Sarandë/ Tatyana Lolova, aktorja bullgare, tragjikomizmi i jetës

572
Sigal

Aktorja bullgare 82 vjeçare preku ëndrrën në Butrintin magjik. Për Tatyana Lolovan, gruan sykaltër mes aktorëve bullgarë në Sarandë, dëgjova si fillim për moshën e saj, lexova mbi karrierën aktoreske dhe pashë një divë në skenën e gurtë të Butrintit. Shtatlartë, një fisnike në rol dhe pamje, ajo përcolli mes groteskut mbijetesën jo vetëm të brezit të saj, por edhe krenarinë se një brez i ri aktorësh jetojnë në një tjetër epokë, larg dhunës psikologjike të bërë normë shtetërore. Në rrugicën e hershme të Butrintit, drejt teatrit antik, Tatyana Lolova pohon se ndjeu emocione të forta.

Ajo interpretoi në mbrëmjen e parë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit me trupën e ardhur nga Bullgaria, nën regjinë e Prof. Pllamen Markov me pjesën satirike ”Spiunazh në epokën e gurit”.

Duke ndjekur spektaklin teatror nën qiell të hapur, shfaqja e Tatyanës shënoi një tjetër fuqi në skenë. Vitale mes kaosit dhe presionit, ajo sjell fuqinë e mbijetesës. Përtej fabulës në skenë, ajo pohon se pati emocione të forta.

“Prej kohësh kisha ëndërruar të interpretoja në Butrint, para se ta dija se ka një vend të tillë kaq magjik. Mendoj se kjo mbetet ëndrra ime e bërë realitet, si pjesë e fatit tim, ndërsa interpretova me kolegë të rinj”, pohon Tatyana Lolova, nën shqipërimin e Zerudin Dokles, shoqëruesit të grupit bullgar. Dhe kështu, ajo aktorja 82 vjeçare interpretoi mes të rinjve ku kishte veçuar një talent të ri, e më pas kish dëgjuar prej tij se ishte shqiptar: Leart Dokle.

Një rrugëtim drejt vendit të Leartit, pas rrëfimeve të kolegëve që kishin qenë vite më parë në Butrint, Shqipëri.

“Dhe vërtet Butrinti qenka një vend i bukur, i bekuar nga Perëndia, është parajsa e tokës, dashtë Zoti të rikthehem sërish me një tjetër ëndërr këtu”.

Ajo është e lirshme në bisedë, nën një pushtet të fjalës të transmeton sinqerisht se ajo e do fort jetën, punën e saj si aktore dhe se aktrimi e ka mbajtur atë të lidhur me publikun. Pëllëmbë me pëllëmbë, kontakti i fundit i një shfaqjeje që eci shumë mirë vite më parë, diku në vitet ’87 dhe ku ajo pa një sallë që ngrihej me duart për t’i takuar me të sajat. Pjesë e rolit që u bë simbol i gëzimit të falur nga publiku.

Asaj i pëlqen të luajë tragjikomedi, se në fund të fundit dhe vetë jeta kështu është, dhe teatri është ai që ndryshon dhe jo vetëm aktorë, po edhe publik.

E qeshura mbetet e rëndësishme në jetën e  saj, jo vetëm kur aktron, “pasi të bësh për të qeshur publikun përballë, nuk është vetëm kaq, kur ata gëzohen, kur u lexon gëzimin, atëherë ti ngrihesh mbi skenën”, tregon aktorja Lolova.

Mundohem t’i kuptoj, të ndalem një çast dhe kundroj gëzimin e tyre dhe ruaj atë fije lidhëse mes aktorit dhe të qeshurës, se nëse ajo fije këputet, ata do të harrojnë se për çfarë kanë qeshur.

Edhe pse i takon një brezi aktorësh që jetuan nën diktatura komuniste, ajo di të tregojë besueshëm se arti e ka ndihmuar të ndihet e lirë së brendshmi në skenë. “Nëse unë e tregoj shqetësimin e jetës që kam përballë, atëherë çfarë duhet të bëjnë ata që kam përballë, kanë ardhur të ndajnë minuta të jetës së tyre me mua dhe kolegët e mi dhe unë nuk dua ti shkurajoj ata, dua që bashkë me publikun të prekim shpresën që është e mirë që jemi në jetë, që jemi lindur dhe që jemi bashkë”.

Dhe ashtu me sytë e mbushur nga rruzuj të lotëve, ajo hesht me duart në ajër, një përshëndetje e mbetur në kohë si prelud i jetës së saj profesionale që vazhdoi në Butrint dhe ëndërron të rikthehet sërish.

Publiku në natën e parë të Festivalit të 12/të Ndërkombëtar të Teatrit ndoqi një pjesë të huaj, një tragjikomedi, ku djali që interpretoi shqip ishte një shqiptar që flet bukur bullgarisht Laert Dokle dhe gruaja shtatlartë si statujë e lëvizshme në skenën antike ishte e madhërishmja Tatjana Lolova. Aktores me zemrën dhe sytë mbi publikun dhe në përshëndetjen e tij për publikun në shkallët e gurta regjisori bullgar Markov, ripohoi se filozofia e punës së tij është të tërheqë publikun në një dritë mendimi, sepse është koha për të qenë, për të parë rilindjen përmes anës komike të presionit në sistemin komunist. Një grup profesionistësh të cilët kanë vite që interpretojnë si Pllamen Sirakov, Jordanka Stefanova, Luiza  Gligorova , Alisa Atanasova, Tatjana Lolova dhe të tjerë aktorë të rinj, mes tyre dhe një shqiptar Leart Dokle, paraqitën një spektakël teatror plot energji, situata sa dramatike aq dhe plot humor, mbi një të shkuar tragjike. Ata janë të gjithë të rinj dhe kanë një avantazh për të kapërcyer dramën që la sistemi komunist, kanë kurajën, dhe kjo kurajo i bën ata të talentuarit të jenë një urë lidhëse edhe me publikun.

Kjo ishte shfaqja e parë e festivalit të 12-ë të “Butrinti 2000”, dhe mbrëmjen e së premtes, do të jetë shfaqja “Shtëpia e Bernarda Albës” me regji të Irina Kouberskaya dhe Hugo Perez,  nën interpretimin e  kompanisë teatrore  “Tribunët” nga Madridi, Spanjë.

Publiku në shkallët e gurta të teatrit antik, përbëhet nga aktorë dhe regjisorë të huaj dhe shqiptarë, pushues të shumtë dhe banorë të zonës rreth Parkut Kombëtar të Butrintit.