Rrëfimet e aktores Zamira Kita: Ju tregoj ëndrrën për Teatrin, xhirimet e filmave dhe “njollën” në biografi

1278
Sigal

Nga Vepror Hasani

Tashmë aktorja Zamira Kita është e njohur nga të gjithë. Shumëkush e mban mend atë në role të spikatura komedish dhe dramash, në role filmash dhe prezantuese spektaklesh. Nuk janë të paktë ata që e kujtojnë te “Dasma e Malos” përkrah Agron Llakajt, te emisioni “Jo vetëm kafe”, apo te koncerti i “Shën Valentinit”. Veç kësaj rolet si Olimbia te “Karnavalet e Korçës” si partnere e Roland Trebickës, Efti te “Jovan Bregu refugjat”, Aleksandra te komedia “Puthja”, Mira te filmi “Yllka” vazhdojnë të mbeten rolet të luajtura me mjaft mjeshtëri. Monodrama “Velloja e bardhë” ishte një nga sukseset e saj. Por cila është jeta e saj? Cilat kanë qenë peripecitë e Zamira Kitës? A ka pasur fat në jetën artistike? Të gjithë këto, Zamira i sjell për dashamirësit e saj.
Diplomimi 
“Atë çast ndihesha aq e lumtur dhe aq e emocionuar sa nuk kisha si të mendoja se e nesërmja për mua nuk do të ishte e bukur. Sapo kisha marrë diplomën e Akademisë së Arteve të Bukura në Tiranë dhe prisja të kthehesha në Korçë. Isha vetëm 22 vjeçe. Veç kësaj kisha shumë ëndrra. Teksa po përcillesha me shokët, një shoqja ime më tha: “Zamira, ti je e talentuar, shpresoj që emrin tënd ta dëgjoj shumë shpejt në teatër”. Nuk kisha ç’të thosha, kjo kishte qenë ëndrra jonë e vetme: të bëheshim aktorë të mirë. Deri në atë kohë bashkë me pedagogët dhe studentët kisha luajtur në premiera të rëndësishme ku kisha pasur rolin kryesor si te “Mësuesi i letërsisë” dhe te “Shtëpia e Bernarda Albës” të Frederik Garsia Lorka, por edhe në shfaqje të tjera. Tani po më priste qyteti im. Isha gati të fluturoja për atje, te Teatri “Andon Zako Çajupi”, duke menduar se ditët e mia do të ishin po kaq të lumtura sa atë çast”. Kështu nis të tregojë për jetën e saj aktorja e mirënjohur, Zamira Kita, fituese e çmimeve “Aktorja më e mirë”, e çmimit “Aleksandër Moisiu” etj.

Njolla në biografi

“Por krejt ndryshe ndodhi nga ato që kisha ëndërruar. Më emëruan si masovike në fshatin Pirg të Korçës. Atje do të kujdesesha për aktivitetet kulturore dhe artistike. Kuptova se nuk do të ngjitesha dot në skenën e teatrit të qytetit tim. Nuk do të luaja më komedi apo drama. Nuk do të kisha më as role kryesore, as role të vogla. Nuk do të flisja më për emra dramaturgësh të mëdhenj apo komediografë. Nuk do të merrja dot falënderime nga duartrokitjet e spektatorëve. Kur ma sollën lajmin e emërimit qëndrova një çast e heshtur. Shkova në shtëpi dhe lashë veten të lotoja fshehurazi, sepse nuk kisha çfarë të bëja tjetër. Dikush kishte zbuluar se familja ime kishte një “njollë” në biografi. Përballë gjithë asaj që kisha ëndërruar, e gjitha kjo m’u duk një çmenduri. Me sa duket kisha përfunduar Akademinë e Arteve të Bukura për të qenë masovike në një fshat të Korçës! Kujtova që kisha përfunduar me nota të mira, solla ndërmend shfaqjet e vëna në skenë me shokët e mi dhe pedagogët, kujtova shoqen time që më kishte thënë: “Zamira, t’i je e talentuar, shpresoj që emrin tënd ta dëgjoj shumë shpejt në teatër”.

Masovikja

Gjithçka kishte qenë veçse një zhgënjim i thellë. Nëse nuk do të shkoja atje, nuk e di se ku do të më kishte hedhur jeta, por mbi të gjitha nuk e kisha menduar kurrë që të ndahesha përjetësisht nga skena. Pa shfaqur asnjë kundërshtim u nisa për atje, në fshatin Pirg” “Shkoja çdo mëngjes dhe kthehesha çdo pasdite. Çdo ditë kaloja pranë Teatrit “Andon Zako Çajupi”. Për mua ajo ndërtesë ishte kthyer në një mollë të ndaluar. Sa më e largët më bëhej ajo shtëpi, aq më e dëshirueshme ishte për mua. Shpesh mendoja se do të vinte një ditë kur do të më thërrisnin në shtëpinë e teatrit, por po aq shpesh më dukej se kjo gjë nuk kishte për të ndodhur kurrë. “Njolla e biografisë”, për të cilën nuk flisja asnjëherë, qëndronte varur si një magji e zezë mbi të gjitha ëndrrat e mia. Në atë kohë drejtor i Teatrit ishte shkrimtari, Petraq Zoto. Sa herë që më takonte më jepte shpresa se do të më kthente në teatrin e Korçës, por ditët vononin dhe asgjë nuk po ndodhte. Në atë fshat kalova pothuajse katër vjet, deri sa erdhi një ditë kur Petraq Zoto më tha se do të kthehesha në Korçë, në Teatrin e Estradës. E falënderova me gjithë shpirt. Mbaj mend që atë natë nuk kam fjetur fare. Më dukej sikur isha atje në skenë, sikur luaja bashkë me kolegët e mi”.
Në Estradë
“Së fundi e pashë veten në skenën e teatrit të qytetit tim. Ishte viti 1989. Ishte koha kur sistemit të diktaturës po i vinte fundi. Fillimisht e nisa me role të vogla, por gëzimi im ishte i papërmbajtur. Ndoshta më vonë do të luaja dhe role kryesore, ndoshta do të vinte një ditë që të realizoja ato që kishim ëndërruar me shokët kur studionim në Akademinë e Arteve të Bukura. Shpresoja. E rëndësishme ishte që kisha filluar. Në fillim pata frikë se për shkak të biografisë nuk do të më ofronin aq sa duhej, por nuk ndodhi kështu. Aktori i madh Aleko Prodani më qëndroi afër. Ai do të mbetet një nga njerëzit e paharruar për mua. Kishte zemër të madhe. Nuk më mungoi as përkrahja e Arben Dervishit dhe e Petrit Koçibellit. Tashmë isha në skenë. Gjatë asaj kohe m’u dha rasti të bashkëpunoja edhe me aktorët si: Luftar Paja, Fadil Kujovska, Fadil Hasa, Muharrem Hoxha etj. Ju nuk e merrni dot me mend se sa e lumturuar isha.
Xhirimet e filmave dhe çmimet prestigjioze
“Gjatë katër viteve të qëndrimit në Pirg kisha pasur një eksperiencë të hidhur. Një ngjarje e pakëndshme më kishte ndodhur edhe me filmin “Eja”, në vitin 1986, me regji të Pirro Milkanit dhe skenar të Petrit Rukës. Muzika ishte e Ardit Gjebreas. Kisha rolin e Margaritës. Munda të dilja fituese mes 30 kandidaturave që iu nënshtruan kinoprovës, por kur kishin përfunduar të gjitha xhirimet, doli sërish se biografia ime ishte me probleme. U kërkua që unë të largohesha nga filmi dhe vendin tim ta zinte një tjetër. “Njollën” e biografisë e kisha ndjerë për herë të parë kur përfundova studimet. Tashmë kjo magji e zezë po më shfaqej për herë të dytë. Ishte tepër tronditëse. Filmi “Eja” po më kthehej në filmin “Ik”. Nëse do të kishte ndodhur kështu, përzënia nga filmi do të mbetej goditja ime më e madhe. Më kujtohet si sot: “Mos u mërzit”, më tha Piro Milkani. “Do të bëj të pamundurën që ti të mos largohesh nga filmi”. Kur më tha se ia kishte dalë mbanë zgjidhjes së këtij problemi m’u duk sikur vërtet u bëra me krahë. Ishin të gjitha këto që më kishin ndodhur dhe që më bënin të qëndroja me frikë se mos sërish, ashtu si padashur biografia ime do të shfaqej për herë të tretë…”. Megjithatë, ndërsa ditët kalonin njëra pas tjetrës, po ndjeja se biografia nuk do të më përmendej më. Kishte filluar të frynte një erë tjetër. Ata që besonin ende te “njollat” e biografive, po mbeteshin gjithnjë e më pak.

Përsëri në xhirime

Një vit më vonë nga filmi i parë, më thirrën për të luajtur në filmin “Njerëz në rrymë”, me regjisor Besnik Bishën e Grigor Stavrin. Skenari ishte i Viktor Gjikës. Më shumë se çdo gjë tjetër po më pëlqente fakti që po punoja me artistë që kishin emër të madh. Pas viteve ’90 do filloja të besoja vetëm te aftësitë dhe askund tjetër. Në vitin 2003 mora pjesë te filmi “Tifozët”, me regji të Alfred Bualotit dhe skenar të Ruzhdi Pulahës, megjithatë një eksperiencë të jashtëzakonshme njoha te filmi “Yllka”, me regji të regjisores zvicerane, Maya Simon dhe Ylli Pepon. Skenari ishte i Besa Myftiut. Në atë film do të luaja me Besa Myftiun, Elina Dunin, Artur Gorishtin etj. Kisha rolin e Mirës, një rol që për mua mbetet nga më të bukurit dhe më të dashurit, ndoshta nga që më solli vlerësime dhe në festivalin e filmit më kandidoi për çmimin “aktorja jo protagoniste”. Por nuk ishte vetëm kjo. Pjesa më e madhe e xhirimeve u realizua në Zvicër. Ndërkaq mund të them se isha e aktivizuar edhe në teatrin e qytetit tim”.
Role të dashura dhe të vlerësuara
“Siç e thashë edhe më sipër, fillimisht punova në estradë, pastaj kalova në teatër, sepse estrada dhe teatri në atë kohë u shkrinë dhe u bënë një. E kisha nisur me role të vogla, por shumë shpejt do të bëhesha pjesëmarrëse në rolet e komedive dhe të dramave. Do të luaja rolin e Ketrinës te “Pamja nga ura”, Tanjën te “Zgjohu Vasil”, Fedrën te “Denoncimi”. Laurën te “Përbindëshi” Tanjën te “Vajzat me valutë” etj. Por një kënaqësi të veçantë kam ndjerë në rolin e Eftës, te “Jovan Bregu refugjat”, me regji të Guri Koços dhe skenar të Adelina Balashit. Luaja përkrah aktorëve, Arben Dervishi, Marko Bitraku, Mirjana Deti, Petrit Koçibelli etj. Kjo komedi në Festivalin Mbarëkombëtar më dha çmimin, “Aktorja më e mirë”. Më pas, në vitin 2003 do të luaja rolin e Olimbisë te “Karnavalet e Korçës”, të Spiro Çomorës, me regji të Dhimitër Pecanit. Në atë komedi luaja përkrah aktorit brilant Roland Trebicka. Ai luante rolin e Nikollaqit. Përgjegjësia ishte e madhe. “Karnavalet e Korçës” ishte vënë në skenë para 40 viteve, që nga viti 1964, me regji të Pandi Stillu dhe me aktorë të tillë si Viktor Gjoka, Violeta Manushi, Liza Vorfi, Margarita Xhepa, Roland Trebicka etj. Shpesh mendoja: “A do të mund t’ia dal dot mbanë”?. Tashmë e konsideroj si një nga rolet e mia më te realizuara, por kjo fal përvojës që pata me Roland Trebickën. Ishte një përvojë e jashtëzakonshme. Po kaq të rëndësishëm e quaj dhe vënien në skenë të dramës “Për mua, Mirjam dhe Sandri”, të Aqif Mulliqit dhe regji të Milto Kutalit. Në rolin kryesor luante Alfred Trebicka, ndërsa unë luaja rolin e Mirjamit, ku merrnin pjesë dhe aktorët Shkëlqim Jaupi, Ligoraq Riza etj”.
Aleko Prodani mbeti në skenë, atje ku jetojnë artistët 
Nuk kam për t’i harruar asnjëherë rolet që kam luajtur përkrah Aleko Prodanit. “Zonjusha 39 vjeç” më sjell gjithnjë ndërmend mikun tim më të mirë, por komedia “Tre burra për një grua” të Dario Fo nuk do të më ndahet asnjëherë nga kujtesa. Për të madhin Aleko Prodani “Tre bura për një grua” do të ishte komedia e fundit për të. Ishte viti 2006. Atë mbrëmje ai mbeti atje, në skenë, si për të na treguar të gjithëve se skena është jeta e artistit. Nuk mbaj mend të kem qenë ndonjëherë më e trishtuar se atë natë. Çdo çast më kujtohej dita kur kisha shkuar në estradë dhe ai më kishte qëndruar aq afër. Nuk kisha si të harroja zemrën e tij aq të madhe, por as shkollën e tij të aktrimit që na kishte ofruar të gjithëve. Një vit më pas do të luaja te komedia, “Puthja” e Grigoris Ksenopulos, me regji të Guri Koços. Luaja rolin e Aleksandrës. Ajo komedi do të më kandidonte për çmimin “Kult” 2008, mes aktoreve të mirënjohura si Eftola Laçkaj, Eva Alikaj dhe Loredana Gjeçi. Çmimi u fitua nga Eva Alikaj, por gjithsesi ajo çka kisha arritur tek ajo komedi ia dedikoja edhe të paharruarit, Aleko Prodani. Pa një trupë të tillë teatrore nuk do të kisha mundur të merrja dot as çmimin “Aleksandër Moisiu”.
Pak fjalë për familjen…
“Oh, desha të tregoja edhe diçka tjetër, rrëfen aktorja e njohur Zamira Kita. “Jeta ime nisi me peripeci që ditën e parë që unë erdha nga Tirana, por që nga dita që u ktheva në teatrin e Korçës, pata mbështetjen e bashkëshortit tim, Benit. Ai punonte si fonist dhe njëherazi kitarist. Dashuria jonë zgjati për më shumë se 14 vjet. Shqetësimet e biografisë time do t’i kalonte edhe ai, por mund të them se nuk u lodh ndonjëherë. Tashmë kemi një vajzë, Enirën, emri i së cilës është bashkim i dy emrave tanë. Vazhdojmë t’i përkushtohem artit dhe familjes. Mua pëlqen të gatuaj sidomos pulën e mbyllur, ashtu siç bëhet me lepurin. Por më pëlqejnë dhe tava me zarzavate, gatimet me peshk, ashtu siç më pëlqejnë edhe udhëtimet. Mundësinë për të udhëtuar ma dha edhe kamera e fshehtë që më bëri Beni, im shoq. Gjithsesi ai “kurth” na dha mundësinë të vizitonim Egjiptin. Me Benin kemi udhëtuar shumë. Nuk po përmend vendet fqinj, por vetëm Zvicrën, Amerikën, etj. Shpresojmë që për spektatorin të sjellim surpriza të tjera, kjo është ëndrra jonë”.