Ramazan Çeka: Shkodra shtron sofrën bujare

1650
Sigal

 

Festë me këngë, valle e humor në “Sofrën Shkodrane”

 

SHKODRA SHTRON SOFRËN BUJARE

Nga Ramazan Çeka

Kalon një vit kalendarik dhe është e natyrshme që të kthehet koka prapa e të vlerësohet ç’është bërë e ç’nuk është bërë e të vlerësohet puna, të vlerësohet jeta e përditshme, të vlerësohen sukseset, por edhe mangësitë. Të gjitha këto lidhen jo vetëm me institucionet, por me të gjitha veprimtaritë e shoqërisë, deri tek familja dhe tek individi. Kështu që fundi i vitit zakonisht tek njerëzit e zakonshëm kthehet në një kartolinë që nuk bën bilance, por uron nga zemra që viti që vjen pas të jetë më i mbarë e më i bukur se ai që kaloi. Kjo natë shpaloset në përgatitjen dhe festimin që ata bëjnë me njëri-tjetrin, duke i finalizuar ata në natën e Vitit të Ri, ku në të gjitha familjet shqiptare sofra është më ndryshe, është më gazmore, e mbushur me miq, me djem e vajza, nipa e mbesa dhe mbi të gjitha është më e lumtur. Prandaj edhe urimi që zbukuron këto sofra është “Gëzuar, lumturi dhe një vit të mbarë”. Sikur të ishte e mundshme të bashkoheshin këto sofra ose copëza të tyre, do të krijohej një sofër e madhe, e cila do të përfaqësonte traditën e një qyteti të tërë, e pse jo të një kombi të tërë. Dhe kjo nuk është e pamundur, pasi për qytetin e Shkodrës ka rreth 20 vjet që Agjencia “Jehona e Shkodrës, jo vetëm ka mundësuar, por edhe e ka shtruar një sofër të tillë të madhe, duke e pagëzuar pikërisht kështu: “Sofra Shkodrane”. Kur shtrohet kjo sofër dhe sidomos kur je i pranishëm aty, nuk të shkon mendja as kush e bëri, as pse e bëri, por në momentin që ajo mbyllet del i kënaqur dhe i emocionuar, ndoshta duke u shprehur edhe me vete: “Eh, qejfi bëhet me shkodranë”. E në të vërtetë kështu është, pasi kjo agjenci me producent Xhelal Halili në sofrën që shtroi sivjet kishte thirrur më të mirët, artistët që dekada me radhë kanë qenë të ftuar jo vetëm në sofrën shkodrane, por në të gjitha sofrat e familjeve të qytetit tonë, nëpërmjet ekranit të vogël. Ndoshta është rastësi, por një rastësi e bukur dhe domethënëse. “Sofra Shkodrane” këtë vit u shtrua në Restorant “Florida”, duke na kujtuar se miqtë e shumtë që e kishin nderuar, kishin ardhur nga Kosova, por edhe nga Amerika e Largët. Koordinator i kësaj sofre ishte i palodhuri Agron Isufi, skenograf Hysni Halili, inspektor skene Sabah Baxha, fonia Flamur Fisheku, orkestra nën drejtimin e Miri Zuralit, si dhe regjia nga Besnik Çinari. Kështu kjo festë e paharruar filloi në orët e mbrëmjes, për të vazhduar deri në orët e para të mëngjesit në një atmosferë të gëzueshme e festive, ku miq të shumtë gëzonin e ngrinin dolli me të zotët e shtëpisë. Nuk kishte si të bëhej më bukur. Kënga e bukur shkodrane dhe ajo popullore shqiptare interpretohej nga mjeshtra të mëdhenj që ishin pjesë e kësaj sofre, duke e përcjellë atë në çdo tavolinë, duke krijuar kështu një kor të magjishëm, pasi siç thotë një studiues “Në Shkodër të gjithë këndojnë”.Pjesë e këtij repertori të mrekullueshëm ishin këngëtarët: Bujar Qamili, Mukades Çanga, Adnan Bala, Prekë Mrishaj, Agim Molla, Ben Goxhaj, Indrit Mlika, Gjina Zefi, Gentjana Tafili, Eli Sinaj dhe Klodiana Vata. Të ftuar, mysafirë në këtë sofër madhështore ishin edhe këngëtarët; Demir Zena nga Elbasani, Shaban Gjekaj nga Ulqini dhe Edi Furra nga Gjakova. Këngëtarët e mrekullueshëm shkodranë ua lanë radhën këngëtarëve të ftuar po kaq të mrekullueshëm, ku do të veçojmë këngëtarin Edi Furra nga Gjakova që solli këngët e paharruara të Esat Bicurrit dhe krijimtarinë e kompozitores së madhe kosovare Pranvera Badivuku. Me zërin e tij të mrekullueshëm, solli në atmosferë të kësaj feste jo vetëm repertorin e tij të përkryer, por edhe këngët e pavdekshme të Isuf Myzyrit, këngëtari i shquar elbasanas Demir Zena.

Kënga dhe moderimi

Si gjithmonë “Mjeshtri i Madh” i këngës Bujar Qamili krijoi një atmosferë të këndshme dhe elektrizuese, ku skenë bëri gjithë sallën dhe “partnerë” të gjithë të pranishmit që në këmbë duartrokitnin, vallëzonin dhe shoqëronin me zërin e tyre, këngët e tij të mrekullueshme. Më poshtë dua të ndalem e të vlerësoj, jo me pasionin e gazetarit, por të një dashamirësi për një komponent të rëndësishëm, siç është roli i moderatores së këtij spektakli. Është vështirë të marrësh përsipër rolin e zonjës së shtëpisë në një sofër kaq të madhe me kaq shumë miq e dashamirë, por kjo nuk është aspak e vështirë për një zonjë dhe artiste të vërtetë si Silvana Braçe, e cila respektoi dhe “sajdisi” të madh e të vogël që ishin pjesë në këtë gosti. E komunikueshme, e qeshur dhe gazmore, erëkëndshme si një luleborë shkodrane, ajo i dha jetë e gjallëri kësaj feste kaq të madhe. E kështu ndonjëherë sipas programit e ndonjëherë jashtë tij, atmosfera e sofrës vinte nga momenti në moment duke u ndezur, saqë të pranishmit shpesh harronin të preknin edhe pjatat që ishin servirur. Edhe në ndonjë pauzë që krijohej, dikush kujtohej ta rindizte përsëri atmosferën e për këtë kujdeseshin humoristët dhe bejtexhinjtë shkodranë. Aty ishin të gatshëm me humorin e tyre të pastër e të hollë aktorët e mëdhenj të Estradës Profesioniste të Qytetit të Shkodrës, “Mjeshtrat e Mëdhenj” Zef Deda, Besnik Çinari e Drande Xhaj dhe si gjithmonë të pranishëm me ta edhe humoristët Muhamet Çekini dhe Tan Brahimi. Nuk mungojnë edhe Grupi “Gaz e maraz” me Qazim Çelën e Gac Kodrinën. Aty ishin me shkëmbimin e bejteve të improvizuara “qit e prit” edhe bejtexhinjtë që tradicionalisht kanë qenë pjesë e dasmave dhe gëzimeve dhe që Shkodrës nuk i kanë munguar kurrë. Me bejta e shpotitje iu drejtuan njëri-tjetrit Gjosho Qyrsaqi, Agim Rudina, Dilaver Cufi, Isuf Çoku Bujar Zurali dhe Qemal Sykniqi, duke i kujtuar publikut që i duartrokiste se edhe ata kanë qenë e do të jenë pjesë e humorit popullor shkodran. Tryezat ishin të mbushura me bollëk, por edhe me specialitete të traditës shkodrane, falë profesionalizmit të kuzhinës së restoranti luksoz “Florida” me pronar Nikolin Nikaj. Kështu, me këngë, valle e humor, orët kaluan pa u ndjerë dhe të pranishmit u larguan duke e marrë me vete këtë atmosferë, për ta ruajtur në kujtimet e tyre më të bukura. Televizioni “Star Plus” u kujdes këtë natë që përmes kamerave të tij, ta përcjellë këtë festë të fundvitit në ekranet e vogla te çdo familje shkodrane dhe nëpërmjet internetit te çdo familje shqiptare kudo që ajo jeton. Gëzuar dhe për shumë vjet lexuesve të kësaj gazete dhe të gjithë shqiptarëve kudo që janë.