Ramazan Çeka: Fëmijët e talentuar të “Diamond Fest” në Ferizaj

510

“Diamantët” e një festivali, fëmijë të talentuar

Ramazan Çeka

Edicioni i 6-të i Festivalit “Diamond Fest” në Ferizaj

 

“Diamond Fest”, kështu është pagëzuar 6 vjet më parë një iniciativë për të mbledhur në një skenë fëmijë të talentuar për këngën dhe për të organizuar me ta një festival me zërat e tyre të mrekullueshëm, që tanimë, pas 6 vitesh duken si moshatarë me vetë festivalin.”Diamond Fest” është si të thuash “Diamant Fest”, pra si të thuash Festivali i Diamantëve të vegjël, që në të vërtetë të tillë ishin atë natë, kur në Ferizaj në sallën e Teatrit “Adriana Abdullahu”, këta diamantë krijuan një kurorë të mrekullueshme, një kurorë brilante, që me talentin e tyre do të zbukuronte kryet e Kosovës aq të vuajtur dhe aq të përkushtuar, për të gjithë bijtë e saj. E diela që kaloi ishte rezervuar për t’u zhvilluar ky festival diamantësh. Ferizaj ishte në festë. Pranvera në këtë qytet, siç e ka bërë traditë këtu e 6 vjet më parë, nuk shqetësohet për motin, sepse edhe në qoftë se mund të ketë riga shiu vijnë fëmijët si lule pranvere, vijnë fëmijët si flutura dhe si bilbila dhe gjallërojnë qytetin e tyre, prindërit e tyre, e sidomos gjyshërit e tyre. Kështu erdhën këta fëmijë si një pranverë dhe me zërat e tyre të bukur, sollën emocione të mrekullueshme në skenën e dekoruar si një peizazh pranvere. Ferizaj këtë ditë e ndjente veten krenar, sepse përveç luleve të pranverës e kishin zbukuruar edhe 23 lule, edhe 23 bilbila të këtij qyteti që i kishin dhënë një gjallëri të jashtëzakonshme. Festivali këtë radhë u hap ndryshe nga edicionet e tjera. Nga Shkodra kishte ardhur vogëlushja bukuroshe dhe e talentuar, “Lulebora e Shkodrës” Aislin Kavaja, moshatare me festivalin, e cila interpretoi një këngë shumë domethënëse “Shkodrën përshëndes” me tekstin e autorit të këtij shkrimi, kompozuar nga Arsid Çeka, orkestruar nga maestro Luan Dagistani dhe në të vërtetë ajo ia arriti qëllimit, sepse solli në Shkodër edhe çmimin e dytë të Festivalit. Interpretimi i kësaj këngëtareje të mrekullueshme ishte aq i këndshëm si të kishte vite në skenë dhe u mirëprit me shumë dashuri nga publiku në sallë, duke e duartrokitur gjatë gjithë kohës. Pikërisht performanca e kësaj vogëlusheje i dha festivalit atë që ndoshta i mungonte më parë, zërin dhe krijimtarinë e ardhur nga Shqipëria nënë, ashtu si në festivalet e organizuara në Shqipëri, fëmijët nga Kosova kanë qenë përherë pjesëmarrës dhe të suksesshëm.“U gëzova pa masë, u shpreh nëna e Aislinit të vogël, gazetarja e njohur shkodrane Linda Kavaja, pas përfundimit të festivalit. U ndjemë të vlerësuar familjarisht, pasi e vogla jonë Aislin u paraqit me një performancë, që si të thuash na la pa mend. Ajo përmes këtij festivali, ku ngjitej për herë të parë në skenë, përshëndeti me këngën “Shkodrën përshëndes”, qytetin e saj, qytetin tonë, Shkodrën e Bik Ndojës, Shyqyri Alushit, Bujar Qamilit, Vjoleta Zefit, Mukades Çangës, Enriketa Kuqanit e shumë emra të tjerë. Përshëndeti muzikën e mrekullueshme shkodrane, duke ëndërruar që një ditë të bëhet pjesë e saj. Falenderoj nga zemra organizatorët e festivalit, e në mënyrë të veçantë drejtuesen e tij Njomza Mezini për mikpritjen e jashtëzakonshme. Përshëndes nga zemra autorët e këngës, poetin Ramazan Çeka dhe djalin e tij, kompozitorin e ri e të talentuar Arsid Çeka, si dhe maestro Luan Dagistanin. Falënderoj nga zemra qytetin e mrekullueshëm të Ferizajt. Mbresat për mua janë të mëdha, por për vajzën time të vogël janë të pashlyeshme”. U interpretuan 23 këngë nga 23 fëmijë të talentuar dhe këta zëra të rinj, ishin të konsiderueshëm për të organizuar një aktivitet të tillë. Çdo gjë në këtë festival ishte perfekt. Detajet që fëmijët kishin përzgjedhur për ta interpretuar këngën: diku një arush, diku një kukull barbi, një shpatë në një këngë me princesha e piratë. Të gjithë ishin kujdesur për performancën e mirë, e cila sigurisht nuk do kishte kuptim pa veshjet e bukura. Ajo çka na shijoi më shumë ishte lirshmërija në skenë e këtyre fëmijëve. Padyshim, një mrekulli!

“Diamont Fest” ishte një festival ku secili prej fëmijëve ishte një diamant që shkëlqente në mënyrën e tij. Po shkruaj këtë radhë shumë i emocionuar, sepse nuk më intereson thjeshtë informacioni për Ju të nderuar lexues, por emocioni që dua t’ju përcjell, sepse të gjithë Ju ndoshta do të dëshironit t’i përjetonit. Festivali “Diamond Fest” i organizuar që 6 vjet më parë në pranverë, ka një grup të përkushtuar organizatorësh, me një drejtoreshë edhe më të përkushtuar, me një emër domethënës, Njomza Mezini, e cila rrjedh nga një familje me tradita në art e kulturë dhe që ka dhënë një kontribut të çmuar në këtë qytet dhe në mbarë Kosovën.

Urimet për realizimin e këtij festivali janë të shumta dhe natyrisht ata janë edhe një inkurajim për vazhdimësinë e kësaj tradite. Urimet kanë ardhur nga të gjitha anët, nga qyteti ku u organizua, nga Kosova, nga Shqipëria, por edhe nga Diaspora, duke shprehur edhe ide që ky festival në të ardhmen të marrë përmasa më të mëdha mbarëkombëtare.Teatri Profesionist i qyteti Ferizaj “Adriana Abdullahu” përveç aktiviteteve të tjera, fton në këtë skenë edhe buqeta me lule pranverore si këta fëmijë, për ta mbushur me shpresë për të ardhmen këtë tempull që mbanë emrin e një aktoreje dhe artisteje heroinë. Festivali, siç thuhet zakonisht përfundoi me sukses, por suksesin e këtyre fëmijëve të mrekullueshëm natyrisht e përcaktoi një juri profesioniste, e cila nuk e pati të lehtë ndarjen e çmimeve, të cilët këtë radhë ishin menduar të jepeshin ndryshe, më gjithëpërfshirëse, sepse fëmijët e kësaj moshe janë të gjithë të talentuar dhe ëndrrimtarë për të ardhmen. Çmimet e Festivalit “Diamond Fest” u dhanë si më poshtë:

Vendi i parë kategoria 1 – Edi Sopa “Pak shpresë”,Teksti: Njomza Mezini ,Muzika: Andi Mezini

Orkestrimi: Arti Rec,

Vendi i parë kategoria 2 – Erena Veliu “Barbi”,Teksti: Njomza Mezini Muzika & Orkestrimi: Arti Rec ,

Vendi i parë Junior kategoria 3 – Nida & Djelli Abazi “Piratet dhe Princesha”,Teksti: Njomza Mezini,Muzika & Orekstrimi: Artan Mezini,

Vendi i dytë Junior – Aislin Kavaja “Shkodrën përshëndes”,Teksti: Ramazan Çeka, Muzika: Arsid Çeka, Orkestrimi: Luan Dagistani.

Skena e këtij teatri kaq madhështor ishte edhe hapësira që me dekorin e pikturuar me aq pasion, kishte sjellë një pranverë të vërtetë për fëmijët. Rrobat e tyre aq trendi dhe pranverore ishin disenjuar nga Nehat Braha. Drejtimin e këtij festivali e kishte marrë përsipër një moderatore e mrekullueshme, një mike e fëmijëve, prezantuesja Top Hop Hitit në RTV 21 Jora Abazi, por përgjegjësi dhe përkushtim të jashtëzakonshëm kishte marrë përsipër edhe vetë RTV 21, për ta pasqyruar këtë aktivitet, i cili me pjesëmarrjen e këtyre zërave të mrekullueshëm fëminor, ndoshta i jep jetë edhe këtij ekrani kaq të ndjekur në hapsirat shqiptare. Për ta mbyllur po rikthehem edhe një herë tek Njomza Mezini, ideueses dhe drejtueses së këtij festivali, për t’i uruar suksese në aktivitete të ardhshme, por dhe për t’i bërë edhe një propozim nëpërmjet këtij shkrimi, bashkëpunimin me festivale të këtij niveli që nuk janë pak edhe në Shqipëri. Një propozim i tillë mendoj se është një kontribut i rëndësishëm për kauzën shqiptare.

Maj 2019