Sejmen Gjokoli: Ansambli i këngës e valles Shqipe në Maqedoni

1236
Sigal

Për Ilir Lokun e të tjerë…

Një urim dhe një sugjerim për organizatorët e Ansamblit Kombëtar të Këngës e Valles Shqipe në Maqedoni

Sejmen GJOKOLI

E kam pritur me shumë entuziazëm, por edhe me shumë kërshëri, lajmin e emetuar kohë më parë për ngritjen e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Shqipe në Maqedoni. Veç të tjerash me ngritjen dhe funksionimin e këtij ansambli kënga dhe vallja shqipe, e selitur kombëtarisht, do të mbështetet në një “pirusti” jo vetëm përmes një simbolike të bukur por në radhë të parë edhe me më shumë ritme , ngjyra e ind kombëtar. Tani më kënga dhe vallja popullore shqipe do të ketë rastin që nga të tëra anët dhe vendbanimet shqiptare, me Dardani e Iliri, të ngjitet në skenë në mënyrë profesionale. I dëshiruar dhe i shumë pritur ky lajm sa kulturor po aq dhe politik nga vëllezërit tonë që rrojnë në Maqedoni, por jo më pak i mirëpritur edhe këtej e andej Drinit, në qarqet kulturore sidomos. Në këto vite që më është dashur të merrem me grupe dhe ansamble që në fokus kanë këngën dhe vallen shqipe kam njohur jo pak të tilla struktura folklorike të cilat gjallojnë trojesh shqiptare. Si kundër kam njohur shumë prej ansambleve folklorike që, ndonëse jo përmes pak vështirësish, zhvillojnë aktivitetin e tyre në brendësi të territorit të Republikës së Maqedonisë. Shumë prej tyre si “Karshiaka”, “Ibe Palikuqi”, “Burimet e Sharrit”, “Jahi Hasani” e “ Ilirida” i kam njohur edhe më nga afër, për shkak të shkëmbimeve kulturore dhe pjesëmarrjes në festivale të ndryshme andej e këtej kufirit. Kam mbetur përherë i mrekulluar nga arti i tyre në fushën e folklorit, por veçanërisht interpretimi i valleve shqipe herë – herë më ka lenë pa mend.

Pasion i jashtëzakonshëm, përkushtim deri në kufijtë e të pa mundshmes për shumë prej korifenjve të cilët i dallon lehtësisht në cilin do grup. E në këtë shkrim, krahas urimit e përgëzimit për këtë ngjarje të madhe të kulturës kombëtare, që nuk di pse në qarqet kulturore po kalon pa u ndjerë, dëshiroj gjithashtu të ndalem pak pikërisht për fatin e këtyre kërcimtarëve në raport me organizimin e ekipit përfaqësues. Kjo pa dyshim ka qenë edhe shtysa për të besuar se të paktën korifenjtë e grupeve ekzistuese do të grumbulloheshin për të formuar sa më shpejt një trupë të plotë e konkurruese përpos të tjerëve përzgjedhur përmes edicionesh. Personalisht, mes shumë prej më të mirëve që kam mundur ti shikoj nga afër në performancat e tyre, i jam gëzuar artit të kërcimit të demonstruar nga dueti Ilir Loku e Albana Metallari të Shkupit. Siç më ka impresionuar klasi i kërcimit të Burhan Saliut, Fevzi Ebipit, Adem Murtezanit, Vullnet Kuqit, Din Zenelit etj.

Ilir Loku, kërcimtari me sharm, elegancë dhe profesionalizëm

Iliri është rritur me vallet folklorike, ku nga 32 vitet mbi shpinë, mbi njëzetë i ka të lidhura me vallen. Aty, në Shkup, në ansamblin me emrin e heroinës Ibe Palikuqi si fillim, e tani me atë që ka ngritur vetë e që mban emrin aq shumë simbolik “Ilirida”. Thotë se vallen e ka në gjen nga i ati, vite më parë edhe ai solist në njërin prej ansambleve të asaj kohe, në Shkup. Ka për idhull të mëdhenjtë e valles shqipe Besim Zekthi e Rexhep Çeliku të Ansamblit Kombëtar të Tiranës po edhe Besnik Grajçevcin e “Shotës” së Prishtinës. Për vallet, si kërcimtar, i falet koreografit Fehmi Shaqiri, të cilit ka vite që ia ka ndjerë dorën, por edhe të tjerë koreografë të njohur të valles shqipe me të cilët është ushtruar. Por duke shkruar këto radhë nuk mund të mos trishtohem kur mësoj se, pikërisht, kjo dyshe simpatike kërcimtarësh nuk përzgjidhen nga organizatorët për të qenë pjesë e “kombëtares” së atyre valltarëve që do formojnë Ansamblin Kombëtar të Valles Shqipe në RM. Dhe, siç mësoj, shkaku qenka mosha e tyre, edhe pse ndajnë njëzet e shtatën e tridhjetë e dy vite.

Gati absurde kjo kërkesë kur të gjithë mezi presin që pas ligjërimit juridik edhe Folku i shqiptarëve në Maqedoni të “derdhet” në skenë, në rrugë, në sheshe e kudo, brenda e jashtë kufijve, i organizuar kombëtarisht, sa më shpejt. Krahas Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore të Shqipërisë e “ Shotës” së Kosovës. Koha dhe vitet që vijnë do të bëjnë të vetën, me siguri do të përgatiten e do të bëhen artistë të vërtetë plot djem e vajza mes shqiptarësh të atyre trojeve, por sot është dita që të vlerësohen ata që edhe janë të zotët profesionalisht, por edhe i kanë shërbyer kulturës e çështjes shqiptare, ashtu si kanë mundur të organizohen, mes vështirësish e sakrificash. Pa pyetur as për moshë e as për benefite, veç duke ngjitur skenat përmes pasionit, punës e talentit. Me dashurinë për këngën e vallen shqipe në gji.

Gjithsesi edhe një herë më duhet t’i uroj rrugëtim të mbarë e të suksesshëm në promovimin e vlerave të trashëgimisë tonë shpirtërore, këngës dhe valles popullore shqipe, Ansamblit Kombëtar Shqiptar të Maqedonisë!