“Rilindja” e administratës, në 11 mijë vende pune paguhen nga 2 zyrtarë me kosto totale 70 milionë USD në vit

637
Përparim HALILI 
Ministri i Financave, “hermesisti” Arben Ahmetaj çon çdo muaj “çekun” në bankomatët e bankave, brenda të cilëve janë edhe 3100 të larguarit prej tij
– Vlera e pagave paralele që jep shteti është e barabartë me pagën mujore minimale të 10 mijë personave
Vetëm në Shqipëri ndodh skandali, që një ligj të ndryshojë, të zëvendësohet e të shfuqizohet 30 herë në 4 vite dhe të rikthehet në fuqi, me ndryshime sipas interesave të atyre që qeverisin, për të përligjur një skemë që u intereson për të mbrojtur abuzimet. Kjo ka ndodhur e po vazhdon të ndodhë me Ligjin Nr. 152, datë 30. 05. 2013 “Për nëpunësin Civil”, i cili është ndryshuar në çdo 2-3 muaj, madje edhe 3 herë brenda një dite, në të njëjtën mbledhje të Këshillit të Ministrave. Katrahura e krijuar me këtë ligj që edhe pse është ndryshuar 30 herë në 4 vite, ende nuk zbatohet harbutërisht prej kryeministrit, ministrave, drejtorëve, ambasadorëve, krerëve të pushtetit lokalë e prej çdo lloji kapadaiu drejtues shtetëror, po mohohet publikisht edhe prej ministres Milena Harito, e cila del në parlament e në media dhe mban fjalime për zbatim ligji punësimesh e largimesh nga puna në administratën publike. Gjoja në emër të “ristrukturimit” (diskriminimit), pas ardhjes në fuqi të “Rilindjes” në shtator 2013, nga administrata publike janë larguar 33 mijë nëpunës, drejtues, specialistë, zyrtarë, ekspertë e punonjës shërbimesh shtetërore buxhetorë dhe jo buxhetorë nga kryeministria, ministritë, prefekturat, qarqet, bashkitë, shëndetësia, arsimi, kultura, energjia, transportet, doganat, tatimet, ushtria e policia, prej të cilëve vetëm 14 mijë prej tyre i janë drejtuar Gjykatës Administrative për largim të padrejtë nga puna. Ndërkohë, që sipas shifrave rezulton se 70% e tyre kanë fituar të drejtën për rikthim në vendet e punës, të përzënë prej drejtues-batakçinjve, shumica edhe me diploma universitare false dhe “CV” krimesh penale, por të emëruar në poste zyrtare prej pashallarëve “mavi” të “Rilindjes” së ministres Harito. 
Borderoja paralele 70 milionë USD, për pagesat e 22 mijë zyrtarëve në… 11 mijë vende pune! 
Sulmi i “Rilindjes” ndaj administratës publike, bërë me largime të paligjshme nga puna të 33 mijë nëpunësve e drejtuesve në 44 muajt e fundit, ka krijuar një kosto shtesë në fondin e pagave që përballohen direkt nga buxheti i shtetit. Të hequrit nga puna kanë ankimuar në gjykatat rajonale dhe 11 mijë prej tyre kanë fituar të drejtën e formës së prerë për t’u rikthyer në vendet dhe funksionet e punës ku kanë qenë e më të njëjtën pagë mujore. Mirëpo, shefat e administratës “rilindëse” të ministres Harito nuk i pranojnë në pune, mbasi në vendet të larguarve janë “graduar” familjarët e tyre dhe militantët e preferuar të partisë, si dhe blerësit e vendeve të punës. E ndërsa ata vazhdojnë të lihen jashtë zyrave, figurojnë brenda borderove të institucioneve e shërbimeve publike, duke marrë pagën mujore rregullisht! Pra, në 11 mijë vende pune në zyrat e shtetit, për 1 vende pune paguhen 2 drejtorë, 2 shefa, 2 inspektorë, 2 ekspertë, e juristë, 2 shefa burimesh njerëzore…. Pra në punë shkon 1, por paguhen 2 nëpunës, ose më qartë: në zyra shkojnë 11 mijë punonjës, por paguhen 22 mijë! Dihet se sa janë pagat mujore në administratën publike (3-5 paga mujore minimale). Llogaria del shumë e lartë. Vetëm nga pagesat për 2 persona në një vend pune, shteti paguan 70 milionë dollarë në vit. Përse? Thjeshtë, për dallaveret e bëra prej drejtuesve shtetërorë të “Rilindjes” që nga kryeministri e deri tek kryetarët e bashkive. Gjyqet për rikthime në punë, kanë një statistikë alarmante. Vetëm në 3 muajt e fundit janë depozituar edhe 2000 ankesë-kërkesa të reja për rikthim në pune! Në 3 muajt e fundit të vitit 2013, u depozituan 5600 padi në gjykatë, me kosto pagesash paralele në vlerën 6.4 milionë dollarë. Në vitin 2014, u regjistruan 11 mijë e 230 padi, nga të cilat shteti paguan 30 milionë dollarë shtesë për borderotë paralele. në vitin 2015, nga 7432 çështje, janë trajtuar 4100 çështje, 60% e të cilave i kanë fituar punonjësit e larguar nga puna. Në vitin 2016, janë depozituar 4074 padi me kosto pagash paralele 4.4 miliardë lekë të cilat paguhen për të njëjtët vende pune. Është 70 milionë USD çeku total, që ministri i Financave, “hermesisti” Arben Ahmetaj çon çdo muaj në banka për pagat paralele, brenda të cilëve janë edhe 3100 të larguarit prej tij në të dy postet ministrore ku është ulur, të cilët i ka mbushur me ortakë koncesionesh, kunetër, sekserë e kategori të tjera “shoqërore”. Po bëjmë vetëm një krahasim: Vlera 70 milionë USD që shteti jep për pagat paralele të 11 mijë zyrtarëve është e barabartë me pagën mujore minimale (22 mijë lekë të reja) të 10 mijë personave!
Ja një nga vendimet e punësimit të “freshistë”-ve, me kontrata 6-9 mujore në administratën shtetërore 
VKM nr. 251, datë 29.3.2017 “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr. 7, datë 11.1.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për punonjësit me kontratë të përkohshme për vitin 2017 në njësitë e qeverisjes qendrore” .

Katrahura dhe masakra “Rilindëse” ndaj administratës, ligji është ndryshuar 30 herë në 4 vjet 
1. Ligj nr. 152, datë 30.5.2013 “Për nëpunësin Civil” 
2. Ligj nr. 178/2014, datë 18.12.2014 Për Nëpunësin Civil”
3. Akt normativ nr. 5, datë 30.9.2013 Për disa ndryshime në Ligjin nr. 152/2013 “Për nëpunësin Civil” 
4. Ligj nr. 161/2013, datë 17.10.2013 “Për nëpunësin Civil” 
5. Vendim i Gjykatës Kushtetuese nr. 5, datë 5.2.2014 
6. VKM nr. 108, datë 26.2.2014 “Për planin vjetor të pranimit në shërbimin civil” 
7. VKM nr. 109, datë 26.2.2014 “Për vlerësimin e rezultateve në punë të nëpunësve civilë” 
8. VKM nr. 115, datë 5.3.2014 “Për përcaktimin e procedurës disiplinore dhe të rregullave për krijimin, përbërjen e vendimmarrjen në komisionin disiplinor në shërbimin civil”
9. VKM nr. 116, datë 5.3.2014 “Për statusin e nëpunësve dhe punonjësve aktualë që përfitojnë statusin e nëpunësve civil” 
10. Ligj 152/2013 “Për nëpunësin Civil”
11. VKM nr. 532, datë 6.8.2014 “Për nëpunësin Civil”
12. VKM nr. 627, datë 24.9.2014 “Për nëpunësin Civil”
13. VKM nr. 117, datë 5.3.2014 “Për përmbajtjen, procedurën dhe administrimin e dosjeve të personelit e të regjistrit qendror të personelit” 
14. VKM nr. 118, datë 5.3.2014 “Për procedurat e emërimit, rekrutimit, menaxhimit dhe përfundimit të marrëdhënies në shërbimin civil të nëpunësve civilë të nivelit të lartë drejtues dhe të anëtarëve të TND-së” 
15. VKM nr. 138, datë 12.3.2014 “Për rregullat e organizimit e të funksionimit të Shkollës Shqiptare të Administratës Publike dhe trajnimin e nëpunësve civilë” 
16. VKM nr.349, datë 4.6.2014 “Për rregullat e organizimit e të funksionimit të Shkollës Shqiptare të Administratës Publike dhe trajnimin e nëpunësve civilë” 
17. VKM nr. 142, datë 12.3.2014 “Për përshkrimin dhe klasifikimin e pozicioneve të punës në institucionet e administratës shtetërore dhe institucionet e pavarura”
18. VKM nr. 110, datë 26.2.2014 “Për kontrollin e rezultateve dhe shëndetit në punë, të nëpunësve civilë” 
19. VKM nr. 703, datë 29.10.2014 “Për përshkrimin dhe klasifikimin e pozicioneve të punës në institucionet e administratës shtetërore dhe institucionet e pavarura”
20. VKM nr. 719, datë 31.10.2014 “Për përshkrimin dhe klasifikimin e pozicioneve të punës në institucionet e administratës shtetërore dhe institucionet e pavarura”
21. VKM nr. 930, datë 29.12.2014 “Për përshkrimin dhe klasifikimin e pozicioneve të punës në institucionet e administratës shtetërore dhe institucionet e pavarura”
22. VKM nr. 262, datë 25.3.2015 “Për përshkrimin dhe klasifikimin e pozicioneve të punës në institucionet e administratës shtetërore dhe institucionet e pavarura”
23. VKM nr. 143, datë 12.3.2014 “Për procedurat e rekrutimit, të përzgjedhjes, të periudhës së provës, të lëvizjes paralele e të ngritjes në detyrë për nëpunësit civilë të kategorisë ekzekutive, të ulët dhe të mesme drejtuese”
24. VKM nr. 171 datë 26.3.2014 “Për transferimin e përhershëm dhe të përkohshëm të nëpunësve civilë, pezullimin dhe lirimin nga shërbimi civil”
25. VKM nr. 667, datë 8.10.2014 “Për hapjen e procedurës dhe praktikat e pranimit të drejtpërdrejtë në TND… ” 
26. Ligj nr. 9131 datë 8.9.2003 “Për rregullat e etikës në Administratën Publike” 
27. VKM nr. 714, datë 22.10.2004 “Për veprimtarinë e jashtme dhe dhënien e dhuratave gjatë veprimtarisë së nëpunësit të administratës publike” 
28. Ligj nr. 90/2012, datë 27.9.2012 “Për organizimin dhe funksionimin e Administratës Shtetërore” 
29. VKM nr. 893, datë 17.12.2014 “Për miratimin e rregullave të organizimit dhe të funksionimit të kabineteve ndihmëse të administratës shtetërore” 
30. VKM nr. 169, datë 25.2.2015 “Për planin vjetor të pranimit në institucionet e administratës shtetërore, pjesë të shërbimit civil, për vitin 2015”
Sigal