Rrëfimet e pathëna të Dritëro Agollit në 83-vjetorin e lindjes

732
Sigal

Bisedë miqësore në vend të një interviste me poetin Dritëro Agolli: Shaban Demiraj, Petrit Radovicka, Teki Tartari, Farudin Hoxha, Emin Musliu, intelektualë  të mëdhenj

Me rastin e 83- vjetorit të ditëlindjes së poetit kombëtar Dritëro Agolli, shoqata kulturore, atdhetare “Labëria” i dha titullin  “Anëtar Nderi i Shoqatës Labëria” dhe “Mirënjohje e Labërisë”. Ceremonia e dhënies së titullit u zhvillua në shtëpinë e poetit në një atmosferë shumë miqësore dhe të ngrohtë. Në këtë takim-ceremoni merrnin pjesë Kryetari i Shoqatës “Labëria” z. Ago Nezha, Sekretari i Përgjithshëm i kësaj shoqate, z. Petrit Ruka, Drejtori i gazetës “Telegraf”, z. Engjëll Musai. Në derën e shtëpisë së thjeshtë na priste Sadija me atë të qeshurën e saj si dhe nusja e shtëpisë (vajza e djalit), e cila ishte gjithë kohën në këmbë. Ajo që të binte në sy ishte se të gjitha faqet e murit ishin mbushur me piktura të ndryshme, ku veçohej një portret i Driëro Agollit me cigare në gojë. Ai, sa u futëm u ngrit në këmbë dhe na përqafoi të gjithëve. Sa u ul, ndezi një cigare dhe filloi të na pyeste të gjithëve si i kishim nga shtëpia, puna, shëndeti. Në tërë bisedën 2- orëshe vura re se ai kishte një kujtesë fenomenale. Recitonte pa ndërprerje poezi popullore, por edhe poezi të të gjithë poetëve më të mirë të botës. Kur nusja e shtëpisë na qerasi me raki, ai u ngrit në këmbë duke na uruar dhe duke na afruar që të pimë pa frikë raki, se ishte pikë e parë dhe pa asnjë hile. E ktheu vetë gotën i pari. Kështu filloi biseda, e cila zgjati dy orë e gjysmë. Askujt nuk i besohej se si ikën orët sikur të ishin minuta. Padyshim se nga një bisedë e tillë që u evokua e kaluara dhe e sotmja në letërsi, s’kishte se si të mos ndiheshin orët apo minutat. Nën shoqërinë tonë u bë pjesë dhe shkrimtarja Diana Çuli dhe publicisti Ylli Rakipi, patriot i poetit të madh. Në këtë bisedë të gjatë, munda të shkëpus ato pjesë, të cilat nuk janë thënë në asnjë bisedë apo intervistë tjetër. Rakia e fortë dhe biseda e ngrohtë bënë që për këto orë të harroheshim në kujtime që rridhnin si shiritat e një filmi me metrazh të gjatë dhe ku Dritëroi si asnjëherë nuk u rezervua. Pjesa dërrmuese e bisedës u zhvillua rreth librit dhe krijueseve, pasi në shtëpinë e tij shikoje vetëm libra dhe piktura, asnjë salltanet tjetër. Zilja e telefonit binte papushim, ku miq të ndryshëm e pyesnin poetin për shëndetin dhe si i kalonte ditët. Pyetjet tona të vazhdueshme nuk e bezdisnin Dritëron përkundrazi, i çukisnin në kujtesën e tij, për të zgjuar ngjarje që kishte vite të tëra pa i përcjellë tek biseduesit. Biseda e tij u përcoll në të gjitha trevat shqiptare nga Vermoshi në Konispol, ku ai i shoqëronte me vargje dijet e tij për çdo krahinë shqiptare. Në këtë drejtim Dritëroi na befasonte me kujtesën, me mënyrën e interpretimit të vargjeve, që askush nga ne aty nuk do të mund të dinte dhe të interpretonte aq bukur. Kur u ngritëm për të ikur të gjithë ngelëm të habitur nga ato orë të tëra të ikura sikur të kishte kaluar një orë leksioni i këndshëm. Në këtë bisedë të lirë herë si pyetje herë si e folur sipas kujtimeve, unë po përcjell tek lexuesi, pjesët më të spikatura të bisedës së gjatë, ku çdo fjalë ishte një metaforë, çdo fjali një poezi dhe çdo bisedë një fabul tregimi. Por pjesa më e bukur e rrëfimit ishin epitafet që ai ka bërë për varrin e tij si dhe letrën e lamtumirës drejtuar Sadijes nga varri. Këto vargje ndoshta janë unikale dhe të papërsëritshme, të cilat di t’i bëjë vetëm Dritëroi i madh.

Shaban Demiraj, Petrit Radovicka, Teki Tratari, Farudin Hoxha, Emin Musliu, intelektualë të mëdhenj

 Kur ra fjala për intelektualë shqiptarë Agolli theksoi: Demiraj është një figurë e madhe e gjuhës shqipe. Vetëm duke lexuar atë mund ta mësosh si duhet gjuhën shqipe. Ai mbetet një burrë fisnik. Por mund të them se kultin e nderimit për njerëz të tillë duhet ta ngremë më lart. Sidomos institucionet shtetërore duhet ta çojnë në vendin që i takon çdo personaliteti. Dikur, por, edhe sot në fshatra kur ndërron një njeri shkon i gjithë fshati. Në qytete e mëdha sikur është zbehur kjo vlerë apo traditë. Nderimi ndaj të vdekurve është një traditë e jashtëzakonshme tek ne, ose më mirë ka qenë. Sot sikur është zbehur shumë. Teki Tartari gjeniu i gjenetikës, me 6 gjuhë nga shteti nuk është vlerësuar, por nga fshati ju bë një nderim i rrallë thatë ju Ago (Ago Nezha, Kryetar i shoqatës “Labëria”). Unë mund ta krahasoj këtë figurë të madhe me Petrit Radovickën. Sa herë e takoja Petritin ai ishte me blloqe shënimesh ën duar. Bënte ushtrime matematike që unë habitesha. Kur i bëra një pyetje për infinitin në lidhje me një ushtrim , ai nxori bllokun dhe në mënyrë të rrufeshme më shpjegoi ushtrimin. Unë tunda kokën. Ne duhet t’i nderojmë figura të tilla, ku mund të  fut edhe Farudin Hoxha, Emin Musliu, të cilët kanë bërë vepra që sot zor se bëhen. Kur i shikon veprat e tyre thua që o zot si i kanë bërë në atë kohë? Më kanë thënë që Emini i donte shumë punëtorët në Fierzë dhe i paguante punën deri në një. Kjo rrallë ndodh.  Hidrocentralet tanë janë bërë nga njerëz heronj dhe nga inxhinierë të talentuar. Ne, atëherë, mbase s’i vlerësonim, por sot kur shohim ç’bën bota për energjinë e them me plot gojën ata ishin heronj të mëdhenj.

-Çmimet e ilaçeve janë shumë të kripura për xhepin e shpuar të shqiptarëve

Mund të them që qeveria e re po bën një punë të mirë për mjekësinë. Kam dëgjuar dhe lexuar se ilaçet në Shqipëri janë më të shtrenjtat në Europë. Pra ne vendi më i varfër kemi çmimet më të shtrenjta. Kjo nuk qëndron. Është e palejueshme. Po shoh se po bëhet një punë e mirë në këtë drejtim. Duhet bërë pasi shumë pensionistë nuk e përballojnë jetesën. Nuk kanë mundësi ti blejnë të gjitha, por nuk duan tu bien në qafë fëmijëve. Është e dhimbshme, është dramatike kur shikon pensionistë që nuk blejnë dot ilaçet pasi s’u del pensioni, pasi janë të varfër, pasi kudo ka shtrenjtësi. Këtu duhet vënë dorë menjëherë. Besoj se çdo gjë do përmirësohet. Le të kemi besim se kjo qeveri do bëjë diçka në këtë drejtim. Ne se kemi humbur kurrë besimin por hallet na kanë lodhur. Ndoshta kaq mjerim në spitale nuk ka asnjë vend Ballkanik, pasi në Evropë s’ka e s’ka. Kjo temë është e gjatë sa vetë hallet e neve pensionistëve përfundoi Agolli.

Lufta Nacional Çlirimtare, lufta më heroike e popullit shqiptar

Është lufta më heroike e popullit shqiptar. Kam lexuar shumë libra të historianëve të huaj, por dhe të ushtarakëve të huaj për këtë luftë dhe kam parë se me sa respekt flasin ata për këtë luftë. Edhe sot në gjithë botën festohet me madhështi dita e 5 Majit dhe fitorja mbi fashizmin, ku populli shqiptar ka dhënë ndihmesën e vet jo të vogël. Kam folur dhe shkruar shpesh për këtë luftë. Por mbaj mend se në Tepelenë në një bisedë me krijuesit e rinj u kam thënë po mirë thonë dhe ballistët, po mirë atëherë më thoni një këngë që këndohet për ballistët? Askush nuk dinte asnjë të vetme. Këtë e them pasi sot diskutohet se Lufta Nacional –Çlirimtare ka qenë luftë civile, se gjermanët ishin kalimtarë etj.. Po n.q.s nuk do të luftonte Rusia, Anglia, Amerika, Franca, Polonia, Greqia, Rumania, ish- Jugosllavia vallë do të ishte zhdukur fashizmi dhe nazizmi? Kurrë. Ishte fitore e madhe e popullit tonë që hyri në aleancë me aleatët kundër nazifazhizmit ndryshe sot Shqipëria do të ishte coptuar mes Serbisë dhe Greqisë ashtu siç u copëtuan shumë shtete në Evropë që përkrahën nazifashizmin. Para disa vitesh pata një takim me të rinjtë e FRSH. Ku midis shumë pyetjeve dikush që kishte ish pjesëtarë të fisit me Ballin më tha se partizanët kanë vrarë dhe ballistë ndaj mund ta quajmë edhe luftë civile. Unë ju përgjigja, se unë di se Balli ka bashkëpunuar me fashizmin. N.q.s me Ballin do të ishte dhe Naim Frashëri mos vallë partizanët do t’i thoshin spostohu ti të qëllojmë gjermanët? Lufta ka rregulla, ka ligjet e saj? Mos vallë gjermani ishte kalimtar dhe në Greqi, dhe në Jugosllavi dhe në Rusi apo Poloni? Jo, ai ishte pushtues dhe si i tillë u prit. Pas kësaj përgjigje ai që bëri pyetjen uli kokën. Në këtë luftë mori pjesë i gjithë populli. Luftën e bëri populli ynë heroik i cili u ngrit si asnjëherë i gjithë në luftë. Këtë luftë nuk e bëri një apo dy vetë, por e bënë gjithë shqiptarët. Kurrë s’ka pasur një luftë kaq të organizuar ku morën pjesë aktivisht edhe gratë. Tjetër është lufta, tjetër është individi. Nuk duhet ti ngatërrojmë gjërat. Kur flas për luftën unë kam parasysh ata 28 mijë heronj dhe jo ata që duan të marrin merita të pa merituara. Për këtë luftë kanë folur dhe po flasin udhëheqës të mëdhenj nga gjithë bota, historianë me përmasa botërore, po flasin shtete ët mëdha që asnjëherë nuk e errësojnë këtë luftë. Është në nderin tonë që t’i japim çka i takon kësaj lufte. Historia është histori, atë nuk duhet ta deformojmë se do na tallin nipërit dhe mbesat. Historia nuk bëhet me emocione apo me detyrime dhe preference. Për historinë duhet të jemi gjakftohtë.

Epitafet e varrit tim

Pjesa më interesante e bisedës sonë ishte kur Sadija na përcolli në dorëshkrim, epitafet që Dritëroi kishte krijuar për në varrin e tij. Ishte sa për të qarë aq dhe për të qeshur. Ishte për të qarë, se askush nuk e mendon poetin e madh të jetë në jetën e përjetshme larg nesh, larg këtyre bisedave të bukura, jetësorë, tërë frymëzim. Askush nuk e mendon se për poetë të tillë ka dhe vdekje. Por është për të qeshur, pasi kur i lexon vetë, ai fillon e qesh si fëmijë, duke nënvizuar se po i bëj vetë të mos lodh njeri tjetër. Jeta vazhdon. Ajo ka ligjet e saj. Jeta ka vërtetuar se nuk ka njerëz të pavdekshëm fizikisht, por ka njerëz të pavdekshëm shpirtërisht. Tek njerëzit e mëdhenj jeton vepra e tij, jeton, poezia, romani, tregimi, shpikjet, ndaj thonë është i pavdekshëm. Por unë  jam i vetëdijshëm për vdekjen time, ndaj dhe epitafin po e përgatis vetë. Mbase deri sa të më vijë dita e madhe do të bëjë edhe ndonjë poezi tjetër, por deri tani këto të dyja kam bërë. Por kam dhe nj letër për  Sadijen –thekson Dritëroi. Eh Sadija, që s’më është ndarë tërë jetën , në ditë të mira dhe të këqija, në ditë stuhie dhe gëzimi, në ditë me shi dhe në ditë me diell, kur ishim keq dhe kur ishim mirë. Sadija ka qenë gjithçka, pasi edhe kur e teproja më duronte por edhe kur gëzoja më gëzonte më shumë. Më ka duruar dhe huqet. Dhe këtë mund të bëjë vetëm Sadija jo çdo grua tjetër. Jemi grindur, jemi përqafuar, por ajo më është gjendur në çdo moment të trishtë të jetës sime. Edhe unë po i lë ca fjalë që të mos më harrojë dhe në jetën e përjetshme thotë duke qeshur Dritëroi, ndërsa Sadija aty më tej loton. Janë lotët e një gruaje që çdo gjë ja ka falur bashkëshortit, i cili i ka dhënë aq shumë vargje brilante kombit të vet. Por Dritëroi nuk i shikon lotët e Sadijes dhe më thotë mua, lexoje ti Albert atë letër lamtumire:

Letër Sadijes. Letra e lamtumirës…

 E dashur Sadije, të dua si jetën time. Madje, më shumë. Unë dëshiroj që të vdes dhe ti të jetosh. Unë dhe i vdekur do të të ndjek, për të parë buzëqeshjen tënde, megjithëse, kjo buzëqeshje brenda errësirës së varrit nuk duket, por unë do të bëj të pamundurën, qoftë dhe me anën e një fluture, që do të dalë nga kockat e mia.

Përjetësisht Dritëroi.

Tiranë 13 maj 2014

 Dhe ndërsa unë lexoja letrën e lamtumirës fytyra e Sadijes ishte pushtuar nga lotët. Në dhomë heshtje. Për disa minuta unë ngela me letrën në dorë duke parë fytyrat e të gjithë bashkëbiseduesve. Askush nuk fliste. Askush. Madje dukej sikur edhe frymë nuk merrnim. Nuk ishte vetëm Sadija që lotonte, por të tërë ne. Vetëm Dritëroi çuditërisht buzëqeshte. Ai donte të zbuste dhimbjen e fjalëve të tij në zemrat tona. Heshtjen e theu vetë Dritëroi, i cili u çua në këmbë dhe me gotën e rakisë na drejtohet: gëzuar dhe lumturi kudo në jetë. Pastaj më jep dy epitafet….në pjesën e parme të letrës shkruhej:

Varrit tim që të mos mundohet ndonjë tjetër të bëjë vargje për mua.

 Epitaf. 1

Këtu do të prehet  Dritëroi në gjumë,

Nën dhe,  si mëkatar dhe si poet,

Mëkate ndoshta nuk do të kishte bërë shumë,

Sikur të mos kishte qenë deputet.

 Por mbase s’do të jetë i fundit. Mbase më vjen ndonjë mendim tjetër.

 Epitaf 2

Përjetësisht prehet këtu Dritëroi,

Me  etërit, gjyshërit dhe shokët pranë,

Të mira bëri gjersa jetoi,

Më tepër mund të bënte…

Por se lanë

Albert Z. ZHOLI