Rita, ora botërore e këngës shqiptare

546
Përpara se të ngjiste shkallët e famës e të fotografohej tapeteve të kuq, Rita Ora ka punuar në një dyqan atletesh. Rita, ka rrëfyer me Seth Meyers në intervistë për punën që bënte para se t’i hynte rrugës së muzikës. Në atë çka ka folur, këngëtarja ka pranuar se puna si shitëse atletesh në një dyqan të Londrës nuk i ka pëlqyer fare pasi këtë absolutisht nuk e ka pasur ambicie për të ardhmen. Rita, ka treguar për ‘Late night with Seth Meyers‘, se pasi u bë e njohur, ajo ka vizituar më pas dyqanin dhe ka takuar kolegët me të cilët edhe ka punuar dhe menaxherin. Dikur shiste atlete, sot, ka atlete që i dizajnon vetë me ‘Adidas’ të cilat janë në shitje edhe në atë dyqan, jeta është plot surpriza 
Kush është Rita Ora?
Rita Ora është lindur më 26 nëntor 1990 dhe është një këngëtare dhe nje aktore shqiptaro-britanike, e cila jeton ne Britani. Ka lindur në Pejë të Kosovës. Prindërit e saj emigruan në Britaninë e Madhe. Nuk kishte mbushur akoma një vjeç kur familja e saj u zhvendos në Londër, qyteti që e rriti si personalitet dhe artiste. Ajo ka filluar të këndojë që në moshë shumë të re.
Sukseset e saj ndër vite
Në vitin 2007 arrin suksesin e saj të parë muzikor, kur shfaqet në një duet me Craig David në këngën “Akward” dhe sërish në vitin 2008 me “Where`s your love”, e cila shoqërohet edhe me videoklip. Ndërsa në vitin 2009 konkuron për të përfaqësuar Anglinë në Eurovision dhe kualifikohet, por më pas tërhiqet, sepse, siç u shpreh ajo vetë “nuk ndihej ende gati”. Gjatë vitit 2009 Rita Ora këndon muzikë live në klube të ndryshme nate në Londër, por piketohet nga shtëpia diskografike “Roc Nation”, e cila drejtohet nga reperi me famë botërore, Jay Z. Rita zhvendoset në Nju Jork dhe brenda pak kohësh fiton simpatinë e Jay Z, bashkëshortit të dives Beyonce. Pak kohë pas njohjes me të, Rita shfaqet në videon e tij, “Young forever” dhe më pas në “Over”, videoklipi i një tjetër emri të madh të muzikës rep, Drake. Viti 2011 do të ishte vit deciziv për Rita Orën. Ajo lançon “Hot right now”, një duet me Dj Fresh, që vinte pas bashkëpunimeve të suksesshme me emra të njohur si Crag David, Drake, The Dream, Will.I.Am i “Black eyed Peas” apo dhe Kanye Wuest. Puna me emra të tillë të njohur, ka qenë një ndihmesë e madhe për një artiste të re, në hapat e para, siç ishte Rita Ora. Ndonëse në moshë të re, ajo ka arritur shumë në karrierën e saj, jo vetëm muzikore, por dhe më gjerë. 

Në vitin 2004 ajo interpretoi në filmin “Spivs”, teksa në mars të vitit 2011, u bë imazh i fushatës publicitare të “Calvin Klein”, në Londër. Në Nju Jork këngëtarja e njohur Cassie bënte po të njëjtën reklamë. Rita shquhet gjithashtu për stilin e çuditshëm në look. Në shtyp është shkruar vazhdimisht se ajo ngjason në stil me këngëtaren Gwen Stefani, por në të vërtetë mënyra sesi Ora “sajohet” me veshjet e saj, është tejet origjinale. Madje në videoklipin e saj, “Hot right now”, Rita do të mbante veshur roba të stiluara enkas për të nga stilistja Margot Bowman. Ndërkohë, ajo ka pushtuar dhe faqet e revistave dhe gazetave më në zë, ndër të cilat do të veçonim “ID magazine”, “Elle”, “Lovecat” apo “The new review”. Në vitin 2009, ajo nënshkroi kontratën me Roc Nation. Albumi i saj “Ora” (2012) kishte shumë hite si ‘Hot Right Now’, ‘How We Do’ (Party) dhe ‘RIP’. Rita Ora ka qenë e vetmja artiste ne Britaninë e Madhe që gjatë vitit 2012 ka arritur që me tre këngë të dalë e para në listat e muzikës. Kënga e parë nga albumin e saj të dytë, “I Will Never Let You Down”, u bë e katërta në listat hite në vitin 2014. Në 2014, Rita bashkëpunoi me Iggy Azalea dhe kënduan së bashku, “Black Widow”, që arriti në vendin e tretë në SHBA. Në 2015, Rita Ora ishte trajnere e një prej skektakleve më të ndjekur në Britaninë e Madhe “The Voice UK”. Ndërsa së fundmi në rrjetet sociale qarkullon një prej këngëve që do të jetë në albumin e saj të dytë i dedikuar për tregun amerikan. “Solid Ground” titullohet kënga e fundit e Rita Orës.

Ylli i muzikës botërore shprehet se “Kam lindur në Kosovë, por jam një vajze tipike londineze dhe prezantoj Britaninë, por gjithmonë do ta kem në zemër Kosovën”. Në moshën 8-vjeçare ajo ka incizuar këngën e parë. “Muzika është një shpërfaqje e personalitetit tim, ajo çfarë jam unë. Dua që njerëzit të kënaqen me muzikën time dhe nëse e bëj dikë të qesh me muzikën time, atëherë gjithçka është në rregull”, – ka thënë Rita. “Për mua, muzika duhet të jetë një gjë e mirë, ta dëgjosh me shoqërinë, të të prek emocionet dhe të vallëzosh me të. Është kjo ajo çfarë kam dashur të bëjë”, – ka shtuar ajo. Sipas Ritës, njerëzit nuk e përshkruajnë atë si një artiste e zakonshme. 
Sigal