Rita Ndoci:Të jetosh me bashkëshort gjerman është fat

1491
Sigal

INTERVISTA/ Flet këngëtarja dhe aktorja Rita Ndoci: Jam e lumtur me martesën e re të Frederikut

Ka afërsisht dy dekada larg atdheut, por dashuria për Shkodrën nuk ka ndryshuar. Jeta në Gjermani i ka ngjizur një edukatë të jashtëzakonshme për punën. Punon si përkthyese, por asnjëherë nuk e lë pasionin e saj këngën dhe aktivitetet e ndryshme. Për ‘të, burrat gjermanë janë tepër të emancipuar dhe korrektë. Një nga gëzimet e saj më të mëdha është krijimi i familjes së re e vëllait, Frederik Ndocit që e ka qetësuar. Mban lidhje të përditshme me njerëzit në atdhe nëpërmjet internetit, si “Skype”, FB, e-mail, por edhe me telefon.

 Si mbushet dita e Ritës dhe me se merreni konkretisht tani?

 Punoj dhe  pushoj. Të ardhurat ekonomike i kam nga përkthimet, hobi im është mbajtja e një familjeje të mbushur me dashuri, rritja dhe edukimi i djalit tonë si dhe gatimi, koncertet me vete dhe bashkë me Julin nëpër Europë. Javën e kaluar kam qenë bashkë me familjen time  në Austri dhe në Italinë e veriut ne zonën e Süd Tirol-it për të bërë pushime dimërore dhe për t’i dhënë mundësinë djalit që të bëjë Ski. Në Itali kam vizituar një mike të shkollës së muzikës dhe kemi kaluar një fundjavë tek familja e saj e mrekullueshme, pra tek familja Cali.

  Cilat janë planet tuaja të afërta?

 Plan kam për të bërë diçka në muzikë… Patjetër një klip që s’dua ta publikoj pa dalë. Unë punoj vazhdimisht dhe asnjëherë se le bosh veten në drejtim të muzikës. Ajo është forca ime.

 – Si i ke pritur dy fëmijët e martesës se re të Frederikut. -Kur je ndjerë më mirë kur lindi djalë apo vajzë?


Unë jam ndjerë shumë e lumtur për martesën e re të Rikut me Alisën, e cila është një ENGJELL në krah të vëllait tim (madje, nganjëherë më duket si ENGJELLI RUAJTES I RIKUT). E si nuk ndjehen mirë motrat kur vëllai i tyre, pas rrëzimesh të tmerrshme në jetë ngrihet … dhe krijon jetën e tij te re. Ne jemi lumturuar bashkë me Rikun dhe Alisën, kur lindi Marilu. Ajo ishte dhuratë nga ZOTI..gëzoheshim pasi vëllai ndërtoi me shumë dashuri folenë e tij të re…ku është e hapur me shumë dashuri dhe respekt nga kunata jonë Alisa dhe Riku. Lindja e djalit ishte gëzim për të gjithë ne pasi do të mbajë edhe mbretërinë NDOCI. Unë jam ndjerë mrekullisht mirë kur lindi Marilu…, gjithashtu, kur lindi edhe Nikolo. Për ne, si gocë si çun njëlloj janë…të lindin shëndosh dhe të jetë edhe nëna e tyre shëndosh…Të tjerat nuk kanë rëndësi.

 -Si është tempi i punës në Gjermani?

Tempi i punës në Gjermani është shumë i shpejtë pasi na duhet të mbajmë Greqinë, Italinë, Portugalinë dhe Spanjën…ahahahhahaha

 Konkretisht si është një ditë pune?

Një ditë pune në Gjermani është shumë komode…shkoj në gjykatë dhe përkthej për në seancë gjyqësore…për mua është mirë dhe komode…

 -Si i mban lidhjet me Shqipërinë?

Lidhjet me Shqipërinë i mbaj me të gjitha mënyrat e komunikimit. Lidhem çdo ditë, me telefon, internet, me Fb. Sot mjetet e komunikimit janë të shumta dhe më duket se të gjithë njerëzit e familjes i kam tek dera e shtëpisë.

 -Të ka marrë malli për skenat shqiptare?

Sigurisht që më ka marre malli për të dalë në Skenë në Shqipëri pasi u bë kohë… ka një vit që nuk kam dalë….

 -Sa e vështirë është të jetosh në Gjermani?– Në Gjermani nuk është vështirë të jetosh…kur jeton e integruar…kur punon vete, kur ke miq gjermanë, kur ndjehesh si në vendin tënd…them këtë nga eksperienca ime..kur jeton me forcat e tua ( siç thoshim dikur) dhe nuk i bëhesh askujt barrë, kur sjell kulturën, edukatën, arsimimin tënd, jeta në Gjermani është shumë e lehtë.

  -Cilët janë miqtë e tu më të mirë aty?

Miqtë e mi të mirë këtu janë gjermanë, francezë dhe shumë miq shqiptar (pa i ndarë në kosovarë dhe shqiptarë të shtetit amë apo të shqiptarëve nga trevat e tjera.)

  Të merr malli për Rikun?

 – Shumë, por sot distancat janë të vogla me atë lloj komunikimi që kemi. Lidhjet me Rikun i mbaj nëpërmjet telefonit, Internetit, Fb, e-mail, etj…

 Ke menduar ndonjëherë të kthehesh në Shqipëri?

– Nuk kam se si të mendoj për kthimin në Shqipëri, pasi këtu kam vënë rrënjët e mia… Kthimi ndoshta mund të ndodhë kur të dalim në pension bashkëshorti dhe unë…pasi ai e do shumë klimën mesdhetare të Shqipërisë (ndoshta e do Shqipërinë pasi unë jam shqiptare) NGA JE?  NGA FSHATI I GRUAS) (qesh).

 A ka Rita pengje?

 – Pengje kam aq shumë sa po t’i përgjigjem…do të mendojë lexuesi i kësaj interviste se kam shkruar skenarin e ndonjë TELENOVELE… (qesh) (Peng kam ato që nuk realizova….pasi vrapojmë drejt asaj që na mungon….si Eva dhe Adami…edhe në pasardhësit e tyre nuk jemi me ndryshe se ato….

 Marrëdhëniet me bashkëshortin gjerman?

 Të shkëlqyera. Bota e civilizuar e respekton femrën, di t’i japë vendin që i takon.

 Kush është femra, të cilën ju e merrni shembull?

Kancelarja gjermane Merkel. Një femër e zgjuar, e fortë, korrekte, vizionare. Ajo në shumë gjëra ua kalon dhe burrave. Vërtet Gjermania krenohet me një femër të tillë.

 Në  tërë këtë  karrierë kush është kënga që ju e keni ndjerë veten mirë tek spektatori  dhe e kujtoni  me  shumë nostalgji?

-Në Shkodër duhej të isha e kujdesshme kur këndoja, sidomos ngaqë këndonim këngë të realizmit socialist. Atëherë, duhej të ishe strikte në skenë sepse kështu e kërkonte qeveria, ideologjia komuniste. Lëvizjet e tepërta shiheshin si shfaqje të huaja mikroborgjeze. Për këto ishin të ndaluara dhe të shihje në televizion stacione të huaja. Këngët duhej të ishin për Partinë, kur opinioni shkodran kërkonte këngë të tjera. Kështu që kujtoj një këngë të  Bik Ndojës. Këngë e veçantë shkodrane. U mirëprita. Spektatorët më kanë kthyer. E këndova edhe njëherë këngën nga fillimi.

-Po në Tiranë kur  keni  kënduar  për  herë  të  parë?

-Për  herë të parë në Tiranë kam  kënduar  më  16 tetor  1983, ka qenë  koncerti i  Festivalit të Gjirokastrës me  numra të zgjedhura nga e gjithë Shqipëria dhe unë  kam përfaqësuar Shkodrën, ku  kam  kënduar  vetëm  me  7 instrumentistë.

-Si je  ndjerë  në  atë  festival?

-Po t’i  referohem  kohës,  shumë e  duartrokitur. Në  ditëlindjen  e Enver  Hoxhës,  atëherë nuk lejohej me  këndu këngë dashurie, por këngë për atdheun, këngë patriotike. Të gjitha këngët e Festivalit të  Gjirokastrës  zgjidheshin tematikat  dhe ato  më të  bukurat  këndoheshin për  Enver  Hoxhën. Fillonte, më 1 Tetor  dhe më 16 tetor bëhej koncerti i  fundit  përfundimtar në Pallat të  Sportit  dhe aty unë  kam  kënduar një këngë. Para meje ka qenë kënga “Jam shqiptar  nuk vdes  kurrë” dhe pastaj  kam  kënduar  unë një  këngë të  një dashnori  të  dështuar. Ai i çon një vajze një letër dashurie  dhe ajo  martohet  me   njeri  tjetër.

-Si  u  prite me këtë  këngë?

-Më thanë  se  u shtua një  talent  i  ri në  Shkodër.

-Si  vazhdoi  më tej  jeta  juaj  në  skenë?

-Në  Shkodër, kur  nuk më  doli  shkolla  e lartë  për  kanto dhe Shkodra më  ka  dhënë të  gjitha mundësitë  që unë të  jem shumë e përzgjedhur. Kam punuar si  mësuese muzike, ku kam dhënë mësim në solfezh dhe në instrumente. Dhe pastaj me datën 3 janar të 1985, kam  filluar  aktore teatri  tek teatri “Migjeni”.

-Me  kë dhe  çfarë  roli  keni  luajtur  për  herë të  parë  në  teatër?

-Kur kam filluar për herë të parë në teatër kam luajtur disa skeçe, thashetheme  grash që bien  viktima  të një kasetofoni  që nuk dinë  me  e përdor dhe  shajnë  zonjën e shtëpisë  në  korridor,  ku ajo  është duke përgatitur kafet në  aneks. Kam  punuar edhe me Zef Dedën. Pastaj kam interpretuar në “Kunatin e  shokut  Xhemal”, ku  luaja  vajzën që ai  vinte  me  e marrë  për nuse. Më  vonë  në shkurt të vitit 1986, ka  ardhur në Shkodër shefi i katedrës i konservatorit  për  dramë  dhe më është  lutur të  vija  të konkurroja  për  aktore, që  të  mos  ngelesha  aktore  e vogël e humorit. Kështu  vendosa  dhe me  shumë hatërmbetje    ju  largova  Teatrit  të  Shkodrës. Erdha  në  vitin  1986 në Tiranë  në  shkollë  dhe  mbarova  në  1990-n, për aktore.

-Gjatë   këtij  katër  vjeçari nuk u  ngjite në skenë?

-Jam aktivizuar në programet e Vitit të  Ri. Kam bërë aktivitete për çdo vit me Agron Llakajn në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë. Kam qenë e vetmja vajzë e re e viteve ‘80 që u përpoqa të jap humor në të gjithë Shqipërinë. Të gjitha  thashethemet  e asaj  kohe unë i  kam  luftuar dhe i  kam  ngrënë   me  dhëmbë. Kam  qenë  e para  në Shqipëri  që  kam bërë kamerën e fshehtë, me ndihmën e Vera Grabockës dhe këtë detaj  nuk  e kam  thënë në  asnjë  intervistë.

-Çfarë keni pasqyruar  tek  kjo  kamerë  e fshehtë?

-Në  këtë  kamerë të fshehtë  kanë  qenë  role me probleme sociale. Si rol të  parë  kam  luajtur  një berbere  tek shkolla  e baletit, ku  i  kam vënë njerëzve shkumë dhe pastaj  i kam  mërzit dhe kam bërë sherr (qesh). Pastaj mundohesha t’u tregoja të vërtetën. Më thonin se çfarë është ajo? I thoja se  është kamerë e fshehtë. Shumë vetë nuk e kuptonin  dhe nuk  e dinin  vetëm kur  shikonin veten  në natën e Vitit të Ri. Kam bërë edhe rolin e një policeje duke u thënë qytetarëve fryj këtu se mos ke pirë  alkool. Nga Vera  Grabocka  kam  qenë  e ftuar  në festivalin  e madh të vitit 1985,  kur  ka  marrë çmim  Parashqevi Simaku. Mbas  Festivalit të 11-të  kam qenë  e para, ku  kam  hequr mikrofonin  nga  stativi dhe e kam  mbajtur  në  dorë dhe mbas atij festivali  filluan të  gjithë  të mbanin  mikrofonin  në  dorë.

-Këtë veprim  e  bëre  vetë  apo me urdhër?

-Këtë  e bëra  me urdhër  të  Marash  Hajatit  që ishte në  prova. Ai më tha,  ti  je  e ftuar dhe merre  mikrofonin në dorë. Kjo ishte në vitin 1985, mbasi  kishte vdekur  Enver  Hoxha. Në vitin  1988, kur  ka dalë Frederiku me këngën  e “Motrës”,  jam e vetmja  spikere  mbas  Festivalit  të  11-të që  kam  dalë pa  letër. Kjo  ka  qenë  në Festivalin e Pranverës dhe nga  fillimi deri  në  fund  e  kam  drejtuar  pa  tekst. Unë  nuk i  kam  prezantuar  këngëtarët  nga  emri,  por vetëm  me imitime.

 -Ku  e keni ndjerë  veten më  keq  në  skenë?

– Veten  më keq e kam  ndjerë në Festivalin e  vitit ‘85, kur  kam qenë  e ftuar. Kam pasur një këngë  për  hidrocentralin, nuk kishte drita fare. Në skenë kam  parë  disa  anëtarë të ish- komisionit të kantos që kur i pashë m’u përzi dhe kam qenë e stonuar. Kam  kënduar dy nota  më lart. Më ndodhi një kolaps  shpirtëror  dhe psikologjik  që  më  shkatërroi.

-Ju  me  kaq  arritje  si ju  lindi  ideja  për  t’u  larguar  në  Gjermani?

-Në vitin 1991, filluan lëvizjet studentore.  Ra  statuja  e Enver  Hoxhës, ku  ne  ishim  aty  bashkë me Rajmonda  Bulkun. Kam  hipur  në  këmbët e Enver  Hoxhës  në Statujë  dhe e kam  qarë sikur ta qante  Nexhmije Hoxha me zërin e saj. Njerëzit aty qeshnin. Kështu  ishte momenti  për  të  ndryshuar njerëzit dhe vendi. Ky moment më detyroi të iki. U martova në Gjermani, fillova një jetë të re.