Regjisori Milto Kutali dhe aktori Arben Derhemi:Johan Padan dhe Amerikat, një monodramë aktuale

682
Sigal

INTERVISTA/ Flasin regjisori Milto Kutali dhe aktori Arben Derhemi: Drama të tilla kanë mesazh njerëzor

Këto ditë në sallën e Universitetit të Arteve u vu në skenë me shumë sukses monodrama “Johan Padan dhe Amerika” e autorit të famshëm Dario Fo. Kjo monodramë është një ndër veprat më të bukura të nobelistit dhe dramaturgut me famë Dario Fo. Monodrama është realizuar nga:

Regjisor-Milto Kutali, aktor-Arben Derhemi, skenografia-Beqo Nanaj, drejtor artistik-Aneta Malaj, lëvizjet skenike-Arben Spahiu, shqipëroi-Ilir Alliu,  formulimi muzikor-Albana Petrela. Suksesi i saj u pa qartë qysh në ditën e parë ku salla ishte mbushur plot, ku për një orë e 40 minuta aktori Derhemi e mbajti të mbërthyer spektatorin në fjalët dhe plastikën e tij.

 Milto Kutali

–        Si mbërriti nën regjinë e Kutalit kjo monodramë?

Ishte një dëshirë e përbashkët për të zgjedhur një vepër  që të kishte një mesazh aktual, të ishte pjesë e problemeve të kohës. Dihet se dramat e mëdha kanë mesazhe të fuqishme ndaj dhe deri tek trokitja tek unë ishte një rrugë disi e gjatë. Ishte një përqasje nga Johan Pardan e sugjeruar nga Stefat Çapaliku dhe mbas gjithë atyre përpjekjeve që patëm edhe me autorë të tjerë vendosëm të sillnim Johan Padanin në syrin e thjeshtë se mënyra e komunikimit të këtij autori në audiencën e thjeshtë shqiptare është skritifikuar me një sërë veprash që janë vënë në  skenë qoftë nga unë, por edhe  nga kolegë të tjerë.  Pra ky autor nuk ishte i panjohur, përkundrazi. Viti 2012 ishte një vit i trazuar për mjediset sociale shqiptare, dhe jo pa qëllim zgjodhëm “Johan Padan dhe Amerikat”. Një vepër që fundin e Botës e shikonte në një sens tjetër dhe nuk e shikonte siç e shikonte i gjithë njerëzimi. Më vjen mirë të kujtoj një mikun tim që tha: “Kush e ka thënë që do të ketë  fund bota në vitin 2012?” Amstradamusi i them. Kush është Amstradamusi për ne shqiptarët më thotë. Edhe po vetë thotë se ishte Nastradini.

 Pra, kjo vepër është kundër fundit të botës?

 Sigurisht që, edhe  kjo vepër thotë këtë gjë që nuk është e vërtetë  që do të ketë fund bote. NASA dhe Agjencitë e Shkencës e Studimeve dhe të analizave të fuqishme kanë arritur në përfundime të tilla që do të ketë shumë kohë që jemi të destinuar që të jetojmë në këtë lloj trualli, në këtë lloj bote dhe kozmosi ndoshta do të quhej kataklizmoja e Botës siç thotë dhe Johan Padani i famshëm se, “njerëzit nuk  po e arrijnë dot që të merren vesh me njëri-tjetrin”.  Ajo që shqetëson sot njerëzimin është se në disa raste ekziston një gjuhë që ai e gjen në fisin e kanibalëve dhe që nuk arrin që ta gjej gjuhën me vendasit e tij dhe me njerëzit e tij të një gjuhe, të një kombi, të një fare dhe të një fisi.

Ky është edhe mesazhi filozofik që përcjell vepra. Që njerëzit nuk duhet të heqin dorë nga ana shpirtërore, të mos konvertohen në makina, të mos konvertohen në mekanizma dhe të bien pre e teknologjisë së zhvilluar që po përjeton bota e sotme, por të ruajnë atë natyrë dhe atë seriozitet që i ka falur natyra njerëzore. Ata do të kenë  mundësi të operojnë në bazë të logjikës dhe të arsyes dhe do t’i largohen thikave dhe shpatave, pistoletave dhe të vetëgjyqësive. Ky është mesazhi më i fuqishëm i Johan Padanit.

  -Ku qëndronte vështirësia në realizimin e kësaj monodrame?

Kam përshtypjen se 1 orë e 40 minuta në skenë Arben Derhemi ka pasur jo vetëm vështirësinë për të komunikuar përmes një shkrimi brilant në monolog të   maestros siç është Dario Fo, por edhe fakti tjetër që jemi të detyruar të operojmë me një dinamikë të tillë që 1 orë e 40 minuta ai duhet të vrapojë në skenë falë një kërkese time që  ndoshta ndryshon me performancat e tjera të veprave të tilla që janë vënë në mjedisin artistik shqiptar. Gëzoj respekt për të gjitha ato punë. Por e veçanta e kësaj radhe është se kemi të bëjmë me një artist të vetëm në skenë, por e gjitha është e mizanskenuar në koncept të mirëfilltë regjisorial. Kjo gjë e bën të vështirë aktorin edhe për anën  tjetër që përveç lodhjen mendore duhet të  provojë edhe lodhjen fizike, se 1 orë e 40 minuta duhet të hipi të zbresë të  ngjitet dhe të vrapojë, pra të ketë një gjallëri dhe dinamizëm që nuk e kemi parë asnjëherë në skenën shqiptare. Një kërkesë kjo e dalë edhe nga shpirti im prej artisti. Duhet të prodhojmë artistë të sensit total, ndryshe këta do të sfidojnë me kërkesat që shtron epoka e sotme.

-Je i kënaqur me këtë punë?

Sigurisht që jam i kënaqur me këtë punë dhe realizimin e aktorit Arben Drehemi që është këmbëngulës dhe mjaft intuitiv.

Arben Derhemi

 Jua propozuan apo e zgjodhët vetë këtë monodramë?

 Për këtë dramë nuk më propozuan, por e propozova vetë. Fillova punën si kantautor (qesh). Zgjodha muzikën, pastaj zgjodha regjisorin, zgjodhëm pjesën e morëm e studiuam e përkthyem. Është një pjesë që kishte një vështirësi të jashtëzakonshme. Meqë ishte kaq e vështirë ishte edhe një lloj sfide e imja për të ardhmen dhe ishte edhe një lloj sfide e momentit që përjetojmë në Teatrin Kombëtar shqiptar.

-Një orë e 40 minuta në skenë a është e vështirë?

Është shumë e vështirë si nga ana fizike edhe nga ana plastike, mendore, aktoreske. Kjo ka të bëjë pastaj me përgatitjen e mirë të aktorit etj..

-Sa e vështirë është të luash një rol në teatër me një monodramë?

Është shumë e vështirë sepse përqendrimi në këtë rast është i një stadi tejet maksimal. Je një orë  e 40 min në skenë. Gjithçka e jotja jepet, drejtohet drejt shfaqjes. Aq e  vështirë është saqë kur mbaron shfaqja jam i mpirë komplet.

-A je i kënaqur me vetveten?

Atë e  thotë publiku. Mendoj se kemi bërë një punë të mirë duke lënë  mënjanë modestinë. Kemi bërë një punë të jashtëzakonshme tremujore. Dëshiroj që të na mbështesni sidomos ju të medias, si pushtet i katërt që ne të marrim forcë si art. Ju e keni mundësinë e reklamimit të teatrit ndaj mos hezitoni ta reklamoni pasi ndihmoni kulturën e këtij kombi halleshumë.

Ne me “Johan Padan dhe Amerikat” kemi bërë një shfaqje shumë serioze sikundër është dhe vetë teksti i kësaj monodrame potente. Por në rastin konkret  nuk kemi të bëjmë me fundin e botës siç predikohej nga predikues të ndryshëm në vitin 1912. Bota do të gjalloj dhe ne jemi përkrah kësaj gjallese.

 – Si aktor keni  trajtuar të gjitha gjinitë aktoriale, dramën, komeditë, filmin  televiziv, telenovelat, filmin artistik etj.. Ku është më i realizuar Arben Derhemi?

Arben Derhemi mundohet të bëjë ç’është e mundur për artin dhe të bëjë se ç’është e mundur për atë që ka punuar gjithë jetën që të jetë aktor. E  rëndësishme është që unë intelektualisht dhe fizikisht mendërisht jam i gjithi për teatrin dhe për filmin.

-Ju famën më të madhe si artist e morët tek telenovela “Njerëz dhe fate”.

Fatmirësisht televizioni të bën më shumë të njohur sesa të bën teatri. Televizioni është i ndjekur nga të gjithë shqiptarët, ndërsa teatri që nuk transmetohet nga televizioni ka një spektator shumë të kufizuar.

-Cilat janë sfidat më të mëdha të teatrit sot?

Sfidat më të mëdha të tetarit sot janë që teatri të mbijetojë. Teatri duhet të mbijetojë nëpërmjet intelektualëve të drejtuar nga intelektualët. I bëj thirrje personave që merren me teatrin që nga Kryeministri e duke përfunduar deri tek ministri i Kulturës së Rinisë dhe Sporteve që të mendojnë më shumë rreth teatrit dhe të mos mendojnë që teatri të mbijetoj me fushata dhe me vogëlsira. Teatri është art. Është art i bukur, i vështirë, por shumë edukativ, ndaj ai duhet të ndihmohet. Teatri do të mbijetojë duke e ngarë sa më shumë. Uji duhet turbulluar. Kjo është teori kineze, por ka një domethënie. Kjo është teori e njerëzve që kanë dëshirë të lëvizin dhe dëshira që kanë të bëjnë gjëra të mira për teatrin. Teatri është pjesë e ndërgjegjes së një kombi. Po ashtu dhe filmi. Por pak ndihmesa duken për ‘to në horizont.