Redi Llupa: Kam kënaqësinë të jem një student i artistit Santiago Rodriguez

636
Sigal

INTERVISTA/ Flet pianisti Redi Llupa: Dashuria është vetë e përkufizuar

Prania e muzikës në familjen e tij ngjizi dëshirën për të marrë këtë udhëtim profesional. Pra është rritur në një familje muzikantësh. Mamanë e ka pianiste dhe mësuese në Liceun Artistik të Tiranës, kurse babai është trombist në Teatrin e Operës dhe Baletit. Nuk mund t`i shpëtonte ndikimit të tyre prej muzikës. Që në vogëli ka shijuar operat, baletet dhe koncertet simfonike që shfaqte Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit. Gjithmonë, kishte dëshirë të dëgjonte orkestrën dhe të kishte mundësinë të shprehte vetë ngjyrat e shumta që ajo krijonte me anë të instrumenteve të ndryshëm. Pianoja në një farë mënyre është një orkestër në vetvete, të krijon mundësi të pafundme bashkëtingëllimi. Vetë ky tipar i saj i shtoi më shumë kërshërinë për ta mësuar.

   Kush ju përkrahu në këtë rrugë të bukur, por të vështirë?

Shumë njerëz, të cilët unë i kam për zemër. Familja sigurisht dhe të gjithë mësuesit në Shqipëri dhe jashtë vendit, por veçanërisht prindërit e mi që gjithmonë kanë qenë dhe janë akoma të pranishëm me përkrahjen e tyre dhe mësuesja ime Nadjezhda Porodini, e cila dedikoi shumë kohë të saj që të më mësonte rrugën e artit.

-Kur konkurruat në disa akademi cilën pjesë luajte dhe cilët pedagog kishit gjatë konkurrimeve?

 Rrugëtimi jashtë Shqipërisë filloi me Italinë, në vitin 2005. Unë fitova bursë të plotë për të studiuar në United World College of the Adriatik (Kolegjet e Bashkuara të Botës të Adriatikut). Aty pranoheshin studentë nga 80 vende të botës, ku duhej të studioje letërsi kombëtare dhe ndërkombëtare, shkenca, art dhe marrëdhënie politike. Mbi këto shtohej dega e muzikës n.q.s kaloje audicionin e performancës dhe teorisë muzikore. Në kolegj ishin vetëm 10 studentë që vazhdonin edhe muzikë profesionale, pesë nga viti i parë dhe pesë nga viti i dytë, programi ishte dyvjeçar dhe të gjithë zgjidheshim nga departamenti i muzikës. Unë fitova audicionin dhe pata mundësinë të vazhdoja studimet me Trio di Trieste dhe Trio di Parma, muzikante me famë botërore. Ne si studentë angazhoheshim me performanca të ndryshme brenda dhe jashtë Italisë si solistë dhe si grupe të ndryshëm për muzikë dhome.

            Gjatë studimeve në Itali një delegacion nga Konservatori i Bostonit erdhi për të dhënë koncerte dhe masterklase. Unë pata mundësinë të luaja për ta dhe të bëja audicionin. Dy muaj më vonë mbas audicionit një letër më erdhi duke më thënë që kisha fituar bursën për të vazhduar studimet atje në klasën e pianistit Max Levinson. Ishin katër vite të jashtëzakonshme për mua (2007 deri në 2011), shumë intensive dhe mjaft të frytshme. Udhëtova në shumë vende si Slloveni, Itali, Japoni dhe Brazil. Mbasi u diplomova aplikova për master tek Indiana University. Indiana është një universitet elite në botën e muzikës në të gjithë botën. Në audicion ishin të pranishëm performues botërore si: Arnaldo Cohen, Andre Watts, Evelyne Brancart, Emile Naumoff dhe Menahem Pressler. Ka qenë një gëzim i jashtëzakonshëm kur Menahem Pressler më pranoi në studion e tij. Nën drejtimin e Profesor Presslerit unë mbarova studimet e mia për master dhe gjithashtu dy semestra të akademisë verore të Universitetit të Indianës (vitet 2011 deri 2013). Mbas masterit aplikova në Frost School of Music në Universitetin e Miamit për doktoraturë, ku tashmë kam filluar studimet. Kam kënaqësinë të jem një student i artistit Santiago Rodriguez, një virtuoz, pedagog i shkëlqyer dhe filozof i artit.

Si ju duk Amerika për herë të parë?

Shumë dinamike. Kultura nga më të ndryshmet, shikoje ekspozita artistike kudo në qytet. Në rrugë muzika dominonte kudo, popullore, xhaz, klasike. Koha kalonte gjithmonë shpejt, punë pa fund dhe angazhime njëra pas tjetrës. U përshtata shpejt për shkak se ashtu ishte jeta atje.

-A i ke gjetur hapësirat e duhura në Amerikë?

Mendoj se po. Amerika më krijoi mundësitë të performoja shumë si brenda edhe jashtë vendit. Edukimi në universitet e saj me dha mundësitë të bëhesha kurioz për shumë gjëra.

-Sa koncerte keni dhënë dhe kur jeni ndjerë më keq?

Për fat të mirë shumë koncerte. Nuk i numëroj dot me saktësi. Kur ke kaq angazhime të shumta gjithmonë koha për të studiuar zvogëlohet dhe momentet kur nuk studion shumë janë ato që ndihesh më keq. Por gjithsesi, jeta e pianistit si performues është e lodhshme, duhet të jesh shumë i kujdesshëm në zotërimin e kohës

-Cilat janë veprat që keni luajtur, të cilat ju kanë lënë më shumë përshtypje?

Kam luajtur vepra nga periudha të ndryshme dhe kompozitorë të ndryshëm që nga periudha baroke deri te muzika kontemporane e shekullit XXI. Vepra nga më të ndryshmet më kanë lënë përshtypje, vështirë është ti veçoj, por gjithsesi mund të përmend koncertin për piano dhe orkestër frymore të kompozitorit francez Oliver Messiaen, Oiseaus Exotikues (Zogjtë ekzotik). Këtë pjesë e luajta tani më 21 nëntor ku u përzgjodha nga departamenti i pianos dhe orkestrës.  Kjo është një vepër e shkëlqyer, e shkruar midis viteve 1955-1956. Kërkon një përqendrim shumë të madh për çdo llok aspekti kompozicional. Respektim total i dinamikave dhe ritëm preciz. Për pianon është vërtetë një kafshatë e madhe ku ka plot katër kadenca solistike. Idea e Messiaen ishte të regjistronte plot 150 zogj nga e gjithë bota dhe të përkthente cicërimat e tyre në nota duke përdorur tingullin dhe ritmin sa më të përpiktë. Këto 150 zogj përdoren në disa pjesë të rëndësishme të Messiaen, nerto është edhe Oiseaux Exotiques ku janë plot 48 zogj! Kjo ishte premierë në Florida në Gusman Hall.

 -Po jashtë Amerikës në cilat skena keni luajtur?

 Në Europë kam luajtur në skena të rëndësishme si Parco Della Musica në Romë, Teatro Rivoltella në Trieste, Teatri Kulturës në Trento në Sallat kryesore të Gorizias dhe Lubljanës në Slloveni, Konservatorit të Zagrebit dhe Rijekes në Kroaci. Në Austri kam luajtur në Mozarteum të Innsbruck dhe Galerinë e Arteve të Sanct Johann. Në Japoni kam bërë koncerte në ACROS hall të Fukuoka dhe Kumamoto theatre, në Brazil kam luajtur në Konservatorin Federal University of Rio Grande do Norte të Natal dhe teatro Municipal de Mossoro. Së shpejti do të luaj në Puerto Rico dhe në Meksikë.

 Cila është arma më e fortë e pianistit në jetë?

Puna! Muzikës dhe pianos i duhet përkushtim, është një gjithësi me vete e pafundme. Zbulon më shumë dhe gjithmonë mund të bësh edhe më mirë. Mbasi luan në një koncert gjithmonë thua mund të bësh edhe më mirë. Ose edhe mbasi ke studiuar me orë të tëra prapë thua më duhet të studioj akoma!

-A keni menduar të vini në Shqipëri?

Për tani jam me studimet për të mbaruar doktoraturën. Shpresoj që mbas këtyre studimeve angazhimi im si pianiste nëpër skena të botës të rritet akoma edhe më shumë. Kjo do të thotë që do të jem gjithnjë duke udhëtuar. Gjithsesi, unë gjithmonë kthehem në Shqipëri dhe jap kontributin tim si pjesë e artistëve shqiptare. Kjo vlen edhe kur luaj jashtë Shqipërisë.

 Mendoni se keni zgjedhur profesionin e duhur?

 Mendoj se zgjedhja erdhi shumë natyrshëm. Kur isha fëmijë isha shumë i interesuar në shumë gjëra, jo vetëm me pianon. Kam dashur gjithmonë të mësoja se si të pikturoja, për një kohë mamaja të më blinte penela dhe bojëra të ndryshme të shihte n.q.s doja të vazhdoja në këtë fushë. Gjithashtu, kam qenë i interesuar në kompozicion, Para se të filloja studimet jashtë Shqipërisë unë merrja mësime kompozicioni nga profesor Thoma Gaqi. Në Boston, gjithashtu, kam bërë mësime për muzikë filmi në Berklee College, aty bënin projekte të ndryshëm për të kompozuar muzikë ose në të njëjtën kohë përshtatur muzika të ndryshme për një film. Gjithçka si përfundim ndihmoi për pianon. Çdo njohuri që merrja shprehia ime në piano rritej, gjithë kjo përvojë pasuronte horizontin tim si artist dhe pianist.

-Një përkufizim për dashurinë?

S`ka nevojë, dashuria është vetë e përkufizuar.

 “Armiku i Popullit” nga Ibsen vjen  premierë në Tiranë

  Teatri shqiptar në Shkup në bashkëpunim me teatrin “Oda” të Prishtinës, për hir të 40 vjetorit të aktorit të mirënjohur mbarëshqiptar, Bajrush Mjakut sollën premierën e shfaqjes “Armiku i popullit” me regji të Dino Mustafiç. Aktor dhe personalitete të shumtë të jetës publike ishin të impresionuar nga premiera e kësaj shfaqje, ata u shprehën të kënaqur që ishin pjesë e jubileut të aktorit të madh Bajrush Mjaku. “Një mbrëmje dinjitoze me një spektakël vërtet sa të veçantë aq edhe specifik në sensin e trajtimit dhe të prekshmërisë regjisoriale”, shprehet aktori Ndriçim Xhepa. “Sot e pamë një premierë të mrekullueshme me aktorë të të gjitha trevave shqiptare, dhe sonte Bajrushin e pamë si Baba”, shprehet aktori Sefedin Nuredini.  “Më vjen mirë që teatri ishte përplot në kuadër të një shfaqjeje ashtu siç patëm fatin për ta parë”, shprehet drejtori i teatrit, Adem Karaga. “Kishte vlerat e larta artistike në çdo pikëpamje dhe unë vetëm mund ta përuroj shfaqen e këtillë me dëshirë të kemi më tepër shfaqe në këtë dimension”, shprehet Flora Kadriu . “Njëherë mendoj që është një nga arritjet artistike të Bajush Mjakut. Është një nga ngjarjet që do të ngelen në historinë e teatrit shqiptar”, shprehet regjisori Bujar Luma. Pra kjo shfaqje tashmë do të jetë e pranishme edhe për publikun e Tiranës.

 Tetë artistë shqiptarë në “Pilot Gallery “ në Stamboll

Tetë  artistë shqiptar të njohur ndërkombtarisht nëpërmjet artit bashkëkohor, do të jenë pjesë e një video-performance mes 80 artistëve nga e gjithë bota në “Pilot Gallery “ në Stamboll nga data 7 deri më 25 janar 2014.  Projekti titullohet “All About These… Ladies and Gentlemen” dhe ka të bëjë me projektimin e një video-je në seksionin Co-Pilot të kësaj galerie në kurimin e artistit shqiptar Fani Zguro. Në bashkëpunim me “Gallery On The Move”, projekti “All About These… Ladies and Gentlemen” nisi në vitin 2013 në Viafarini në Milano, por që vazhdon duke ndryshuar në kohë. Çdo prezantim i ri do të bëjë pjesë artistë dhe video të reja, në një strukturë që mbetet e njëjtë, por që ndryshon informacionin dhe kohën. Seksioni Co- Pilot në një nga galeritë më të njohura të Stambollit është krijuar si një hapësirë shumë-funksionale për të pritur ekspozita, performanca, diskutime, apo seminare dhe duke u kthyer në një nga qendrat kontribuuese të artit alternativ në Stamboll.