Sefer Pasha: Korçari Bedri Meçollari dhe pasioni i tij për Ismail Qemalin

671
Megjithëse është mesditë, dielli nuk ngroh në varrezat e Strugës. Përveç kësaj, vetë varreza ta shton makthin dhe akullin. Pas shumë mundimesh munda ta gjej varrin e djalit të Ismail Qemalit. Në pllakën e varrit shkruhej: – “Qazim Bej Vlora”. Është djali më tragjik i babait të pavarësisë. Qazim Bej Vlora ka qenë pjesë e delegacionit shqiptar, që udhëtoi për në Londër. Në përbërje të delegacionit ka qenë Ismail Qemali, Isa Boletini, Luigj Gurakuqi, Et’hem Vlora( djali i madh i Ismail Qemalit), Dhimitër Berati dhe dy nipër të Isa Boletinit. 

Nuk qëndroj shumë pranë varrit. Vendos një lule dhe prek pllakën e mermerit të ciflosur nga motet. Punonjësi i varrezës që më shoqëron më thotë se kohët e fundit janë shtuar vizitat tek varri i djalit të Ismail Qemalit. Domosdo i them, se gjaku nuk bëhet ujë. Pa u larguar nga varri i thashë vetes se do të ishte mirë që e gjithë familja e Ismail Qemalit të varroseshin në një varrezë të veçantë në Vlorë. Eshtrat e gruas së Ismail Qemalit, Kleoniqi Surmeli, janë në Spanjë. Po ku janë eshtrat e gjashtë djemve dhe të tri vajzave, të cilat ai i solli në jetë me zonjushën e bukur greke, Kleoniqi Surmelin? Me këto mendime në kokë e bëra rrugën nga Varreza e strugës për në doganën e Tushemishtit. Kur në doganë nxora kartën e identitetit pashë një “zënkë” mes punonjësit maqedonas dhe një qytetari nga Korça. Pyeta: “Zënka” midis shqiptarit dhe maqedonasit që shërbente në doganë nuk ishte kot së koti.

 Qytetari nga Korça Bedri Meçollari donte të shkonte në Ohër. Por punonjësi i doganës nuk e lejonte. Arsyeja ishte se në xhamin e makinës, Bedri Meçollari, kishte të ngjitur një fotografi të Ismail Qemalit. Zbrita nga makina ime dhe shkova, aty ku ishte qytetari nga Korça. Bedri Meçollari pas debatit të ashpër me punonjësin nga Maqedonia kishte lënë radhën dhe po rrinte i menduar. U futa në makinën e tij dhe fola gjatë me të. Makina e Bedri Meçollarit ishte e veshur e tërë kuq e zi. Portreti i Ismail Qemalit ishte i madh pas xhamit të pasmë të makinës, kurse brenda, përballë kroskotit, ishin dy piktura, të cilat unë nuk i kisha ndeshur ndonjëherë. Në një pikturë ishte babai i Ismail Qemalit, Mahmut bej Vlora, ndërsa në krahun tjetër ishte portreti i nënës së Ismail Qemalit, Haide Hanëmi nga Gjirokastra. U habita gjithashtu kur pashë në sediljen e parë librin “Ismail Qemali”(Kujtimet e Ismail Qemal Beut) të botuara nga shtëpia botuese “Toena”, një album për Ismail Qemalin dhe dhjetëra punime kushtuar Burrit të Madh. Më çuditi gjithashtu dhe një këngë e shtypur e Arbër Xhaferit mbi Albumin e Ismail Qemalit. /Edhe hëna do ta dijë/ /Edhe dielli do ta ketë pa/ /Se përqark kësaj rrokullie/ /Si Shqipëria vend nuk ka/. Me dëshirën e mirëkuptimit Bedri Meçollari më fletë për imagjinatën e egër të maqedonasve. 

Ai ka vite që lufton me ta. Nuk e fusin në Maqedoni se mban në makinë fotografinë e Ismail Qemalit. E kthyen në Preshevë kur ishte nisur dhe kishte siguruar biletën për të parë ndeshjen e futbollit në Beograd. Dhe u detyrua që ndeshjen ta shikonte në një nga lokalet e Preshevës. Telashet kanë vite që kanë nisur. Bedri Meçollari më jep dy DVD të emisionit “Fiks Fare” të televizionit Top channel. Edhe vetë gazetarët janë habitur kur kanë parë skena groteske të punonjësve maqedonas, të cilët nuk e lejojnë Bedri Meçollarin të lëvizë nëpër Maqedoni, pse ai mban në makinë fotografinë e Ismail Qemal Vlorës. “Fiks Fare” ka dhënë dy emisione për këtë absurd të maqedonasve, ndaj qytetarit nga Korça Bedri Meçollari. Ata vazhdojnë të mbajnë të njëjtin qëndrim. Dhe e gjitha, kjo ndodh se Bedri Meçollari ka performancë për Ismail Qemalin. Ai më jep mua dhe disa artikuj të gazetarëve shqiptarë të Maqedonisë, të cilët i japin të drejtë atdhetarit Bedri Meçollari.
Kthehemi nga dogana e Tushemishtit. 
Punonjësit maqedonas nuk e lejuan përsëri Bedri Meçollarin. Ai është i brengosur, por mendon se do t’ia dalë. Është ankuar dhe në Ministrinë e Jashtme. Ndalojmë për të pirë kafe në Drilon në lokalin, ku pushonte dhe shkruante Enver Hoxha. E pyes Bedri Meçollarin për Enver Hoxhën. Dhe ai më kthen një përgjigje të thatë. Një nga djemtë e Ismail Qemalit, Qamili, i shkon në zyrë Enver Hoxhës dhe i kërkon pensionin që ia kishte dhënë dhe Ahmet Zogu, por Enver Hoxha nuk kishte pranuar. I kishte thënë Qamilit prerazi që të shkonte të punonte dhe në bazë të punës të merrte pensionin. Dhe i biri i Ismail Qemalit, Qamili, i kishte kërkuar Enver Hoxhës që ta hiqte nga zyra e tij fotografinë e Ismail Qemalit. Tek kafeneja ku dikur punonte Enver Hoxha dhe që është ruajtur sikur ai të ishte gjallë Bedri Meçollari më këndon këngë për Ismail Qemalin, që ai e ka idhull. /O flamuri kuq e zi/ /I fshehur brenda në gji/ /Të ngriti Smail Qemali/ /Bashkë me shokët e tij/. Bedri Meçollari, i cili i ka pasion këngët për Ismail Qemalin, di shumë poema për burrin e urtë të Vlorës. Ai këngët mi reciton dhe shpesh i këndon labçe: – /O Malo ballëkurorë/ /Të mbeti shkaba në dorë/ /Që kur e ngrite në Vlorë/. 

Dhe Bedri Meçollari vazhdon: – /Smail Qemali me halle/ /Bëre punën më të madhe/ /Me flamurin kuq alle/ /Që ngrite male më male/ /Shqipërinë na e ngjalle/. Shumë pogradecarë që janë në kafene i lënë bisedat dhe dëgjojnë këngët pa fund dhe anë, kushtuar Smail Qemalit. Shumë prej tyre e njohin atdhetarin Bedri Meçollarin që fle me flamurin kuq e zi. Në njëfarë mënyre kafeneja që dikur ishte vetëm për Enver Hoxhën në këtë ditë të freskët të vjeshtës së fundit kthehet në teatër. Bedri Meçollari nxjerr një flamur të vogël, një portret të Ismail Qemalit dhe ia merr sërish këngës: – /Tundu, tundu o flamur/ /Marshalla, ç’lëshoke nur/ /Përmbi shkëmb e përmbi gur/ /Smail Beu të vuri vulë/. Në mes të emocioneve i kërkoi Bedri Meçollarit, që ai të këndoi një këngë për Ismail Qemalin, por që të jetë krijuar e kënduar në veri. Dhe Bedri Meçollari është gati e më përgjigjet: – /Njat flamur me shqipe mali/ /Na e kish çu Smail Qemali//Kur flamurin lart e ngritëm/ /Krisën pushkët, të gjithë britën/ /Roftë flamuri, rroftë Shqipnia/. Këngët rrjedhin si lumi i Devollit: – /Selam nga Smail Qemali/ /“Falju” Vjosës, po të fali/.

 Dhe më tutje: – /Medet, shok, na mori malli/ /Ku gjindet Smail Qemali?/ /Në Paris brenda tek krali/ /Hyn e del si zog sorkadhi/ /Shqipërinë dua t’ma ndani/ /Kanë zbritë komitat nga mali/. Këngët e popullit të kënduara nga Bedri Meçollarit nuk kanë të sosur. Ai po të kishte shkuar në Beograd për të parë ndeshjen gjatë gjithë udhës do të këndonte një nga këngët e tija të preferuara: – /Të mëdhenjtë paçin belanë/ /Që e trazuan dynjanë/ / Kosovën jashtë na e lanë/ /Po ne jemi shqiptarë/ /Nga një nënë e nga një babë/ /Kemi një flamur e shkabë/ /Jemi betuar ta mbamë/. Bedri Meçollari këndon këngët për Ismail Qemalin e qysh moti ka telashe me maqedonasit pikërisht pse ata nuk duan që ai të mbaj në makinë postera të Ismail Qemalit. Unë i hap një bisedë tjerër. I them atij dhe të zotit të lokalit që në hyrje të kafenesë të shkruhet: – “Kjo është kafeneja ku punonte Enver Hoxha”. Por Bedriu më kundërshton. Edhe i zoti i lokalit gjithashtu. U them se e kanë gabim. Më 13 tetor të vitit 1960, Hrushovi në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara goditi më këpucë tavolinën. Dhe sot turistët duan ta shohin atë tavolinë, të cilën Hrushovi e qëlloi me këpucë. Por e kam të kotë. Këtu realiteti është i ashpër. Bedri Meçollari ngacmohet vetëm në një moment. Në këtë kafene ka të dhëna, e trashë unë muhabetin, se ka ardhur prej doganës së Tushemishtit, Arkani bashkë me të shoqen. Arkani e dinte se ajo kishte qenë kafeneja e Enver Hoxhës. Kaq u desh dhe Bedri Meçollari me dozën e entuziazmit flet kundër nacionalizmit të sëmurë të maqedonasve. Ismail Qemali, vijon Bedriu na duhet të gjithëve, edhe sllavëve. Sot Malua i Vlorës është një aset i vlefshëm. Korrupsionin e luftojnë idetë e burrit të madh të Vlorës. 

Arkani paska të drejtë të vijë në Drilon dhe mua nuk më lejohet të shkojë të shoh ndeshje futbolli në Beograd, bile me pengojnë që të mos futem as në doganën e Tushemishtit. – “Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia” thoshte Isa Boletini. Habitshmërisht Bedri Meçollari me një profil të pavarur më përshkruan me detaje telashet që i hapin punonjësit e Maqedonisë, nëpër doga. Si t’i kenë bërë ndonjë magji të zezë ai ua ka lexuar mendjen maqedonasve. I ruhet ndonjë “kurthi”, “skenari” ose gërvëlime tjetër. Ai i njeh dhe fantazitë më të pamundura të tyre, trillimet, hajnitë, intrigat, makthet, mistifikimet, gojët e liga, lartësitë e rreme, prapësitë, dinakërinë dhe taksën e rrezikut. Secili ka thembrën e vet të Akilit. Dhe Bedri Meçollari nuk udhëton dot pa Ismail Qemalin dhe flamurin kombëtar. Ju po ndaheni me mua thotë ai, por po më lini në mëshirën e fatit dhe të intrigantëve të Maqedonisë. Shpresojmë që atdhetari Bedri Meçollari t’ja dal mbanë! Në të ikur më dorëzon një bllok, ku ka shënuar përshtypjet nga festimet e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. Bedri Meçollari qëndroi një javë në Vlorë. Mendon të botojë dhe një libër. Këtë ide ja ka thënë dhe mikut te tij Niko Peleshi. Unë me bllokun në dorë pa u ndarë, i them Bedri Meçollarit: -Pse ishe ditët e fundit në Prishtinë? -Kam një merak, – më përgjigjet ai. – 

Pas shpalljes së pavarësisë, Ismail Qemali i kërkoi Isa Boletinit dy djem nga njerëzit e tij, që t’i rrinin roje tek dera. Dhe Isa Boletini i zgjodhi dy trima, Halim Bajagoren dhe Ahmet Llapin. Askush nuk di se cilët janë pasardhësit e trimave Halim Bajagores dhe të Ahmet Llapit. Në festimet e 100 vjetorit, unë nuk dëgjova ndonjë gjë për besnikët nga Kosova. Të dekoroheshin stërnipërit. Pikërisht për këtë arsye jam vënë në kërkim dhe dua të mësoj hollësira për dy trimat kosovarë, që i bën roje tek dera Ismail Qemalit. Historia nuk harron. Nuk harrojmë as ne që merremi me personazhet e historisë. Gjithashtu, me kursimet e mia, do të ndërtoj varrin e djalit të Ismail Qemalit, Qazim Bej Vlorës, i cili prehet në varrezat e Strugës. Qazim Bej Vlora në fund të fundit ishte në përbërje të delegacionit shqiptar, i cili shkoi në Londër. Në varrezat e Strugës pranë varrit të tij, doemos që do të gdhendim dhe një flamur me shqiponjën dy krenare. Ndahem me Bedri Meçollarin tek busti i Themistokli Gërmenjit. Bedriu përsëri nuk me le të qetë. Më jep një copë letër, ku është qëndisur një këngë për zonjën e Ismail Qemalit, Kleoniqin. Këngën e ka dëgjuar në Vlorë, me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë:

Shtroje mirë pecin moj zonjë e Qemalit,
Dyzetë petë kërkon ky lakror i malit.
Vjen lodhur Zotnia mbi shalën e kalit.
Sigal