Remzi Gjika/ Kuponi tatimor

753
Kanë vite që njerëzit hyjnë e dalin nëpër njësitë e shitjes për të marrë mallrat e nevojës së parë. Sipas hallit, ca blejnë më shumë dhe ca më pak. Kjo është normale. Po cila ishte jo normale në ato marrëdhënie? Arka hapej më pak dhe fletorja e shënimeve më shumë. Si ndodh, kjo? Arka hapet e mbyllet sa herë bëhet llogaria, zhurma e monedhave krijohet kur ato kërcasin, kur përpjekin kokën me njëra-tjetrën, tingëllojnë. Shitësi gëzohet dhe klienti merr mallrat i shoqëruar nga një “faleminderit” ose “t’i hani gëzuar”! Ndodh ndryshe: shitësi bën llogarinë për çantat që janë mbushur deri në grykë me ushqime, pastaj merr bllokun ose fletoren dhe i shkruan…Ndahen nga njeri-tjetri në heshtje si në vaki. Ky ritual vijon, sirtari i arkës ka zënë shtrat merimange. Në ato skena u ndodh një turist i huaj, i shoqëruar nga një mik shqiptar, i cili do të merrte pak djathë. Shitësi nuk e njohu dhe në fund i kërkoi emrin. I huaji u çudit dhe iu drejtua shqiptarit: 
-Si është puna, i kini hequr lekët dhe shpërndani sipas nevojave? Ne në vendin tonë paguajmë, pastaj marrim mallrat. Shqiptari, u zu ngushtë dhe po mendohej ç’përgjigje t’i jepte, për të dalë nga situata e trishtueshme. -Edhe ne me lekë i marrim, me çfarëdo monedhe që ka në botë, por shitësi regjistron klientët. -OK, – i ra shkurt turisti, – domethënë, unë duhet të vij vetëm këtu?…Ai na qenkësh gazetar dhe i bënte përshtypje ai sistem shpërndarjeje. Shkroi një shkrim me gjithë përshtypjet e mira të tij për tregtimin e mallrave në mënyrë shumë sociale. “Mirë, mirë, por i zoti e di ku i pikon çatia”, -mendonte shitësi, që u kishte një barrë me borxhe tregtarëve nga merrnin mallra me shumicë. Telashi nuk ishte me kaq: Listat në fletore qenë pa fund dhe po bëheshin më volume. Kur dorëzonin ndonjë lekë klientët duhej të thoshin edhe numrin e volumit. Shitësit ishin bërë si punonjës të gjendjes civile. Gjithë dita u kalonte hap e mbyll volumet (fletoret) për të gjetur emrat e klientëve. Ajo punë nuk kalonte edhe aq qetë. Kishte shumë raste që konfliktoheshin: “Ato lekë i kam paguar, atë ditë që ishte zonja juaj. Të lutem, fukarenj jemi, por jemi të ndershëm” – ishin dialogë të zakonshme. Shitësi nevrikosej, sepse nuk bindej dhe llogaria nuk i dilte mirë. Dhe, takoheshin me shoqi-shoqin e qanin hallet. Njeri thoshte më kanë aq lekë, tjetri : “ aq lekë unë ua fal për kafe”. “Me gjithë ato fletore stivë nuk gjejmë dot as emrat. Përditë bëjmë llafe për mallin tonë e për lekët tona”. As ne as klientët nuk ua gjenim dot fillin borxheve, që kishin zënë njëra-tjetrën. Musait, që është tregtar i vjetër, i shkrepi një mendim dhe ua tha dhe shokëve: -Për të zgjidhë problemin, unë kam menduar të futim kuponin e pagesës…Shokët u hutuan, se kupon duhet t’u jepnin ata , jo klienti. -Po ua them unë, – këmbënguli Musai, – në çdo blerje klienti do na japë një biletë, a kupon, me vlerën e mallit. Ne do t’i mbajmë, deri sa t’i shlyejnë, pastaj i grumbullojmë dhe bëjmë bilancin dhe i grisim. 
-Oh, uua! Kjo është zgjidhje, do të shpëtojmë nga telashet! – brohoritën tregtarët e zinxhirit të borxheve. Po shija e ëmbël e atij propozimi u tret shpejt. Njërit nga tregtarëve, i vajti mendja tek e keqja: – Po me tregtarët e shumicës si do ia bëjmë, edhe atyre do tu japim bileta? Ata duan lekët e mallit, pa një pa dy! Të gjithë mbetën si kamerdare e shfryrë, kur merr ndonjë gozhdë. Kishin të drejtë, gozhda u ishte futur thellë. As e hiqnin, por kujt t’ia ngulnin? Klientëve u ishin grisur me kohë xhepat. Më keq ishte shteti. Kishte vite që tregtarëve u kërkohej të lëshohej kupon tatimor. “Si do të bëhej”? Tregtarët merrnin kupona nga klientët dhe duhej të lëshonin kupon tatimor klientëve. Fjala lekë nuk përmendej në atë marrëdhënie. Në fund të fundit, në një shtet ligjor, do të veprohet si ka vendosur shteti. Dara u shtrëngua, duhej bërë si gjithë bota: Të vendosen kasa fiskale, të jepen kupona tatimor klientëve! Në rast të kundërt, klienti të mos paguaj! Klientët, edhe më parë ashtu kishin bërë, as kanë paguar dhe as kupon nuk kanë marrë. Koha ndryshoi. Një ngjarje bëri bujë! Pa lëre, ç’solli ndryshimi. Një klient kishte dëgjuar , nëse tregtari nuk jep kupon-tatimor, merr mallin dhe nuk paguan. Klienti në fjalë bëri një listë të gjatë, pa pasur asnjë lekë në xhep dhe u nis te supermarketi. Mblodhi mallrat që ishin të shtrenjta dhe kaloi te arka. – Dua kuponin!- i thotë me gjysmë zëri. – Ju e keni shkruar me germa të mëdha: “LUTEM MERRNI KUPONIN TATIMOR PARA SE TË LARGOHENI”! Ishte si pushka bosh që tremb dy veta. Në xhep nuk kishte asnjë monedhë…Arkëtari, bëri sikur nuk dëgjoi dhe këmbëngulte për lekët, kurse klienti këmbëngulte për kuponin. Njeri thoshte lekët, tjetri kuponin! Priti pak blerësi dhe mori mallrat që kushtonin jo pak dhe u nis jashtë me nxitim. Arkëtari u zu ngushtë. Preu një kupon dhe formoi numrin e policisë. Policia u nis në gjurmë të klientit. Dhe e zunë në një qoshe dhe e ndaluan si rebel. -Çfarë keni? -Reagoi klienti që e dinte mirë përse e kishin ndaluar. -Nuk ke marrë kuponin-tatimor, lajmëroi arkëtari! -Unë e kërkova kuponin, por nuk ma dha njeri. Mora mallrat dhe u nisa për në shtëpi. Cili është gabimi im? Arkëtari arriti me një frymë, duke tundur kuponin. 
-Zotëri! Veprimi yt është i dënueshëm, pa kuponin gjobitesh rëndë.
-Po mua nuk ma dha njeri kuponin, e kërkova vet dhe u largova, si ka porositur qeveria. Ndërhyri arkëtari që mbante kuponin në dorë”: Po si do ta jap kuponin pa më dhënë lekët? Ja kontrollojeni në ka një kokërr leku në xhep!
-Unë i thashë, shkruaje në fletore, siç kemi bërë gjithmonë.
-Shko në market dorëzo mallin ose paguaj lekët! Mallin e kuponin e merr kushdo, që më parë paguan!
Unazat e metalta të policit shkëlqyen verbueshëm para syve të klientit.
Sigal