RTSH merr pajisje e shërbime me qira, kur “korr” miliarda lekë vetëm nga taksa e shqiptarëve

594
Përparim HALILI
Urgjenca për “Veting” të plotë financiar në këtë “Qendër zëri me figurë”, ku vazhdon të bëhet batërdia me fondet publike 
Duke lexuar disa njoftime shpenzimesh qiraje për shërbime e pajisje, që drejtoria e RTSH kryen pafundësisht nëpërmjet tenderimeve (sidomos gjatë kësaj fushate elektorale), shtrohet një pyetje logjike, që ka lidhje edhe me taksën që shteti u zhvat me dhunë familjarëve e bizneseve në Shqipëri, nëpërmjet faturës së energjisë elektrike dhe ia arkëton RTSH-së. Pyetja është kjo: Gjersa nga RTSH merren pajisje me qira dh nuk blihen, ku përfundojnë miliardat e taksës mujore e vjetore, që familjeve dhe bizneseve u zhvatet me dhunë, për llogari të RTSH-së, se gjoja “jemi të etur” të shikojmë e dëgjojmë këtë radio-stacion televiziv të katandisur si “Qendër zëri me figurë”?! Nuk është një, por janë shumë raste të marrjes së pajisjeve e shërbimeve me qira tek privatët, pa folur për bileta avioni, me destinacion shtetet ku shefat e RTSH kanë familjet apo në vendet që ende nuk i kanë vizituar! Për këto qira, RTSH paguan miliona lekë në çdo tender, të cilat nuk jepen nga xhepi i drejtorit apo i anëtarëve të Këshillit Drejtues, por nga fondet publike, ku bënë pjesë edhe taksa popullore që grabitet forcërisht nga shteti! Siç dihet, këtë stacion radio-televiziv nuk e shikon as 5% e popullsisë dhe kjo ka si shkak punën e “ushtrisë” që punon në RTSH! Pyetja tjetër është kjo: Mirë që shteti e lejon, që kjo “Qendër zëri me figurë” të funksionoj akoma me programacione të kohës së emisioneve “Heroizmi i Popullit në Shekuj”, “Novatori mendjendritur”, “Në kantieret ku vlon puna”, “Nga njëra këngë, në tjetrën”, “Ju tregon xhaxhi veterani”, “Rinia forcë e madhe e shoqërisë” e deri tek “Bujqësia, çështje e të gjithë popullit”, por përse nuk e kontrollon, se si administrohen miliardat e taksës popullore dhe fondi që jep buxheti i shtetit po nga taksat publike?! Si është e mundur, që RTSH merr pajisje e shërbime me qiranë tek privatët në miliona e miliona lekë, por nuk blen pajisjet që i duhen?! Apo siç thuhet nga burime brenda RTSH, kupola e “importuar” nga jashtë shtetit si militant partiak dhe për meritën se nuk di ç’është radioja e televizioni, po “ushqen” ndonjë mik të vetin, apo të ndonjë “plaku” në Këshillin Drejtues, që menaxhon dhe siguron votat e miratimit të vendimeve dhe aktet e shpenzimeve që bëhen?! Dihet se çfarë batërdie vazhdon të bëhet në llogarinë e RTSH me pagat, fondet e festivaleve, mbi-punësimet, punësimet nga jashtë, me pagesat për projekte fantazma, me të ardhurat e reklamave dhe përqindjet e tyre, me shpërblimet mbi paga të “specialistëve” të brendshëm e të bashkëpunëtorëve të jashtëm deri në 5000 euro në muaj, për t’i rënë violinës kur ka datëlindjen kryetari i partisë në pushtet, ndonjë ministër apo ambasador i huaj që ka fuqi letrash emigrimi e projektesh, pa llogaritur pagesat për “specialistët” e përzgjedhur, që sipas justifikimit të drejtuesve “kontribuojnë edhe me “internet” nga SHBA e Australia, gjoja “për të rritur cilësinë e programacioneve”! Bëni edhe “ndere”, por të pakën blini edhe ndonjë pajisje pune, se sikur po teprohet e po trashet “zullumi” me këto tenderë qiraje, që e kanë emrin “qoka”! Nuk themi se përse urdhëroheni prej politikës shtetërore, që edhe kur vendi ndodhet në momente të vështira të krizave kombëtare, ju transmetoni filma vizatimorë dhe rubrikën mbushëse të quajtur “Interval”, me pamje nga pyjet e fshatit të drejtorit apo të zyrtarëve në RTSH! Nuk themi, as se përse e keni katandisur RTSH në këtë “farë derexheje” që nuk e shikojnë as vetë punonjësit tuaj (shikojnë stacionet private edhe shtëpi e në zyrë), paçka se numri i punonjësve në këtë stacion-radio-televiziv është 30% më i madh se numri i punonjësve të ujësjellësit të Tiranës dhe 20% më i madh se numri i punonjësve të OSHEE! Nuk e kemi fjalën, as për familjaritetin me të punësuar familjarë deri në 3 breza, as tek mediokriteti e shabllonizmi që ka mbërthyer këtë “Qendër zëri me figurë” me logon RTSH. Shqetësimi ka lidhje me lirinë që kanë drejtuesit e këtij institucioni shtetëror, për të përdorur fondet publike sipas dëshirës dhe klientelizmit, duke u maskuar pas vendimeve të Këshillit Drejtues, anëtarët e të cilit dihet se kush i ka përzgjedhur e përse i kanë “ngulur” atje si “kukulla” që bëjnë vetëm “amin”, pozicion për të cilin paguhen, por siç thonë zërat nga brenda RTSH edhe përlajnë ndonjë projekt radio-televiziv me emra të tjerë dhe bëjnë ndonjë punësim familjari, miku mikeshe… në vijim gazeta “telegraf” do të publikoj fakte nga vendimet, punësimet dhe shpenzimet që bëhen këtë “qendër zëri me figurë” e cila paguhet nga taksat publike, mes tyre edhe taksa hajdutërore që shteti u zhvat familjeve e bizneseve! 
Ja njoftimi zyrtar i RTSH
1.Emri dhe adresa e autoritetit kontraktor: Radio Televizioni Shqiptar, Adresa Rr: “Ismail Qemali”, Nr:11, Tiranë, Tel/Fax +35542227745 
2. Lloji i procedurës: Kërkesë për Propozim me mjete elektronike 
3. Objekti i kontratës : ”Marrjes me Qira të Sistemit të Transmetimit Analog” për RTSH 
4. Fondi limit 2,013,333.32 (dy milion e trembëdhjetë mijë e treqind tridhjetë e tre pikë tridhjetë e dy) lekë pa TVSH 
5. Vlera totale përfundimtare e kontratës (duke përfshirë lotet opsionet dhe nënkontraktimin): 2,400,000 (me TVSH) 
6. Data e lidhjes së kontratës 29.05.2017, Nr. Kontrate 79/5 Prot.
Sigal