Rajmonda Popaj/ Emigrantët kujtojnë viktimat e luftës së Kosovës

633
Sigal

Shoqata “Iliria”, takim sensibilizues për të gjithë shqiptarët në Slloveni e diasporë

Në një nga ditët e dhjetorit, në një salle moderne, Ulica Kidriceva 43 në Koper, u zhvillua një takim mes shqiptarëve të disa shoqatave nga të gjitha trevat. Promotori i këtij takimi, ishte zoti Heset Ahmeti, kryetar i shoqatës shqiptare kulturore “Iliria” në Koper. Salla ishte plot jo vetëm me shqiptarët që janë në Slloveni, por dhe të ardhur nga Italia dhe Austria. Kënaqësia që sjellin këto takime, nuk janë vetëm temat që zhvillohen, por dhe takimi me njëri-tjetrin dhe duket sikur është krijuar një “vartësi ” e ndjehemi si me njerëzit e familjes. U pritën miq nga Prishtina, të ftuar nga kryesia e shoqatës, si Prof. Dr. Sadik Krasniqi dhe drejtoresha e Trashëgimisë Kulturore Historike së Kosovës, znj. Lumnije Haxhijaj. Gjithashtu, ishin të ftuar; i ngarkuari me punë i RSH-së në Slloveni zoti Ardian Simoni, poetja dhe humania zonja Vitore Stefa Leka, Aktiviste e çështjes kombëtare zonja Raimonda Popaj, përfaqësues së kryesisë së shoqatës Shqiptare “Atdheu” në Graz të Austrisë etj.. Zoti Krasniqi bëri prezantimin e librit tij historik “Lufta për Çlirimin e Kosovës (1997-1999). Së pari shpjegoi motivet, që e kanë shtyrë të marrë këtë iniciativë. Foli për interesimin që ka ngjallur ky libër në botën shqiptare në vend apo diasporë dhe synimet që ka autori për shpërndarjen e librit. Sipas Dr. Krasniqit, informacionet e përdoruara, të shoqëruara dhe me fotografi, janë aq të sakta sa që ky libër mund të merret në hartimin e teksteve shkollore të historisë. “Një makinë informacioni” e tillë është Nëna Loke (Vitore Stefa leka) që në diskutimin e saj kujtonte me emra shumë nga ata martirë që dhanë gjakun e tyre riosh dhe që sot i shihte të përjetshëm në fotografitë e librit. Aty ishin dhe nga ata që kish strehuar e që i vunë emrin nëna Loke. Gjatë diskutimit prekës të saj, nga salla u dëgjua një zë “Oj nan Loke e mua më paske harruar?”. Një skenë dramatike që emocionoi të gjithë përfshiu ambientin kur Nana Loke pas pasthirrmës që lëshoi u përqafua me djalin e burrëruar tashme, të cilin e dinte të zhdukur se prej vitesh që s’kishte asnjë lajme për të. Mes lotësh e emocionesh kujtuan djemtë e tjerë që sot vërtet s’janë fizikisht, po janë e do ngelen pishtar të pa shuar për të ndriçuar e drejtuar rrugën drejt ëndrrës shekullore të bashkimit kombëtar. Këtë pikë të rëndësishme e trajtoj dhe ambasadori i Shqipërisë (kështu e quajnë të gjithë shqiptarët në Slloveni) zoti Ardian Simoni, ku midis të tjerave u shpreh: – ” Historia është vicioze, përsëritet kohë pas kohe. Që të mos kthehemi në atë fazë të errët të saj, ne nuk duhet ta harrojmë atë, nuk duhet të jemi indiferentë ndaj saj. Sensibilizimi është detyrë e çdo njërit prej nesh, është detyrë e gazetarëve e shkrimtarëve dhe mbi të gjitha e politikanëve.” Emigracioni shqiptar është një realitet shumë i fuqishëm, jo vetëm ekonomik, por dhe organizative dhe duhet të respektohet. Festat që organizohen në Slloveni nga shqiptaret dhe shoqata “ILIRIA” janë një pjesë e punës së ambasadës shqiptare për solidaritetin mes shqiptareve të të gjitha trevave. Janë seanca për ngritjen  e dinjitetit të secilit prej nesh, janë pauza që marrim ne emigrantët për të afrontuar ditën tjetër më lehtë. I ardhuri apostafat nga Graz të Austrisë Zoti Bashkim Shala, tregoi se në këtë qytet të Austrisë kanë 20 vjet që vepron shoqata “ATDHEU” drejtuar po nga zoti Bashkim Shala. Ai foli për aktivitetet e  ndryshme të shoqatës dhe kërkoi bashkëpunim jo vetëm me shoqatën ILIRIA, po dhe me shoqata vepruese në Itali e gjetkë. Në fjalën e saj drejtoresha e institutit Lumnije Haxhijaj, shpjegoi për punën e madhe që bënë Instituti i Kërkimeve të Trashëgimisë Kulturore Historike Shqiptare. Zonja Haxhija, përmendi gjithashtu, ndihmën e madhe që jep bashkëpunimi me bibliotekën kombëtare dhe universitare të Kosovës si dhe me muzeun Kombëtar. Mbrëmja vazhdoi deri në orët e vona, mes bisedave e diskutimeve në një tjetër sallë, “ku i zoti shtëpisë” zoti Heset Ahmeti, kishte përgatitur dhe një koktej me tradita shqiptare