“Ra një yll”, kënga më e votuar në Blogun e Eurosong

1027
Luis Ejlli dhe Rezarta Smaja u ngjitën dje në skenën e Festivalit të 56-të të këngës në RTSH. Mes 70 këngëve që kanë aplikuar, komisioni ka përzgjedhur 22 Finalistët të denja për të mbërritur tek publiku. Në një intervistë dhënë për gazetën “Telegraf” të dy këngëtarët tregojnë se si lindi ky bashkëpunim dhe mesazhin që përcjellë kënga e tyre, e cila është një baladë dashurie. Ata rrëfehen edhe për përjetimin si më të votuarit në blogun e Eurovizion 2018 dhe dëshirën e madhe për të kënduar në Lisbonë.

“Ra një yll” titullohet kënga me të cilën konkurroni në Festivalin e 56-të të Këngës në RTSH. Si lindi ky bashkëpunim me Rezarta Smajën?
Rezarta Smaja: Kompozitori i këngës kishte dëshirën të na bënte bashkë mua dhe Luisin. Ai bëri këngën konkurrente këtë vit një duet të fuqishëm dhe dëshironte të përfaqësohej me ne të dy në këtë festival me shumë rëndësi në krijimtarinë e muzikës shqiptare.

Luis Ejlli: Ka qenë një dëshirë e imja në fakt, të bëja një këngë me Zhulalin, dhe pas natës finale të festivalit të kaluar, pra para një viti ia kam propozuar Zhulalit që do doja të këndoja një këngë të tijën. Ai ishte dakord, po dhe më tha do e bëjmë duet. Po mendonim për vajzën dhe na shkoi ndërmend për Rezartën. Unë kam qenë 4 vjet në klasë me Rezartën në gjimnaz në Shkodër, njihemi që fëmijë dhe, mendoj dhe besoj se do paraqitemi denjësisht në festival.

Cilët janë krijuesit e kësaj kënge dhe cili është mesazhi që ajo përcjell?
Rezarta Smaja dhe Luis Ejlli: Muzika dhe Orkestrimi Edmond Zhulali, teksti Agim Doçi. Tema e këngës është për dashuri, ra një yll, ai është simbol i dritës dhe shpresës, ai bie për mua që jam i zhytur në errësirë dhe do më ndriçojë zemrën, mendjen dhe gjithçka rreth meje. Ne kemi një këngë shumë profesionale, shumë të ndjerë dhe e vështirë vokalisht që na jep mundësinë të nxjerrim maksimalisht aftësitë tona vokale dhe të ndjehemi shumë mirë në skenë gjatë interpretimit të saj.

Në Blogun e Eurosong kënga juaj është votuar si më e preferuara deri tani. Si ndjeheni që publiku ju ka vlerësuar kaq shumë?
Rezarta Smaja: Vlen të thuash që kënga është vërtetë e mirë, e menduar dhe e punuar shumë bukur. Kur edhe publiku di ta vlerësojë është vërtetë një kënaqësi e madhe. Ç’është e vërteta shpesh kam lexuar komente dhe kam kuptuar që publiku jashtë vendit më kanë vlerësuar shumë si këngëtare dhe krijimtarinë që kam kënduar gjatë këtyre 5 viteve pjesëmarrje. Më shkruajnë shumë edhe gjatë vitit . Të interesuar gjithmonë për të ditur a do marr pjesë këtë vit. Është vërtetë kënaqësi e madhe. Pastaj Luisi më jep vlera të tjera. Është një nga këngëtarët më të mirë, profesionist dhe e ka prekur skenën e Eurovisionit si edhe autorët e kësaj kënge. Kështu që ia vlen të shpresojmë që kësaj radhe të shkojmë të katër. Ku i dihet?!
Luis Ejlli: Ky festival, duam s’duam, atë qëllim ka, pra pjesëmarrjen në eurovision. Meqenëse aty ne jemi votuar me një diferencë goxha të madhe, do të thotë që kënga është e pëlqyeshme edhe për ata dhe, jo vetëm për publikun shqiptar. Është kënaqësi ta shikosh veten në vendin e parë dhe, përderisa publiku na ka dhënë çmimin e parë, për ne është kënaqësi e jashtëzakonshme. Se si dhe çfarë do vendosë juria e festivalit, kjo ngelet për t’u parë e dëgjuar në natën finale (nëse na kalojnë në finale).

Sa e fortë ju duket kjo garë?
Rezarta Smaja: Gara është e fortë dhe për këtë më bëhet qejfi, pasi ka krijimtari shumë të bukura këtë vit. Jam shumë e kënaqur që nuk kam munguar në festivalin e 56-të. 

Luis Ejlli: Çdo garë është e fortë, të gjithë duan të fitojnë, të gjithë kanë bërë maksimumin dhe do japin maksimumin e tyre në paraqitje dhe në të kënduar. Mua prandaj më pëlqen kjo skenë, sa më e fortë të jetë gara, aq më i përqendruar jam, dhe aq më shumë dëshirë kam të fitoj.

A besoni se do jeni ju fituesit e këtij edicioni?
Rezarta Smaja: Edhe mund ta besoj.. tani po… vlerësimi që na kanë bërë na ka dhënë zemër. I falënderoj të gjithë!

Luis Ejlli: Realisht dhe sinqerisht nuk di ç’të them, është një pyetje të cilën po t’ia bësh 22 këngëve pjesëmarrëse, asnjëri nuk ta thotë me fjalë, “Po, do e fitoj”, por i vinë anash e anash duke thënë, rëndësi ka të pëlqehet nga publiku dhe këtë them dhe unë, por brenda vetes unë, Rezarta dhe 21 këngët pjesëmarrëse, çdo natë e kemi ëndërruar këngën tonë duke e kënduar në Lisbonë.

Intervistoi: Esmeralda Pirra


Sigal