“Rrëfim paradoksal” i “Artistit të Popullit” Albert Vërria

710
Sigal

Një paraqitje ndryshe e aktorit të njohur vlonjat, këtë radhë me një libër

Albert Vërria “Artisti i Popullit” na u shfaq këto ditë krejt ndryshe. Ai mbante në dorë një libër të rëndë, të cilin sapo e kishte botuar. “Rrëfim paradoksal” quhej titulli i librit luksoz të Albert Vërrisë, i cili u promovua në kuadër të 100- vjetorit të Pavarësisë nga Klubi i Shkrimtarëve “Petro Marko”, Biblioteka Publike “Shefqet Musaraj” në bashkëpunim me Universitetin “Pavarësia” të Vlorës. Kryetari i Klubit të Shkrimtarëve Petro Marko, zoti Myrteza Mara, që drejtoi aktivitetin, bëri prezantimin e librit “Rrëfim paradoksal” të Artistit të Popullit Albert Vërria, ndërkohë që, “Mjeshtri i Madh”, Prof. Dr. Bardhosh Gaçe u ndal tek jeta aktoreske e Albert Vërrisë dhe vlerat e librit të tij të jashtëzakonshëm. Vet Kryetari i Bashkisë së Vlorës, zoti Shpëtim Gjika, që ishte prezent në këtë aktivitet së bashku me deputetin e Vlorës, Eltar Deda, vlerësoi lartë figurën e Artistit të Popullit Albert Vërria, si një nga ikonat e teatrit dhe kinematografisë shqiptare.

***

Por ç’përfaqëson libri “Rrëfim paradoksal” i Albert Vërrisë?  E ndjej veten me shumë fat që kam qenë afër dhe kam njohur një nga legjendat e teatrit dhe kinematografisë shqiptare, Artistin e Popullit Albert Vërria, këtë bashkëkohës të Kadri Roshit, Sandër Prosit, Sulejman Pitarkës, Violeta Manushit, Ndrek Lucës, Tinka Kurtit, Liza Laskës e shumë e shumë artistëve të mëdhenj të këtij kombi. Berti nuk është i qetë kur shikon se mosha kalon dita-ditës dhe ai nuk po thirret sërish për të treguar se ka ende personazhe të pashkruara, apo edhe të shkruara që flenë brenda qenies së tij, që regëtijnë në pritje të një ftese, për të shpalosur ato vlera të qenësishme që ky aktor i madh mban brenda genit të tij shqiptar. Bota është e madhe, por është edhe e vogël sa një kërthizë për shkak të zhvillimit të teknologjive të komunikimit dhe informacionit. Pikërisht përmes këtij zhvillimi ne kemi sot në shtëpitë tona madhështinë e aktrimit të Albert Vërrisë. Më është bërë shprehi edhe për shkak të natyrës time të humorit non- stop që fsheh brenda vetes, por që pak kush e di që e zotëroj, se hera-herës kur kthehem në shtëpi, apo kur qëndrojë në mjediset e saj përdor batutat e artistit të madh Albert Vërria. Kur kam ndonjë debat me gruan apo djemtë për shkak të ndonjë paqartësie, unë përdor batutën e xha Sulos. “Me cilin sy e pe ti more, me atë me xham, apo me këtë pa xham”. Ose, ose, i them ndonjëherë gruas me shaka (por serioz): E more vesh? Jo, ma kthen ajo me kuriozitet. “Kanë vrarë Kapural Pelegrinin”, i them unë. Ose, ose, më je bërë si “Soll Lili”, është një tjetër batutë e Bertit, apo “memecit i erdhi goja” etj.. Por ajo batutë që nuk më ndahet, jo vetëm në shtëpi por edhe jashtë saj, është tek filmi “Shtigje lufte”. Futem në shtëpi dhe i them gruas: “Vdekje Fashizmit. Na ka dërguar shtabi i çetës, kemi nevojë për ushqime, veshmbathje dhe pare, prandaj erdhëm që ti marrim”. “Ju s’keni si i merrni, ne ua japim vet”, ma kthen ajo. “Mbledhim fshatin, e pleqërojmë dhe…” “Jo more, do pres çeta sa të mblidhet fshati juaj”, i them unë dhe shkrihemi së qeshuri. Ky është Albert Vërria që nuk na ndahet këmba këmbës. Është madhështia e këtij aktori të papërsëritshëm, e këtij mjeshtri të skenës dhe ekranit, që nuk mund të rri i qetë pasi do na ngacmojë ndërgjegjen hera-herës me veprimtari të tilla mbresëlënëse. Pas çeljes së ekspozitës me fotografi, tre vjet më parë, dhe që na ngjanin si piktura, mbarsur me personazhe nga bota e tij e kinemasë, Albert Vërria vjen sot me librin e tij të rëndë dhe luksoz “Rrëfim paradoksal”, i cili ka parë dritën e botimit me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, fal mbështetjes dhe kujdesit të Kryetarit të Bashkisë së Vlorës zotit Shpëtim Gjika. Rrëfim paradoksal në vetën e parë, të dytë, të tretë?! Çka dashur Albert Vërria të na tregojë me këtë rrëfim, me këtë dialog mes të dyja botëve që përjeton njeriu?! Kuptohet, Albert Vërria bashkëjeton me personazhet e tij. Ai u flet atyre, i pyet se ku gjenden tani, se a e mbajnë mend kur kishte veshur lëkurën e tyre dhe sillej rrotull në skena dhe sheshe xhirimi, duke i bërë ata të vuanin, të ndëshkonin, të ngërdhesheshin dhe të vdisnin me qëllim që të na përcillnin neve opinione dhe botëkuptime, emocione dhe mesazhe, hera herës edhe paradoksale… Albert Vërria i kërkon personazhet e tij edhe në botën e përtejme, mes galerive të errëta të tokës. Ai i takon ata përmes imagjinatës së tij të shprehur dhe u kërkon që ta presin një ditë, ndoshta të largët, pasi ai atje do të shkojë, mes tyre ndoshta… Rrëfimi i Albert Vërrisë është i gjatë. Ai ecën pa u ndalur mbi shinat e historisë së Shqipërisë moderne dhe na e dëshmon këtë pjesëz të historisë në mënyrë paradoksale, fal punës vigane të redaktorit, mjeshtrit Prof. Dr. Josif  Papagjonit. Albert Vërria, ky kauboj tinëzar, pasi unë kam bindjen se Berti e ka ëndërr të luajë një film Uestern në Hollivud, pasi bota e tij e madhe e talentit është gati në çdo çast të na dëshmojë pafundësinë e saj të galerisë së tipave dhe personazheve që presin në arkivat e trurit dhe shpirtit të tij endacak. Albert Vërria nuk ndalet së kërkuari nga vetja e tij. Ai pret pa u lodhur dhe sfidon moshën, pasi tani në këtë moshë Berti duket pa makijazh ai xha Sulua i vitit 1972, kur Berti i kishte veshur lëkurën. Na i hodhe njëherë atëherë, i tha me shaka Bertit, Shpëtim Gjika, gjatë përshëndetjes së tij, tani s’ke ku vete xha Sulo. Por Albert Vërria është një galeri e pafund tipash dhe personazhesh dhe pikërisht këto personazhe nuk e lenë të qetë atë, pasi i shfaqen çdo natë në ëndërr dhe bisedojnë me të, jo vetëm në botën e të gjallëve, por edhe në botën e të vdekurve. “Rrëfim paradoksal” është një testament brilant që Albert Vërria u lë brezave, si një dëshmi e madhështisë së tij aktoreske, si një mesazh që vjen nga yjet për të shkuar së bashku me Bertin përsëri tek yjet në universin e pafund. Duke i uruar Bertit jetë të gjatë, e urojë sinqerisht për botimin e këtij libri, që jo vetëm na pasuron bibliotekat, por mbetet faltorja ku duhet të falen aktorët e rinj të Shqipërisë. Albert Vërria pret një ftesë për të vrapuar si një djalosh drejtë shesheve të xhirimit, atje ku marrin jetë dhe formatohen personazhet paradoksal të kësaj bote. Faleminderit Albert Vërria, “Artist i Popullit” shqiptar!

Çlirim HOXHA