Ramazan Çeka/ Ahengu shkodran kryevepër e trashëgimisë kulturore

584
Në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, në një mbrëmje të vërtetë festive, në oborrin e mrekullueshëm të Shtëpisë Muze “Oso Kuka”, njëkohësisht Muzeu Historik i Shkodrës, përmes një organizimi perfekt startoi me plot hijeshi e freski, tinguj e ngjyra, “Ahengu Shkodran 2015”, si manifestimi më i madh, duke krijuar një atmosferë festive që me të drejtë është një nga shtatë kryeveprat e shpallura të trashëgimisë shpirtërore kombëtare.
Ky aktivitet në këtë edicion solli një risi: Interpretuesit e këngës së vjetër shkodrane nuk ishin më ikonat e njohura nga publiku shqiptar, por një brez i ri këngëtarësh që treguan në këtë spektakël se ky qytet ka një burim të pastër dhe të pashtershëm që mund ta themi pa frikë se tradita e këngës popullore qytetare shkodrane e ka siguruar tashmë sigurinë e saj.
I shkojnë këtij qyteti këto lloj festash, këto manifestime sa të bukura aq dhe kulturore e shpirtërore, siç i ka hije “Ahengut Shkodran” me ritme e hove rinore.
Çfarë kënaqësie! Në auditorin e improvizuar të këtij oborri binin në sy në radhët e para këngëtarë e këngëtare të shquar, elita e këngës shqiptare si: Bujar Qamili “Mjeshtër i madh”, Vjoleta Zefi, Mukades Çanga dhe Adnan Bala, që për dekada me radhë e kënduan këtë këngë në skenat e qytetit, në skenat shqiptare dhe e ruajtën të gjallë, të freskët dhe autentike, të cilët në mënyrë miqësore, profesionale dhe të paanshme, bënë vlerësimin për këngëtarin dhe këngëtaren më të mirë, duke besuar dhe uruar që të vazhdojë më tej tradita e bukur e interpretimit të këngës popullore qytetare shkodrane.
Ndoshta kjo ishte “juria” e vërtetë e vlerësimit të këtij aktiviteti, pasi ata me kënaqësi dhe një mall të brendshëm duartrokitnin me shumë emocion zërat e rinj që interpretonin në skenë, të siguritë se kënga popullore qytetare shkodrane nuk vdes kurrë.
Ai që solli këtë risi ishte profesori i të gjithë këngëtarëve, muzikologu Ferid Bala, idenë e të cilit e përqafoi dhe e bëri realitet Qendra Kulturore “Pjetër Gaci” me udhëheqës artistik Bardhyl Hysa dhe organizatori Sidrit Lohja. 
Në fund juria përmes duartrokitjeve dhe emocioneve të shumta, vlerësuan si zërat më të mirë Jozefina Simonin dhe Ilsi Ademin për interpretim dhe origjinalitet të lartë artistik këngën popullore qytetare shkodrane. 
Fituesit shprehen falënderimet e tyre përmes emocioneve të mëdha duke treguar dashurinë, pasionin dhe vullnetin që kanë ata për këngët popullore qytetare shkodrane.
Këngëtarja e re Jozefina Simoni falënderoi jurinë dhe publikun për vlerësimin që i bënë. “Është një emocion shumë i madh sepse ky është çmimi i parë që marrë. Ku ka më mirë dhe më emocion se me e marrë në qytetin tim me këngët e papërsëritshme të krijuesve të mëdhenj shkodranë u shpreh ajo”. 
Këngëtari i ri shumë i talentuar Ilsi Ademi me sy të përlotur dhe i emocionuar nga gëzimi tha: “Kam fituar disa çmime, por për këngën popullore ky është i pari. Jam shumë i nderuar pasi ky vlerësim është dhënë me profesionalizëm dhe me zemër të madhe artistike. Faleminderit jurisë dhe dashamirësve shkodranë.
Çmimi që fitova në “Ahengun Shkodran” është një vlerësim i madh jo vetëm për mua, por edhe për kolegët e mi këngëtarët e rinj të Shkodrës, pasi u vlerësuam nga një juri profesioniste, e cila zgjodhi që unë të jem përfaqësues i vetes, por edhe i disa artistëve të tjerë në “Ahengun Shkodran” ndërsa Jozefina Simoni të përfaqësoi veten, por edhe koleget e saj. Urime Jozefina!
Faleminderit Shkodër që e donë rininë artiste kaq shumë! Faleminderit edhe miqve e kolegëve të tjerë pjesëmarrës, sepse kemi përjetuar disa momente vërtetë magjike dhe të pashlyeshme nga memoria jonë. Edhe njëherë faleminderit!”
Dy fituesit mes tetëmbëdhjetë konkurrentëve interpretuan dy prej këngëve më të bukura qytetare, siç janë: “Për mu paska kenë kismet” dhe “Me dymbëdhjetë mekame”.
Edhe këngëtarët e tjerë të rinj që morën pjesë dhe interpretuan këngë popullore qytetare morën vlerësime më të mira nga juria e organizatorët, por edhe nga publiku që kishte tejmbushur oborrin e shtëpisë muze “Oso Kuka”.
Me këtë rast moderatoria e njohur shkodrane Gentjana Dani, falënderoi spektatorët e shumtë, si dhe formacionin orkestral, që evidentuan më së miri talentin dhe vlerat e tyre.
Anton Kaftalli – violinë
Indrit Kodraliu dhe Agron Rexha – klarinetë
Dritan Mlika – kitarë
Fitim Tuzi – kontrabas
Fatmir Mesi – dajre
Andi Unaza – fizarmonikë dhe drejtues orkestre.
Me zërin e bukur dhe të spikatur të këngëtares nga Ulqini, Egzona Salaj, me interpretimin e këngës “Djalë i dashtun” një talent i ri, e dashuruar dhe apasionuar me këngën popullore, studente e shkëlqyer për kanto në Shkollën e Mesme Artistike “Prekë Jakova” në Shkodër, e bija e këngëtarit të mirënjohur popullor Gëzim Salaj, e cila për herë të parë merr pjesë në këtë eveniment, që shkëlqej edhe në Festivalin Folklorik Mbarëkombëtar në Gjirokastër, fituese e çmimit të parë si këngëtarja më e mirë në këtë festival, u mbyll kjo mbrëmje magjike, duke bërë urimin “Ju shkoftë jeta me aheng”.
Kështu u përmbush një dëshirë e organizatorëve, që këngët e bukura të “Ahengut Shkodran” të interpretohen nga këngëtarë të rinj. Sigurisht ka dhe të tjerë që duhet kërkuar për t’i gjetur dhe mbështetur.
Tetor 2015
Sigal