Ramazan Çeka/ Personalitete të kulturës shqiptare në skanimin e Albana Shehut

636
Ndoshta rastësia e solli që një ditë të njihesha nga afër me një grup xhirimi të TV “Scan”, që kishin ardhur për të realizuar një dokumentar televiziv për këngëtaren kosovare “Mjeshtren e Madhe”, Shkurte Fejza. Unë isha prezent dhe ndoqa me vëmendje se sa me përkushtim u punua për ta realizuar atë, jo vetëm në planin e dialogut dhe intervistave, por edhe në planet e tjera që lidhen me ambientet ku u realizua. Të gjithë pjesëtarët e grupit ishin në nivel të lartë profesional, por ajo që më ra në sy më tepër ishte drejtuesja, por edhe ideuesja e këtij dokumentari. Aty u njoha me të. Ajo ishte znj. Albana Shehu (Qiriako), e cila, siç mora vesh ishte Drejtoresha e Departamentit të Programacionit në TV “Scan”. Në një bisedë më të gjerë, ajo më tregoi se i kishte lindur ideja që të pasqyronte në TV “Scan” personazhe të muzikës, artit e kulturës në të gjitha trojet ku banojnë shqiptarë, në këtë dritare kulture, si një parfum plot aromë. Me aftësitë e saja të çmuara, me dashurinë dhe vullnetin e jashtëzakonshëm që ka ajo për profesionin, me durim dhe korrektësi, ka përballuar çdo vështirësi në ekran dhe terren, duke arritur të realizojë çdo objektiv dhe projekt artistik. Ajo gjithë kohës është në lëvizje e përkushtuar ndaj punës, duke luajtur një rol të rëndësishëm si pasqyruese e elitës që kontribuojnë kryesisht në artin muzikor. Ekranin e konsideron si të shenjtë. Para ekranit ajo gjithmonë është e vëmendshme të ndjekë çdo detaj. Albana është një nga ato krijuese dhe organizator,e që i ka dhënë këtij cikli dokumentarësh vlera jo vetëm artistike, por edhe një lloj “lirizmi”, që siç duket lidhet edhe me karakterin e saj. Ndoshta, pikërisht këtu ka lindur edhe emërtimi i këtij cikli “Parfum”.
Mënyra e saj e çiltër
Mënyra saj e çiltër e komunikimit dhe sinqeriteti në raport me kamerën dhe shikuesin, si dhe profesionalizmi, e kanë bërë Albanën tepër të dashur me publikun. Këto tipare e cilësi ajo i ruan edhe përtej ekranit, në jetën e saj të përditshme me një prezencë fisnike dhe dinjitoze. Albana ka një meritë të veçantë në pasqyrimin dhe evidentimin e vlerave në marrëdhënie me këngëtarë të shquar, kompozitorë të njohur, aktorë dhe dramaturgë të famshëm, për të lartësuar punën e tyre shumëvjeçare të bukur dhe të suksesshme, si rezultat i profesionalizmit, përkushtimit të saj, aftësive të jashtëzakonshme që ajo di t’i menaxhojë dhe t’i përjetësojë. Një zgjedhje e hershme kjo, ndoshta dhe e trashëguar, pasi që në fëmijërinë e saj ka pasur kontakte me ikona të skenës dhe ekranit dhe ka ëndërruar që një ditë t’i bëjë ata dhe veprat e tyre, personazhe sa më të njohur për publikun.
Mjeti më i rëndësishëm
Mjeti më i rëndësishëm në profesionin e saj është aftësia për të improvizuar dhe menaxhuar situata në mënyrën më perfekte, duke punuar me ritëm maksimalisht të shpejtë dhe njëkohësisht të saktë. Albana në profesionin e saj ndjehet e vlerësuar për sinqeritetin dhe mirëkuptimin që tregojnë personazhet e ftuar në komunikimin që ata kanë gjatë intervistave. Kjo ndihet në takimet e saj me këngëtarët, veçanërisht me emra të mëdhenj, kur diskutohet për këngën popullore qytetare, këngët për flamurin, atdheun, heroizmin, patriotizmin, çështjen kombëtare, kombin, Kosovën etj. Po ashtu edhe për muzikën dhe për kompozitorë me vlera shumë të mëdha artistike, të cilët kanë lënë gjurmë në muzikën shqiptare, prandaj ajo meriton mirënjohje, respekt dhe falënderim si një artiste e vërtetë. Forca sugjestionuese artistike bëri që kjo zonjë të fitojë popullaritet dhe u bë shumë e dashur për gjithë shqiptarinë. Ajo në emisionin e saj televiziv të titulluar “Parfum” po përçon vlera të vyera si një artiste e kompletuar dhe drejtuese e nderuar, lëvruese e shumë zhanreve, sidomos në fushën kulturore-artistike.
Në Shkodër, Pukë, Vlorë, Tiranë…
Në disa raste, pata fatin të jem i pranishëm në realizimin e shumë dokumentarëve televizivë, të ciklit të saj “Parfum” që ajo ia kushtoi disa personazheve të njohur dhe të nderuar të Shqipërisë si: Në Shkodër, Pukë, Vlorë, Tiranë, etj. duke vazhduar më pas në Kosovë, Ulqin, Tuz, Tetovë dhe Shkup. Mund të përmendim disa prej tyre si: “Mjeshtri i Madh” dramaturgu i famshëm shkodran prof. Fadil Kraja, Artisti i merituar 92 vjeçar Bik Ndoja, “Mjeshtri i Madh” Bujar Qamili, Kompozitori i shquar prof. Zef Çoba, humoristi i mirënjohur Besnik Çinari, duke vazhduar më pas me artistët kosovarë me legjendën e këngës kosovare dhe shqiptare Ismet Peja, Shyhrete Behluli, Shaban Gjekaj në Ulqin, Nikollë Nikprelaj në Tuz, Elita 5 në Tetovë, si dhe shumë projekte të tjera që janë në proces. Një jetë në skenë, një jetë me këngën shkodrane, me një repertor për t’u admiruar, solli insistimin e stafit të televizionit “Scan” të drejtuar nga znj. Albana Shehu që të bënte një dokumentar për legjendën e këngës popullore shkodrane artistin e merituar Bik Ndoja, pak kohë para ndarjes së tij nga jeta. M’paska marrë malli me këndu me ju”, u shpreh legjenda e Jares Shkodrane, këngëtari i madh Bik Ndoja, i cili shënon një rast të veçantë jo vetëm në Shqipëri por edhe në botë, pasi në moshë 92 vjeçare interpretoi live gjatë xhirimit këngën “Vashës bukur na i kanë shkru”. Në momentet që ky artist i madh po intervistohej, ai na dhuroi emocione të shumta. Albana ndjehej e privilegjuar që takohej me këtë artist të madh, një zë kumbues i skenës shqiptare, por njëkohësisht dhe një respekt të veçantë ajo shpalosi gjatë intervistës që zhvilloi me 92 – vjeçarin e paarritshëm, të madhin Bik Ndoja.
Me rapsodin e mirënjohur pukjan, Fran Pali
I paharruar është për mua dhe stafin e Albanës udhëtimi në Pukë së bashku me dy miqtë e mi të kahershëm prof. Osman Kozmaj dhe poeti Gjovalin Dushaj, të cilët na shoqëruan në një takim të paharrueshëm me rapsodin e mirënjohur pukjan Fran Pali, i njohur edhe si “Strativari” shqiptar, sepse nga duart e tij është prodhuar violina e parë shqiptare dhe jo vetëm një, por me dhjetëra të tilla, instrumente të nivelit të lartë që janë përdorur në shkollat artistike të Republikës. Në oborrin e shtëpisë së tij u improvizua një ekspoze e prodhimeve të tij dhe veglave të përdorura, të gjitha këto ilustrime të bisedës së ngrohtë që Albana zhvilloi me rapsodin. E veçanta ishte sfondi muzikor që mbushi oborrin nga interpretimet rapsodike të Franit. Ky burrë rreth 80-vjeçar, i qartë dhe vital, ishte vetë suksesi, vetë parfumi i asaj që Albana dëshironte të realizonte. U ndala pak më gjatë tek ky angazhim, sepse përpara takimit me këtë rapsod, Albana mori informacion më të gjerë nga dy miqtë tanë që na shoqëronin, artisti pukjan Gjovalin Dushaj dhe mësuesi shkodran Osman Kozmaj që për vite me radhë ka kontribuar në këtë rreth në fushën e kulturës. Albana Shehu (Qirjako) ka realizuar një numër të konsiderueshëm dokumentarësh televiziv me piksynimin e realizimit të një filmi dokumentar titulluar “Aroma e artit dhe kulturës shqiptare”.
Sigal