Ramiz Kovaçi, baritoni me zërin e veçantë dhe njeriu me virtyte

945
Në 86-vjetorin e lindjes të “Artistit të Popullit” dhe “Nderit të Kombit”, repertori i tij vijon të cilësohet ndër më të arriturit në skenat shqiptare

Miq dhe të afërm përkujtojnë sot 86-vjetorin e lindjes “Artistin e Popullit”, baritonin Ramiz Kovaçi, i cili mban edhe titullin “Nderi i Kombit”. I ndarë nga jeta më tepër se 20 vjet më parë, baritoni i shquar i skenës shqiptare ka lënë pas një repertor të pasur dhe kujtime të bukura për publikun. Jo vetëm ndjekësit e Teatrit të Operës dhe Baletit, por edhe në shumë skena të tjera, brenda e jashtë vendit, është shijuar zëri i bukur i baritonit. “Artist i shquar dhe njeri me virtyte të larta humane dhe shoqërore, i prirur gjithmonë drejt përparimit”. Me këto fjalë, shkrimtari i madh Dritëro Agolli, e ka përmbledhur jetën dhe veprën e baritonit të shquar Ramiz Kovaçi. “Ramiz Kovaçi është një ndër figurat e mëdha të artit dhe të kulturës sonë. Me talentin e padiskutueshëm, me zërin e mrekullueshëm, me mjeshtërinë e lartë artistike dhe me punën e tij të palodhur e të vetëdijshme, ai u bë një ndër kolonat e forta që mbajtën në këmbë Teatrin e Operës dhe Baletit shqiptar, duke iu rritur atij nderin dhe autoritetin artistik dhe duke ua lënë të sigurt trashëgiminë brezave të rinj. Teatri i Operës dhe Baletit, me artistë si Ramiz Kovaçi, u bë një ndër elementët e rëndësishëm për të hyrë në Evropë. Veprimtaria e Ramiz Kovaçit luajti rol të ndjeshëm në përhapjen e muzikës skenike dhe në edukimin e njerëzve me këtë gjini muzikore të nivelit të lartë. Prandaj Ramiz Kovaçi, si artist i shquar dhe si njeri me virtyte të larta humane dhe shoqërore, i prirur gjithmonë drejt përparimit, meriton vlerësimin më të lartë”, shkruan Agolli, në një kujtim për artistin. Edhe për artisten Edit Mihali, Ramiz Kovaçi mbetet një ndër baritonët më të mirë dhe zërat më të bukur të lirikës shqiptare. Ai ishte një ndër krijuesit e Teatrit të Operës, si dhe Konservatorit të Tiranës.“Në atë kohë të mbyllur, eksperienca e artistëve si Ramiz Kovaçi, na ka rritur. Aq më tepër kur këto figura i shikon në skenë të duken të mëdha, ashtu siç ishin vërtetë, por kur njihesh nga afër më ta, siç ishte rasti im me gjigantin e muzikës shqiptare Ramiz Kovaçi, atëherë shikon se këta gjigantë ishin aq të thjeshtë dhe aq njerëzorë. Ishin pa ato meskinitetet e vogla”, kujton dirigjenti Bujar Llapaj. “Ajo që më bënte përshtypje te Ramizi kur ishte pedagog në Institutin e Arteve ishte se ai nuk merrej me vogëlsira dhe kishte një dije shumë të mirë për kanton. Unë i kërkova leje për të ndjekur një orë mësimi të tij, për të parë se si punonte me studentët”, është shprehur Llapaj. Ramiz Kovaçi lindi në qytetin e lashtë të Krujës, më 22 mars 1931, në një familje me tradita të hershme patriotike dhe intelektuale. Përfundoi shkollën e mesme të Liceut Artistik për kanto me pedagogun e shquar Mihal Cikon. Pranë Filarmonisë Shqiptare të asaj kohe organizohej konkursi për studime jashtë shtetit. Konkurroi dhe fitoi. Shkoi në Sofie (Bullgari) dhe filloi Konservatorin me një nga pedagogët më të mëdhenj të kantos operisitke të asaj kohe, profesor Brembarov. Ramizi ka qenë në një kurs dhe me të njëjtin pedagog të artistes së madhe, Rajna Kabaivanska. Doli me rezultate të shkëlqyera dhe e përfundoi studimet me medalje ari. Provimin e diplomës e dha me ariet më të vështira të zërit të baritonit, nga opera “Berberi i Seviljes”, “Traviata” etj. Bëri stazhin në operën e Sofjes dhe më pas kthehet në Shqipëri, ku filloi punën si solist i parë në operën e Tiranës. Shkoi në Romë dhe përfundoj me sukses kursin e jashtëzakonshëm të Akademisë “Santa Çecilia”. Ka shënuar rekorde në interpretimin e disa roleve si te “Lulja e Kujtimit”, “Traviata”, “Berberi i Seviljes”, etj. Ai u nda nga jeta në vitin 1994.

Disa nga rolet: Kristo, “Lulja e Kujtimit”, Ivani, “Pranvera”, Halimi, ”Heroina”, Ajdin Muzaka, “Skënderbeu”, Nika, ”Përtej Mjegullës”, Përgjegjësi, “Brigada e Grave”, Babai, “Borana”, Gjeta, ”Mrika”Doktori, ”Komisari”,Shahin Miluka, “Zgjimi”, Malësori, ”Vjosa”, Sokoli, “Agimi”, Sharples, “Madam Batërflaj”, Marceli, ”Boheme”, Zhermon, ”Traviata”, Rigoleto, “Rigoleto”, Zurga, “Peshkatarët e Perlave”, Robiston, ”Jolanda”, Silvio, “Paljaçot” Figaro, “Berberi i Seviljes”, Alfio, “Kavaleria Rustikana”, Prifti, “Maria Egjiptiane”, Papageno, “Flauti Magjik”.

Disa nga vlerësimet:
“Nderi i Kombit”, “Artist i Popullit”, ”Artist i Merituar”, “Naim Frashëri” – Klasi i Parë, ”Qytetar Nderi” i Krujës, “Mirënjohje e Qytetit të Tiranës”, “Qytetar i Veçantë i Izmirit”, “Medalje e Shoqatës së Rotarianëve të Turqisë”.
Sigal