, por mbi të gjitha të prurjeve dhe produktit që solli ndërkohë që, me pak përjashtime dëgjuam krijime të konsumuara e të dëgjuara.
Personalisht, në mendje më shumë se këngët, më mbetën imazhet e hi tech-ut që shoqëronin çdo grup në skenë. Druaj të them, por për prurje vlerash nuk besoj që të thuhet ndonjë gjë edhe nga specialistët e fushës, mbasi në të dy netët askush nga njerëz profesionistë në fushën e trashëgimisë kulturore, nuk u pa në ambientet e mbajtjes së aktivitetit.
Personalisht, më duhet të përjashtoj grupin “Bejkë e bardhë” të Pilurit i cili këtë herë na erdhi me Kristo Çipën, siç duket i vendosur për të ndjekur rrugën e grupit të Pilurit të “Mjeshtrit të Madh” Lefter Çipa dhe që pati një performancë të mrekullueshme me tekste e avaze të reja.
2. Festivalet, si respekt ndaj gjeografisë së vlerave
Duke folur për grupet pjesëmarrëse më duhet të them se, kjo përbën edhe një nga problematikat serioze të takimit. Pati rrethe e krahina të tëra që lëvrojnë polifoninë, që nuk u panë gjëkundi në skenë. Delvina, Saranda e Përmeti fare, por edhe Gjirokastra vetëm me pesë veta, ndonëse me grupin simpatik të “Argjirosë”. Dhe të mendosh një rreth si Gjirokastra me një larmishmëri të jashtëzakonshme stilesh të kënduari. Mungoi labërishtja e krahinës së Kardhiqit përmes grupeve të Zhulatit, Picarit e Golëmit po edhe Lunxhëria “plot lezete”, Zagoria e rrallë e polifonia e Dropullit e Pogonit. Të gjitha këto munguan, siç mungoi edhe kënga e famshme e Dukatit apo ca më dëshpëruese, kur nuk shikon asnjë grup nga Lumi i Vlorës, sidomos tani që me ndarjen e re territoriale është pjesë e bashkisë së Himarës. As Vranishti, as Tërbaçi, as Bolena, as Zeqo Hoxha, i monofonisë së famshme të Kallaratit, as Bolena e as Kuçi i Zenel Gjolekës.
Sikundër nuk u përfillën fare grupe e shoqata të Iso-polifonisë të njohura për vlerat e tyre në aktivitete të shumta brenda dhe jashtë vendit dhe që kanë një kontribut të jashtëzakonshëm, jo vetëm në mbajtjen gjallë të polifonisë në çerek shekullin e fundit, por kanë lehtësuar jo pak edhe vet shtetin, i cili nuk mund ta mbajë kulturën i vetëm në kurriz.
3. Vlerësimet e munguara
Duke qenë se, mbajtja e këtij Festivali Kombëtar në qytetin e Vlorës, zanafillën e ka prej aktit të UNESCO-s kur më 25 nëntor 2005, Iso-polifoninë do ta listonte mes kryeveprave botërore të Trashëgimisë Shpirtërore, mendja të shkon se në këtë 10 vjetor, drejtuesit e të vetmit institucion qendror të Trashëgimisë Shpirtërore, siç është QKVF, do kishin rastin për të bërë disa vlerësime të merituara për kontribuues në vite, të vdekur e të gjallë. Dhe Festivali do të ishte një rast i volitshëm të paktën si tribunë publike për t’i deklaruar këto stimuj moralë. Tre apo katër vlerësime të qëlluara në vetëm shtatë “Mirënjohje” të dhëna në këtë 10 vjetor është fare pak, për të mos thënë një moskujdesje shqetësuese.
Jam i sigurt që edhe “Mjeshtri i Madh” Lefter Çipa, njëri prej të vlerësuarve, do të ndjehej më mirë kur të dëgjonte se ky vlerësim shkonte edhe për kolegët e tij në vite, si Maliq Lila, Hamdi Pulo,Dule Havari, Zaho Balili, Mite Guga e Lefter Haxhiraj (pas vdekjes) po edhe Muhamet Tartari, Kujtim Mici, Feti Brahimi, Teno Lena, Pelivan Bajrami, Meleq Kapllani, Kastriot Muçaj, Nexhip Sera, Tomorr Lelo, Koço Vasili, Nertesi Asllani etj.
Siç jam i sigurt se, të njëjtën ndjesi do të provonte edhe i vlerësuari nga radhët e këngëtarëve “Artisti i Merituar “ Golik Jaupi. Bëhet fjalë për emra, korifenj të këngës e valles polifonike, si Xhevat Avdalli, Laver Erindi, Demo Çenko, Alush Milori, Arap Mero, Qiriako Bala, Vangjel Gjiçali e Beqir Laçe ( pas vdekjes), por edhe një armatë të gjallësh, si Dhimitër Varfi, Përparime Ziflaj, Vitori Balili, Treshja e Dukatit (Gjoleka, Vangjeli, Bozhani), Petrit Matushi, Hysen Ruka, Arjanit Daupi, Rrahmën Nuredini, Katina e Emrioni Mërkuri, Katina Bejleri, Arjan Shehu, Mehmet Vishe, Syrja Hodo, Nebi Xhaka, Nazif Çela, Golik Lika, Fatbardha Hosi, Vendim Kapaj, Bejushe Barjamaj, Ajet Duka, Sinan Gjoleka, Spiro Çino, Fatosh Liko, Syrja Brahimaj, Berdo Berdaj, Lesko Dervishaliaj, Vasil Sera, Shkëlqim Guçe, Roland Çenko, Dituri Thana, Valbona Nora, Pirro Latifi,Tahire, Bozhani, Veledin Korkuti, Përparim Nora, Hekuran Gjokoli, Pirro Këlliçi, Kalo Bregu, Vendim Zyka, Viron Laci, Defrim Mustafaraj, Pirro Bregu, Bexhet Mahmutaj etj. Vërtet e vështirë, se për mbajtjen gjallë të kësaj Trashëgimie Shpirtërore përpjekjet dhe kontributet vijnë prej shekujsh, por veç mendjes dhe dëshirës, kjo nuk kërkonte fonde të veçanta dhe nëse nuk mund të siguroheshin ca certifikata në letër, të paktën të përmendeshin emrat e tyre, duke filluar nga Demir Ago Vlonjati, që shkroi e këndoi në Misirin e Azisë e deri te Neço Muko, himarjoti që këndoi e regjistroi në Parisin europian.
4. Koha për zhdukje informaliteti edhe në kulturë
Duket se ka ardhur koha të flitet hapur. Por më shumë të dëgjohet e veprohet. Kultura nuk bën përjashtim nga fushat e tjera po kaq të rëndësishme që mbajnë në këmbë shtetin. Madje, kur flasim për identitetin tonë kombëtar, çështjet e kulturës dhe artit dalin në “rreshtin” e parë. Ca më tepër kur na duhet të flasim e diskutojmë për probleme që lidhen me trashëgiminë tonë shpirtërore. Për ruajtjen dhe zhvillimin e saj ka ligje dhe rregulla, por kur i lexon të japin entuziazëm, kur i shikon të zbatuara përmes aktivitetesh në shumë raste të dëshpërojnë. Të dëshpërojnë për nga serioziteti i organizimit, por më së shumti për mungesë dashurie dhe përkushtimi në menaxhimin e tyre. Këtu nuk e kam fjalën për një apo dy aktivitete, as thjesht për të fundit, por po duket se po bëhet vijë sjellje. Shumë larg nga serioziteti dhe kompetenca organizuese e drejtuese në kohën që e lamë pas e që e anatemojmë aq shumë. Po vërehet gjithashtu se, midis institucioneve nga qendra në bazë ka vetëm disa raporte informale e thjesht burokratike. Edhe pse mund t’i ngarkojë me përgjegjësi bashkëpunuese një ligj, një vendim apo urdhëresë qeverie. Mjafton të sjell si argument organizimin e fundit, të cilit i kushtohen këto radhë.
Ndonëse aktiviteti na prezantohet si fryt i organizimit të QKVF ( institucioni qendror), Bashkisë Vlorë (institucioni vendor i kulturës) dhe DRKK ( institucioni qendror i kulturës në nivel vendor), dy të fundit dukeshin qartë që ishin fare të papërfshira dhe jashtë loje. Kështu, kurrsesi nuk mund të ecet më tej, sidomos në punën e madhe që duhet bërë si rezultat i përfshirjes në integrimet europiane.
Mendoj se, ashtu si qeveria “Rama” ka nisur të shkundë ekonominë shqiptare nga informaliteti dhe vet shteti të futet në rrugën e ligjit, ashtu duhet të nisë kjo punë edhe në institucionet e kulturës.
Dëmet që vijnë prej kësaj të fundit, sidomos prej aktiviteteve me karakter kombëtar janë shumëfish më të mëdha, se dëmet që vijnë nga mungesa diku e ndonjë prodhimi pa standarde apo nga shitja e ndonjë malli pa kupon.
Sigal