Riti i ndarjes së frutave të dijes

639
Sigal

Ekspozita: “Rreth botës, kthim drejt vetes e artistit pamor Parid Dule”

Në shkollën e edukimit artistik “Metronom” të Tiranës, artisti pamor Parid Dule solli prurjet më përfaqësuese në pikturë dhe skulpturë. Një situatë qetësuese për shikuesit kalimtarë dhe miqtë e pamor-artit në rrugën “Siri Kodra”, ishte për më tepër se një javë ftesa e hapur e ekspozitës për t’u pasuruar me peizazhin impresionist të Shqipërisë , portretin arketip të malësorit, Skënderbeun meditativ në fron, Atlantin që bart kumtin e tokës mëmë e vajzë. Këto, mendoj, janë tre nga shenjat e rëndësishme të këtij vokacioni vijues të Paridit. Paridi u rikthye së toku me pasionin e arteve marciale e mësuesin e tij nga Kosova Enver Cakiqin në ekspozitën personale të shoqëruar me performimin me koreografi të breznive të të rinjve e mjeshtrit që hapi rrugë të reja mbrojtjeje e lëvizjeje në Tiranën e viteve ’90. Koka e Malësorit, një shprehi e temperamentit shqiptar përshkënditet në punët e reja të Dules, përmes vështrimit përtej kohor drejt një të ardhme të përbashkët të Shqipërisë me trojet. Ngrysja e vetullave të shqiptarit të Veriut, ilustron inatin e bashkëkombësve si tipar qëndrese i arbërorëve. Atlanti, bir hyjnor ( i Zeusit ose titanit Japet me nimfën Klimena, bija e Oqeanit) mban mbi shpinë një tokë të përjetshme në përfytyrimin e Paridit. Mbivendosja e sferës në formën e njeriut titan jep një kontrapunkt të ndjeshëm. Ndonëse ky motiv rimerret nga artistët e të gjitha kohërave, tek kjo përballje me mitin, Atlanti shpalon sferën brenda njeriut si kryeformë dhe vetë sfera si simbolikë e mbylljes në format e gjalla tregon aksiomën e post modernizmit: “Hapje brenda mbylljes”. Nëse toka si planet është sferike dhe është e izoluar në strukturën e saj, njeriu titan si bir i ujërave rrethues të saj, trashëgon mbylljen mbi kokë, por në trupin e tij kemi hapjen e simbolit të pemës nëpërmjet krahëve e këmbëve të fuqisë mashkullore. Ky ekuilibër harmonik i Uin Jangut ose raportit të njohur femër – mashkull, burrë – grua, nënë e bir ose Atlanti me Tokën, te realizimi i Parid Dules rivjen me kumtin e njohjes së vetvetes. Pra si na thotë mendimtari gjenial i arteve marciale Bruce Lee: “Të gjitha llojet e dijes sot e kanë burimin nga dija e brendshme që vjen si njohje e vetes”.

Portreti i vajzës me gërshet e veshjen e Shqipërisë së Mesme vjen si burimet e malësive të Tiranës, i kthjellët, i shëndetshëm e më një sjellje edukimi të lindur e të bartur në gjenet e mëmave e bijëzave. Vajza me gërshet, në dukje e thjeshtë me një vështrim sy ulur tërheq me mirësi në përkuljen e qafës në bashkë-lëvizje me floknajën e disiplinuar, si përtëritje e ritit femëror të lidhjes e zgjidhjes së përditshme të ngjarjeve nga lindja në perëndimin e diellit. E mbara në mbarim të leximit të këtyre shenjave të Parid Dules, vjen tek lexojmë raportin e ngjyrave në pikturën e heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit i cili rri në prehje në fronin mbretëror. E kuqja diellore e Paridit ngroh e të vë në lëvizje gjithçka përbrenda, me shikim të parë. E njëjta ngjyrë shpërndahet në tone e gjysmë tone te “Koka e Malësorit”, “Atlanti me Tokën”, te syri në legjendë apo këmba e mitit dhe brezi i heroit. Zjarri si element i ndritshëm, rri si gur i qoshes në pikturat e tij. Paridi si edukues aktiv së pari i të birit Matisit në jetë dhe i shumë të rinjve në profilin si artistit pamor sheh më qartë pasi e ka kryer me punët e tij artistike udhëtimin përreth botës, falë përzgjedhjes kurajoze e me kualitet të mendimtarit të pa kompromis e kritikut vizionar Vittorio Sgarbi, në vitin 2017. Përballja me mitet e legjendat , rileximi i motivit kombëtar në kostume e rite, flasin me gjuhën e formës për një tipar dallues si përhershmëria në art. Te Paridi stinët ndryshojnë së jashtmi, por melodia e brendshme qëndron po e njëjtë, me të gjitha variacionet e regjistrat tingullorë, një dashuri e përhershme, të cilës ia nënshtron bindshëm të dy pasionet (artin pamor dhe sportin e arteve marciale). Nga Andi Bica