Romani-:Premtime dhe Përbetime, Dekor i Rremë” i Dhimitër Pangos

526
Sigal

Oficeri e vërtiti pasaportën e tij disa herë nëpër duar dhe së fundi iu drejtua maqedonisht

Botimet “Dita 2000”

 Sytë e prostitutës moldave

 Ndërmjet udhëtarëve të fundit të linjës ajrore zvicerane që kaluan kontrollin e pasaportave të aeroportit të kryeqytetit maqedon atë ditë dhjetori të vitit 2003, të binte në sy një burrë me kapelë republike dhe një pallto gri të mbyllur, me pamjen e një afaristi, e cila nuk përputhej fare as me formimin e tij intelektual e as me natyrën e tij. Oficeri e vërtiti pasaportën e tij disa herë nëpër duar dhe së fundi iu drejtua maqedonisht:

–      Jeni francez, apo jo? Pasagjeri, ndonëse e kuptonte dhe e fliste gjuhën e tij, parapëlqeu t’i përgjigjej frëngjisht sa më shkurt:

–      Nuk ju kuptoj, zotëri.

Oficeri e përsëriti pyetjen e tij me një anglishte të kuptueshme për këdo, përveç një anglezi:

–      Are you a French?

–      Of course. Vvhat do you think I am? – iu përgjigj ai me një ton sa më bindës që mundi. Ai e dinte se shkak për atë pyetje ishte mbiemri i tij dhe vendlindja.

Pas përgjigjes së tij, oficeri i ktheu pasaportën dhe pasagjeri u fut në sallën e pritjes së bagazheve, ku njerëz të shumtë vërtiteshin në të gjitha drejtimet. Nuk mund të

kuptoje se kush ishte punëtor shërbimi i aeroportit, kush udhëtar e kush shofer taksie që përpiqej të gjente një klient. Para vendkalimit të daljes nga aeroporti zhurmonin me thirrje në gjuhën maqedone, anglisht, frëngjisht e gjermanisht një numër i madh qytetarësh që prisnin të afërmit e tyre dhe, kryesisht, shoferë taksish.

Disa minuta më vonë, shoferi i taksisë në të cilën kishte hipur, e pyeti nëse mund të fliste gjermanisht me të. Pas pohimit, shoferi nuk pushoi së bëri një varg pyetjesh rreth vendit ku banonte, qëllimit të vizitës së tij në Maqedoni, punës që kishte kryer, përbërjes familjare e të tjera, të cilave qytetari francez iu përgjigj sa më shkurt që mundi.

Kur taksia ndaloi te stacioni i autobusëve, i huaji nxori nga xhepi 15 euro, por shoferi i pakënaqur i tha se duhej t’i paguante njëzet.

–      Përgjegjësi juaj në aeroport më tha se rruga kushton vetëm pesëmbëdhjetë euro, zotëri.

–      Shoferi nguli këmbë se përgjegjësi i kishte thënë njëzet e se, ndoshta, gabimisht, për shkak të mosnjohjes së gjuhës ky duhej të ishte një keqkuptim dhe formoi një numër telefoni.

–      Kadri, po çfarë mut i ke thënë pasagjerit, – i tha ai abonentit në gjuhën shqipe. Shoferi dëgjoi përgjigjen, këputi një “ashtu pra” dhe i zgjati celularin të huajit.

–      Jo, nuk është nevoja, zotëri, – iu përgjigj i huaji shqip dhe i zgjati edhe një kartëmonedhë pesë eurosh.

-A qenkeni shqiptar, a? – pyeti shoferi, futi kartëmonedhën në xhep dhe nxitoi t’i hapte derën e t’i jepte bagazhin.

Pas një ore ai ndodhej i ulur në ndenjësen e parë të krahut të majtë të kabinës së një mikrobusi që do ta çonte në qytetin e Strugës. Nga Shkupi deri në Tetovë rruga automobilistike gjarpëron mes fshatrash të shumta të banuara nga shqiptarë.

Disa muaj më parë ishte e rrezikshme të udhëtoje për shkak të përleshjeve me armë ndërmjet dy kombësive, por pas marrëveshjes së Ohrit, nën trysninë e diplomacisë botërore, në Maqedoni ishte rivendosur qetësia.

Një muaj më parë, qytetari francez kishte festuar gjashtëdhjetetre vjetorin e ditëlindjes dhe as që kishte ndër mend ta ndërmerrte atë udhëtim, por diçka e ngutshme e kishte detyruar të fluturonte drejt Maqedonisë. Pesë pasagjerët e tjerë ishin maqedonë. Shoferi ishte një djalë rreth të njëzetepestave dhe, me sa dukej, e kryente atë rrugëkalim dy apo tre herë në ditë. Francezi shikonte peizazhin nga dritarja e mikrobusit, ndërsa udhëtarët e tjerë flisnin me zë të lartë me njëri-tjetrin, duke ndjekur me sy pamjet që shpaloseshin gjatë rrugës gjarpëruese mes kodrash të pyllëzuara.

–      Ja edhe një xhami tjetër! Para një muaji, kur kalova këtej, nuk ishte, – dëgjoi ai një nga udhëtarët që ishte ulur pas shpinës së tij.

–      Kanë para me thasë e nuk dinë çfarë të bëjnë me to, – dëgjoi ai të thoshte një tjetër.

–      Janë ata mjekroshët me dollma deri në fund të këmbëve nga Arabia Saudite që i ndërtojnë, – ndërhyri një i tretë.

–      E ka fajin qeveria që i lejon, – iu përgjigj bashkëbiseduesi.

Nga bisedat që dëgjonte, gjashtëdhjetetrevjeçari u bind

se pajtimi i dy kombësive ishte ende larg. Këtë bindje e përforcuan tabelat e sinjalizimit të qarkullimit rrugor dhe ato të vendbanimeve. Në shigjetën që tregonte drejtimin Skopje, dikush kishte fshirë emërtimin maqedon të qytetit dhe kishte shkruar emërtimin shqip: Shkup. Këtë dukuri francezi e vuri re gjatë gjithë rrugës. Lufta vazhdonte në mënyra të tjera, për të përgatitur vdekje e mynxyra të reja.

Atë natë qytetari francez, Kleodor Prifti, e kaloi në hotel “Drim”, të cilin shqiptarët e quanin hotel “Drini” Hoteli ishte një ngrehinë e madhe buzë liqenit të Ohrit, i paracaktuar për nëpunësit e lartë të administratës shtetërore në kohën e Republikës Federative të Jugosllavisë. Pamja ishte me të vërtetë e magjishme.

–      Dita e nesërme ishte e kthjellët. Kleodori doli nga hoteli për të thithur ajrin e ftohtë e të pastër e për të soditur liqenin. Rreth dyqind hapa larg hotelit u gjend mbi një urë. Një rrymë e madhe uji dilte nga liqeni. Ishte burimi i lumit Drin, emrin e të cilit mbante hoteli. Nën këmbët e tij, uji ishte i pastër, i kristaltë, i tejdukshëm. Rreth tridhjetë vjet më parë banorët e qytetit pinin ujin e liqenit, por më pas uji ishte ndotur nga hedhjet e mbeturinave të shumta të ndërtimeve turistike e të tjera.