Reagon Italia: Importin e plehrave e kërkoi Shqipëria

538
Përparim HALILI

Në ligj-pazarin e “Rilindjes urbane” të importit të plehrave, nuk ka asnjë diktat të BE-së
Skandali Qeveritar / Italia ka deklaruar, se importin e ka kërkuar Shqipëria, projekti “SCORIA” ka para-paguar fondet e investimit deri për vitin 2020
Sipas legjislacionit mjedisor të BE, Ligji Shqiptar Nr. 10463, datë 22.09.2011 “Për importin e plehrave në Shqipëri” (i rilindur në vitin 2016) është në kundërshtim të plotë me Direktivën e BE për “Menaxhimin e Mbetjeve” dhe në kundërshtim të plotë me direktivën e Bankës Botërore
Në faqen 282 të “Volumi-II” të projektit “SCORIA” që gjendet edhe brenda dosjes së ligjit të “rilindur” të import-përpunimit të plehrave, përfshirë edhe plehrat shqiptare, thuhet: Janë deleguar fondet e para financiare në qeverinë shqiptare për pjesën e projektit deri në vitin 2020”! Kjo ndoshta, shpjegon edhe këmbënguljen e kryeministrit të “rilindjes urbane” për ta miratuar patjetër këtë ligj…
Thuhet se janë 8 kompani të mëdha italiane, ruse, austriake e serbe, që do të fabrikat përpunimit të plehrave në qytetet shqiptare, por sipas projektit, qeveria shqiptare nuk ka fonde për ndërtimin e tyre dhe i është drejtuar për ndihmë investuese projektit “CARDS”, që në shkëmbim të dhënies së territorit të Shqipërisë si bazë “importi e riciklimi plehrash”, do ta ndihmoj për të financuar projektet e punëve publike, ku përmendet edhe projekti zhvillimor “Rilindja urbane”
Ky ligj, për të cilin u premtua anulimi, të cilin PS-ja e riktheu për miratim në vitin 2016, por që u bllokua prej Grupit Parlamentar të LSI-së me argumentin se është akt kriminal i helmimit të shqiptarëve, u deklarua se është vendosur të miratohet me urgjencë prej socialistëve, në shtator 2017
Përpjekja e dështuar e kryeministrit Rama, për të finalizuar pazarin me mafien rajonale të importim-riciklimit të plehrave është rikthyer përsëri si “betim”, për ta bërë realitet këtë krim shtetëror, me pasojë helmimin dhe kancerizimin total e përfundimtar të jetës së shqiptarëve dhe mjedisit. Tre ditë më parë, ai ka deklaruar se tani që ka pushtetin vetëm, do ta miratoj ligjin e importit të plehrave me urgjencë, i cili është bllokuar me të drejtë nga grupi parlamentar i LSI-së. Këtë vendim paraprak të deklaruar, kryeministri shqiptar e maskon pas gjoja udhëzimeve dhe kritereve të vendosura prej BE, si kusht për hapjen e negociatave. Por, a ka vërtetë urdhër, udhëzim, apo kusht të vendosur nga BE për të depozituar dhe përpunuar në Shqipëri, plehrat e vendeve të BE? Dijet që BE$ i ka vendosur kushte të tjera qeverisë “Rilindja” dhe ajo jo vetëm nuk ka plotësuar asnjë prej tyre, por i ka rënduar më tepër problemet… 
Skandali qeveritar/BE nuk ka vendosur si “kusht negocimi” importin e plehrave
Gazeta “Telegraf”, nëpërmjet burimeve të saj, ka zbuluar se kupola qeverisëse e “Rilindjes” po mashtron lidhur me emergjencën e miratimit të ligjit të plehrave. As BE dhe as Banka Botërore, institucioni që trajton e financon edhe problemet mjedisore në Shqipëri prej 25 vitesh, nuk kanë urdhëruar dhe nuk kanë firmosur për importin e plehrave në vendin tonë, paçka se kryeministri po përdor emrin e BE, sipas deklaratës së të cilit “ky është kusht i vendosur prej BE, për hapjen e negociatave për anëtarësim!” Ky është një akt i rëndë arbitrar, i cili tregon se kupola e “Rilindjes” është zhytur e ndotur aq shumë në “koshin” pazarit mafioz rajonal të importit të plehrave, sa prej sikletit po detyrohet të përdorë edhe emrin e BE. Kujtojmë, që në muajin tetor 2013, qeveria shqiptare, pasi bllokoi dhe anuloi ligjin “Berisha” të importit të plehrave që u tha se ishte “kriter nga BE-ja”, vetë kryeministri Rama, denoncoi publikisht me media skandalin që ish-qeverisja “Berisha” kishte mashtruar shqiptarët, se gjoja ligji ishte hartuar dhe miratuar sipas direktivës së BE, me urdhër të BE dhe me rekomandim e diktat të Bankës Botërore”.

Tani, që i intereson pazari për ta miratuar vetë këtë ligj të bllokuar nga vetë Edi Rama e pas rikthimit, prej të bllokuar me vota prej LSI-së në parlament, kryeministri po përdor skandalin që denoncoi, duke u maskuar pas BE, duke iu referuar ligjit “Berisha”. Në fakt, nuk ka asnjë udhëzim, urdhër apo kusht të vendosur prej BE, për ta miratuar këtë ligj që, nëse shqiptarët e lejojnë të miratohet e zbatohet, “vret” masivisht jetën dhe mjedisin e shqiptarëve! Mjafton të lexosh Ligjin Nr. 10463, datë 22. 09. 2011 “Për importin e plehrave” dhe nuk gjen asnjë shkronjë konsulencë, udhëzim, urdhër apo “kusht negocimi” të vendosur prej BE-së. Nuk gjen asnjë diktat apo vendim të bankës Botërore. Skandali qëndron në faktin se, BE dhe BB, as janë pyetur dhe as nuk kanë paraqitur ndonjë mendim formal për hartimin e ligjit në fjalë, paraqitur e miratuar në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese prej Shalësit të “Rilindjes”, si gjoja ”kusht i vendosur prej BE”. Realisht, deri sot që flasim BE nuk është shprehur fare lidhur me orientimin e importit të plehrave të vendeve të BE e të rajonit drejt Shqipërisë. Përkundrazi, sipas BE, Ligji Nr. 10463, datë 22.09.2011 “Për importin e plehrave në Shqipëri” (i rilindur në vitin 2016) është në kundërshtim të plotë me Direktivën e BE për “Menaxhimin e Mbetjeve”, si dhe në kundërshtim të plotë me direktivën e Bankës Botërore e cila, detyron gjithë shtetet dhe qeveritë e botës, që në ligjet dhe vendimet për problemet e ndërhyrjeve mjedisore, të marrin miratimin e komunitetit ku ka ndikim dhe veprim zbatimi i ligjit. Në rastin konkret, qeverisja e “Rilindjes urbane”, jo vetëm nuk ka marrë miratimin e komunitetit ku do futen, depozitohen e riciklohen plehrat e importit dhe ku do asgjësohen mbetjet e plehrave pas riciklimit, por ka përdorur edhe kërbaç e pranga policore ndaj banorëve që kanë protestuar kundër gropave të plehrave, si p.sh., në Fier, Elbasan, Korçë, Berat, Lushnjë, Shkodër, Vlorë, Bulqizë, Pogradec, Burrel etj. Madje “rilindësit urban” kanë guxuar e kanë futur në dosjen e ligjit edhe miratime false të komuniteteve dhe OJF-ve, sikur gjoja kanë dhënë miratimin, siç u denoncua rasti konkret. Shqiptarët nuk i pranojnë plehrat e botës. Importin e plehrave në Shqipëri, nuk e dikton as BE-ja, por është një pazar-biznes i kupolës së “rilindjes”, bërë me “trustin” e mafies rajonale që kontrollon dhe imponon biznesin e importit e përpunimit të plehrave nëpër të rajonit të Ballkanit, ndaj dhe kryeministri Rama deklaroi se Shqipëria është i vetmi vend në Rajon, që nuk ka firmosur pranimin importit të plehrave, duke përdorur emrin e BE! 
Ja çfarë përcakton dhe detyron, Legjislacioni Mjedisor i BE-së…
Në guidën “Përafrimi i Legjislacionit Mjedisor të Bashkimit Evropian”, përcaktohet kështu: “Atje, ku legjislacioni i BE-së për sektorin mjedisor, përmban një përzierje të direktivave me rregulloret, vendet duhet të bëjnë një kujdes të veçantë për të siguruar, që masa kombëtare për zbatimin e direktivave, të jetë e integruar në mënyrë të plotë dhe të mos konfliktohet me rregulloret e BE-së”. Në Ligjin Nr. 10463, datë 22.09.2011 ( të rilindur në vitin 2016), jo vetëm nuk është bërë kujdes që rregullorja të integrohet në mënyrë të plotë me direktivën (pra në rastin e Shqipërisë me ligjin MIM), por rregullorja është spostuar qëllimisht duke mos u trajtuar fare dhe nuk ekziston në dosjen e hartimit të projekt ligjit, as e përmendur formalisht si motivim. Në ligjin e “rilindur” të importit të plehrave, janë përsëritur qëllimisht 2 nene, që bien ndesh me direktivën e BE dhe kriterin e Bankës Botërore, nene këto që në aktivitetin e importit të plehrave e bëjnë procesin importues, të funksionoj pa rregulloren e detyrueshme, që do të thotë se të gjitha rrugët e keqpërdorimit të importit, janë të hapura.
Pushtuesi italian në vitet 1914-1920 dhe 1939-1943, i çonte mbetjet në Itali
Sipas studiuesit të historisë, profesor Mehmet Hasani, krimin mjedisor me importin e plehrave në Shqipëri, nuk kanë e kanë bërë as pushtuesit e huaj, megjithëse kishin gjithë fuqinë dhe lirinë për të vepruar e për më tepër që në ato vite, problemi “ndotje mjedisi” nuk njihej fare nga shqiptarët. Në arkivat e shtetit shqiptar, gjendet një fakt i tillë: Pushtuesi italian, në vitet 1914-1920 zhvilloi aktivitetin e nxjerrjes së kromit e bakrit në Bulqizë dhe Rubik, të naftës në Kuçovë dhe të ziftit në Selenicë të Vlorës. Sipas dokumenteve, ata nuk i linin dhe nuk i groposnin mbetjet teknologjike të naftës, kromit, bakrit, ziftit, hidrokarbureve e metaleve në Shqipëri, por i eksportonin rregullisht në Itali. Këtë praktikë kanë ndjekur italianët dhe në aktivitetin koncesionar nxjerrës e përpunues në Shqipëri edhe gjatë viteve 1939-1943. P.sh, Shoqëria “AIPA”, mbetjet teknologjike të lëngshme, të pa eksportueshme, sipas marrëveshjes me qeverinë shqiptare të kohës, i përpunonte dhe i asgjësonte teknologjikisht çdo muaj, mbi 40 kilometër larg zonave të banuara shqiptare ose direkt me groposje të thellë në vendburim, me miratimin dhe në prezencë të “Komisionit Popullor Zonal” ku vepronte, duke garantuar shëndetin e popullatës. Pas 100 vjetësh, Shteti Shqiptar bëri ligj për importimin e plehrave të botës dhe hedhjen e trajtimin e tyre, si dhe ku të dëshirojë importuesi….!

Italia ka deklaruar : Importin e kërkoi Shqipëria, fondet e projektit “SCORIA”, janë paguar deri për vitin 2020
Sipas projektit “SCORIA-Volumi II”, hartuar nga Agjencia Rajonale për Parandalimin dhe Mbrojtjen e Ambientit “ARPA”, me qendër në Pulia-Itali, ishte Shqipëria ajo që paraqiti kërkesën për import plehrash, madje ka kërkuar që ky import të shoqërohet edhe me financim për ngritje impiantesh për trajtimin e mbeturinave urbane industriale të rrezikshme, apo të parrezikshme të importuara nga vendet e BE dhe të rajonit. Në kapitullin e projektit “SCORIA” me objekt “Për Shqipërinë”, flitet për një grup qytetesh kryesore pranë bregdetit dhe kufijve tokësorë, që do të shërbejnë si ”baza” për ndërtimin e vend-përpunimit të plehrave, si dhe për një grup tjetër me mbi 30 qytete e zona banimi, ku do ndërtohen impiante më të vegjël për riciklimin e plehrave të importit dhe groposjen e mbetje fizike e teknologjike të këtyre plehrave. Sipas projektit “SCORIA”, rezulton se janë 8 kompani të mëdha të huaja (italiane, ruse, austriake e serbe) që do të bëjnë ndërtimin e “bazave” të përpunimit të plehrave në qytetet shqiptare, ku projekti përmend qytetet e Vlorës Elbasanit, Beratit, Shkodrës, Lushnjës, Fierit, Gjirokastrës. Në projekt thuhet, se qeveria shqiptare nuk ka fonde për ndërtimin e tyre dhe i është drejtuar për ndihmë investuese projektit “CARDS”, që në shkëmbim të dhënies së territorit të Shqipërisë si bazë “importi plehrash”, ta ndihmoj për të financuar projektet e punëve publike, ku përmendet edhe projekti zhvillimor “Rilindja urbane”. Kujtojmë, që konsulencën me qeverinë shqiptare, për projektin e importit dhe riciklimit të plehrave e ka realizuar Drejtori i Përgjithshëm i projektit “SCORIA”, Prof. Giorgio Assennato, me ndërmjetësimin e përgjegjës kryesor të projektit, zotin Vittorio Triggiani. Sa për informacion, “Volumi-II” i projektit “SCORIA” që gjendet edhe brenda dosjes së ligjit të “rilindur” të importit të mbetjeve është me 345 faqe dhe parashikon një skemë afatgjatë e gjigante të import-përpunimit të plehrave në Shqipëri, përfshirë edhe plehrat shqiptare. Konkretisht, në faqen nr. 282 të projektit, thuhet se janë “deleguar” fondet e para financiare pranë institucioneve zyrtare të qeverisë shqiptare për pjesën e projektit deri në vitin 2020, gjë që shpjegon edhe këmbënguljen e kryeministrit të “Rilindjes urbane”, për ta rikthyer dhe miratuar patjetër këtë ligj të bllokuar në parlament prej deputetëve të LSI-së, me bazë krimin mbi mjedisin dhe jetën e shqiptarëve!
Sigal