Rilindësi i madh përtej Adriatikut, Jeronim De Rada

738
Sigal

Jeronim de Rada është shkrimtari më i njohur i rilindjes kombëtare Shqiptare, që fatkeqësisht nuk zuri vendin e duhur gjatë kremtimeve të 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit Shqiptar, aktivitete që u organizuan përgjatë vitit që po mbyllet.

Shkrimtari arbëresh, themelues i lëvizjes rilindëse, Jeronim De Rada u lind më 1814 në Maki të Kozencës, një fshat i vogël dhe kodrinor afër Kolegjit Arbëresh të Shën-Adrianit, ku De Rada kreu studimet e para mbi letërsinë dhe filozofinë antike si dhe në shkenca sociale, çka i dhanë drejtimin e duhur përgatitjes së tij si patriot dhe shkrimtar. Jeronim De Rada e mbaroi kolegjin arbëresh me 1833 dhe për arsye shëndetësore qëndroi në fshat për një vit rresht, ku krijimtaria e tij letrare do të merrte përmasa të tjera. Megjithëse kishin kaluar disa shekuj nga koha kur Arbëreshet kishin emigruar nga Shqipëria drejt jugut të Italisë, këta të fundit, vazhdonin të mbanin flakën e patriotizmit ndezur deri nga fundi i shek. XIX, ashtu siç vazhdojnë ta mbajnë deri në ditët tona. Arbëreshët kishin ruajtur plotësisht ndjenjat patriotike për vendin, zakonet dhe gjuhën, ata shfaqën me vendosmëri vetëdijen e tyre shqiptare në krijimtarinë letrare dhe kulturore të kohës. Në qendër të kësaj krijimtarie ka qenë ripërtëritja e kohës së Skënderbeut dhe ndërgjegjja kombëtare, ashtu siç mund të vërehet në këto vargje të këngës së parë të De Radës: “Bota kish ndërruar lisa,/ uji i ri në det/ kaltëronte n’ditn’e re;/ por lumbardha e Anakreontit/ në Temp rronte e moçme./ Nd’uj’ një dit’ vate te mali/ e s’u kthye si e kish zakon./ Veç që atë s’e thau bora,/ s’e përgjaku heshtëza,/ po u largua gjersa ra/ tek e bardha shpia ime./ Kur n’agim tokë edhe shpi/ u zbuluan bashk’ me detin,/ si hareja qe del sysh,/ më zgjoi duke fërfëlluar/ qelqeve t’dritares./ U pataksa e ruajta jashtë:/ rrusht’, pak aguridhe, dheut tonë i kishin hie;/ lule liu të hapura, m’i tund era e i përzien, në atë ninull qeshin/ si ato lule-qielli./ Ti vështroje dhe s’kujtoje/ asnjë mbehi njerëzish./ Kallëzorët nëpër duajt/ po këndonin. Dheut huaj/ ahere ndër time motra/ kisha arritur; mema ime/ emrin tim thosh nëpër shpi.”

Në këto lëvizje patriotike dhe qëllime shtetëformuese ka luajtur një rol vendimtar edhe Jeronim de Rada, i cili me veprën e tij, “Këngët e Milosaos”, hodhi themelet e letërsisë rilindase, nxori në pah aktivitetin patriotik të arbëreshëve të Italisë, dhe zgjoi ndjenjat patriotike të popullit Shqiptar. Nuk ka dyshim se Jeronim De Rada është figura më e spikatur e letërsisë së rilindjes shqiptare, veçanërisht pas botimit të veprës: “Këngët e Milosaos” kur ishte duke studiuar drejtësi në Napoli, ne vitin 1836. Një vepër e cila i bënte ftesë të gjithë shqiptarëve për të çliruar atdheun e para ardhësve të tyre: “Erdhi dita e Arbërit”! Që nga ky moment jeta e De Radës merr një drejtim tjetër ku ai fillon përpjekjet për të ndriçuar atdheun e të parëve.

Vite me vonë, më 1840, kur De Rada punonte si mësues privat në një familje të pasur të Napolit, botoj poemën e tij të dytë, “Serafina Topia” një vëllim poetik ku i bëhej thirrje bashkimit dhe vëllazërimit të Shqiptarëve dhe qarkullimi i saj u ndalua nga censura burbone. Megjithatë, poeti vazhdoi të pasuroj më tej krijimtarinë e tij letrare, duke plotësuar “Milosaon” me këngë të tjera dhe “Serafina Topia” u botua për herë të dytë; botoi gjithashtu edhe tragjedinë “Numidët” në Italisht, vepra që e bënë të njohur De Raden edhe në arenën ndërkombëtare. Shkrimtari arbëresh ka qenë gjithashtu edhe drejtori i gazetës letrare “Arbëreshi i Italisë” të cilën e botonte rregullisht deri në vitin 1848. Në vitet 1847 – 1848 DeRada nxori në dritë “Rrëfimet e Arbrit,” katër novela në vargje, ku ideja patriotike vinte duke u fuqizuar në krahasim me krijimet e mëparshme. Këto novela dalloheshin për nga romantizmi i vrullshëm, thellësia e lirizmit dhe stili përparimtar. Në 1849, falë përpjekjeve të njëpasnjëshme të De Radës, filloj të jepej mësim gjuha shqipe në kolegjin e Shën-Adrianit ku poeti ishte njëri prej mësuesve. Më 1850 De Rada, tashmë 36 vjeç, u martua me arbëreshen Madalena Melki, me të cilën pati katër djem. Dhjet vjet më vonë, patrioti De Rada, filloi të botonte një sërë veprash estetike, gjuhësore, politike, folklorike duke përfshirë: “Parimet e estetikës”(1861), “Lashtësia e kombit shqiptar”(1864), “Rapsodi të një poeme arbëreshe”(1866).

Më 1878 poeti ka qenë një mbrojtës i flaktë i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, duke ngritur zërin në mbrojtje të integritetit tokësor të Shqipërisë. Ne 1883-1887 De Rada nxori revistën e parë shqiptare me titull “Flamuri i Arbrit” e cila u bë zeri kryesor për mbrojtjen e autonomisë së shqiptarëve në rajon. Fatkeqësisht, vitet e fundit të jetës kanë qenë të trishta dhe të mundimshme për De Radën, megjithëse shkrimtari humbi gruan dhe djemtë, kjo nuk e mposhti dhe ai filloj të pasuroj më tej krijimtarinë e tij brilante; ai përfundoi poemat e gjata: “Skënderbeu i pafat,” “Gjon Huniadi” dhe përpunoi më tej vëllimin e “Serafina Topisë” me titull “Një pasqyrë e jetës njerëzore.” De Rada është arkitekti i krijimit të katedrës së gjuhës Shqipe në Napoli dhe ka organizuar dy kongrese gjuhësore për problemet e gjuhës Shqipe, në Kalabri (1895) dhe në Umbria (1897). Vazhdoj te jetë mësues i shqipes në Shën-Adrian, deri sa vdiq në moshën nëntëdhjetë vjeçare, më 1903, në një kasolle të shkretë, në kushtet e një varfërie ekstreme.

“Trim ti mua ndë më do mirë
Udhëvet mos m’u përpiq
Mos më ruaj ndë lëghiet
vash i pari im mall
aq i mielji e su pentehja
sa edhe të të dhunoja
mos më bëj të jem unë
fajtore për këtë
që ti nuk duhet të derdhish
ose për urinë e të varfëres
ose për vajzat që dëgjojnë”
Vargje të shkëputura nga Kënga XII