Ramadan BIGZA: PE hap dyert për emigrantët shqiptarë

739
Por disa bashkatdhetarë emigrantë me banim në Greqi të bashkuar tek shoqata “Arogi” dhe “Unioni” ndërmorën një iniciative, e cila do t’i shërbente qëllimit të mirë dhe zgjodhën Brukselin, kryeqytetin e Europës, qytetin e banuar me më shumë se 60 për qind emigrantë, ku siç thuhet, të paktën çdo belg e ka një gjysh apo një gjyshe të huaj. Mirëmëngjesi Bruksel! Kisha qenë edhe herë tjetër në këtë vend. Më kishte bërë përshtypje qetësia e madhe, mungesa në dukje e forca të rendit. Por, Brukseli i këtij dhjetori 2015 ishte krejt tjetër. Ishte një Brukseli i blinduar, ku qarkullonin policë të të gjitha ngjyrave, që lëviznin në grupe të përbashkëta me armët në gatishmëri të plotë dhe të mbajtur në pozicione luftimi. Në qendrat kryesore të qytetit ishin instaluar mjete të blinduara, të gatshme për të vepruar në çdo rast. Dhe e gjitha kjo për të mos humbur atë gjallëri karakteristike, atë shkëlqim inkandeshent, atë gëzim, që shfaqej dukshëm në prag të festave të Krishtlindjeve e të Vitit të Ri, që arrinte kulmin në zemrën e Brukselit Grande Palace, me ndërtesat e veta të stilit gotik e barok. Pjesë të kësaj atmosfere u bëmë edhe ne shqiptarët dhe kjo edhe falë asaj, që na ofruan vendasit pasi siç dihet, belgët kanë dy cilësi: janë të shoqërueshëm dhe u pëlqen të jetojnë mirë. Simboli belg me kostum kombëtar shqiptar. Në PE, Adriatik Arifi është arkitekti i këtij organizimi. Është ai që bëri të mundur, që emigrantët shqiptarë të kalojnë pa droje “portën e shenjtë” të këtij simboli të bashkimit europian. Emigrantët shqiptarë nuk janë thjeshtë vizitorë, por ata kanë ardhur këtu me një mision. Misioni i tyre është i madh. Ata duan të tregojnë me shembujt e tyre se emigracioni nuk duhet të shihet vëngër nga vendet pritëse. Duan të tregojnë se përballë burokracive të shumta, në ndonjë rast edhe përballë asaj dukurie racizmi, apo krizës së madhe, që po kalojmë, ato kanë ditur të mbijetojnë. Dhe kjo falë punës së tyre, djersës dhe kulturës, që i karakterizon. Përballë këtyre vlerave ata kanë ditur të ndërtojnë imazhin e tyre të mirë të vlerësuar edhe nga vendasit. Të mbartur me këto cilësi të vyera, duket se lexoj krenarinë tonë, teksa shoh të kalojnë derën e hapur të parlamentit europian biznesmenë të tillë të suksesshëm, si Petrit Selmani, Ardian Daullja, Arjan Tollumi, Majlinda Zhuleku apo intelektualë të tillë si Adriatik Arifi, Fatos Malaj, Andrea Ferizi, Beniamin Ziu, Mirela Hoxha, Adrian Rakipi, Kristina Roshi, Valbona Bombaj, studentet e suksesshme Enida Suli, Ornela Bozhiqi, Joana Arifi, Entela Begaj, Xhuliana Cabej etj. apo edhe të tjerë që me veprimtaritë e tyre, janë bërë pjesë e njohur e komunitetit shqiptar në Greqi si Marjanthi Jani, Aqif Bozhiqi etj. E së bashku me shqiptarët edhe një mik i vjetër i yni, Angjelis Vasilis, një emigrant grek, i cili 45 vjet më parë la vendin e tij për të emigruar në Gjermani. Të gjithë të imponojnë respekt. Sikur e kisha parandier këtë gjë kur para derës së Parlamentit Europian u shfaq zoti Vasilis Kunaras, shef i zyrës së vizitave dhe seminareve në drejtorinë e përgjithshme dhe seminareve në PE. Zyrtari europian pasi i uroj mirëseardhjen emigrantëve shqiptarë, që jetojnë e punojnë në vendin e tij, falë një erudicioni, që e karakterizonte, shpjegoj qartë dhe bukur se si funksiononte ky Parlament. Ai foli për ndarjet e detyrave, europarlamentarët, komisionet, të drejtat dhe detyrat. Pas një ekspozeje, që ishte perfekte në mënyrën e saj. Radha u erdhi bashkatdhetarëve tanë, të cilët tek i dëgjoje tek flisnin, të krijohej përshtypja se siguria e fjalëve e ka bazën tek puna e tyre, kultura, ajo që kanë pasur dhe ajo që kanë fituar etj. Fatos Malaj, kryetar i shoqatës “Arogi:” Pas këtij takimi shpreh besimin për një të ardhme më të mirë. Vizita në PE ishte një domosdoshmëri për t’i parë më mirë punët dhe detyrat. PE nëpërmjet instancave të tij ndjek çdo veprimtari të emigrantëve në vendet ku ata kanë emigruar. Por mesa vërejta edhe në këtë seli kanë nevojë të dëgjojnë nga afër zërin e emigrantëve. Jo thjeshtë për t’i dëgjuar, por mbi këtë bazë të ndërtojnë edhe më mirë punën e tyre”. Ardjan Daullja, kryetar i “Unionit të shoqatave shqiptare në Greqi”: Erdhëm në PE me një mision të madh për të bërë prezent arritjet tona, hallet që kemi, por edhe mundësitë për të ecur përpara. Petrit Selmani-biznesmen: “edhe pas 25 viteve, emigrantët shihen si qytetarë të dorës së dytë nga politikanë konservatorë. Qeveria greke po vonohet në zbatimin e ligjeve, duke u bërë pengesë për integrimin tonë në shoqërinë ku jetojmë dhe kontribuojmë”. Entela Suli-studente “Unë mendoj se shoqëria Greke, ku ne jetojmë, duhet të jetë më e vëmendshme ndaj problemeve që kanë njerëzit në nevojë.” Angjelis Vasilis – administrator në Frankfurt të Gjermanisë: “Unë jam një emigrant grek që jetoj e punoj në Gjermani. Dëshiroj që ndaj miqve të mi shqiptarë shteti im të sillet e të veprojë sa më mirë për integrimin e tyre europian”. Adriatik Arifi: Si konkluzion them se ky takim ia vlejti. U hap kësisoj një rrugë komunikimi. Emigrantët mësuan se kanë edhe një qeveri tjetër që quhet BE”. Në një lokal grek, ku u këndua shqip me mikun tim të mirë Petrit Selmani, u ulëm për të pirë një kafe, diku në qendër të Brukselit. Mësuam se ishte një lokal që frekuentohej nga grekë që kishin emigruar në Bruksel. Kamerierja quhej Rebeka dhe ishte nga Rumania. Ajo fliste greqisht, por kur dëgjoj se ne ishim shqiptarë, na tha në gjuhën tonë se në këtë zonë keni shumë bashkatdhetarë. Ajo po na fliste shqip dhe dinte me saktësi qytetet tona. Nuk vonoj shume dhe nga qendra e zërit të lokalit grek u dëgjua një këngë shqiptare. Ishte vërtetë një surprizë që na gëzoi. Takim biznesmenësh, Gëzim Bala është një emigrant shqiptar që jeton e punon në Bruksel. Vite më parë ai ka qenë në Greqi. U mblodhëm bashkë për të gëzuar të gjithë, ndërkohë që Ardian Daullja dhe Arjan Tollumi e zgjatën më shumë takimin mes tyre, tashmë në profesionin e tyre.

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 09.12.2015
Sigal