Safet N. Ramolli/ “Lahuta e Malësisë”, një “Iliadë” shqiptare

744
Padyshim që kjo vepër është një nga arritjet më të mëdha të letërsisë shqipe në gjysmën e parë të shekullit XX. Është botuar më 1937. Jo pa meritë është epitetuar si Iliada Shqiptare. Por fatkeqësisht edhe kjo nuk i ka shpëtuar censurës së Realizmit Socialist të viteve 1945-1990. Brezi i shqiptarëve të viteve 1940-1990 i kishin dëgjuar vetëm emrin kësaj vepre dhe për më tepër në trurin e tyre injektohej me keqdashje sikur kjo vepër ishte reaksionare. U rreka të gjej qoftë edhe një fije vlerësimi pozitiv për këtë vepër epike në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, botim i vitit 1985. Por u zhgënjeva në mënyrën më të keqe të mundshme. I vetmi vlerësim disi pozitiv është fakti, që kjo vepër pranohet si një panoramë poetike e ngjarjeve kryesore historike të viteve 1878-1912. Por menjëherë fillohet të hidhet pluhur e baltë duke bërë akuzën se pasqyrimi është realizuar nga pozitat e klerit katolik, duke mohuar kështu faktin që autori i trajton ato nga pozitat e atdhetarit të mirëfilltë. Më tej qëndrimi kundër vlerave të kësaj vepre, jo vetëm historike por edhe letrare, bëhet edhe më agresiv dhe mohues. Hartuesit pohojnë me gojën plot se në vepër është himnizuar prapambetja e jetës së malësorëve, patriakalizmi i tyre në familje e shoqëri, padija; është lartësuar mercenarizmi, e të tjera epitetime dashakeqe. Besoj se hartuesit në fjalë, pas zbardhjes së plotë të veprës së Fishtës, e sidomos pas rivlerësimit të veprimtarisë së tij si mirëfilli gjithëkombëtare dhe në interes të çështjes kombëtare, duhet të ndihen paksa jo mirë, për të mos thënë që duhet të skuqen për akuzat e padrejta që kanë formuluar dhe propaganduar për gati gjysëm shekulli.
“Iliada” shqiptare
Gjergj Fishta përmes 16.883 vargjeve shpalos teatrin e luftrave për jetë a vdekje, pra për mbijetesë, midis shqiptarëve dhe pushtuesve të huaj, në harkun kohor prej 35-së vitesh. Në këtë poemë, që për nga problemet që trajton, toni heroik me të cilin zhvillohen ngjarjet (luftimet kryesisht, S.R), i ngjan si dy pika uji një “Iliade Shqiptare”, autori përshkruan fundin e shek. XIX-të, fundshekull ky, kur diskutohen në tavolinat, por më së shumti në kulisat, e diplomacisë evropiane, tërësia territoriale dhe autoktoniteti i trojeve shqiptare. Jemi në vitin 1858, kur Turqia e ligështuar, e epitetuar me të drejtë nga qarqet diplomatike “I sëmuri i Bosforit”, nis përshkoqjen (shkoqimin) apo shpërbërjen e saj, një shpërbërje kjo me përmasa të mëdha territoriale, por edhe politike e administrative. Kështu, një Perandori që shtrihej në dy kontinente (Europë e Azi S.R), shtete të rinj shpallin pavarësinë, shtete të tjerë të vegjël, si Shqipëria e ndonjë tjetër, kërcënohen realisht të copëtohen, por edhe ndodhi e ngjarje reale të ndodhura, që tërheqin vëmendjen e opinionit publik, diplomatik, ushtarak, social, e të tjera të botës. Por, autorin e poemës, në këtë qerthull ngjarjesh e ndodhish, e tërheq fakti, që një armik tjetër po mpreh shpatat, kamat e thikat kundër Shqipërisë. E ky armik është Knjaz Nikolla i Malit të Zi, i cili i nxitur nga Cari i Rusisë, dyndi kundër Shqipërisë forca të armatosura të panumërta e të armatosura deri edhe me topa, për “të kafshuar” territoret shqiptare në veriun e trungut autokton shqiptar përgjatë derdhjes së Drinit të Zi, përfshi Shkodrën me rrethinat e veta. Pra shqiptarët, ndodhen përballë një fakti të kryer, prandaj edhe japin kushtrim në emër të atdheut, ngjeshin brezit armët dhe lidhin besë apo japin fjalë, dhe, ashtu, ngrënë e të pangrënë, turren me furi ballëpërballë fyta-fyt me armiqtë duke triumfuar mbi ushtrinë malazese. Por armiqtë janë, si gjitherët, të pabesë, dinakë, gjakpirës dhe gjakatarë. Për të kursyer forcat e mjetet, por edhe për të mos u diskredituar në opinionin ndërkombëtar, Knjazi ndërron taktikë, duke krijuar çeta cubash, të cilat i dynd në tokën shqiptare brenda kufijve shtetërorë, për të mbjellë terror. Kështu ai bën me Sulo Serdarin, të cilin e nis me synimin kobzi “Vranicën me shkretue…”.
Heroizmi i Oso Kukës
Për të përballuar këtë tension psikologjik të pafund, këtë terror brejtës e gërryes, sundimtari i Shkodrës, Avdi Pasha, i bën thirrje ndërgjegjes kombëtare dhe patriotizmit të popullit, për t’i bërë ballë cubave të Malit të Zi. I prekur në sedër, Oso Kuka, i mirënjohur për trimëri e urtësi, mblodhi dyzet djem dhe shkon në fushën e betejës në Vranicë. “I prishet” gjaku si dhe i “ndizet” urrejtja vullkan, kur nga vajtimi i një vajze merr vesh se ajo ka mbetur pa vëlla, sepse Avdi Hasën, të vëllanë e saj të shumëdashur, por edhe trim të çartur, e ka vrarë dora gjaksore e cubave. Osua, jo si trimat kalorësiakë të tipit Don Kishoti i Mançës, por si shqiptar i besës, që e ka të shtrenjtë gjakun e bashkatdhetarëve të tij, i ndjekur hap-pas-hapi nga vaji i motrës së mbetur pa vëlla, vihet në ndjekje të cubave, dhe në breg të Moraçes, kërcet pushka ku mbetën të vrarë dy cuba, ndërsa të tjerët, ikin nëpër ferra e kaçuba, “… sikur pulave u bije skifteri…”. Po në këtë log dyluftimi, autori përshkruan skenën, kur ai ndan nga dyluftimi trimin Kerni Gila me Jovanin e Malit të Zi, si luftëtar i denjë dhe human mjekon kundërshtarin, por edhe e nis me masa sigurie në Mal të Zi t’i tregojë Krajlit për gjithë të vërtetën e ngjarjes. Por Knjazi, si për vijim të trashëgimisë gjakatare, nuk mund të rrijë pa marrë hak, prandaj me forca të shumta rrethon Oso Kukën me trimat e tij për ta kapur të gjallë. Një luftë si në legjendë, por edhe me aktorë legjendarë. Osua ndez barutin sa dridhet gjithë Vranica, si dhe porosit nënat malazese, “… edhe msoni fëmijët mbas sodit/t’mos lakmojnë tokën e Kastriotit/ Pse u bjen shtrenjt qe besa Zotit…”. Sulltani i Turqisë, duke parë gjendjen e krijuar, (futjen e ushtrisë malazeze në Vranicë, Zetë e Podgoricë S.R), dërgon Dervish Pashën me 50 batalione, duke i vënë kështu shqiptarët mes dy zjarreve. Në këto kushte, poeti u bën apel shqiptarëve, të harrojnë dasitë fetare, inatet personale, ngatërresat dhe armiqësitë, e t’i dalin zot tokës amtare, duke i treguar si Knjazit ashtu edhe Sulltanit se. “… shqiptari është i zoti i vedit, nuk i shtrohet shkjaut as Mbretit…”. 
Ngjarjet në kohë dhe në paësirë
Ngjarjet rrjedhin krejt natyrshëm në kohë e hapësirë. Fuqitë e Mëdha të Evropës, të nisura e të prira nga qëllime e interesa të ndryshme nënshkruajnë marrëveshjen e fshehtë për copëtimin e trojeve autoktone shqiptare midis Malit të Zi, Serbisë e Greqisë. Këtë vendim të turpshëm, autori e dënon me tone të ashpra, vendimin e mësipërm nuk e quan shenjë qytetërimi. Në të kundërtën, Evropën e paraqit si një bashkësi shtetesh, që i bjenë “… mohit besën Zotit”, ato ndajnë tokat e Shqipërisë “… për me ngi klysht’ e Rusisë…”. Dhe me këtë qëndrim Fishta spikat si një antisllav konsegunet e parimor. Kjo edhe nga mendësia, se sllavët i kishin qëndruar për shekuj me radhë shpatë kërcënimi mbi krye Shqipërisë. Për t’i dalë zot vatanit, përveç përpjekjeve individuale, historikisht njihet edhe kontributi diplomatik e ushtarak i organizuar i shqiptarëve. Në vitet 1878-1881, merr jetë e del në pah dukshëm ajo që në historinë e kombit shqiptar ka hyrë me emrin “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”, veprimtarinë e së cilës poeti e jep me tone heroike. Në këtë kuvend mbarëshqiptar marrin pjesë burra nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, disa prej të cilëve autori i jep me emër e mbiemër; të tjerë me ofiqin e krahinës, dhe të tjera si këto, gjithësesi kjo, edhe në varësi të mendimit personal të autorit për ata, por gjithësesi ata që të gjithë sëtoku diskutojnë dhe janë në një fjalë: për mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shtetit Shqiptar, duke u dërguar Fuqive të Mëdha një letër. Ja disa nga pjesëmarrësit në këtë kuvend: Ali Pasha, Marash Vata, Avdyl Frashëri, Preng Biba, Toptani, Çun Mula, Mar Lula, Vrijoni, Dërralla, Avdulla Pashë Dreni, Shan Deda, Kapitani i Mirditës, Gjetë Shllaku, Begolli, Zogolli, Dodë Preçi, e mjaft të tjerë, që të gjithë shqiptarë me fe, dhe nga krahina të ndryshme, por që gjithësesi i bashkon çështja e mbrojtjes kombëtare. Më tej ngjarjet rrjedhin në kronikën dhe shtratin e tyre historik. Kongresi i Berlinit krejt padrejtësisht vendosi, që Hoti e Gruda, Plava e Guxia t’i jepeshin Malit të Zi. Ky vendim arbitrar u bë shkak për një luftë të ashpër, por gjithsesi kufijtë e shtetit shqiptar u cënuan rëndë. Tashmë poeti kërkon që, shqiptarët të çelin shkolla, të mësojnë gjuhën shqipe dhe të kërkojnë me këmbëngulje pavarësinë.
Për jetë të jetës: Rroftë Shqipnia!
Në këto rrethana historike del në plan të parë dhe merr jetë një luftë tjetër: tashmë kundër Turqisë lufta zhvillohet në çdo cep të Shqipërisë. Atë së pari e udhëheq trimi i Traboinit, Ded Gjo Luli. Kemi të bëjmë edhe me një çast tepër magjik: për të parën herë ngrihet përkohësisht Flamuri Kombëtar Shqiptar. Bëhet luftë në Bregun e Matës, në Rrushkull të Durrësit, e kudo. Dhe Europa habitet se si “… veç me pushkë, pa shenjt’ pa topa/mazull mban shtatdhjetë tabore…”, vendi i shqiponjave edhe pse i vogël. Kjo luftë shekullore dhe gjaku i derdhur rrkajë, nuk do të shkojë kot. Shqipëria do të dalë “…Zojë më vedi…”, duke u shpallur e pavarur. Kjo, padyshim që e gëzon edhe poetin bashkë me shqiptarët duke shpresuar njëherësh, se Atdheu do të shkojë drejt mbarësisë e mbrothësisë si e gjithë Evropa”… Se flamuri kuq e zi/ … /Po valvitet në Shqipëri/ … /deri m’qiell ushton brohria/ …. /Për jetë të jetës: Rroftë Shqipnia!”
Sigal