Sabina Burgaj: Kemi mjaftueshëm njerëz që flasin për politikë, pse mos të bëhen më shumë që flasim për art

683
Sigal

PERSONAZH/ Flet modelja dhe Miss Shkodra, Sabina Burgaj

Botën e modës dhe televizionit e ka pasur ëndërr që në moshë të vogël. Kjo dëshirë lindi vetiu, siç lindin dëshirat dhe ëndrrat fëminore. Një bukuroshe e brishtë, delikate, por plot dinjitet. Jo më shumë se një vit më parë jeta e saj ndryshonte në shumë drejtime, pasi ishte larg botës farfuritëse të televizonit, atëherë kur ëndrrën e saj e kishte lënë pas dore. Ajo është një femër ambicioze që suksesin e saj ka ditur si ta kultivojë aty ku duhet. Familja e saj e ka nxitur, por dhe i ka qëndruar afër për të ecur me këmbë në tokë. Eksperienca dhe sukseset e saj si modele dhe përfaqësuese e Shqipërisë në disa konkurse bukurie në botë janë të mëdha për moshën e saj të vogël. Aktualisht Sabina studion Psikologji në vit të fundit dhe ndoshta kjo e bën atë që në intervistë të jetë serioze, e matur pa megalomani.  Ndoshta këto janë edhe arsyet pse ajo ka qenë aq e zonja për të rrëmbyer çmime disa herë mes shumë vajzave të shteteve të kontinenteve të botës. Përmes një konkursi që organizohej për përzgjedhjen e një vajze që do përfaqësonte Shqipërinë në Miss Freedom of the Ëorld ajo ishte e para mes shumë konkurrentëve, duke sjellë kështu një ndryshim në jetën normale të një studenteje shkodrane. Nga ky konkurrim nga i cili zgjidhet Miss Friendship nga vetë vajzat e shteteve të botës dëshmohet qartë natyra e saj e dashur, e ëmbël dhe e çiltër. Për më tej, ajo nuk mjaftohet vetëm me këtë çmim, por rrëmben edhe atë të Second runner up, duke bërë që Shqipëria të hyjë në Top 5 e më të bukurave të botës. Brenda një viti ajo merr pjesë në Miss Univers Kosova, e vetmja shqiptare e Shqipërisë në atë konkurrim, eveniment, ku pati  mundësinë që të punonte edhe me një nga fotografët më të mirë në botë, Fadil Berisha, duke e bërë që të hyjë ne Top 10 dhe të fitojë për herë të dytë çmimin e mikes më të mirë. Jo më shumë se tetë muaj më parë ajo është kthyer nga një tjetër përfaqësim i denjë i Shqipërisë në një tjetër Konkurs bukurie në Kinë mes 60 shteteve, ku Shqipëria me përfaqësuese Sabinën ishte e aftë të hynte në top 10 e më të mirave, ku njëkohësisht mori edhe çmimin e Miss Buzëqeshja. Përveç modelingut dhe konkurseve të bukurisë, Sabina është një vajzë që ka dëshirë t’i bëjë të gjitha. Një ëndërr e saj është edhe muzika dhe këtë e ka dëshmuar edhe më herët që fëmijë me pjesëmarrjen e saj në festivalet e fëmijëve, ndaj në intervistë ajo e thekson se një nga pengjet e saj rinore është që nuk vazhdoi për violinë.

   -Ku do t’i bëni pushimet verore?

Pushimet zakonisht i kaloj në plazh sepse atë e preferoj më shumë, duke qene se Velipojën e kemi afër. Ky është vendi im i preferuar.

 – Cili vend i Shqipërisë të pëlqen për plazh?

 E thashë Velipoja, por  për mua mjafton të ketë diell e det çdo plazh është i mirë.

 – Pse qëndroni larg politikës?

Nuk e kam preferuar asnjëherë dhe nuk besoj se në këtë pikë do bëj ndryshime. Kemi mjaftueshëm njerëz që flasin për politikë, pse mos të bëhen më shumë që flasim për art.

 -Çfarë do të lexoni këtë verë?

U uuuu kjo është zona ime, më pëlqen shumë të lexoj libra, pse jo edhe në plazh. E kam bërë gati listën dhe deri tani kam zgjedhur “Aroma e gjetheve të limonit’ ‘Rruga për në shtëpi’ dhe ‘The silkuorm’.

 – Cili është vendi që keni në plan për të vizituar?

 Është e çuditshme për mua, duke qenë se e kam afër, por akoma nuk kam vizituar Thethin dhe e kam në plan tani shpejt. Dua shumë të shkoj dhe në Valbonë.

 -Cila është ngjyra e rrobave që pëlqeni për verë?

Të gjitha ngjyrat, sa më shumë ngjyra aq më mirë. Por e verdha dhe e bardha më pëlqejnë në verë.

 – Cili është ushqimi i preferuar gjatë verës po frutat?

 Nuk di të kem një ushqim të preferuar, ngaqë janë shumë. Por zakonisht gjatë verës nuk jam shumë e dhënë pas ushqimit, e vetmja gjë që do haja është akullorja, që e di që s’është shumë e mirë po ç’t’i bësh?!

 – Cila është pija e preferuar gjatë verës?

Nuk jam shumë e dhënë pas alkoolit, të thuash aspak. Më pëlqejnë shumë smoothie, frutat e shtrydhura.

 – A e duroni dot vapën?

 Po, madje verën e pres me shumë qejf.

 -Më mirë në verë apo në dimër?

 Verë, verë, verë, sa më shumë pak dimër.

 – Në këtë stinë të pëlqen të udhëtosh me aeroplan apo me makinë?

Të dyja, me makinë e shijoj më shumë udhëtimin.

 A i keni për zemër udhëtimet vetëm?

Shumëëëë,  i adhuroj. Mërzitem kur arrij në destinacion.

– Sa është koha më e gjatë që mund të rrini larg shtëpisë, a e keni problem qëndrimin larg saj?

Koha më e gjatë larg shtëpisë ka qenë 3 javë, ku dy ditët e para jam mërzitur në fakt, po pastaj mësohesh. Gjithsesi, unë jam tip i lidhur pas familjes kështu që nuk do duroja shumë, shumë.

 – Në mbrëmje të pëlqen të shoqërohesh me mikesha apo me të familjes?

 Të dyja rastet i pëlqej dhe shijoj.

 – Çfarë sporti ushtroni në plazh?

Më pëlqen shumë volejbolli, por nuk jam shumë e mirë, kështu që preferoj të mos luaj. Por më pëlqen dhe Pingpongu në rërë.

– Sa kohë qëndroni në diell?

Më pëlqen shumë të marr ngjyrë gjatë verës kështu që, duke treguar kujdes, rri sa më shumë që mundem.

 -Po turizmin malor a e frekuentoni?

Nuk më ka qëlluar ta provoj shpesh, ama më pëlqen jashtëzakonisht shumë, natyra, ngjitja, kampingu. Janë defenitivisht gjëja ime e preferuar.

 Të pëlqen më shumë uji i kripur apo i ëmbël?

– I kripur.

 -Në shëtitje ecni me këpucë apo me sandale?

Varet nga dita, rasti. Nuk jam konsekuente.

 Jeni fanatike e kësaj stine?

Çdo minutë të verës e shijoj.

 Para se të flini çfarë bëni?

Përdor rrjetet sociale, Facebook, Instagram, të tilla. Pastaj vendos kufjet deri sa të fle.

 -A e ndërroni stilin e jetës në verë?

Definitivisht e ndërroj, stilin e jetës, duke qenë se nuk kam shkollë dhe jam më e lirë.

– Shtrihesh në rërë apo në çarçaf?

Çarçaf, shezlong.

 – A i frekuentoni lëvizjet me jaht?

Në Shqipëri nuk më ka rastisur. E kam provuar një herë në Kinë dhe ishte mrekulli, adrenalinë, luks dhe liri.

 Në plazh dëgjoni muzikë, lexoni apo luani në ujë?

Të treja i bëj në plazh.

-Cilat janë rrobat e plazhit dhe syzet e preferuara?

Kam aq shumë sa nuk e di a do kem mundësi t’i vesh të gjitha, por marka  “Yamayay” janë të preferuarat e mija. Sa për syze, sa më të errëta aq më mirë.

-Cilat janë planet e së ardhmes?

E kam provuar të bëj një plan një herë dhe deri diku u sikletosa. Kështu që nuk më pëlqen të bëj plane afatgjata.

-A keni ndonjë peng?

Pengu më i madh do mbetet që kam lënë violinën.

 -A ke menduar të bësh plazh nudo?

Jooooo, asnjëherë.  As nuk e mendoj.

-Cili është kremi që përdorni në verë?

Krem ditor “Lancome” për mbrojtjen nga dielli.

 -A ke të dashur dhe si e mendon princin e kaltër?

Jo nuk kam. Mjafton të jetë inteligjent, ambicioz dhe të më bëjë të qesh, pastaj them i ka të gjitha.

 -A është fanatike Shkodra?

 Jo nuk është, kohërat ndryshojnë po ashtu edhe njerëzit domosdo. Shkodra është një qytet fantastik dhe njerëzit janë më shumë se të mrekullueshëm.

 Përse studion Sabina?

Aktualisht Sabina studion Psikologji dhe është në vit të fundit. Një degë që më pëlqen dhe e kam zgjedhur vetë.