Realitet që përsëritet…

848
Sigal

Vula e fshatit tim në vitet 1830-1912 dhe vula e Shqipërisë tonë në vitet 1992-2014

Në fund të viteve 1800, fshati im Beçishti i Tepelenës, pra fshati i Ali Pashës, përbëhej vetëm nga dy fise, nga “Halilajt” dhe “Çaçjat”. Më i njohuri në ato zona ishte fisi “Halilajve”, kjo për shkak se ishte fis bejlerësh me pasuri të mëdha, por edhe sepse prej këtij fisi kishte dalë Ali Pashë Tepelena. Deri sa qe gjallë Ali Pashë Tepelena në vitin 1822 (siç thonë dokumentet e kronikanëve të kohës), “vulën” e fshatit e mbante si “hajmali” një i afërm i Aliut. Pas vrasjes e rënies së Aliut, “ranë” edhe simbolet dhe fuqitë në zonat e pashallakët të tij. Sulltani nxori ferman, që të bëhej ndarja e re administrative e pashallëkut të Ali Pashës dhe çdo fshat të pajisjes me vulën e re, të Perandorisë Osmane. Kështu u bë edhe për Beçishtin, fshatin e Ali Pashë Tepelenës, pre brez pas brezi jam edhe unë. Mirëpo vula e re, krijoi konflikt mes dy fiseve “Halilaj” e “Çaçaj”. Dy fiset nisën luftën se, cilit fis i takonte ta mbante vulën e fshatit. Bimbashi turk në Gjirokastrës (siç është sot prefekti) nuk po e dorëzonte vulën, pa u zgjidhur çështja se, cili nga dy fiset do ta mbante vulën. Puna arriti deri aty, sa në krejt zonën e Tepelenës, vetëm fshati Beçisht kishte mbetur pa vulë. Shkak ishte egoizmi i të dy fiseve për të mbajtur vulën. Fshati ishte ndarë në dy pjesë. Deri përpara ardhjes së vulës së Turqisë, dy fiset shkonin mirë me njëri-tjetrin dhe kjo bënte, që fshati siç i thonë, të ishte “një familje”. Secili nga dy fiset “Halilaj” e “Çaçaj”, kërkonte të mbante vulën. Askush nuk hapte rrugë dhe kjo histori zgjati me vite.

Megjithë ndërhyrjet, sherri vulës nuk po zgjidhej. Përfaqësuesit e fiseve “Halilaj” e “Çaçaj”, ishin takuar disa herë për ta zgjidhur punën e vulës, por shkonin e ktheheshin pa mirëkuptim, duke i mëshuar “unit” të fuqisë dhe vlerave të fisit të vetë. Kështu zgjati kjo punë për afro 3 vjet. Kur e panë që Porta e Lartë, vendosi ta linte fshatin pa vulë fare e të varej nga fshati Damës, të detyruar nga turpi, dy fiset u ulën në bisedime për ta mbyllur këtë histori. Palët u mblodhën në kuvend të burrave dhe nisën bisedimet. Fisi “Halilaj”, thoshte që vula u takonte atyre mbasi ishin pasardhës të Ali Pashës. Fisi “Çaçaj” thoshte, se vula u takonte atyre, mbasi brez pas brezi nuk kishin mbajtur asnjëherë vulë fshati.  Asnjë prej fiseve, s’pranonte të mbetej pa vulë. Dy vula për një fshat, nuk jepeshin dot. Në këtë sherr, ndërhyri plaku më i moçëm i fshatit, Hafuzi i Parë. Ai propozoi një zgjidhje.

-Siç e dini, në fshatin tonë, kemi edhe Zenunin, – tha Hafuzi, Njeri fukara, njeri pa njeri, si gjak e zjarr, nuk është i asnjërit prej fiseve tona, ka ardhur këtu si muhaxhir e ka mbetur në atë copë tokë e copë kasolle që i kemi dhënë ne për të jetuar atje poshtë, në fund të fshatit, poshtë lëmit. Që të mos zihemi e të mos na mbetet fshati pa vulë se është turp, unë si Hafuz e bej i këtij vendi, mendoj që vulën ta mbajë Zenuni. Kur të marrim vendime për punët e fshatit, shkojmë të dy palët në kasollen e Zenunit e i vulosim. Ne e dimë që ai s’ka haber nga punët e fshatit, por këtë punën e vulës e bënë. Ia  ia mësojmë se ku ta vendos vulën dhe merr fund kjo histori, se u bëmë gazi Tepelenës e i botës. Pas kundërshtimesh e debatesh, u vendos që vulën ta mbante Zenuni. Kështu u bë. Në të gdhirë, i dërgojnë fjalë Zenunit, të shkonte në kuvendin e “Halilaj” e “Çaçaj”. Shkoi…

-Urdhëroni, përse më kërkuat?, – u tha Zenuni burrave të Halilajt e Çaçaj.

-Dëgjo këtu o Zenun!, – i thanë ata. Ne e dimë, që ti nuk je për këto punë, por kemi një hall dhe terezia e solli të na komandosh ti. Na ka zënë kusuri me vulën e fshatit. Kemi kohë që po zihemi, se cili nga fiset duhet ta mbajë këtë të mallkuar vulë dhe nuk po i bëjmë dot derman këtij halli. Që të mos zihemi ne dhe që të mos na mbetet fshati pa vulë, kemi menduar që vulën ta lëmë ty në dorë. Sa herë që të kemi për të vulosur ndonjë pusullë, do të vijmë të dy palët bashkë “Halilaj” e “Çaçaj” në kasollen tënde, për të vulosur.

– Dakort, – tha Zenuni, por unë kam një kusht!

– Edhe Zenuni, me kushte?!, – reaguan të habitur pjesëtarët e dy fiseve.

– Jo ore, punë që s’bëhet thoshin burrat e të dy fiseve!

– Prisni, prisni! Duroni ta dëgjojmë, çfarë kushti ka Zenuni e pastaj vendosim!, – ndërhyri Hafuz beu.

Pasi u vendos qetësia, iu drejtua Zenunit:

– Pa hë, fol ta dëgjojmë kushtin që ke!

– Po ja, – tha Zenuni, unë dua, që sa herë të vdesin njerëz në katundin tonë, të kalojnë njëherë nga kasollja ime, pastaj të shkojnë në varreza.

Përsëri pati disa kundërshtime, por u vendos të pranonin kushtin e Zenunit, mbasi edhe rruga për në varrezat e fshatit kalonte nga kasollja e Zenunit e nuk ishte ndonjë mëkat, që përpara se t’i çonin në varreza, të vdekurit t’i kthenin tek kasollja e Zenunit. U vendos, vula iu dorëzua Zenunit.

Vdiq i pari në fshat. Përpara se ta çonin në varreza e futën në kasollen e Zenunit. Pasi e ulën arkivolin përtokë, Zenuni i hapi kapakun, iu afrua dhe i belbëzoi diçka tek veshi. Kështu veproi edhe kur vdiq i dyti, i treti e me radhë…

Pasi kishin kaluar vite me këtë marifet, pjesëtarët e dy fiseve e thirrën Zenunin e i thanë:

– Dëgjo këtu, o Zenun! Ne ta plotësuam kushtin. Vulën po e mban në rregull, gjynah të qahemi nga ty. Por duam të dimë, se çfarë u thua të vdekurve, kur ne i kthejmë tek kasollja jote!?

– Posi ore, ua tregoj unë!, – u përgjigj Zenuni. – Unë u them, këtë gjë: – Kur të shkoni në botën tjetër, po ju pyetën, se si shkojnë punët e fshatit, u thoni:-Shikoni se kush mban vulën, ashtu venë edhe punët e fshatit tonë!

Përparim HALILI