Sali Verdha flinte me një ëndërr dhe zgjohej me një qëllim

1411
Nga DHIMITËR SHTËMBARI
Me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Komandantit të Brigadës XXII Sulmuese Partizane 
Llogaritari njëmbëdhjetëvjeçar i lindur më 10 janar të vitit 1918 në një familje të mirënjohur të Kavajës, për shkak të rrethanave të kohës Sali Verdha do të edukohej që fare i vogël në shkollën e varfërisë. Edhe pse të mbytur në halle, prindërit e dërguan të voglin në shkollë. Dhe do të ishte ky ndër nxënësit më të zellshëm. Kur ishte në klasën e tretë, i shtrënguar nga nevojat ekonomike, i ati ia ndërpret mësimet dhe e dërgon “llogaritar” në Çermë – Çiflig, te një kushëri i së shoqes. Ky i fundit kishte një lloj biznesi, por ishte krejt analfabet. Në moshën dymbëdhjetëvjeçare Saliut i vdes e ëma. Rrethanat familjare ishin të atilla, sa që këtij fëmije do t’i binte pesha e familjes mbi shpatulla. Detyrohet të kthehet në shtëpi dhe, ndërsa vijon shkollën unike, nis e vazhdon të punojë çirak te një pronar në Kavajë! Në vitin 1932 mbaron klasën e pestë. Tani i hapej përspektiva për të ndjekur edhe tetë klasë të tjera. Edhe pse i duhej të qendronte pranë familjes për ta ndihmuar ekonomikisht, zelli për të vazhduar mësimet në shkolla siperiore e nxiste të mos i ndahej rrugës që kishte nisur. 

Nxënës në Gjimnazin e Tiranës. 
Në shtator të vitit 1932 shkon në Tiranë, me shpresë se, me ndihmën e ndonjë të njohuri, do të mund të vazhdonte ndonjë shkollë. Mbas mjaft peripecish arrin të regjistrohet në gjimnaz, ndërkohë që nuk do t’i shkëputej as punës. Duhej përballuar strehimi e ushqimi. Ashtu erdhën punët dhe i vogli kavajas, krahas mësimeve nisi të lyente makinat e pronarit ku ishte vendosur të banonte. Pak më pas, nisur nga cilësitë e mira si nxënës, e ftuan të banonte në një tjetër familje, me kusht që të ndihmonte në mësime djalin e shtëpisë. Sigurisht, nuk qe punë e lehtë. Vitin tjetër e ftuan në një tjetër familje me detyrën e kujdestarit të një fëmije të shtëpisë. I gjendur në këto rrethana, i ardhuri nga Kavaja nuk mund t’iu shmangej detyrave që i ngarkonin. Mbasi mbaroi edhe katër klasë në Tiranë, djaloshit ia kishte ënda të vazhdonte edhe më tej, katër klasë të tjera, për të marrë Maturën. Në ndjekje të ëndrrës, bëri përpjekje për të siguruar ndonjë bursë, por nuk qe e thënë. Pak kohë më pas e ndihmoi fati: Në ministrinë e Arsimit kish ardhur Sekretar i Përgjithshëm një i njohur i familjes Verdha. Shkoi dhe i qau hallin, ndërkohë që rasti e solli që aty në zyrë të ishte i pranishëm drejtori i Gjimnazit Teknik të Tiranës. Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë i la porosinë atij drejtori, që i riu që ndodhej në zyrë të rregjistrohej nxënës në atë shkollë. Dhe ashtu u veprua. Pushtimi fashist i vendit e gjeti Sali Verdhën nxënës në Gjimnazin Teknik të kryeqytetit. I ndikuar edhe nga elementë të tjerë, djaloshi kavajas u përfshi në Rininë Antifashiste. Tashmë do të ishte anëtar i celulës së edukimit. Së bashku me shokë do të merrej me shpërndarje traktesh e komunikatash. Me zgjuarësi e me guxim, djaloshi do të ishte pjesëmarës edhe në disa veprime të guximshme të ndërmarra nga Rinia Antifashiste. Erdhi një kohë që Gjimnazi i Tiranës transferohej në Korçë. Tashmë për Sali Verdhën do të niste një etapë e re jete dhe veprimtarie antifashiste. Kohë më pas, me ardhjen në Tiranë, sipas porosisë së disa shokëve, banon në një shtëpi buzë Lanës, diku aty ku sot është ATSH – ja. Meqënëse aty, për një periudhë të gjatë të vitit dëgjoheshin bretkocat, edhe shtëpia ku banonte Saliu me shokë u quajt shtëpia e bretkocave. Por kjo emrin kish të tillë, sepse në fakt shumë shpejt do të bëhej shtëpia e trimave të kryeqytetit. Aty do të hynin e dilnin Vasil Shanto, Vojo Kushi, Qemal Stafa, Misto Mame etj. Një ditë ajo u kontrollua në befasi dhe u bastis nga milicia fashiste, por ishte fati i banorëve të saj që të mos ndodheshin aty. 

Antifashist pranë Babë Myslimit në Pezë
Më 12 prill 1942 Sali Verdha paraqitet në Pezë, duke u bërë kështu partizan i Çetës së Pezës. Jo shumë ditë më pas Mihal Duri do ta kishte anëtar të celulës së Partisë, ku ishte sekretar i saj. Dhe që nga ky çast studenti kavajas do të ishte luftëtar trim në mjaft përpjekje të përgjakshme. Luftë në Pezë, luftë në Ndroq, luftë në Xhafzotaj, luftë në Shahinaj, luftë në … Dhe kudo guximtar dhe i zgjuar. Shumë shpejt do të ishte punëtor partie në batalion (komisar), ku komandant ishte Kajo Karafili. Më rënien heroike të Kajos më 10 janar 1944, Batalioni Partizan mori emrin e këtij Heroi pogradecar, ndërsa Saliu u caktua komandant i tij. Tanimë ky batalion do të shkruante të tjera fragmente heroizmi. 

18 shtator 1944 – Komandant i Brigadës XXII Sulmuese 
Me krijimin e Brigadës XXII Sulmuese Partizane Sali Verdha caktohet komandant, ndërsa Tonin Jakova – komisar i saj. Të shumta janë luftimet e ashpra dhe të suksesshme të kësaj Brigade të drejtuara nga ky komandant i lavdishëm i saj. Kjo njësi e lavdishme është një nga Brigadat Sulmuese që çliroi më 29 Nëntor të vitit 1944 qytetin e fundit të Shqipërisë: Shkodrën. Madje, një komisar batalioni i kësaj Brigade, Irfan Çelkupa, me këtë rast mbajti fjalim në ballkonin e Bashkisë së qytetit. Në vazhdim, Sali Verdha do të drejtonte me shumë aftësi i mjaft luftime të përgjakshme në trevat e Malit të Zi. Më 16 dhjetor 1944 do të çlirohej Tuzi. Më 20 dhjetor këtij komandanti do t’i vinte njoftimi prej Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH se gradohej Major dhe, ndërkohë, ftohej të kthehej në Tiranë për t’u ngarkuar me të tjera detyra shumë të rëndësishme. 

Në Tiranë, drejtor i Rindërtimit
Kthehet dhe caktohet drejtor i Drejtorisë së Rindërtimit. Me sa shumë punë do t’i duhej të merrej! Se Shqipëria ishte krejt e shkatërruar dhe e djegur. Natë e ditë në punë! Populli kërkonte të shihte me sytë e veta ato çka i ishte premtuar: të shëroheshin të gjitha plagët e luftës dhe njërëzit të besonin, se po futeshin në një rrugë krejt të re. Dy muaj më pas Sali Verdha do të caktohej drejtor i Institutit të Asistencës Sociale. Tashmë do t’i duhej të merej me strehët vorfnore, me invalidët e Luftës dhe me familjet e Dëshmorëve të Luftës, me depot e ushqimeve e të veshmbathjeve etj. E ku nuk i duhej të shkonte më parë për të drejtuar e ndihmuar ky kuadër i kalitur në provën e zjarrit! Ndërkohë që punonte, jetonte me ëndrrën e bukur që të krijonte një familje sa më të shëndoshë. Dhe rasti e solli, që gjatë një mbrëmjeje vallzimi t’i binte në sy një vajzë e bukur, Ikbale Karapici. Iu fut në zemër. Dhe, në ato kushte të vështira ekonomike për të gjithë, martohet me të. Nga mesi i vitit 1945 emrohet drejtor i Mekanikës Bujqësore, i Pyjeve dhe i Sharrave. Në shkurt të vitit 1946 – kryetar i Degës së Industrisë Shtetërore. Në shtator të po këtij viti – drejtor qendror i Industrisë Ushqimore. Në tetor 1947 – drejtor i Planit dhe i Financës në Ministrinë Ushqimore. Në dhjetor 1948 – zëvendësministër i Industrisë Ushqimore. Në të gjitha këto detyra ky kuadër i ardhur nga Lufta dëshmoi atdhetarizëm të zjarrtë dhe profesionalizëm të lartë. Kudo i dalluar dhe i nderuar. 

Dymbëdhjetë vjet – Drejtor i Përgjithshëm i Hekurudhave 
Në janar të vitit 1950 Sali Verdhën e thërresin në aparatin e Komitetit Qendror të PPSH dhe e njoftojnë, se caktohej Drejtor i Përgjithshëm i Hekurudhave. Ishte një detyrë tejet e vështirë, sepse ishte koha që punohej për zgjatjen e traseve, për ndërtimin e stacioneve hekurudhore dhe për disiplinimin e një transporti krejt të ri. Në këtë detyrë ai kreu një punë vërtet të shkëlqyer. Mbas dymbëdhjetë vjetësh në krye të hekurudhave shqiptare, biri i nderuar i Kavajës zgjidhet kryetar i Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit të Durrësit. Ishte koha, kur luftohej për intensifikimin e prodhimit bujqësor dhe për ndërtimin e objekteve të njëpasnjëshme industriale në Durrës, Kavajë, Rrogozhinë, Peqin etj. Sakaq, gjatë dy legjislaturave zgjidhet deputet i Kuvendit Popullor. 

Drejtues i Shtabit Qendror të Elektrifikimit të plotë të Shqipërisë 
Në fund të vitit 1969 Sali Verdha emrohet ndihmës i zëvendëskryeministrit për sektorin komunal. Bëhej fjalë për aksionin kombëtar të elektrifikimit të plotë të Shqipërisë. Ndërkohë, ishte zgjedhur edhe sekretar i organizatës – bazë të Partisë në aparatin e Këshillit të Ministrave. Me intuitë të hollë, me shpirt praktik dhe me aftësi të spikatura prej organizatori Sali Verdha bëri të mundur t’i qendrojë në krye aksionit kombëtar të elektrifikimit. Dhe erdhi koha, që ky aksion të kryhej disa vite para afatit, pikërisht më 25 tetor të vitit 1970. dmth, një vit para afatit. Me këtë rast atij iu akordua prej Presidiumit të Kuvendit Popullor Urdhëri i Flamurit të Kuq të Punës të Klasit të Parë. Në mars të vitit 1971 Sali Verdha u emrua zëvendësministër i Komunikacioneve, ku kontribuoi disa vjet, deri sa doli në pension. 

Veprimtari shkëlqyer shoqëror 
Po mbas daljes në pension? Edhe mbas daljes në pension Sali Verdha nuk u mbyll në shtëpi, por shkoi atje ku ishin shokët e vetë; në organizatën e veteranëve të LANÇ. Dhe që nga viti 1991 ka qënë zgjedhur anëtar i Kryesisë së Komitetit Kombëtar të kësaj Organizate. Dhe kjo i ka akorduar titullin më të lartë: “Nderi i Organizatës së Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar” Ndërkohë, Sali Verdha ka qënë një nga themeluesit e Shoqatës Patriotike Kulturore “Myslim Peza”. Për shumë vite ka qënë kryetar i përkushtuar i kësaj Shoqate. Dhe është nderuar me titullin Kryetar Nderi i Shoqatës Patriotike Kulturore “Myslim Peza” I ndjeri Sali Verdha mbetet një figurë e shquar kombëtare, sepse i qe kushtuar popullit e Atdheut që në rininë e tij të hershme. Gjatë tërë jetës ai flinte me një ëndërr dhe zgjohej me një qëllim. 
Sigal