Sajmir Braho:“Politika shqiptare po zgjohet nga kënga çame”

1077
Sigal

INTERVISTA/ Flet këngëtari i mirënjohur Sajmir Braho

Me këngët çame Sajmiri ka fituar zemrat e fansave kudo, ku ka bashkëkombas. Mbi të gjitha këngët e tij për Çamërinë  veçohet kënga  “Tuman kuqe, moj bel hollë…”. Një këngë e veçantë  e shtruar si valët e detit në trevën e Çamërisë. Veshja karakteristike e grave çame është përjetësuar dhe ngritur në piedestal me këtë këngë brilante që një zë i bukur si i Sajmirit di ta sjellë aq ëmbël. Aktualisht janë disa këngëtarë çamë që me këngët dhe zërin e tyre po zgjojnë politikën shqiptare për t’i hedhur sytë nga Çështja Çame që është mbuluar nga pluhuri i harresës. Pra është arti ai që e zgjon politikën. Me origjinë nga Spatari i Filatit, në tokën greke, ai thotë që s’e harron kurrë Çamërinë pasi e ka amanet nga të parët.

 Shihet se Çështja Çame po merr një frymë të re. Si ndiheni?

 Eh, si ndihem! Ndihem mirë, kur dëgjoj shikoj, që po përmendet diçka që është harruar, është lënë në heshtje për dekada të tëra. Është shumë e rëndësishme për një komunitet që problemi i tyre dhimbja e tyre, del në sipërfaqe, evidentohet, sepse ndjen ndjesinë e identitetit që ishte anashkaluar gjatë gjithë viteve të komunizmit dhe më tej, e nxitur kjo apo e stimuluar nga vetë historia jonë, mbas vitit 1944.  Identiteti ynë, në komunizëm ishte paksa jo i drejtpërdrejtë, kjo e ushqyer nga politika, paçka e në zemër i gjithë komuniteti ynë s’e ka hequr asnjëherë, emrin e krahinës, fshatit nga i kanë zbuar me forcë. Ishte një presion i sistemit komunist që çamët të harronin dhe identitetin e tyre. Tashmë, ne krenarinë tonë, prejardhjen tonë e themi me zë të plotë, me krenari, dashuri… Kjo vjen pasi dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë kanë filluar të njohin edhe një pjesë tjetër të panjohur të historisë së tyre. Atë pjesë që pakkush und ta bënte publike. Çamëria tashmë nuk është pjesë e identitetit të çamëve, por edhe pjesë e identitetit të vetë kombit tonë, të vet Shqipërisë. Është pjesa e harruar e saj, që koha po e nxjerr në dritë. Tashmë është koha për Çamërinë, ashtu siç ishte para disa vjetësh koha për Kosovën. Historia vonon, por nuk harron. Pra Çamëria për çdo shqiptar kudo në botë është as më pak apo më shumë, por një çështje që kërkon zgjidhje siç ka qenë Kosova para disa vjetëve.

 Si do t’i cilësonit kërkesat e politikanëve çamë në Parlament?

 Shumë të drejta dhe në kohën e duhur. Shoh se politika greke po vepron. Aq më mirë. Politika që bëhet nga politikanë çamë deri në këtë moment është një politikë e pastër, e qëruar, e zhveshur nga interesat meskine. Kjo politikë deri tani është e ngjizur me krenarinë kombëtare, me dinjitetin kombëtar, larg politikës tjetër shqiptare. Ajo ka në themel ndjeshmërinë historike dhe kur janë këto, ajo bëhet paksa më ndryshe më idealiste. Deri në këtë pjesë të rrugës, edhe unë patjetër në një mënyrë apo tjetër jam pjesë e kësaj politike. Jam i rrëmbyer nga këto aksione politike, pasi flitet për çështjen kombëtare. Politika e partisë çame ka një status të qartë, një platformë të qartë që janë në interes të çdo çami. Deri sa kjo politikë të jetë në këtë rrugë unë në një mënyrë apo tjetër jam pjesë e saj, mbështetës i saj. Unë i shikoj këto aksione politike si pjesë të kërkesave të mija, sepse duket si një politikë e pa komprometuar dhe aspak false.

 Ju thatë që prindërit ju flasin shpesh për Çamërinë. Si është në përfytyrimin tuaj vendlindja e prindërve të tu?

 Një pyetje që më nxit fantazinë. Unë s’kam qenë asnjëherë në fshatin e origjinës, në vendlindjen e prindërve të mi. S’kam qenë pasi dua të shkoj si duhet, i qetë, me të drejta si pronar i shtëpisë i tokës sime dhe të mos rri i ndrojtur. Por, unë e di vendin, ku është ngritur shtëpia e të parëve të mi, ndërtimin e saj, dhomat, oborrin, arkitekturën, fqinjët, tokat, pronat, si di dhe shtëpinë time këtu në Tiranë. I di sepse janë treguar me shumë dashuri, me shumë imtësi, në mënyrë të detajuar nga të parët e mi, gjyshi, gjyshja, netëve në dimër, çdo ditë sa na ishte bërë si edukatë të dëgjonim për vendin e origjinës. Familja ime është me origjinë nga një rrethinë e Filatit që quhet Spatar. Një fshat i bukur, plot me agrume, rrush, gjelbërim. Është një natyrë e mrekullueshme, zoti është treguar bujar me të. Imagjinata ime për këtë fshat shkon në kufijtë e detajimit. Në mendje kam gjithçka të atij fshati nga unë kam rrënjët.

 Të flasim pak për këngën që ju bëri të famshëm “Tuman kuqe, moj belhollë….”

Kënga ime e zemrës. Kënga ime e shpirtit. Këngë që më bën të ndjehem çam safi. Ajo këngë më bëri më të dashur në komunitetin çam dhe më gjerë “Tuman kuqe, moj belhollë….”. Është një këngë e mrekullueshme. Është një këngë që të mbërthen, të jep forcë dhe gëzim. Kjo këngë është kënduar dhe më parë në krahinën e Çamërisë, por edhe në qytete, ku ka çamë, por jo në këtë mënyrë dhe në mediume, ku unë e përcolla. Pata shansin, më shumë i nxitur nga im atë (që më thoshte gjithmonë këndo një këngë çame), që të merrja përsipër barrën që të ripunoja këtë këngë. E këndova të ripunuar në Maratonën e Këngës Popullore”. Por të përpunuar, të moderuar, ku u lidh bukur në mënyrë organike kënga popullore me atë të lehtë. Dhe doli ajo këngë që ju më pyesni tani. Ishte një këngë që pati sukses. Unë s’jam muzikant në profesion dhe s’e fus veten në radhët e profesionistëve të kompozitorëve, por personalitete të muzikës shqiptare, kompozitorë, artistë, këngëtarë të mirënjohur, motivet e këngës çame, ndjeshmërinë, delikatesën e muzikës çame ata e quajnë një fond i veçantë i kulturës folklorike, tradicionale shqiptare. Nuancat e muzikës çame kanë një miksim të veçantë. N.q.s do i referohemi Bajronit, lexojmë, burrërinë, ashpërsinë, por dhe delikatesën, elegancën, bukurinë e femrës çame. Në vallet e burrave, apo grave, në këngët e tyre, kënga ishte e veçantë saqë Bajroni nuk e kishte kaluar pa e qëndisur me penë. Këto melodi janë falë natyrës çame, atij vendi të bukur, historisë së asaj krahine.

 Kënga çame jashtë huazimeve, po për huazimet e këngës shqiptare ç’do të thoni?

 Jam kundër huazimeve. Vetë fjala hua do të thotë që s’prodhon vetë, kur ne në fakt prodhojmë muzikë të bukur shqiptare. Mendoj se huazimet janë një pretendim shumë i vogël, shumë i ulët, i artistëve shqiptarë . Mendoj se këto huazime janë si rezultat i shumë boshllëqeve që ka sot në shoqërinë shqiptare, por që me kalimin e kohës ato do të reduktohen dhe do të largohen vetiu. Madje po them që tashmë s’ka më huazime. Ikën ato vite lëkundjeje.

 Kohët e fundit po dalin në skenë shumë këngëtarë çamë, si ndiheni?

 E dua konkurrencën aq më tepër nga këngëtarë çamë. Por duhet të dini se kënga çame është e pafund. Këngët e Enkelejdës dhe xhaxhait të saj Hysniut janë shumë të bukura dhe i dëgjoj me ëndje. Ky numër këngëtarësh më bën më të përgjegjshëm, më të motivuar. Le të shtohen se kënga çame është e pashtershme.