Rruga përmes diellit

794
Sigal

Rruga përmes diellit është roman artistik, por tregtia me qeniet njerëzore është diçka reale, që prek çdo vend të botës dhe gjeneron 30 miliardë dollarë të ardhura në vit

Kur cunami u vërsul e shkatërroi fshatin e tyre bregdetar në Indi, 17 -vjeçarja Ahalja Gai dhe motra e saj 15 -vjeçare Sita mbetën jetime e pa shtëpi. Në përpjekje për të arritur në parajsën e sigurt të manastirit ku ndiqnin shkollën, u rrëmbyen nga trafikantët dhe u hodhën në botën e errët të dhunës seksuale e tregtisë së paligjshme të njerëzve, ku çmimi më i madh është pafajësia fëmijërore.

Në anën tjetër të botës, në Uashington, avokati Tomas Klark përballet me krizat e tij vetjake dhe profesionale. I rrënuar nga vdekja tragjike e të bijës dhe largimi i gruas, ai vendos të shkojë në Indi për të punuar disa kohë me një organizatë jofitimprurëse, që lufton kundër trafikantëve të njerëzve në atë vend. Në Bombei, i zgjohet ndërgjegjja, kur sheh me sytë e tij tmerret e tregtisë së seksit dhe sistemin e korruptuar gjyqësor, që e mbron. Kur mëson për fatin e Ahaljës dhe Sitës, Klarku i vë vetes detyrë t’i shpëtojë, duke futur veten në rrezik, në përballje me një rrjet ndërkombëtar kriminelësh të pamëshirshëm.

Rruga përmes diellit është roman artistik, por tregtia me qeniet njerëzore është diçka reale. Është një sipërmarrje kriminale, që prek çdo vend të botës dhe që gjeneron 30 miliardë dollarë të ardhura në vit e përfshin miliona burra, gra e fëmijë, që detyrohen të prostituojnë forcërisht e të punojnë si skllevër. Megjithatë, natyra e fshehtë e kësaj dukurie mbetet ende e panjohur dhe shpesh keqkuptohet. Për të shkruar këtë libër, u mbështeta në ngjarje nga jeta e vërtetë, në dokumente lidhur me trafikimin dhe në burime, që i njoha gjatë udhëtimeve të mia. Duke paraqitur në formë letrare këto të dhëna në shërbim të historisë, këtë e kam bërë me ndjeshmëri të madhe, pa iu ndarë asnjë çast autenticitetit. Skllavëria moderne nuk ka nevojë të paraqitet si sensacion. Ashtu si është, është mjaft e tmerrshme.

Organizata jofitimprurëse KKSS është produkt i imagjinatës, megjithëse ka shumë të përbashkëta me Organizatën Botërpre të të Drejtave të Njeriut, me Misionin Ndërkombëtar të Drejtësisë, partneri im për të mbledhur të dhëna në Indi (www.ijm.org). Së fundi, mësova, se ekzistojnë të paktën dy organizata, që përmbajnë fjalët “Koalicioni kundër shfrytëzimit seksual” në emërtesat e tyre. Organizata që m’u desh të krijoja në mënyrë artistike nuk ka lidhje me këto organizata reale. E njëjta gjë vlen edhe për Projektin e Drejtësisë, grupin kërkimor të cilit ia vendosa selinë në Paris.

Pasi mbarova këtë libër, shumë nga lexuesit e parë të tij më pyetën sesi mund të mësonin më tepër e të përfshiheshin në luftën kundër trafikimit. Informacionet, që mund të gjenden, janë të shumta. Megjithatë, disa prej tyre spikasin mbi të tjerat. Çdo vit, Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara bën publik raportin e Trafikut Njerëzor, ku renditen përpjekjet e qindra vendeve në luftë kundër kësaj tregtie, duke denoncuar trafikantë, tutorë pronarë skllevërish, dhe duke treguar mbështetje për viktimat. Ky raport ofron një pamje goxha të saktë të skllavërisë moderne, krahas historive reale nga e gjithë bota. Raportime të tilla gjenden në faqen e Departamentit të Shtetit (www.state.gov/g/tip).

Një nga burimet më mira joqeveritare të të dhënave mbi këtë trafik është Projekti Polaris në Uashington (www.polarisproject.org). Të tjera faqe të vlefshme janë ato të organizatës Shared Hope International (www.sharedhope.org) dhe Fondacionit Scelles (www.fondationscelles.org). Këto faqe japin mjaft të dhëna për synimet dhe përmasat e kësaj tregtie, së bashku me forcat, që lëvizin kërkesën e ofertën në këtë treg. Veç tyre, këshilloj edhe Projektin Freedom të rrjetit CNN, ku gjenden komente e përshkrime (thecnnfreedomproject.blogs.cnn.com).

Për ata, që janë të interesuar të gërmojnë më thellë, këshilloj këta libra: Një krim i përbindshëm nga Benxhamin Skiner; Natashat nga Viktor Maralek; Trafiku i seksit nga Sindarth Kara, Kontrabanda dhe trafikimi i qenieve njerëzore nga Sheldon Zhang dhe Njerëz pa vlera nga Kevin Bejls. Këshilloj po ashtu leximin e këtyre artikujve akademikë, shumë prej të cilëve gjenden edhe në Internet: “Trafikimi seksual i grave në Shtetet e Bashkuara” nga Xhenis Redmond dhe Dona Hags; “Kërkesa: një shqyrtim krahasues i turizmit të seksit dhe trafikimit në Xhamajkë, Japoni, Holandë dhe Shtetet e Bashkuara” nga Shared Hope International; “Dëshira, kërkesa dhe tregtia e seksit” nga Elizabet Bernshtajn dhe “Trafiku i seksit dhe kultura kryesore e tregut” nga Ian Tejlor dhe Ruth Xhemison.

Disa filma dokumentarë përmbajnë fakte mbresëlënëse dhe intervista me viktimat, hetuesit dhe trafikantët. Këshilloj: Në fund të skllavërisë, prodhuar nga Misioni Ndërkombëtar i Drejtësisë; Skllevërit e seksit, prodhim i televizionit Frontline mbi trafikimin në Europën Lindore dhe i shpërndarë nga Fondacioni Scelles në faqen www.fondationscelles.org; Kërkesa, një ekspoze e trafikimit në Europë dhe Amerikë, i reklamuar nga Shared Hope në www.sharedhope.org dhe Lindur në bordello, një vështrim depërtues në qarkun e dritave të kuqe në Kalkutë.

Si rrugë për t’u bashkuar me kauzën e zhdukjes së kësaj dukurie, këshilloj: së pari, ngrini zërin. Me sa më tepër forcë ta ngremë zërin në diskutimet globale lidhur me këtë temë, aq më shumë mundësi ka që ky zë të arrijë në veshët dhe zemrat e vendimmarrësve: juristëve, politikanëve, gjykatësve, policisë dhe njerëzve të rrugës që blejnë e shesin vajza.

Së dyti, kontribuoni nga ana financiare për një apo disa nga organizatat anti-trafik, që veprojnë në gjithë botën. Gruaja ime dhe unë jemi mbështetës entuziastë të Misionit Ndërkombëtar të Drejtësisë. Çdo ditë, në zonat me drita të kuqe anembanë globit, hetuesit e Misionit Ndërkombëtar të Drejtësisë rrezikojnë jetën duke mbledhur prova e duke bashkëpunuar me policitë lokale për të shpëtuar vajzat nga duart e tutorëve dhe trafikantëve. Investimi për Misionin Ndërkombëtar të Drejtësisë është investim për shpresën.

Së fundi, përdorni aftësitë tuaja. Nëse jeni ekspert ligjor apo nëse keni pasion për drejtësinë, organizata si Misioni Ndërkombëtar i Drejtësisë mund t’i vënë në punë këto aftësi. Nëse punoni në media apo keni mundësi përdorimi të platformave publike, edhe diçka e thjeshtë, si një blog në faqe Interneti mund të përdoret për të rritur ndërgjegjësimin lidhur me këtë çështje. Nëse keni mundësi, mund të shfrytëzoni adoptimet ndërkombëtare të jetimëve, sepse vajzat, sidomos ato nga Europa Lindore, kanë më tepër rreziqe të bien pre e joshjeve të trafikantëve, për shkak të kujdesit më të vogël nga ana e shtetit.

Nevojat janë të mëdha dhe sfidat shpesh duken si të pakalueshme. Por nuk ka problem pa zgjidhje. Ne mund të sjellim një ndryshim: duke ofruar një fjalë, një dhuratë e duke shpëtuar një jetë.

 “Një histori mahnitëse ndërkontinentale, lidhur me fuqinë e bindjes, lidhjet familjare dhe qëndrueshmërinë e dashurisë”. PUBLISHERS WEEKLY

 Autori: Corban Addison

Përktheu: Taulant Hatia

Nr. Faqeve: 410

ISBN 978-9928-120-88-5

Çmimi: 1000 lekë