Romani “Përdhunuesit”, i Dhimitër Xhuvanit i ngelur përgjysmë në Pogradec

1460
Jeta e ka detyruar që krahas punës së shkrimtarit të ushtrojë edhe profesionin e mësuesit, gazetarit, redaktorit, montatorit, elektricistit dhe saldatorit. Motoja e krijimtarisë së Dhimitër Xhuvanit ka qenë dhimbje dhe indinjatë. Është autor i më shumë se 40 veprave si romane, drama, skenarë filmash, përmbledhje me tregim, novela dhe përralla për fëmijë. Është fitues i shumë çmimeve letrare si dhe laurant i çmimit të Republikës
——————————————————————-
Pogradeci përveç se është qytet i turistëve të shumtë, dhuruesve të ujit të ëmbël, aji i “mjaltit” të sapo martuarve. Pogradeci është edhe qytet i poetëve, shkrimtarëve dhe artistëve. Por ka pasur një mysafir krejt të veçantë për çdo verë, shkrimtarin Dhimitër Xhuvani që në 75 vitet e jetës së tij, 73 vite tre muaj të verës, qershor, korrik, gusht i ka kaluar në Pogradec (vetëm në çmendurinë e vitit 1997 ai nuk ka ardhur në Pogradec. Këtë verë që po kalon i mungon Pogradecit mysafiri I veçantë, pasi më 19 tetor të vitit 2009 ai u nda nga jeta). Dhimitër Xhuvani ka lindur në vitin 1934 në qytetin e Pogradecit. Ishte djali i mësuesit të nderuar elbasanas Kostaq Xhuvanit. Në vitin 1944 familja e tij shpërngulet nga Pogradeci në kohën kur erdhën gjermanët dhe ikën muhaxhir në Mokër ku kanë qëndruar deri sa është çliruar vendi dhe më pas janë kthyer në Elbasan. Dhimitri pas shkollës së mesme mjekësore punon në spitalet rurale të Gramshit, Librazhdit, Cërrikut dhe Peqinit. Më pas do të shkëputet nga mjekësia dhe do të vazhdojë studimet e larta në Fakultetin e Histori- Filologjisë në Tiranë dhe më pas do të shkojë të studiojë në Institutin Gorki të Moskës. Jeta e ka detyruar që krahas punës së shkrimtarit të ushtrojë edhe profesionin e mësuesit, gazetarit, redaktorit, montatorit, elektricistit dhe saldatorit. Motoja e krijimtarisë së Dhimitër Xhuvanit ka qenë dhimbje dhe indinjatë. Është autor i më shumë se 40 veprave si romane, drama, skenarë filmash, përmbledhje me tregim, novela dhe përralla për fëmijë. Është fitues i shumë çmimeve letrare si dhe laurant i çmimit të Republikës. Shumë nga veprat e Dhimitër Xhuvanit janë përkthyer në disa gjuhë të botës si në italisht, frëngjisht, anglisht, ,rusisht, kineze dhe japoneze.
Si i kalonte mëngjeset Dhimitër Xhuvani
Mëngjes herët. Nga një vilë tre kate, fare pranë bregut të liqenit, dilte një çift i moshuar të kapur për dore. Ishte shkrimtari i mirënjohur, Dhimitër Xhuvani dhe bashkëshortja e tij, Fatmira. Ata dalin qetësisht dh buzë bregut të liqenit. Dhimitri qëndron një çast dhe vëren me kujdes qetësinë e liqenit që më pas përzihet me klithjen e pulëbardhave. Vazhdon ecën përgjatë parkut të madh të qytetit i humbur mes kujtimesh të largëta nga ky qytet ku ai ka lindur dhe nuk i është ndarë asnjë verë pa kaluar pushimet këtu, në qytetin e Lasgush Poradecit dhe të Mitrush Kutelit. Me vështrimin e qetë dhe pamjen e tij serioze dhe meditative ai përshëndet kalimtarët prej të cilëve ka shumë e shumë të njohur dhe miq në këtë qytet. Veshja e tij sportive e tregon Dhimitrin më të ri dhe dinamik. Më pas qëndron pranë një kafeneje që ai preferon. Ai tret vështrimin përtej qelqeve të dritares së kafenesë në breg të liqenit. Avujt e kafesë së ngrohtë ngatërruar me fjollën e tymit të cigares së tij, i japin një tis të ëndërrt rrëfimit të tij që e detyron atë të baresë në një kohë tjetër. Ishte starti i tij prej prozatori që jo vetëm daton larg prej këtej por afron të sotmen me kujtime të përziera. Emocione të herës së parë pëshpërima lexuesish të magjepsur përgëzime kolegësh, ngacmime kureshtarësh, trumbeta suksesi por dhe zemërimi i diktaturës nga pasqyrimi realist i ngjarjeve dhe fenomeneve. Vepra “Tuneli” i hapi jo pak telashe duke e çuar në prodhim për tu “riedukuar në gjirin e klasës punëtore”, por Dhimitri nuk ka qejf ta zgjati bisedën për këtë temë. Diktatura kishte kornizat e saj dhe duhej që të qëndrojë brenda këtyre kornizave, por kuptohet të dilje nga këto korniza do të thotë që të prisje pasojat. Por ne zhvilluam një interviste me shkrimtarin e mirënjohur Dhimitër Xhuvani i cili iu përgjigj me kënaqësi pyetjeve tona. 
———————————————– 
Flet Dhimitër Xhuvani
Pse kjo lidhje kaq e ngushtë me Pogradecin?
Unë në Pogradec kam lindur, kam kryer shkollën fillore dhe jam larguar në moshën 10 vjeç, në kohën e luftës së dytë botërore, për t`u rikthyer më pas çdo verë nga tre muaj në këtë qytet turistik me njerëz të mirë dhe natyrë të mrekullueshme. Pogradecarët janë njerëz të dashur dhe mikpritës. Kur të japin çelësin e shtëpisë me qira ku pushon të duket sikur e ke shtëpinë tënde, kur merr çelësin e shtëpisë bëhesh mik me ata .
Ju e keni kaluar çdo verë në Pogradec, a ka ndikuar kjo në krijimtarinë tuaj?
Shumë, pothuajse të gjitha veprat e mia janë shkruar në Pogradec, në këtë qytet me një sharm krejt të veçantë ku ka buruar muza ime e krijimtarisë. Unë po iu rreshtoj disa nga veprat e mija që janë shkruar në Pogradec. Romanin “Përsëri në këmbë”, skenarin e filmit “ Mëngjese lufte” me regji të Kristaq Dhamos, “ E diela pas vdekjes”, “Jeta në arkivol”, “I mbijetuari i Otrantos”, “ Kupa e Helmit” , “Letra e Sonjës”, “Dashuri e harruar” apo skenarët e filmave “I dashur armik”, “Një ditë nga një jetë” , “ Lindje Perëndim” që është duke u xhiruar me regji të djalit tim Gjergj Xhuvanit, e shumë përmbledhje të tjera me tregime dhe novela.
Po fabula a janë marrë nga ky qytet dhe krahinat përreth?
Patjetër. Pogradeci është një zonë me një kulturë të veçantë, vetëm një javë pas hapjes së Mësonjëtores së parë të shkollës në Korçë është hapur shkolla e parë në Pogradec. Ja p.sh si për ilustrim. Ju e keni parë filmin “ Një ditë nga një jetë”, unë atë film ia kam kushtuar një infermieri pogradecar, Laqo Bushos. Një hero i vërtetë, nuk ka lënë derë pogradecare pa i bërë injeksione dhe mjekuar plagë, njeri që rrezaton mirësi dhe dashuri tek njerëzit. Laqua është mëshirimi i njeriut të mirë. Laqua sot jeton në varfëri me një pension modest. Apo skenari i filmit “Mëngjese Lufte” ku është tërë fëmijëria ime në qytetin e Pogradecit gjatë luftës së vështruar nga sytë e një fëmije të vogël. 
Përveç një skenari filmi “Mëngjese lufte” skenarët e tjerë shkruar nga ju janë ekranizuar nga djali juaj Gjergj Xhuvani?
Po patjetër, me djalin tim Gjergjin i kam realizuar dhe do t`i realizoj edhe në të ardhmen. Në familjen tonë shpesh bisedat rreth temave të ndryshme artistike që diskutojmë kthehen në një debat artistik që padyshim unë marr edhe mendimin dhe sugjerimet e Gjergjit dhe të nuses së djalit, aktores së Teatrit Popullor, Liza Xhuvani. Po iu them që merr pjesë në këto debate edhe gruaja ime Fatmira, kështu filmi “I dashur armik” ka lindur nga një rrëfim i gruas sime mbi një ngjarje të kohës së luftës që kishte ndodhur në familjen e saj. Gruaja ime rrjedh nga familja e elbasanase Belegu. Ajo ka qenë një familje e nderuar që e mbante derën hapur për miqtë dhe njerëzit që kërkonin ndihmë. Vëllezërit e nuses kanë studiuar në Vjenë, madje dhe njërën nuse e kanë austriake (Pola). Në shtëpinë e tyre vinte edhe Baba Faja Martaneshi, vinte strehohej edhe ndonjë partizan i plagosur që kërkonte ndihmë, strehohej edhe ballist i plagosur, një ushtar italian që kishte dezertuar, fshihej një hebre, vinte si mik një gjerman. Pra në këtë familje nuk ishte primare politika por njerzillëku. Kjo familje ka pasur si parim baze: “Të njoh, të hap derën, të kam mik, të pres si mik ,nuk të njoh por kërkon ndihmë, përsëri të pres dhe të jap ndihmë”. E gjithë kjo histori nga është marrë kjo fabul ka ndodhur në familjen e vjehrrit tim e rrëfyer nga gruaja ime Fatmira, e cila na ngacmoi me Gjergjin dhe unë shkrova skenarin “I dashur armik” dhe Gjergji e realizoi regjinë e këtij filmi.
Çfarë iu pëlqen dhe çfarë nuk iu pëlqen në Pogradec?
Në Pogradec më pëlqejnë njerëzit, janë shumë miqësorë dhe të dashur, kanë një të folur të figurshme, prindërit i trajtojnë fëmijët e tyre si të rritur. Më pëlqen natyra, liqeni. Nuk më pëlqen kaosi urbanistik, ndërtesat shumëkatëshe që kanë bllokuar bregun e liqenit. Në Pogradec kanë ardhur në vitet e trazicionit shumë më tepër banorë sa mund të mbajë qyteti realisht. Shoh se ka shumë papunësi dhe varfëri në qytet dhe kjo më trishton. Ashtu siç më vjen mirë që qyteti ka siguruar ujë të pijshëm 24 orë dhe ka mbaruar pjesa kryesore e kolektorit të ujërave të zeza, dhe ato nuk derdhen më në liqen apo ndryshimet e infrastrukturës e qytetit në rrugë dhe parqe. Gjithsesi Pogradecin e dua me të mirat dhe të këqijat e tij, sigurisht që dua që të mirat të evoluojnë sa më shpejt dhe të metat të frenohen.
Çfarë po shkruan këtë vit Dhimitër Xhuvani në Pogradec?
Sapo ka dalë në treg romani “Dashuri e harruar” që e shkrova verën e kaluar, ndërkohë që jam duke shkruar një roman të ri, të titulluar “ Përdhunuesit”. Këta të romanit tim të ri nuk janë përdhunues ordinerë, që rrëmbejnë me vetura femra tek dyert e gjimnazeve apo në disko. Janë disa lloje të veçantë përdhunuesish të veshur me kostume “Versace”. Është ai takëm agallarësh të rinj pushtetarësh apo drejtues institucionesh, që pasi iu jep karrigen e madhe mundohen që të “privatizojnë” edhe femrat e reja dhe të bukura që ka institucioni dhe t`i quajnë si pronë të tyre. Madje edhe kur shpallin konkurset dhe një nga kushtet është të jetë e bukur dhe me moshë të re. Por përbri këtij takëmi është edhe një takëm tjetër që unë do të futja pronarët e firmave apo siç e quajnë veten presidenti X firme, edhe kjo kategori abuzon me femrat duke i tunduar merr rritje rroge apo pushim nga puna. Këta për mua në romanin e ri janë një lloj përdhunuesish që shfrytëzojnë paratë edhe karrigen për të shtënë në dorë femra të bukura, të cilave iu shkatërrojnë jetën. Kam zgjedhur një fabul shumë interesante, kam shkruar më shumë se gjysmën e romanit dhe kur të vij në Pogradec në verën e vitit 2010 do ta përfundoj. Por vdekja nuk e la shkrimtarin e urtë dhe të mirë që të mbaronte këtë roman, ai ka lënë një një galeri të tërë veprash dhe skenarë filmash që padyshim janë si gurë të çmuar në kulturën tonë kombëtare.
Bardhyl Berberi
Sigal