Rrëfime të dhimbshme nga emigrantet shqiptarë në Selanik

1353
Bardhyl BERBERI 
Kemi mbërritur doganën e Kapshticës në drejtim të Selanikut. Befas me drejtohet një burrë muskulor dhe më thotë me mua mund ta bësh rrugën më këndshëm o gazetar. Ai më njihte. U sistemua në makinë dhe nisëm udhëtimin. Peizazhi përreth është i butë, rrëzë kodrave të ulëta një peizazh tipik ballkanik. Por ajo që të tërheq më tepër në këtë udhëtim janë paraklisat dhe shumë kishëza të ndërtuara buzë rrugës. Na shfaqet para syve qyteti i vogël i Follorinës me shtëpi të ulëta dhe të gurta modeli elbasançe. Tej në jug shfaqet qyteti i Grebenesë. Vetiu më erdhën në mëndje vargjet e një kënge të hershme: -Qiraxhi i Grebenesë, qiraxhi … -Qenke qen i pabesë, qiraxhi …

Si dikur këtu fillojnë plagët e hidhura të kurbetit. Ashtu si dikur gjyshërit tanë vinin punonin në kurbet në Greqi për të siguruar bukën e gojës edhe sot vazhdon e njëjta dramë por me përmasa shumë më të mëdha. Vetëm këtu në Greqinë e veriut ka pasur mbi 350 mijë emigrantë që i përmbledh konsullata e Selanikut. – Si të quajnë e pyes bashkudhëtarin? Aleksi (Arif) emrin e kam ndërruar këtu në Greqi, thotë ai. Fillimisht ai ka kaluar nga mali për në Greqi, kemi hequr e vuajtur thotë ai pasi kur kaluam malin e Pisoderit atje kishte dëborë. Edhe sot ndonëse kanë kaluar mbi 20 vjet nuk e kuptoj se si mbërritëm gjallë në Greqi jo vetëm që çamë dëborën me gjoks por na kërcënonin tufat e ujqërve nëpër pyll…Më poshtë Aleksi më tregon, ja shikoje atë qafën e malit atje i thonë “shtegu i refugjatit” pasi aty është një rrugë e njohur për të kaluar, këtu i thonë” ara e gjakut “pasi një pronar grek theri me thikë një emigrant nga Velçani i Mokrës, Aleksandër quhej ai. Pronarit grek ku punonte emigranti i kishin vjedhur kasetofonin e makinës dhe ai dyshonte se ia kishte vjedhur shqiptari. Qëndruam të pimë një kafe buzë rrugës para se të futeshim në autostradë. Do të tregoj diçka rrëqethëse po të duash shkruaje… Pas një viti së bashku me mua erdhën në Selanik dhe dy vëllezërit e mi Dëfrimi dhe Agimin dhe motra jonë 18 vjeçare Resmia pasi prindërit na kishin vdekur… Ne të tre punonim ndërkohë që motra na gatuante në një shtëpi që kishim marrë me qira. Kalojnë disa muaj dhe po vinim re që motrës po i rritej barku dhe dukej tamam si një grua shtatzëne . E shtrënguam të tre vëllezërit se me kë e kishte fëmijën. Por ajo me lot në sy na betohej për kokën tonë dhe për zotin se nuk e kishte prekur asnjeri me dorë. Morëm një vendim që kur të ktheheshim në mbrëmje nga puna ta vrisnim motrën dhe t`i zhduknim trupin. Por kur erdhëm në shtëpi pasdite pamë që motra ishte larguar nga shtëpia. E ndjemë se diçka e keqe kishte ndodhur. Ne dolëm anës detit nga frika se mos motra kishte shkuar të mbytej në det. Befas më bie celulari dhe më thotë në telefon se ishte konsulli i asaj kohe në Selanik, Thoma Nini dhe, nëse kishte mundësi të vija në spitalin e Selanikut se motra jonë kishte një problem shëndetësor. Pa frymë shkuam të tre vëllezërit. Konsulli na priti tek oborri i spitalit. U takuam ne ishim pa frymë na dridheshin këmbët. U futëm në një dhomë të spitalit… Aty ndodhej Resmia e mbështetur mbi një shtrat. Konsulli ynë Thoma Nini që me profesion ishte mjek qetësisht na tha se motra jonë kishte një problem. Ajo kishte një masë të madhe uji në bark dhe duhej që ta hiqnim që t`i shpëtonim jetën dhe këtë ndërhyje do ta bënte vetë konsulli Thoma Nini, pasi ai na tha me shaka se poshtë kostumit të diplomatit ndodhej përparësja e bardhë e mjekut. Neve na erdhi gjaku në fytyrë dhe na kapën emocione të papara. Thomai i bëri ndërhyrjen me një shiringë të madhe duke i nxjerrë të gjithë ujin që motrës i ishte grumbulluar në bark. Një legen plastik u mbush me ujë. Qëndruam gati tre orë pas ndërhyrjes më pas morëm motrën dhe shkuam në shtëpi. Arifi tregonte dhe lotët i ishin mbledhur në fund të mjekrës. Janë të rrallë njerëzit si Thoma Nini. Ne si familje i kemi borxh jetën atij konsulli sa të kulturuar dhe mbi të gjitha njeri. Ai mund ta bënte ndërhyrjen t’ia hiqte ujin motrës, por e dinte se, nëse ne nuk do të ishim prezent ne asnjëherë nuk do të na lahej shpirti se motra nuk kishte qenë shtatzënë. Ai me zgjuarsinë e tij e fshiu çdo gjurmë dyshimi. Po si e kishte takuar konsulli Thoma Nini? Këtu qëndron e veçanta. Motra kishte marrë një taksi dhe kishte shkuar në konsullatën tonë në Selanik dhe i kishte thënë nëpunësit të shërbimit se, nëse nuk e lejonte të takonte konsullin ajo do t`i jepte fund jetës së saj. 

Gjatë gjithë rrugës për në Selanik na shoqërojnë kisha e manastire të pafund. Kodra të sistemuara me portokaj, limona dhe ullinj. Padashur ndjen një trishtim të thellë kur sheh peizazhin tonë të braktisur me toka të papunuara, të mbuluar nga shkurret dhe drizat. Duket sikur kudo këtu në çdo parcelë tarracë apo pemishte të sistemuar bukur është shkruar fjala “Punë “ dhe padyshim është dhe djersa e shumë emigrantëve tanë që rropaten nga mëngjesi deri në darkë për të siguruar të ardhura për familjet e tyre. Jemi futur në autostradën e re dhe kemi lënë pas Kozanin, Verian e bukur dhe pasi kemi kaluar dhjetëra tunele njëri pas tjetrit në buzë mbrëmje i jemi drejtuar Selanikut. Tej thellë në horizont filloj të ngrihet një brezare e madhe dritash e cila sa më tepër i afroheshim qytetit filloj të copëtohet në sinjale tabela reklama. Isha në Mokër thotë Arifi (Aleksi ) ka shumë fshatra të braktisura dhe toka të lëna djerr. Rrallë ndonjë oxhak nxjerr tym dhe shumica janë pleq …Selaniku është qyteti i dytë i Greqisë me gati 2 milionë banorë së bashku me periferinë me një shtrirje të gjerë. Vetëm shqiptarë në Selanik ka pasur mbi 350 mijë emigrantë që janë të inkuadruar në Greqinë e veriut. Pimë një kafe buzë Torës, anës detit. Ja, thotë Arifi njëri është kryetari i PD së Selanikut me atë të PS. Këtu, thonë ata buzagaz, na ka mbledhur Atdheu dhe ai është partia e të gjithëve, gjithçka në funksion të tij. Vjen mëngjesi me një kohë gri e të ftohtë, me ajër me lagështirë ndonëse është stina e pranverës. Tek stacioni i trenit përballë stacionit të autobusëve ishte një shesh i madh që dëgjohej vetëm shqip. Kjo është “Omonia” e Selanikut, më thotë një shqiptar, këtu presim që të na marrin për punë dhe nuk janë pak, por mijëra veta që janë të gatshëm për të punuar çfarëdo lloj pune. Kur orët kalojnë dhe nuk vjen ndonjë pronar grek për t`i marrë ata sikletosen së tepërmi nuk duan që dita t`u iki bosh …Aty sheh emigrantë të gjitha moshave. Kemi kaluar bulevardin Egnatia dhe kemi zbritur poshtë në drejtim të detit. Selanik është shtëpia e tyre e përbashkët prandaj kur emigrantët kalojnë këtë derë, kjo është dera e atdheut të tyre. Veç kësaj duhet edhe të ecish dhe të takosh duart e tyre në fabrika, kantiere, hekurkthyesin, gurgdhendësin, bariun majë malit nëpër stane, fëmijët tanë nëpër shkolla. Shqiptarët janë integruar me shumë dinjitet këtu në Greqi, madje edhe grekët tashmë kanë një shprehje të tyren kur iu drejtohen punëtorëve grekë “ Të punoni si shqiptarët “..Selaniku të befason në çdo stinë që ta shohësh. I shtrirë midis tre rrugëve më kryesore të cilat përfundojnë në det me ndërtime të reja parqe të pafund të ngjitura lart në vertikale me rrugë të pastra Selaniku shpaloset mbi det si një flamur dhe mbi këmbët e tij ka detin e kaltër si një djep gjigant. .me diellin në sy. Selaniku është një histori e gjallë e prekshme, lëvizëse. Pazari shekullor dhe i famshëm i Selanikut qindra e qindra vjeçar ishte duke u restauruar. Sheshi Aristoteli me një madhështi tej normales, kisha gjigante e Shën Dhimitrit ( Agjo Dimitriu ). Na shoqëron një emigrant që ka mbi 10 vjet që punon në Greqi, Urim Gjata një burrë i fortë dhe me shikim të mprehtë …Ja e shikon atë fabrikën e çimentos atje e kam ndërtuar unë së bashku me disa shqiptarë të tjerë. montonim kapriatat në katin e 17-të të saj. .Jeta e njeriut thotë Dëfrimi është dashuri, është dhimbje, dashuri për fëmijët për vëllezërit motrat për prindërit për shokët e shoqet e fëmijërisë. Këtu mes nesh thellë në gjoks kemi dashurinë për atdheun tonë, për shtëpinë tonë për rrugicën ku kemi vrarë gjunjët këmbadoras kur ishim të vegjël. Por në jetën e njeriut thotë ai ka dhimbje ka drama vetjake e kombëtare ne e ndjekim atdheun tonë orë e çast dhe ai rreh mes nesh si një puls, mes nesh është malli është nostalgjia, janë rrënjët tona tek atdheu ynë …Por njëherazi dhe trishtimi për politikanët tanë që po e heqin zvarrë Shqipërinë …

Ana është mësuese dhe i është përkushtuar krijimit të kurseve të mësimit të gjuhës shqipe për fëmijët e emigrantëve shqiptarë në Selanik. Ajo është kryetare e parë e shoqatës të emigrantëve shoqatës shqiptarë të Selanikut e krijuar në vitin 1998. Ana së bashku me mësues të tjerë në mënyrë vullnetare iu zhvillojnë mësim fëmijëve shqiptarë në gjuhën amtare ajo thotë se qëllimi ynë është që të mos kemi fëmijë analfabetë t`u mësojmë shkrim dhe këndim më pas ata ecin vetë dhe rezultatet janë shumë pozitive, ne kemi mundur të shmangim analfabetizmin e fëmijëve të emigrantëve tanë këtu në Selanik dhe për këtë jemi krenarë. Udhëtojmë buzë detit. Tej në horizont sipër siluetës së Torrës së Madhe varej pezull disku i i diellit pranveror . Lagështira e ajrit peshon mbi krahët e pulëbardhave të shumta që fluturojnë ultas mbi sipërfaqen e kaltër të detit dhe klithmat e tyre ngjajnë me një kor vajtojcash. Shëtitorja buzë detit është vërtet e mrekullueshme. Ndërtime të mrekullueshme me një arkitekturë bashkëkohore ku alternohet modernia me të vjetër. Befas përballesh me një monument gjigant të Aleksandrit të Maqedonisë. Një monument madhështor. Aleksandri i hipur mbi kalë me një pamje triumfatori. Grekët mburren me Aleksandrin. Pikërisht në këmbët e këtij monumenti gjigant vinte një pjesë orkestrale e interpretuar me saksofon. Shoh një muzikant nga Pogradeci 65 vjeçari Enver Ademi. Ai ka qenë prej shumë vitesh muzikant i njohur, por tashmë ai është invalid nga sytë, i ka ikur shikimi dhe ka zgjedhur këtë mënyrë për të lypur në mënyrë të kulturuar duke argëtuar kalimtarët pasi ai nuk punon dot. Enveri si i zënë në faj i skuqur thotë se të ardhurat që merr nga kemp-i nuk i dalin për të mbajtur familjen prandaj ka gjetur këtë formë për mbijetesë. Kalimtarët e rastit i hedhin monedha eurosh duke dëgjuar pjesët që ai interpreto…Pas disa dy ditësh qëndrimi u larguam pasdite nga Selaniku duke lënë diellin në perëndim si një lëmsh të zjarrtë i cili përflak gjithçka kupolat e kishave të shumta në Selanik direkët e anijeve në port Torën e Madhe monumentin e Aleksandrit të Madh duke e mbushur peizazhin përreth me reflekse të kuqe. Peizazhi përreth ngjante me një gravurë të rrahur në bakër. Natyrisht këto janë përshtypjet e një gazetari që krahas takimit me njerëzit hyjnë peizazhet, vrojtimi i natyrës emocionet e përfituar nga takimet me emigrantët që janë pjesë përbërëse e profesionit tonë. 
Sigal