Romani “Gruaja me të zeza”i Vojsava Nelos, befasues

803
1-Romani Gruaja me të zeza është një narracion artistik që tipologjikisht qëndron shumë afër me romanin magjik. Shkrimtarja e mirënjohur, Vojsava Nelo, ndërton një vepër në të cilën kohët, ngjarjet, personazhet dhe përjetimet vendosen në kufi të ekzistencës së tyre. Kjo mënyrë rrëfimi i jep narracionit dramacitet dhe tension që e bëjnë lexuesin “t’i mbahet fryma”. 
Vetë prototogonstja e romanit, Gruaja me te Zeza shfaqet herë si një personazh real, herë si një fantazëm; herë e dukshme dhe herë e padukshme, duke përhapur një makth tragjik; duke shkatërruar njerëz dhe jetë njerëzish me tradhëtinë, pabesinë dhe perversitetin pa cak. 
Autorja, duke rifuksionalizuar artistikisht simbole dhe kumte që vijnë nga legjendat; tekste dhe mendësi të botës magjike, realizon një çvendosje semantike të tyre në kohët e sotme. Përmes kësaj mënyrë krijuese shkrimtarja përcjell mesazhin se progresi i njeriut dhe shoqërisë ndjek një trajektore dramatike. 
Gruaja me të Zeza i vjen autores si një imazh nga fëmijëria, që e ka aty, brenda, të mbytur, por papritur e pakujtuar, i del përpara. Ballë për ballë. 
Ç’ndodh me autoren?! Po me Gruan me të Zeza?! Përgjigjen e këtyre pyetjeve dhe shumë të tjerave e mësojmë duke lexuar romanin, i cili të intrigon me fabulën interesante, të trondit me dramacitetin dhe të emocion thellë me sintaksën tepër poetike. 
2.Fragment nga romani
– Do ta vras. Do ta vras sapo të hyjë në derë… 
…Me t’u hapur dera dhe ai hyri, ajo shkrepi plumbin e parë, siç e kishte paramenduar. Drejt e në organet gjenitale.
Shpërbërja e parë.
Pa pritur shumë, plumbi i dytë. Drejt e në kokë. Andej nga burojnë të gjitha të këqiat; mendimet, planet dhe prapësitë ogurzeza të njeriut. 
Me këtë plumb, të dytin, donte të vriste pikërisht atë, Gruan me të Zeza, që i shkaktoi njëmijë e një të zeza, që e shkatërroi përfundimisht dhe e bëri të notojë në këtë pellg gjaku, që ndjeu ta zinte, dhe, pa humbur kohë, lëshoi plumbin e tretë. Drejt e në zemër. 
Këtu ai mbylli sytë. Përgjithmonë. Ata sy që, deri në çastin e fundit i mbajti mbërthyer tek ajo, ndërsa e vriste pa u lëkundur.
U shtri sa gjatë gjërë, duke humbur në gjakun e vet, i cili po dilte nga dera e hapur, poshtë shkallëve, si lumë. Aty ra e u mbyt edhe ajo. 
Nuk pa e nuk dëgjoi më.
Kur u përmend… 
3.Jetëshkrimi
Vojsava Nelo lindi në Delvinë, ku nisin fillimet letrare të saj. Që në adoleshencë publikoi krijimet e para në revistat e kohës. 
Në vitet universitare botoi librin e parë, “Kur çelin ëndrrat” (poezi), i cili u mirëprit nga kritika, duke i hapur rrugën e gjatë të krijimit letrar. 
Në vitin 1977 u pranua anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. 
Krijimtaria e saj letrare-artistike është tejet e pasur, ku një vend të madh zënë librat me poezi si: “Mbretëroj”, 1995, “Idil në dy akte”, 1997, “Benvenuta Artemida”, (shqip-italisht, 2001), “Tretur tek puthja”, (lirika për dashurinë), 2004, “Gërsheti i prerë“, 2010. 
Gjithashtu ka botuar sukseshëm romanet, “Mikesha e yjeve”, 1999, “Vajza e gjysmës së Diellit” 2002, “Të fshehtat e mikeve të mia”(Njëzetë e një ngjarje në një, 2007). “Gruaja me të zeza” 2015. 
Është ndër ata autorë që mban lidhje intensive me lexuesin e saj, brenda dhe jashtë vendit.
Vojsava Nelo është autorja e mbrëmjes poetike-teatrore “EJA TË DUHEMI”, vënë në skenë nga Teatri Metropol në kuadër të 100-vjetorit të Krijimit të Shtetit Shqiptar, (21 mars, 2012).
Ka marrë pjesë në disa takime poetike kombëtare, ballkanike e Ndërkombëtare, duke u përfshirë në antologjitë përkatëse. 
Krijimtaria e saj është vlerësuar me çmime të rëndësishme si, çmimi i dytë „Për botimet më të mira të vitit“, në gazetën „Drita“, 1977; çmimi “ASDRENI“ në Netët Korçare të Poezisë, 2010, etj.
Vojsava Nelo mban titullin, “QYTETARE NDERI”, dhënë nga Këshilli i Bashkisë së qytetit të Delvinës. 
Sot, shkrimtarja Vojsava Nelo është një zë origjinal i letërsisë shqipe si në poezi, ashtu dhe në prozë. 
Sigal