Roberto ARLT: Zotërinj! Aspiroj të jem deputet, sepse dua të vjedh sa më shumë

555
Ja teksti i fjalimit:
«Zotërinj! Aspiroj të jem deputet, sepse dua të vjedh sa më shumë dhe të “rregullohem” sa më mirë. Qëllimi im nuk është të shpëtoj vendin nga rrënimi ku e kanë zhytur paraardhësit, bashkëpunëtorët e mi të pacipë; jo, zotërinj, nuk është ky qëllimi im kryesor; unë, me lakmi dhe babëzi të papërmbajtur, dëshiroj të marr pjesë në veprimtarinë plaçkitëse për të boshatisur arkën e shtetit, aspiratë fisnike kjo, që ju duhet ta kuptoni se, për çdo kandidat për deputet, është më e fuqishme dhe më zjarrtë se mbajtja pastër e shpirtit të tij.
Zotërinj, të vjedhësh nuk është e lehtë. Për të vjedhur e grabitur nevojiten kushte të caktuara, që besoj se nuk i kanë rivalët e mi. Para së gjithash, nevojitet të jesh një cinik i përsosur, dhe ju siguroj se jam i tillë. Zotërinj qytetarë, mos e vini në dyshim këtë. Në radhë të dytë, duhet të jesh tradhtar, dhe unë i tillë jam, zotërinj. Duhet të dish të shesësh në kohën e duhur, jo në mënyrë të paturpshme, po në mënyrë “evolutive”. Jam i aftë të sajoj edhe termin që do të zëvendësojë fjalë tradhti, që është aq i nevojshëm në këto kohë; t’i shesësh vendin ofruesit më të mirë, është një punë sa e mbrapshtë aq edhe e vështirë, sepse e kam kuptuar, zotërinj, që pozicioni ynë, domethënë, pozicioni i vendit tonë është i tillë që nuk gjen dot blerës as për pesë lekë, sidomos në këtë moment historik dhe tejet të rëndësishëm, në të cilin ndodhemi. Kini besim, zotërinj, unë do të jem një hajdut, por, para se të shes vendin për një pjatë groshë, besomëni, preferoj të jem i ndershëm. Mbështetni madhështinë e sakrificës sime dhe do ta shikoni se unë jam kandidati më i përsosur për deputet.
Është e vërtetë se dua të vjedh, por, më thoni: cili nuk do të vjedhë? Më thoni, ju lutem, kush është ai i pafytyrë që në këto kohë të turbullta nuk dëshiron të vjedhë? Nëse më gjeni një njeri të tillë të ndershëm, unë do të vrasë veten. Edhe shokët e mi duan të vjedhin, këtë s’e luan as topi, por ata nuk dinë të vjedhin. Ata do ta shesin vendin për hiçgjë dhe kjo nuk është e drejtë. Kurse unë do ta shes atdheun tim, ashtu siç duhet. Ju e dini se arka e shtetit është katandisur mosmëkeq, domethënë, ka mbetur pa një kacidhe dhe s’ka me se të paguhen borxhet e jashtme; epo, mirë, unë do ta nxjerr vendin në ankand për njëqind rroga mujore, që nga jugu në veri, dhe jo vetëm do të tregtoj shtetin, por do të bie në ujdi me biznesmenë të fuqishëm, me falsifikatorë ushqimesh e ilaçesh, me koncesionarë; do të siguroj armë të paefektshme për shtetin, gjë që është shumë efikase për të shmangur luftën, sesa kur ke armë ofensive, domethënë të efektshme; do të blej tagji të mirë për kalin e drejtorit të burgjeve dhe gjellë-lëtyrë për të burgosurit, do të blej afishe për spote, do t’u vendos taksa mushkonjave dhe qenve, taksa për tullat dhe kalldrëmet…
Po çfarë nuk do të vjedh unë, zotërinj? Ja, më thoni ju, zotërinj të nderuar, çfarë nuk do të vjedh unë. Nëse ju jeni në gjendje të më thoni qoftë edhe një gjë materiale të vetme që unë nuk jam i aftë ta vjedh, atëherë, unë “ipso facto” heq dorë nga kandidatura ime…
Mendojeni për një minutë, qytetarë të nderuar. Mendojeni. Unë di të vjedh. Jam një hajdut i madh. Dhe në qoftë se nuk besoni në fjalën time, shkoni në Drejtorinë e Policisë dhe kontrolloni dosjen time. Do të shihni se ç’performancë kam. Kam qenë i ndaluar për hetim bëmash të tilla nja tridhjetë herë; ndër të tjera për trafik armësh, që natyrisht nuk ishin të miat, po ashtu jam aktivizuar dhe kam kryer detyrën e konkurrentit të rremë në tenderë e ankande, domethënë, duke ulur çmimin kot; kam bërë punën e sekserit, të lojtarit hileqar, të zhvatësit, të fshehësit; edhe kur më kanë hequr si zbulues apo hetues, kam bërë punën e ndihmës hetuesit apo ndihmës hileqarit; pastaj kam shkuar si agjent gjyqësor apo edhe si president i komitetit të famullisë, me kusht; kam shitur loto, ka pasur raste që kam qenë edhe baba të varfërish e nënë jetimësh; kam pasur biznes dhe kam dështuar, madje, kam qenë i akuzuar për djegie të qëllimshme të një klubi nate që pata…
Zotërinj, nëse nuk më besoni, shkoni dhe verifikoni dosjen time… dhe atëherë keni për të parë se jam i vetmi midis tërë atyre hipokritëve që duan të shpëtojnë këtë vend, absolutisht i vetmi që mund të shesë qoftë edhe pëllëmbën e fundit të kësaj toke… Kam ndërmend ta shes edhe Kuvendin, ndërsa Pallatin e Drejtësisë do ta kthej në një banesë kolektive apo hotel, sepse, po të mos ketë fare drejtësi, atëherë unë jam më i lirë, zotërinj qytetarë…»
Dhe keni për të parë se me një fjalim të tillë ose ju vrasin, ose ju zgjedhin në postin më të lartë të vendit.
Buenos Aires, 1936.

Sigal

Përkthim nga spanjishtja Bajram Karabolli

——————————————————————————————————————–

Xhelati …Në Sheshin e Zuzarëve
SILVINA OCAMPO (1903 – 1993) – shkrimtare argjentinase, që me burrin e saj, shkrimtarin e madh argjentinas Adolfo Bioy Kasares, me motrën e saj më të madhe, Viktoria Okampo, po ashtu shkrimtare e shquar, dhe me mikun e tyre të afërt, të madhin Horhe Luis Borhes, e ndonjë tjetër shkrimtar bashkëkohës, përbënin atë plejadë shkrimtarësh argjentinas që shkëlqeu jo vetëm në qiellin e madh të letërsisë hispanike të shekullit që lamë pas, por edhe më gjerë.
XH E L A T I
Si gjithmonë, bashkë me pranverën mbërriti edhe dita e festivaleve. Perandori, pasi hëngri e piu mirë, me fytyrën e stolisur gjithë njolla të kuqe, u drejtua sheshit që sot quhet Sheshi i Zuzarëve, i ndjekur nga nënshtetasit e tij, por edhe nga një teknik i shquar, i cili mbante me vete një sënduk prej druri, zbukuruar nga jashtë me fije ari.
– Çfarë ka në atë sënduk? – e pyeti një nga ministrat teknikun.
– Të burgosurit politikë. Më mirë të them tradhtarët.
– Pse ende nuk kanë vdekur ata, të gjithë? – pyeti ministri, i shqetësuar.
– Kanë vdekur të gjithë, por kjo nuk na pengon që, në një farë mënyre, të jenë në këtë sënduk, – mërmëriti tekniku, duke nxjerrë pas mustaqeve tejet të zeza ca dhëmbë të gjatë e të bardhë.
Në Sheshin e Zuzarëve, ku zakonisht bëheshin festat patriotike, midis pëllumbave, valëviteshin shamitë e njerëzve; ndërsa pëllumbat kishin të vizatuar në krahët e tyre fytyrën e Perandorit, ose u kishin varur në qafë një medaljon po me këtë fytyrë. Në qendër të këtij sheshi historik, rrethuar me palma, ndodhej një piedestal madhështor, pa statujë. Zonjat e ministrave dhe fëmijët e tyre qenë ulur në lozhat zyrtare. Që nga ballkonet, vajzat hidhnin lule. Për ta kremtuar sa më mirë këtë festë, d.m.th., për ta gëzuar mé shumë popullin që kishte jetuar shumë vite i shtypur, Perandori kishte urdhëruar që atë ditë të dëgjoheshin britmat e tradhtarëve që kishin lëshuar gjatë torturave. Pasi përshëndeti shefat e lartë, duke shkelur një sy dhe duke ndukur një kruajtëse dhëmbësh, Perandori hyri në Shtëpinë e Verdhë, që kishte një dritare të lartë si dritaret e shtëpive të elefantëve të Kopshtit Zoologjik. Me veshje të ndryshme, ai u duk në disa ballkone, para se të dilte në ballkonin e vërtetë, prej nga zakonisht lëshonte fjalimet e tij. Perandori, edhe pse me një pamje të ashpër, ishte shakaxhi. Atë ditë i bëri të gjithë të qeshnin. Bile, pati njerëz që qeshën me lot. Perandori foli për gjuhët e opozitarëve: “Nuk ua premë – tha ai – që populli të dëgjojë klithmat e tyre gjatë torturave”. Zonjat që thithnin portokaj, i futën ato në çantat e dorës, për të dëgjuar më mirë; disa burra përmorën në mënyrë të pavullnetshme mbi stolat ku kishte gjela deti e pula të pjekura dhe ëmbëlsira; disa fëmijë, pa u vënë re nga nënat e tyre, u ngjitën nëpër palma. Perandori zbriti në shesh e pastaj hipi mbi piedestal. Tekniku i lartë mbërtheu syzet e errëta e ndoqi pas dhe, pasi ngjiti gjashtë a shtatë shkallë te këmbët e piedestalit, u ul në një karrige dhe u vu të hapte sëndukun. Në atë çast sundoi një heshtje e madhe, ashtu siç sundon në këmbët e një vargmali, kur sapo zbret muzgu. Gjithë njerëzia, deri edhe burrat më të gjatë, u ngritën në majë të gishtave e mbajtën vesh, për të dëgjuar atë që nuk e kishte dëgjuar njeri: britmat e tradhtarëve që kishin dhënë shpirt duke u torturuar. Tekniku e ngriti kapakun e sëndukut dhe lëvizi butonin e zërit, në mënyrë që zërat të dëgjoheshin sa më mirë dhe, si me magji, u dëgjua britma e parë. Zëri modulonte ca të qara të tmerrshme në mënyrë alternative; pastaj u dëgjuan zëra të tjerë më të turbullt, por pafundësisht më të fuqishëm; në fillim zëra burrash, pastaj grash, por edhe fëmijësh. Për një çast, klithmat e të torturuarve u mbytën nga duartrokitjet, të sharat dhe vërshëllimat e njerëzisë. Dhe, përmes këtij deti prej zërash të pakuptueshëm, doli në pah një zë i ndryshëm por i njohur. Perandori, që deri në atë çast kishte buzëqeshur, u rrëqeth. Tekniku rrotulloi butonin e zërit, duke përkulur kokën, si një pianist që i prek pianos akordin më të rëndësishëm. Gjithë njerëzia, njëkohësisht, njohën klithmën e Perandorit. Sa qartë dëgjohej ai zë! Ngrihej e ulej, kërcëllinte, fundosej e ngrihej përsëri. Perandori, i çuditur, po dëgjonte zërin e tij: nuk ishte klithmë e furishme apo emocionuese, as mallëngjyese apo zevzeke, që dilte për të dhënë tërbimin e tij; ishte një klithmë e mprehtë dhe e vrazhdë, që dukej sikur vinte nga një uzinë, nga një lokomotivë, apo nga një derr, të cilin po e mbytnin. Befas, diçka, ndonjë instrument i padukshëm, e pakësoi, e prishi. Pas çdo goditjeje, trupi i tij tkurrej e lëshonte britmën paralajmëruese për goditjen tjetër që do të merrte. Tekniku, i përhumbur, nuk mendoi se ndoshta, duke e ndërprerë transmetimin, mund ta shpëtonte Perandorin. Unë, si gjithë të tjerët, besoj se Tekniku duhet të ishte një armik i egër i Perandorit dhe që gjithë këtë e kishte kurdisur për ta qëruar Perandorin.
Perandori ra i vdekur në vend, me krahët dhe këmbët të varura në piedestal, pa dekorin që do të kishte dashur të kishte përpara njerëzve të tij. Askujt nuk i erdhi keq që xhelatët e padukshëm nuk ishin ndalur së torturuari. Njerëzit besimtarë thanë se nuk ishin shumë xhelatë të padukshëm, ishte vetëm një: brerja e ndërgjegjes.
– Pse ta brente ndërgjegjja?! – pyetën kundërshtarët.
– Nga që nuk ua kishte prerë gjuhën të dënuarve, – u përgjigjën besimtarët me trishtim.