Ribotohet pa retush “Migjeni ​uragani i ndërprerë” i Kadaresë

1663
Onufri sapo ka ribotuar sprovën e Kadaresë “Uragani i ndërprerë: Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe”. Sprova e Kadaresë “Uragani i ndërprerë: Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe” ribotohet më vetë pas botimit në veprën e plotë më 2009-n.
“Ky botim i autorizuar i Kadaresë del për herë të parë si libër më vete. Këtu përfshihen dy parathënie të Kadaresë për këtë sprovë dhe hidhet dritë për herë të parë për botimin e vitit 1991, nga shtëpia botuese “8 Nëntori”. Ky botim ishte pa lejen e autorit”, shprehet botuesi i Kadaresë.
Në parathëniet Kadare shpjegon qartë dhe u jep përgjigje spekulimeve që e kanë shoqëruar këtë sprovë gjithë këto vite të tranzicionit.. sipas botuesit “Ky është një libër i çmuar për nxënësit, studentët e letërsisë dhe pedagogët e tyre, si dhe për lexuesin e gjerë”.
Ja cfarë ka shënuar autori Ismail Kadare për botimin e vitit 2009 në veprën e plotë. “Sprova për Migjenin, e titulluar fillimisht “Uragani i ndërprerë”, u shkrua si parathënie e gjerë për botimin e veprës “Novelat e qytetit të veriut”, në Francë, në fund të viteve tetëdhjetë. Meqenëse me tekstet e botimeve të veprave të letërsisë shqipe në gjuhë të huaja merrej shtëpia e botimeve politike “8 Nëntori”, përkthimi në frëngjisht, si edhe miratimi i tekstit nuk mund të bëhej veçse prej saj. Sprova për Migjenin kaloi kështu nëpërmjet një shtëpie botuese që shquhej për dogmatizmin e saj të skajshëm. Kjo ka kushtëzuar ndoshta edhe më fort një pjesë të kufizimeve të këtij teksti, që gjithsesi ishte vështirë të shmangeshin”. Kadare rrëfen se “Ndërkaq, duhet thënë se me datën e botimit të kësaj sprove është kryer, me dashje ose pa dashje, një dezinformim publik, i cili për herë të parë po sqarohet në këtë shënim.
Sipas marrëveshjes me shtëpinë botuese franceze “Fayard”, proza e përkthyer e Migjenit, bashkë me sprovën e gjerë që e shoqëronte, u dorëzua në fillim të vitit 1989. Pak kohë më pas, libri doli nga shtypi në Paris. Teksti i sprovës nuk u botua në shqip dhe as u paraqit prej autorit në ndonjë shtëpi botuese.
Një vit pas ikjes së autorit në Francë, teksti i sprovës, i mbetur në zyrat e shtëpisë botuese “8 Nëntori”, u botua prej kësaj shtëpie pa kurrfarë leje të autorit, pa asnjë sqarim dhe jashtë çdo mbikëqyrjeje të tij.”. pasi sqaron se libri është plotësuar me 40 radhët e retushuara, Ismail kadre pohon se teksti I ribotuar është I njëjtë me atë të vitit 1989. “Si përfundim, mund të thuhet se përvoja botërore na mëson që, pa qenë kurrsesi i njëjti proces me retushet artistike, ndreqja e gabimeve në procesin e studimeve eseistike, pavarërisht shkakut të zanafillës, është pjesë e zhvillimit dhe emancipimit kulturor. 
Kjo e drejtë e autorit, pjesë themelore e së drejtës universale, nuk mund të preket nga askush dhe në asnjë rrethanë. Është autori që e ka bërë gabimin, është ai që e shpall publikisht atë, dhe është përsëri ai dhe askush tjetër, që përpiqet ta ndreqë.
Këtij parimi i përmbahet ky botim i fundit i sprovës për Migjenin. Siç ndodh shpesh në raste të tilla, ky nuk është kurrsesi një rishikim i plotë i tekstit. Përkundrazi, retushet janë tepër të rralla e të kursyera. Si të tilla ato janë të pamjaftueshme për të shmangur keqkuptimet. Janë heqje radhësh dhe paragrafësh dhe asnjëherë shtesë. Ndër dhjetë kapitujt e kësaj sprove, retushe (heqje radhësh) kanë vetëm dy prej tyre: i pesti dhe i gjashti, gjithsej rreth dyzet radhë. Pjesa tjetër e tekstit është e njëjta me atë të vitit 1989. Ismail Kadare
Verë, 2015”, shkruan autori në parathenien e këtij botimi 


Sigal