Ramona Tullumani vjen me recitalin e parë

344
Soprano e njohur dhe të ftuarit e saj do të sjellin për publikun të dielën disa nga pjesët më të famshme të muzikës së huaj dhe shqiptare
Soprano e njohur, Ramona Tullumani, do të sjellë për publikun koncertin e saj të parë recital të dielën, së bashku me koncert master, Ardita Bufaj dhe disa të ftuar. Në sallën e Muzeut Historik Kombëtar, sopranos do t’i bashkohen edhe tenorët Denis Skura e Ergys Mita. Gjithashtu, gjatë koncertit do të interpretojnë edhe balerinët Adela dhe Anxhelo Muçollari, ndërsa në violinë do të jetë Fatos Baduku. “Është koncerti im i parë recital dhe është vazhdimësi e ciklit “Opera Soul” në Teatrin e Operës dhe Baletit”, u shpreh Tullumani për gazetën “Telegraf”. Recitali është një moment i rëndësishëm për çdo artist dhe pas disa vitesh në skenë, soprano është e vetëdijshme për peshën që do të ketë interpretimi të dielën. “Kur e programuam këtë projekt, menduam se nuk do ta kishim të vështirë. Por me nisjen e përgatitjeve konkrete për recitalin, atëherë të gjithë artistët e angazhuar e kuptuam se kemi përpara një sfidë jo të lehtë. Ndaj jemi përpjekur të ndërtojmë një program shumë të pasur për të kënaqur maksimalisht ndjekësit e shumë të muzikës klasike dhe operës”, thotë Tullumani. Megjithatë ajo sqaron se koncerti është konceptuar edhe për një pjesë tjetër të dashamirësve të muzikës, që mund të jenë disi më larg shijeve plotësisht klasike. “Duam të japim një buqetë të bukur për spektatorin, i cili në dhjetëra e dhjetëra shfaqje na ka ndjekur dhe na ka shpërblyer me mbështetje dhe duartrokitje”, nënvizon këngëtarja lirike. Ajo u shpreh se ishte dëshira e saj për të përfshirë në koncert edhe të ftuar të tjerë. “Kam dashur të jenë në këtë koncert edhe pjesëtarë të tjerë përveç meje dhe normalisht nuk mund të mos kishte tenorë ky koncert”, thotë Tullumani. Ajo është rritur mes tenorëve dhe është e ftuar e përvitshme në koncertin “Tre Tenorët”. Më tej, këngëtarja lirike flet për programin që do të interpretojë të dielën në orën 19:00. “Është një program shumë i larmishëm, ku bëjnë pjesë arie nga opera të njohura për publikun dhe opereta gjithashtu. Nuk do të mungojë edhe muzika shqiptare, me jaret dhe pjesë të tjera të njohura”, sqaron soprano. Ramona shpjegon se koncerti është konceptuar si një kombinim i bukur i shumë pjesëve dhe zërave të ndryshëm, për t’iu dhënë kënaqësi shikuesve dhe dashamirësve të shumtë. Muzika klasike, shqiptare dhe e huaj, do të vijë si një kombinim interesant me baletin dhe interpretimet në piano dhe violinë. Tullumani dëshiron të falënderojë të gjithë bashkëpunëtorët e saj në këtë projekt dhe shpreh bindjen se publiku do të shijojë një mbrëmje të këndshme. 

Soprano Ramona Tullumani, krahas angazhimeve në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë, interpreton prej disa vitesh në skenat evropiane. Ajo ka kënduar së fundmi në operën e Sofjes dhe të Leçes, ndërsa në angazhimet e ardhshme do të jetë një tjetër rikthim në Operën Kombëtare të Bullgarisë, si dhe disa koncerte në Itali e vende të tjera.  
Rolet në karrierë
Violetta, “La Traviata”, Teatri i Operës së Tiranës, viti 2011 
Violetta, “La Traviata”, Opera e Leçes (Itali), viti 2012
Violetta, “La Traviata”, Teatri i Operës së Sofjes (Bullgari), viti 2016
Violetta, “La Traviata”, Teatri i Operës së Sofjes (Bullgari), viti 2018
Musetta, “La Boheme”, Teatri i Operës së Materas (Itali), viti 2010
Musetta, “La Boheme”, Teatri i Operës së Tiranës, viti 2012
Gilda, “Rigoletto”, Teatri i Operës së Tiranës, viti 2010
Gilda, “Rigoletto”, Opera e Leçes (Itali), viti 2016
Gilda, “Rigoletto”, Teatri i Operës së Sofjes (Bullgari), viti 2017
Adina, “L’Elisir d’Amore”, Teatri i Operës së Tiranës, viti 2011
Mimi, “La Boheme”, Teatri i Operës së Tiranës, 2012
Susana, “Dasma e Figaros”, Akademia e Arteve të Tiranës, viti 2008
Leila, “Peshkatarët e perlave”, Teatri i Operës së Tiranës, viti 2018
Lauretta, “Gianni Schicchi”, Teatri i Operës së Sofjes (Bullgari), viti 2015