Ramazan Çeka: Festivali “Luleborë” simbol i kulturës shkodrane

967
Sigal

Festivali “Luleborë”, gur i çmuar në kulturën shkodrane dhe kombëtare

“EJA, EJA LULEBORË”

 

Nga RAMAZAN ÇEKA

 

“Eja, eja luleborë”. Ky varg i shkëputur nga refreni i këngës së pavdekshme me të njëjtin titull është, si të thuash, edhe ftesa që festivali i muzikës së mrekullueshme qytetare shkodrane, tanimë i përvitshëm, u bën dashamirësve të saj për ta ndjekur, përjetuar e shijuar atë në skenën mitike të Teatrit “Migjeni”. Ky fund tetori, me trillet e çuditshme të motit, të jep ndjesinë se jemi në një stinë të vërtetë pranverore, në stinën kur lulebora me simotrat e veta shumëngjyrëshe hijeshojnë oborret shkodrane e nën tingujt e soneteve të bilbilave, i këndojnë natyrës, jetës dhe dashurisë, për t’u nisur më pas fluturim në festival si një dekor që ta dhuron vetë natyra. E ku ka më bukur se kaq! Në dy netët e festivalit prania e tyre ndihej kudo: në tekstet e bukura, në kompozimet e mrekullueshme, në harmoninë e orkestrës, në skenografinë e spektaklit e mbi të gjitha në fytyrat e qeshura e të gëzuara të publikut artdashës shkodran që përjetonte çdo çast të prezantimeve, interpretimeve dhe intervistave gjatë festivalit. Kështu pra, nën pushtetin e këtyre emocioneve u zhvillua për dy net me radhë edicioni i katërt i Festivalit të Këngës Popullore Qytetare në Teatrin “Migjeni” në Shkodër, ku konkurruan 16 këngë, krijimtari të reja të cilat iu shtuan fondit të mrekullueshëm të këngës popullore qytetare shkodrane.

Natyrisht një organizim i tillë me nivel kaq të lartë profesional e artistik është meritë e Bashkisë së Qytetit të Shkodrës, e cila në bashkëpunim me Teatrin “Migjeni” bëri të mundur realizimin dhe suksesin e tij. Krijimtaritë e përzgjedhura mbanin autorësinë e krijuesve të njohur e të rinj, por në mënyrë të veçantë binte në sy edhe gërshetimi i moshës së interpretuesve të këngëve, ku të rinjtë e talentuar ishin edhe një tregues i vazhdimësisë së kësaj tradite që mbetet gjithmonë si një gur i çmuar në kulturën shkodrane dhe atë kombëtare.

Krijimtaria artistike, muzika, tekstet dhe interpretimet i përshtateshin kritereve të përcaktuara nga drejtuesit e këtij projekti, që janë dhe “njësitë matëse” për vlerësimin paraprak të këngëve.

Këngët e këtij festivali ishin krijimtari e kompozitorëve: Zef Çoba, Pranvera Badivuku, Edmond Zhulali, Enis Mullai, Oleg Gjerga, Nexhat Rexha, Zihni Beqiraj, Roland Guli, Tonin Tarnaku, Eugen Balca, Kolë Laca, Lekë Jakova, Bardhyl Hysa, Namik Jahja, Luan Dagistani dhe Arian Elezi. Interpretues në konkurim të këtij festivali ishin këngëtarët: Rita dhe Juli Ndoci, Diana Bilali, Rezarta Smaja, Leonard Guga, Hajro Pepaj, Orjeta Kelaj, Blerta Cina, Laorjan Ejlli, Klodiana Vata, Ademir Fresku, Xhuli Pjetraj, Artemisa Mithi, Ylber Tahiri, Arjan Elezi, Antoneta Shpendi dhe Beatriçe Gjergji. Juria e festivalit përbëhej nga emrat më të njohur të krijimtarisë dhe interpretimit të muzikës si: Poeti i madh Agim Doçi, kompozitori nga Kosova Valton Beqiraj, këngëtari Eduard Jubani, kompozitori Markelian Kapidani dhe këngëtari Armando Likaj, të cilët vlerësuan me shumë kujdes jo vetëm këngët, por edhe performancat dhe interpretimin. Performimi muzikor ishte “live” nën ekzekutimin e “Orkestrës Luleborë”, e cila përbën edhe themelin e suksesit të festivalit të këngës qytetare “Luleborë”, ku një meritë të veçantë përveç të gjithë instrumentistëve të kësaj orkestre të mrekullueshme kanë drejtuesit artistik Roland Guli e Ilir Zogaj, si dhe dirigjentët Jetmir Barbullushi e Kujtim Alia të cilët ishin më shumë se të tjerët ata që përjetuan çdo detaj të orkestrës dhe këngëtarëve.

Me mjeshtëri profesionale festivali u përcoll tek pupliku nga moderatorja e talentuar Linda Jarani, e cila i dha akoma me shume freski, ëmbëlsi e emocion me prezantimin e saj për dy netë me radhë. Tek prezantonte 16 këngët konkurruese te natës finale të përzgjedhura si një kurorë e freskët lulesh e tek lëvizte nëpër skenë, të realizuar me aq mjeshtëri nga piktori Adnan Kastrati, të ngjante me një flutur të verdhë pranvere që dehet nga hijeshia dhe aroma e luleborës, duke mahnitur edhe publikun me ngrohtësinë e zërit të saj.

Në përfundim të Festivalit juria akordoi edhe çmimet. Me çmim të parë u vlerësua kënga “Si at’herë të them të dua”, teksti Xhahid Bushati, muzika Zef Çoba, kënduar nga Laorjen Ejlli. Çmimi i dytë shkoi për këngën “Gjithmon’ shkurt rruga për shtëpi” me tekst të Meri Gulit, kompozuar dhe orkestruar nga Roland Guli, kënduar nga Rezarta Smaja. Me çmim të tretë u vlerësua kënga “Mall për rranjët”, teksti Ermira Omari, kompozuar nga Lekë Jakova, orkestruar nga Shpëtim Saraçi, kënduar nga Rita dhe Juli Ndoci. Çmimi special i jurisë ishte për këngën “Ku e gjete vedin”, teksti dhe muzika Shkodra elektronike, kënduar nga Beatriçe Gjergji.

Me nota vlerësuese për Festivalin “Luleborë”, dirigjenti i mirënjohur Jetmir Barbullushi pohoi, se ky festival ka marrë një autoritet të vetin, pasi është vetë spektatori shkodran ai që bën vlerësimin e prurjeve me forcën e vet tradicionale dhe zgjuarsinë e të vlerësuarit nëpërmjet duartrokitjeve.

Një surprizë e veçantë e këtij festivali ishte ngjitja në skenë pas rreth 30 vitesh e motrave Rita dhe Juli Ndoci me këngën “Malli për rranjët” e kompozitorit Lekë Jakova, me vargje te Ermira Omarit, të orkestruar nga Shpetim Saraçi, këngë, e cila u vlerësua edhe me çmimin e tretë. Pak orë më vonë këto motra si bija fisnike shkodrane këtë çmim ia dorëzuan në shenjë mirënjohjeje e vlerësimi kompozitorit dhe mikut të familjes së tyre Lekë Jakovës. Në një nga vlerësimet e tij brilante, poeti i madh Agim Doçi shprehet

Kush guxon me vu dorë mbi artin e bukur shkodran e ka të humbur davanë“. Drejtoresha e Teatrit “Migjeni” zonja Rita Gjeka, e cila ishte edhe regjisore e këtij festivali e përshkruan këtë festival si: “Eksperiencë të jashtëzakonshme të realizuar pas një pune intensive dhe me një përkushtim nga i gjithë stafi i organizatorëve, të cilët u kujdesën jo vetëm për mbarëvajtjen e festivalit, por edhe pasurimin e repertorit të muzikës qytetare, afrimin dhe aktivizimin e brezave të rinj me muzikën qytetare, si dhe rikthimin e vlerave të traditës“. Ajo shpalosi edhe projekte të tjera për këtë zhanër të artit. Festivali i Këngës Qytetare Shkodrane është një festival që bëhet me shumë dashuri çdo vit, duke qenë një gërshetim brezash krijuesish e interpretuesish, të cilët sollën vlera të padiskutueshme. Merita të padiskutueshme për këtë festival ka Bashkia e Qytetit të Shkodrës, Teatri “Migjeni” dhe sigurisht falënderimin më të madh për publikun e mrekullueshëm shkodran, sepse pa mbështetjen e tij, asgjë nuk do të kishte vlerë. Ky kontribut i çmuar për ruajtjen dhe trashëgiminë e vlerave më të mira të muzikës qytetare shkodrane u regjistrua nga Radio Televizioni Shqiptar dhe do të transmetohet së shpejti në ekranin e vogël.