Roland Koça: Kam luajtur me gjigandët Spiro Strati, Ramzan Ngjala, Gjergj Vlashi

1403
Sigal

INTERVISTA. Flet humoristi i talentuar Roland Koça: Në darkë varrosa gjyshen, në mbrëmje isha në skenë

Këtë vit ai mbush plot 41 vjet në skenë. Pra gjithë jetën e tij, pa u larguar asnjë ditë prej Estradës së Durrësit, që prej Majit të vitit 1973. Një jetë të mbushur me role dhe ngjarje nga më të bukurat.

 Kur keni filluar për herë të parë në Estradën e Durrësit?

 Për herë të parë kam si diletant, amator, pasi jam aktivizuar me Ndërmarrjen e Gomë Plastikës, Durrës. Ishte viti 1967 kur unë kam marrë pjesë për herë të parë në këtë ndërmarrje me estradën e saj. Unë vazhdova të marr pjesë me këtë ndërmarrje, por edhe me ftesa të ndryshme edhe në estradën profesioniste të Durrësit deri në vitin 1968. Në këtë vit, pra 1968, deri në vitin 1971 isha ushtar. Sa dola nga ushtria më thirrën sërishmi pranë kësaj estrade sërishmi si amator. Në vitin 1973 me propozim të organizatës bazë të Partisë së Estradës dhe të regjisorit Gjergj Vlashi, Komiteti i Partisë, më emëruan në Estradën e Durrësit. Ishte maji i vitit 1973.  Në këtë maj që vjen unë bëj plot 41 vjet si profesionist në Estradën e Durrësit.

 A jeni aktivizuar rregullisht në Estradë?

Plotësisht. Me role të plota, asnjëherë nuk jam lënë në prapavijë.  Kam punuar me gjigandët e humorit durrsak si Spiro Strati, Ramzan Ngjala, Gjergj Vlashi. Këta ishin ata gjigandë që unë i gjeta dhe më hodhën dorën. Pastaj aty erdhi dhe Aishe që përbën një  zë të veçantë, një aktore shumë cilësore. Këtu përmend dhe  Meropi Xhojën bashkëshorten e të madhit Nikolin Xhoja. Një vit më vonë erdhi dhe Fadil Hasa.

 A kishte gjallëri jeta artistike e asaj periudhe?

Diktatura kishte shumë të këqija, por jeta artistike ishte e mbushur. Mund të them se ne kishim çdo ditë shfaqje. Ne bënim pushim vetëm të hënën. Kishte rregull dhe kërkesa të larta. Sidomos përsa i përket përmbajtjes së skeçeve, nuk kishte zhargone dhe fjalë të pista. S’të falte njeri ahere. Kaloje në vrimë të gjilpërës. Të ikte koka për një fjalë. Nuk numërohen shfaqjet që kemi vënë në skenë. Kishim aq shumë punë sa nuk dallonim ditët e javës?

Që kur ke filluar me këtë estradë nuk je shkëputur asnjë ditë?

Asnjë. Ditë. Ndodhën ndryshimet. Eksodi, lëvizje demografike, unë nuk lëviza vendit. Ndaj thashë kam plot 41 vjet në Estradën e Durrësit, pa lëvizur asnjë ditë.

 I keni numëruar rolet tuaja?

Jo, nuk kam qenë i apasionuar pas numërimit. Kjo për shumë arsye, por më kryesorja është se neve në regjimin komunist bënim 4 premiera në vit, përpos këtyre merrja pjesë edhe në teatër apo komedi, kështu që, numri i tyre është i madh. Kështu që llogaritë nuk dalin të sakta. Pra mund të them se janë mbi  100 role, ose 100 figura. Kjo një mesatare, po mund të them se kudo kam shumë role të tjera bashkëpunuese.

 Cili  është roli që ju ka evidentuar më së miri, në qytetin tuaj? Pra roli që ju etiketojnë apo ju flasin me emrin e personazhit të rolit?

 Në fakt ka disa figura që evidentohet çdo artist. Artisti në përgjithësi në rolet e tij ka shumë kërkesa për të arrirë një majë, një pikë kulmore, ku dhe evidentimi të ketë një bazë. Unë në regjimin komunist kam pasur një personazh, një student turk…Ku dialogu im më thoshte diçka, unë i përgjigjesha për diçka tjetër, ai diçka tjetër, pra bëhej një sallatë, që se merrte vesh qeni të zotin. Katrahurë. Për një periudhë të gjatë filluan të më flasin o turko, o turko. Pra gjullurdia. Katranosja. Më pëlqente ky epitet, pasi më bënte evident.

Po më vonë?

Ah, tashti më kanë ngjitur nofkën, O Hasan ti je budalla. Pra në një skeç në vitin 1993 unë kisha rolin e Hasanit, që bënte të paditurin. Këtë skeç e dhamë shumë edhe për emigrantët tanë në Greqi dhe Itali. Ndoshta ky skeç, ky personazh ngjiti. Sa futesha në skenë fillonin të pranishmit o Hasan o budalla. Në Tiranë dhe Durrës ky emër është bërë refren për mua. Madje, në Tiranë më thonë o Hasan ti je rrotë. Qesh me vete. I theksova këto dy role që kanë pak më tepër ndikim te spektatori, pasi nga mbi 100 role disa kanë ngelur. Jo të gjithë rolet ngelen.

 Kë ke takuar nga udhëheqësit e kohës, apo kë nga sekretarët e parë në Durrës ke takuar, apo ju është gjendur pranë?

Nuk kam takuar nga afër asnjë udhëheqës si p.sh Enver Hoxhën apo Mehmet Shehun. Por kam takuar dhe kemi pasur marrëdhnie shumë të mira me sekretarin e parë në Durrës, Muho Asllani. Ai ishte një udhëheqës shumë artdashës. Nuk linte premierë pa ardhur. Gjithmonë na ndihmonte dhe na përkrahte. Mua s’më intereson politika fare, po flas për artin. Ai e donte artin dhe na nxiste për rezultate. Por ruaj respekt edhe për Lenka Cukon pasi ka ardhur disa herë na ka takuar, madje dhe në skenë dhe na ka inkurajuar. Këto kanë qenë takime kolektive, takime pune, pa asgjë individuale.

 Sot shumë estrada, teatro janë mbyllur, cili është mendimi juaj?

Sot kanë ndryshuar sistemet, kanë ndryshuar tematikat. Ahere çdo gjë kishte tematikën e vetë. Ahere mund të kritikoje deri tek përgjegjësi apo drejtori. Kurrë nuk kritikohej një deputet apo anëtar i Komitetit Qendror. Sot flet, kritikon, madje dhe fyen deri tek Presidenti. Pra ndryshimet kanë sjellë ndryshime dhe në art. Shteti sot nuk investon çdo estradë apo teatër, ndaj iniciativa e lirë nuk mund të hedhë aq lekë. Por mbi të gjitha sot nuk ka krijues. Pra nuk ka tematikë cilësore. Kjo jo sepse mungojnë shkrimtarët, por sepse ata nuk paguhen, ata nuk inkurajohen ndaj nuk marrin lapsin të shkruajnë. Pasi ahere kishte shumë njerëz të letrave që shkruanin. Shumica janë , jetojnë dhe sot, por janë këto probleme që i bëjnë ata të mos e marrin mundimin të shkruajnë. Pëllumb Kulla, Haxhi Rama, janë talente për zhanrin e humorit, por ata janë shumë pak për kërkesat e kohës. Duke qenë se nuk marrin asnjë pagesë, ku as emri nuk u përmendet ata nuk shkruajnë. Nxitja, mungon nxitja. Stimuli.

 Sot ka shumë humor banal?

Është e vërtetë. Dikur kishte humor të bukur, me fjalë inteligjente, ndërsa sot qeshet më shumë me fjalët banale dhe me gjestikulacione të tepruara. P.sh n.q.s marrim si etalon komedinë “Pallati 176”, aty fjalori është i bukur, humori vjen në sajë të fjalës inteligjente, të zgjedhur, ku dialogu është fin. Një ndër artistët e asaj komedie Roland Trebicka mbetet unik, mbetet i veçantë. Ai ishte një aktor karakteri që të dërrmonte. Kishte stil, forcë, intuitë, dialog, përmbledhje…

Kë tjetër nga aktorët e humorit do të veçoje?

Robert Ndrenikën, mbetet i veçantë. Ai i njeh dhe i vë në perfeksion të gjitha zhanret si komedinë, dramën dhe humorin që i luan pa teklif, me të njëjtën frymëmarrje. Ai është specialist i skenës.

 Cilat janë problemet e artit sot?

Në radhë të parë pagesat tepër të ulëta. Aq më keq pensionet e aktorëve, apo artistëve në përgjithësi. Ata i kanë dhënë shumë artit shqiptar. I kanë dhënë shumë artit shqiptar. Tjetra është se shumë estrada dhe teatro janë mbyllur. Qytete e tjera përveç Tiranës nuk kanë jetë artistike. Me 24 mijë lekë nuk mund t’ja dalë sot një artist.

 Keni ndonjë peng?

Të realizoja një kinokomedi, të kisha një rol. Një rol si të ishte. Ndërsa të gjitha të tjerat brenda asaj skene 11.5 metër i kam realizuar të gjitha.

 Kur je ndjerë keq në skenë?

Aktori ka shumë ditë të vështira. I sëmuret dikush apo i vdes dikush, por ai duhet të ngjitet në skenë. Roli është rol dhe spektatori s’do t’ja dijë. Kur më ka vdekur gjyshja u futa në skenë duke fshirë lotët. Isha në prova për një komedi kur vëllai më merr se hajde se ka vdekur nëna. Dhe pas 4 ditësh jam ngjitur në skenë.

 Titulli

“Naim Frashëri i Artë”